Dëshmitar okular/ Diti Biçaku: Tirana e natës së 26 shkurtit 1951

0
172

diti bicakuRibotim, pjesë nga intervista ekskluzive e të mbijetuarës së masakrës së 26 shkurtit 1951, Diti Biçakut

Ekskluzivisht për “Standard” dëshmia e rrallë, e gjatë e Diti Biçakut, dëshmitares okulare të terrorit komunist në mbrëmjen 26 shkurtit 1951, kur u pushkatuan 22 intelektualë, mes tyre femra e vetme Sabiha Kasimati, e fejuara zyrtare në atë kohë e gjuhëtarit Eqrem Çabej

 

 

Ju jeni dëshmitare okulare e natës së arrestimeve që tani e njohim si ngjarja e “bombës në ambasadës sovjetike”, ku u pushkatuan 22 intelektualë. Edhe juve ju arrestuan atë mbrëmje. Kishte arsye?

Ju nuk e merrni me mend, unë isha 24 vjeçe. Vija në punë me biçikletë, ndoshta kushedi, a pse më panë me biçikletë a kushedi. Këtë e thoshim me veten tonë, për të kuptuar pse më arrestuan. Punoja arsimtare në fillim, sa mbarova shkollën. Në vitin e parë më pushuan, duke më thënë se kisha babë e vëllezër në burg, po unë nuk kisha asnjë prej tyre në burg. Por, ishin kushërinjtë e mi të parë.

 

 

Kur ndodhën arrestimet masive ku ishit?

Në këtë kohë isha në Tiranë. Banoja te kunati im, pasi na kishin përzënë nga Elbasani. Ne ishim dy motra, njëra ishte martuar me avokatin më të mirë të Tiranës. Ajo më mori mua për t’u larguar, gjasme nga rrethi e të rrija në shtëpi me të, bashkë më nënën.

 

 

Çfarë mban mend nga ajo mbrëmja e arrestimeve masive të shkurtit 1951?

Ne kishim dy dhoma. Aty ishim përmbledhur të gjithë. Ishin motrat, kunati Fejza, dhe katër fëmija, bashkë me vjehrrën e motrës, unë dhe mama. Rrinim të gjithë bashkë. Ashtu ishte koha, ku të fusje kokën. Në orën 12:30 të natës, as derë nuk ra, as një thirrje, kur bam u hap dera. Ne ishim në gjumë. Ishin vetë i katërt, katër të Sigurimit.

 

 

Ishin të armatosur?

Po, po, të armatosur. Ata erdhën dhe e hapën derën duke bërtitur: “Ngrihuni!” Kalamajtë ishin në gjumë. E kishim dëgjuar më parë se kishte nisur një fushatë arrestimesh. Tani ishim duke pritur se kush e kishte radhën.

 

 

Çfarë date ishin arrestimet?

Ishte mbrëmja e 23 shkurtit kur më arrestuan mua. Vetëm se atë natë ka qenë një ftohtë i madh, një acar i madh. Kur dola nga shpia, nga i ftohti kunati më hodhi një shall, një pallto të madhe, sepse pak ishte drithërimi, pak se ishte dhe i ftohti i madh. Kështu na drejtuan nga sheshi për te burgu i ri, siç i thoshin atëherë.

 

 

A mund të përshkruash atmosferën atë natë, në orën 12 të natës në qendër të Tiranës?

Atmosfera e asaj nate, në orën 12 nuk di ta përshkruaj. Ishte një tmerr. Ishin të gjithë me kokë ulur.

 

 

Kishte burra edhe gra?

Gra s’kishte. Vetëm burra. Ata të Sigurimit dhe ata që ishin arrestuar. Në natën që u arrestova, vetëm unë isha grua.

 

 

Po Sabiha Kasimati, në të njëjtën natë është arrestuar me ju?

Jo, Sabihaja ishte kapur më datë 21 shkurt.

 

 

Pas bulevardit, drejt e në burgun e ri, në qeli?

Direkt në burgun e ri. Hapën dyert me zhurmë – rrang, rrang, rrang! Ishte errësirë e madhe, pa drita. Vetëm me fenerë. Nuk i hapnin dritat, që të mos shikonim se kush është arrestuar. I futnin me radhë nëpër qeli. Po nuk mbaronte radha, aq shumë kishin arrestuar. Kur erdhi radha te unë ishte një errësirë sa nuk shihej as ndërtesa. Më hipën në një anë të burgut, nuk e di fare, s’ia kisha idenë. Më përplasën me forcë kur u gjenda brenda një kaushi. Kaushi ishte pa drita, pa xham, nuk merrej vesh asnjë gjë. Kur u hap një fije shkrepëse në momentin kur unë hyra në kaush. Kur shikoj aty edhe nja 11 gra të tjera. Ndër ato njoha Sabihanë.

Asaj i kishte ardhur dysheku dhe qëndronte e shtrirë. “Kush je ti?”, – më pyeti Sabihaja mua. I thashë, që isha Didija e Biçakut. Ajo e shkreta në vend që të më thoshte “bubu e shkreta”, por tha “sheqyr”, domethënë që më njohu! Më afroi afër vetes, për t’u ulur dhe unë në dyshekun e saj. Ajo e shkreta ishte me temperaturë, shumë e sëmurë. I thashë pallton që kisha marrë dhe ia hodha mbi shpinë.

 

 

Çfarë ndodhi në qeli? A ju komunikuan arsyen e arrestimit?

Po, kur shkuam atje u afrova te dysheku i Sabihasë. Dridhej ajo. Pa mbaruar fjalët, të pyeturi njëra-tjetrën, hapet dera dhe hyjnë tre burra. Një me emrin Mitat ka qenë atje, në tjetër Llazar… gardianë në burg… ishte dhe Stavri Xharo.

Kur na nxorën, na pyetën të gjithëve dhe kur erdhi radha te Sabiha Kasimati – i thanë: “Ti të jesh gati”. Kur u thashë dhe unë emrin tim, Diti Biçaku, na thanë të dyjave: “Hajdeni, dilni jashtë!” Dolëm jashtë. Ishte errësirë. Nuk dinim drejtimin e burgut.

 

 

A kuptuat se ku po ju çonin?

Nuk e dinim fare, veç na nxorën dhe nuk e kuptonim në ishte ditë apo natë! Nuk merrje vesh fare çfarë po ndodhte e ku do të na çonin. Se është e nesërmja, se është e pasnesërmja… ishte vazhdimisht errësirë.

 

 

Ka një moment në burg, siç është e dëshmuar, se në burg erdhi Mehmet Shehu. Ku i mblodhi të burgosurit, mbani mend çfarë ju tha?

Mehmet Shehu erdhi dhe dukej vetëm një fener, një dritë. Ishte një tavolinë aty dhe bërtiste jashtëzakonisht shumë. Thoshte më të bërtitura për ne: “Këta janë armiqtë e popullit. Për këta nuk duhet të kemi mëshirë. Këta duan të rrëzojnë pushtetin tonë popullor”. Në këtë fjalim agresiv vazhdonte: “Për këta nuk ka falje; për këta duhet dënimi më i rëndë”.

 

 

Në oborrin e burgut apo në qeli ishte ky fjalim?

Mehmeti ishte brenda burgut, jo jashtë në oborr.

 

 

E ndiet rrezikun, çfarë ju priste pas këtij fjalimi të Mehmet Shehut?

Deri në atë moment nuk e dinim se çfarë po ndodhte. Por pas atij fjalimi filluam ta ndienim rrezikun. Nuk pipëtinte asnjë. Mbaroi fjalimin me rreptësi shumë të madhe, se çfarë kishim bërë, vetëm Mehmet Shehu e dinte që ne ishim armiqtë e popullit.

Nuk kishim bërë asgjë. U çuditëm!

 

Si arritët të shkëputeshit nga Sabihaja, duke iu shpëtuar pushkatimit?

Nuk e di, unë isha e lidhur me Sabihanë dhe a gardiani ishte, a ndonjë i Sigurimit nuk e di, por në atë moment të ngjitjes në makinë, më tërhoqi fort mua. Sabihaja më tërhiqte mua në anën tjetër, sepse po mendonim se mund të dilnim. Nuk mendonim kurrë se ishin për pushkatim. Ajo po mendonte, bashkë me mua, se ata po dilnin nga burgu. Sabihaja iku. Kështu u shkëputëm nga njëra-tjera; një këmbë në kamion, një këmbë në tokë… Mua më futën në një kaush si ai i rojeve. Kam qëndruar dy ditë e dytë net pa ngrënë e pa pirë. Nuk dija fare se ç’po bëhej. Njeriu qenka shumë i fortë. Mallkoja dhe thosha: “O Zot, pse më ndave prej shokëve?” Sepse, kujtoja se u falën ata. Isha shumë keq, nuk e merrni me mend. Gardiani më hapi derën, dhe i thashë: “Aman, po mua pse nuk më falët?” Kur më futën në një kaush të izoluar, vetëm. Ishte një qeli me gjak, me minj sa një mace e vogël, ishin disa këpucë te dyert, i linin jashtë… U thashë, pse më ndanë prej Sabihasë?! Ma kthejnë: “Te Ura e Beshirit deshe të shkosh?!”

 

 

Kur e morët vesh çfarë kishte ndodhur me njerëzit që hipën në kamion?

Në burg nuk e morën vesh fare se çfarë kishte ndodhur. Vetëm pas katër muajsh, kur dolëm nga burgu. Në burg nuk mora vesh asnjë gjë, as se ka ra bomba në ambasadë, nuk dinim fare… as gjyq nuk u bë. Vetëm kur dolëm nga burgu, morëm vesh se kishin bërë reprezalje të madhe në qytet, për t’i dhënë me kuptu Bashkimit Sovjetik se ne bëjmë luftën dhe kështu kapën të gjithë intelektualët. Ishin 21 vetë dhe u bënë 22 bashkë me Kacelin, që thoshin me vonë se ishte torturuar shumë. Ai u vdiq në dorë dhe e kishin hedhur nga dritarja, gjasme se ishte hedhur vetë! Për të vrarë veten.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency