26 shkurt 1951/ Hidhet një bombë, thyhen dy xhama, pushkatohen: 22 intelektualë!

0
300

Violeta Murati

faqja-2Historia e bombës në Ambasadën Sovjetike është: hidhet një bombë dhe thyhen dy-tre xhama; pushkatohen 22 intelektualë. Kjo është masakra e njohur e 26 shkurtit 1951, mbi intelektualët dhe qytetarët e pafajshëm të pushkatuar nga regjimi komunist. Si çdo vit, edhe sot familjarët i bëjnë homazh në një takim

 

Historia e bombës në Ambasadën Sovjetike është: hidhet një bombë dhe thyhen dy tre xhama; pushkatohen 22 intelektualë. Gjykimi prej: kryetar Shuaip Panariti (nënkolonel), anëtar Vangjel Kocani (kapiten), anëtar Nonda Papuli. Shteti komunist nxori dekretin Nr. 1223, datë 26.2.1951, i cili siguronte organeve të diktaturës të drejtën e terrorit shtetëror, të ekzekutimit të menjëhershëm duke abroguar të drejtën e pranisë së të pandehurve gjatë gjyqit dhe të drejtën e apelimit. Ky ishte gjyqi special i fundit-1951. Ishte data 19 shkurt 1951 kur në oborrin e ambasadës sovjetike ndodhi një ngjarje, përmasat e të cilës krijuan sfondin e një ndëshkimi që do të mbahet mend gjatë nga shqiptarët. Në “Antologji e Krimit Komunist”, botim i Qendrës Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës, Tiranë 2006, kjo histori vjen e plotë, duke shfrytëzuar Arkivin Qendror të Shtetit.

Një bombë që u hodh në oborrin e kësaj ambasade theu disa xhama një re pluhuri u ngrit lart për t’i dhënë shkas që ngjarja të keqpërdorej nga diktatura. U dha alarmi, dhe gjithë strukturat e shtetit policor komunist u vunë në ndjekje të “gjahut” të radhës.

Nga data 19 shkurt deri më 26 u bënë arrestime masive, nisën torturat ndaj të shoqëruarve, shtypi zyrtar i kohës trumbetonte për “armikun e klasës”që kërkonte të prishte urat e miqësisë shqiptaro-sovjetike…

Më 20 shkurt, në mbledhjen e jashtëzakonshme, të Byrosë Politike, mbledhur me ngut nga vetë Enver Hoxha, pasuesi i tij Mehmet Shehu, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, pasi bëri një ekspoze të kësaj ngjarjeje, kërkoi që të merreshin masa ekstreme, duke theksuar se “është një ngjarje e kalibrit të madh, madje më e madhe se ndonjë atentat që mund të bëhej kundërt ndonjërit nga ne”.

Ministri i Punëve të Brendshme, tashmë i cilësuar krimineli Mehmet Shehu, kërkoi masa represive dhe të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi, pasi siç deklaroi ai: “Ne kemi pushkatuar dhe jashtë ligjeve në fuqi”.

Mehmet Shehu:- Të arrestojmë rreth 100 apo 150 vetë, nga të cilët 10 apo 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht më kryesorët.

Të gjithë anëtarët e byrosë njëzëri: -Të gjithë jemi dakord me këta masa!

Pra të gjithë anëtarët e Byrosë Politike ishin plotësisht dakord me marrjen e masave të menjëhershme dhe represive.

(Ky episod është procesverbal i mbledhjes së Byrosë Politike, Tiranë më 20 shkurt 1951, tërhequr nga Arkivi Qendror i Shtetit)

Po gjithmonë është bërë pyetja se kush e hodhi bombën dhe cili ishte qëllimi i këtij akti?

Që atëherë kanë kaluar më shumë se 60 vjet, por mendimi me të cilën bashkohen analistët edhe historianët është se bombën në oborrin e Ambasadës Sovjetike e ka hedhur Sigurimi i Shtetit për të krijuar terrenin për ndëshkimin e radhës. Ndryshe nuk mund të shpjegohet që 8 muaj më vonë, në tetor të vitit 1951, u përgatit dhe u zhvillua një gjyq me dyer të mbyllura, ku të dyshuarit u dënuan pa pasur asnjë dëshmitar në sallën e gjyqit?

Prokurori i çështjes Siri Çarçani, pa kryer procedurat e hetuesisë pa pasur qoftë edhe një dokument e pa asnjë dëshmitar, bëri akuza për krime të rënda kundër popullit e shtetit dhe propozoi që viktimat të dënoheshin me nenin 373 të Kodit Penal.

Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga: kryetar, nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar, kapiten Vangjel Kocani, anëtar Nonda Papuli, anëtar dhe sekretar i gjyqit Hidai Bejo, – pasi konstatuan se 22 të pandehurit ishin armiq të betuar dhe të egër të popullit e të pushtetit popullor, në bazë të ligjit 373, datë 11.12.1951 dha dënimin e tyre me vdekje, me pushkatim.

Vendimi i gjykatës u mor pa u provuar asnjëra nga akuzat e ngritura nga prokurori kundër të pandehurve, pa asnjë provë shkresore apo verbale, pa asnjë regjistrim, pa asnjë dëshmitar. Për më tepër, vendimi i gjykatës ishte pa prezencën e prokurorit të çështjes në sallën e gjyqit.

Ky është cilësuar si një rast i paprecedentë jo vetëm në gjykatat shqiptare, por dhe ato botërore, në të gjitha kohërat; në gjyq mungonte hetimi gjyqësor, nuk ishin pyetur të pandehurit, rast unikal. Pra mungonte hetimi gjyqësor, mungonte prokura, mungonte e drejta e mbrojtjes dhe apelimit! Kumi: viktimat dënoheshin për hedhjen e bombës në ambasadës sovjetike, por asnjërit prej tyre nuk i bëhet një akuzë e tillë në sallën e gjyqit!

“Kuptohet që të gjitha mizanskenat e këtij teatri tragjik ishin ndërtuar në zyrat e larta të Ministrisë së Brendshme. “Shteti nxori dekretin famëkeq nr. 1223, pikërisht në datën 26.2.1951, për t’u dhënë dorë të lirë strukturave komuniste të krimit institucional për të linçuar pa asnjë pengesë, duke eliminuar të gjitha etapat e procedurave penale, duke sanksionuar kështu të drejtën e vdekjes, të ekzekutimit të menjëhershëm…Me këtë ngjarje, niste kështu një etapë e re e terrorit shtetëror komunist, mbi elementët që nuk pajtoheshin me ideologjinë e nënshtrimit kolektiv”, dëshmohet në “Antologjinë e krimeve komuniste”.

Mesnatën e 26 shkurtit 1951, viktimat e kësaj historie u nxorën nga qelitë dhe i lidhën me kavo hekuri njëri me tjetrin. Ata nuk e dinin se ku po i çonin dhe as se do të vdisnin pasi nuk i kish gjykuar njeri. Skuadra e pushkatimit pasi kryen urdhrin i futën në gropën kolektive, duke i mbuluar pas asnjë shenjë. Familjarët ende nuk e dinë ku prehen trupat e tyre. Ndërsa më 3 mars 1951, gazeta “Zëri i popullit” boton fjalimin e diktatorit Enver Hoxha, mbajtur në Konferencën Kombëtare të Novatorëve, ku midis të tjerave thuhet: “ Të ashpërsojmë në kulm luftën e klasave. Të jemi të pamëshirshëm kundër dobiçërve të kapitalizmit. Partia do t’ua marrë shpirtin e do t’i shfarosë pa mëshirë ata! Të çelnikosim dashurinë tonë të pakufishme për Stalinin gjenial, babën e shpëtimtarin tonë të shenjtë!”

 

 

Historia

Më datë 19 shkurt, në orën 17 e 47 minuta u hodh në oborrin e ndërtesës së ambasadës sovjetike një sasi e vogël dinamiti me potencial të reduktuar. Një krisje e fortë dhe disa xhama të thyer. Asgjë më shumë. Alarm në Ministrinë e Brendshme dhe në qarqet e larta politikë të Tiranës. Shqetësimin në ambasadën sovjetike të Tiranës dhe në Ministrinë e Jashtme të BS-së.

Plenumi i KQ të PPSH i ndërpreu përkohësisht punimet në paraditen e datës 20.2.1951 sepse u mblodh urgjentisht Byroja Politike e KQ të PPSH, që mori në shqyrtim incidentin e rëndë në Ambasadën sovjetike.

Në seancën e datës 20 shkurt 1951, Byroja politike e KQ të PPSH dëgjoi raportimin e ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu: Një politike të kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”.

Masa të jashtëzakonshme represive: Pa marrë parasysh ligjet në fuqi!

Mehmet Shehu deklaron: Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, d.m.th. kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi

Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë, pa bërë hetime për ngjarjen dhe pa gjetur provat për personat e pandehur.

U kërkua të arrestoheshin 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 të rëndësishëm të pushkatoheshin pa gjyq.

Mehmet Shehu deklaron se: Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji

Ministria e Brendshme dhe sigurimi i shtetit përpiloi listën e vdekjes, arrestimin dhe pushkatimin e 22 viktimave (edhe këto nga datat 19-26 shkurt 1951). Kush i përpiloi tri listat me 21 persona të zgjedhur për t’u ekzekutuar pa gjyq? Kryetari i degës së dytë të sigurimit të shtetit, kapiteni Rasim Dedja, hartuesi i listave rrëfen: Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zv.ministrat Kadri Hazbiun dhe Mihallaq Zicishti

 

Akuza

Akuza e prokurorit të Përgjithshëm të ushtrisë, Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe është firmosur prej tij. Aktakuza fillon me emrin e të pandehurit Tefik Shehu dhe mbaron me emrin e Sabiha Kasimatit. Gjithsej 22 persona të akuzuar. Për çdo akt akuzë, për çdo të akuzuar, shënohen gjeneralitetet, shtresa shoqërore dhe data e arrestimit. Asgjë tjetër.

Akuza kolektive:

“Akuzohen se: Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste duke u bërë agjentë të rregullt të tyre. Kanë furnizuar spiunazhet e huaja më informata me karakter sekret ushtarak, politik dhe ekonomik në dëm të Republikës sonë Popullore

Janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propaganduar për rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano-anglezë dhe satelitëve të tyre.

Fajet e mësipërme parashikohen nga nenet 2 e 3 nr. 10,7 dhe 8 të ligjës 372 datë 12.12.1946 mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit dhe dënohen nga neni 4 i po kësaj ligje.

Duke qenë se ky proces ka rëndësi të posaçme kërkoj: Në bazë të nenit 12 të paragrafit të dytë të ligjës së sipërpërmendur të gjykohen në seancë të parë e të fundit direkt nga gjykata e lartë ushtarake dhe, mbasi të dërgohen para gjyqit dhe të provohet fajësia e tyre, të dënohen sipas dispozitave të sipërpërmendura.

Tiranë 25.11.1951

Ky proces me “rëndësi të posaçme” dhe 22 persona të pandehur ngre nje akuzë vetëm 10 rreshta.

 

Mbi ç’baza akuzat:

Së pari, Sipas aktakuzës, të pandehurit “janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja, duke u bërë vegla të rregullt të tyre”. Kjo akuzë nuk mbështetet nga kryeprokurori me asnjë prove.

Së dyti sipas aktakuzës, të pandehurit “janë bërë anëtarë të një organizate terroriste”- Në dosjen 1687 nuk posedohet asnjë provë për një organizatë terroriste apo ndonjë akt terrorist ë saj, madje as nuk përmendet as hedhja e bombës në Ambasadën Sovjetike, pasi asnjë prej të pandehurve nuk kishte lidhje me këtë akt terrorist.

Nuk u provua të kenë lidhje me njëri tjetrin, madje as që e njohin

Procesverbal i gjyqit të gjithë mohojnë: “Nuk pranoj të kem bërë akt terrorit”/ “Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje ku është marrë vendim për akte terroriste”/ “Nuk ka kam marrë pjesë në ndonjë organizatë terroriste”/ “nuk pranoj akuzën që të kem marrë pjesë në një organizatë terroriste”.

-Aktakuza e tretë e prokurorit të përgjithshëm: “Kanë propaganduar për rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano-angleze dhe satelitëve të tyre”.

-Të gjithë të akuzuarit pranuan pjesërisht akuzën me këtë frazë: “Kemi shpresuar tek një ndërhyrje e anglo-amerikanëve dhe tek një luftë e re, që do ta ndryshonte situatën”- kjo fjali mendohet prej studiuesve të jetë shtuar nga oficerët e sigurimit të shtetit, që kishin dorë të lirë të shkruanin çfarë të donin.

 

 

Gjyqi inekzistent

-A zhvillua ndonjë gjyq, qoftë dhe formal dhe a është marrë ndonjë vendim gjyqësor për dënimin me vdekje të 22 jetëve? Ekziston procesverbali, provë shkresore se është përpiluar pasaktësisht më vonë, pas pushkatimit të viktimave dhe pa gjykim. Në procesverbal thuhet se çështja ishte shqyrtuar në bazë të ligjit të ri mbi organizatat terroriste, pa përmendur se cili ishte ai ligj, numri dhe data e daljes së tij. Në procesverbal thuhet se u lexua akuza dhe u morën në pyetje të pandehurit. Por nuk thuhet se kush e lexoi akuzën, mbasi prokurori mungonte.

Në procesverbal nuk jepet trajtimi i çështjes nga kryetari i trupit gjykues, nuk jepet asnjë fjalë prej tij, nuk bëhet asnjë akuzë për ndonjë organizatë terroriste, apo akt terrorist, nuk sillet asnjë provë për fajësinë e secilit, nuk pasqyrohet asnjë lloj hetimi gjatë gjykimit, as ballafaqim midis të pandehurve, nuk është thirrur asnjë dëshmitar….

Nuk evidentohen në procesverbal pyetjet që bën trupi gjykues dhe përgjigjet e secilit për pyetjet. “En block” janë shkurt “reagimet” e secilit të pandehur për akuzën.

Ish anëtar i gjykatës së lartë Mustafa Qilimi, deklaron se: “Sa kohë isha unë në Gjykatën e lartë nuk ka pasur dosje hetimore gjyqësore për ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, për të cilën ekziston vendimi i pushkatimit të 22 personave”

Të gjitha janë shkelje të ligjit, që dëshmojnë se gjyqi nuk është zhvilluar fare. Procesverbalet janë plotësuar nga Gjykata e Lartë dhe Ministria e Brendshme pas ekzekutimit të personave të arrestuar.

– Prova se procesverbali është falsifikuar, është rasti i Jonuz Kacelit: vritet gjatë torturave, hidhet nga dritarja si i vetëvrarë – rast që merret si i pandehur në gjyq, pyetet nga kryetari, u përgjigjet akuzave dhe dënohet me vdekje- kjo provon se procesverbali është shkruar më vonë, gjyqi nuk është zhvilluar si fund të tij.

Vendimi “me vdekje me pushkatim” ishte i formës së prerë, i paapelueshëm, i ekzekutuar menjëherë dhe i plotësuar me konfiskimin e gjithë pasurisë së luajtshme e të paluajtshme – deri te lugët dhe pirunjtë! Porosia për gjyqtarët e diktaturës ishte: Për këtë vendim penal fiktive “duhet të mbyllet goja e të mos thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”.

Shuaip Panariti dhe Vangjel Koçani e firmosin procesverbalin e falsifikuar pa asnjë hezitim. Kundërshtojnë sekretari i gjykatës së lartë, Hydaji Bejo dhe Nonda Papuli

Në vitin 1991 Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë pas kërkesës pranë Plenumit të Gjykatës së Lartë për prishjen e vendimit penal nr. 64 datë 27.2.1951, si të kundërligjshëm dhe të pambështetur në asnjë provë, u vendos prishja e këtij vendimi dhe pushoi çështjen penale në ngarkim të 22 të pushkatuarve. Pavarësisht këtij vendimi, ende është mbuluar inekzistenca e gjyqit dhe falsifikimi i dokumenteve gjyqësore.

 

Gjykata e Lartë Ushtarake

Me vendim nr. 64, datë 27.2.1951, dënoi me vdekje:

Sabiha Kasimati, Pjerin Guraziu, Anton Delhysa, Zyhdi, Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaçeli, Manush Peshkëpia, Niko Lezo, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Reiz Selfo, Myftar Jegeni, Thoma Katundi, Tefik Shehu, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Ali Qoraliu, Mehmet Shkupi, Hekuran Troka, Qemal Kasaruho, Petro Konomi, Pandeli Nova

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency