Bizneset, shlyhen detyrimet e prapambetura

0
1039

Bizneset, shlyhen detyrimet e prapambeturaMinistria e Financave deklaroi se deri më tani, ka paguar rreth 40.5 miliardë lekë për të gjitha kategoritë e përfshira në Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura. Sipas informacionit të përditësuar të Njësisë së Posaçme të Administrimit dhe Monitorimit të Detyrimeve të Prapambetura, fondi gjithsej i alokuar nga Ministria e Financave për zbatimin e kësaj strategjie është 44,5 miliardë lekë. Përveç kësaj vlere, në fund të vitit 2013 janë paguar rreth 3 miliardë lekë për investime të prapambetura dhe 1,9 miliardë lekë për pagesën e prapambetur për Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK). MF deklaron edhe se, në lidhje me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për shpenzimet për investime, gjatë vitit 2014 janë çelur rreth 10.1 miliardë lekë, të cilat i përkasin detyrimeve për periudhën 2005-2013, nga të cilat, deri në fund të vitit 2014, janë paguar rreth 9.7 miliardë lekë. Për sa i përket vitit 2015, janë çelur rreth 5.7 miliardë lekë dhe janë paguar aktualisht rreth 4.4 miliardë lekë. Totali i çeljeve për detyrimet e prapambetura për investime është rreth 15.8 miliardë lekë, nga të cilat janë disbursuar rreth 14 miliardë lekë.

 

Detyrimet e prapambetura

Në lidhje me kategorinë e detyrimeve të prapambetura për shpenzimet korente, MF bën të ditur se gjatë vitit 2014 janë çelur rreth 5.6 miliardë lekë, të cilat i përkasin detyrimeve për periudhën 2005-2013, nga të cilat deri në fund të vitit 2014 janë paguar rreth 5.3 miliardë lekë. Kurse për vitin 2015 janë çelur rreth 100 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për shpenzimet korente. Për sa i përket rimbursimit të TVSH së prapambetur, gjatë vitit 2014 janë çelur rreth 12.9 miliardë lekë, nga të cilat janë paguar rreth 12.8 miliardë lekë ose rreth 100% e fondit të çelur për këtë kategori. Për vitin 2015 MF deklaron se për përfundimin e auditimit të procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura për këtë kategori, për të vijuar më tej me çeljen e radhës së fondeve për këtë kategori, rreth 3.2 miliardë lekë.

 

Paguhen detyrimet për vendimet gjyqësore

Ka vazhduar procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura për kategorinë “Të tjera” (sipas klasifikimit në Strategjinë për Shlyerjen e Detyrimeve të Prapambetura për vendime gjyqësore, shpronësime etj.), për të cilën fondi i çelur për vendime gjyqësore gjatë vitit 2014 është rreth 3.5 miliardë lekë, nga të cilat janë paguar rreth 3.4 miliardë lekë (rreth 97%), kurse për vitin 2015 është çelur fondi rreth 1.6 miliardë lekë, nga të cilat janë disbursuar rreth 1.5 miliardë lekë.
Gjithsej për vendimet gjyqësore janë çelur rreth 5.1 miliardë lekë, janë disbursuar rreth 4.9 miliardë lekë. Vendimet gjyqësore kanë qenë kryesisht për individët (rreth 60%) dhe për subjektet (rreth 40%). Për sa i përket shpronësimeve, fondi total i çelur për shlyerjen e detyrimeve për këtë kategori është rreth 1.5 miliardë, nga të cilat janë paguar rreth 300 milionë lekë. Gjatë muajit prill 2014, janë paguar rreth 4.4 miliardë lekë si detyrime të prapambetura, që institucionet buxhetore kishin ndaj OSHEE. Ky proces për energjinë ka nisur gjatë këtij viti dhe kap vlerën rreth 9 miliardë lekë.

 

Pagesat

Informacioni, i konfirmuar edhe nga KESH sha, bën me dije se “për vitin 2014, totali i faturimit të HEC-eve është 9.76 miliardë lekë. Deri më datë 18 shkurt 2015 janë shlyer në total 6.08 miliardë dhe kanë ngelur pa u shlyer 3.68 miliardë lekë. Kjo shumë detyrimi e pashlyer është për periudhën korrik-dhjetor 2014”.

 

 Bonot 12-mujore, nuk ndalet rritja e interesave

Financat janë përballur me një tjetër rritje të kostos së borxhit në ankandin e fundit, duke mos iu “gëzuar” dot ndihmës që i është dhënë nga institucioni monetar qendror përmes uljes së normës bazë. Në ankandin e zhvilluar sot, u shitën 10.23 miliardë lekë bono me afat maturimi 12-mujor, ndërsa kërkesa arriti në 10.8 miliardë lekë. Yieldi mesatar i ponderuar u rrit në 3.59%, nga 3.57% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm me të njëjtin maturitet, duke vijuar tendencën rritëse, që nuk po ndalet për më se tre muaj. Për bonot 3 mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 3 miliardë lekë, ndërsa kërkesa e investitorëve arriti në 2.8 miliardë lekë. Nga ofertat u pranuan 2.72 miliardë lekë. Yield-i ishte 3.15%, me një rënie nga 3.22% që ishte në ankandin e mëparshëm. Muajt e fundit financat po hasin vështirësi në financimin e borxhit në tregun e brendshëm, për shkak të tërheqjes së bankave, të cilët janë blerësit kryesorë të letrave me vlerë të qeverisë. Kjo ka çuar në një rritje të interesave të letrave me vlerë, sidomos për bonot 12 mujore, pavarësisht politikës monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që e ka ulur normën bazë në një nivel minimal rekord prej 2%. Ndonëse FMN miratoi të dielën lëvrimin e këstit të dytë dhe të tretë të kredisë, në një total prej rreth 59 milionë eurosh, përsëri, kjo nuk duket t’i ketë “qetësuar” bankat, të cilat vazhdojnë ta perceptojnë me rrezik të lartë financimin e borxhit të qeverisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency