Nëpunësi dhe paraja

0
132
Artan FUGAArtan FUGADikur, fëmijë, disa dekada përpara, u ndodha përpara një propozimi të çuditshëm që bënë kalamajtë e tjerë më të rritur. Në fakt idenë e kishte Muri, një djalosh shtatëmbëdhjetvjeçar, komshiu im.

Ne jetonim te rruga Islam Alla që lidh Myslim Shyrin me rrugën e Kavajës. Atëhere ajo ishte një rrugë e ngushtë me kalldrëm, nuk kalonte dot asnjë veturë, vetëm karroca e plehrave me kalë çdo mëngjes dhe gega me karrocën e akullores.

Por, lëvizje këmbësorësh kishte shumë sidomos në mëngjes, në drekë dhe në muzg kur nëpunës që banonin në Tiranën e Re shkonin e vinin nga shtëpia për në zyrë, të cilën e kishin këtej nga rruga e Kavajës a rruga e Durrësit.

Nejse.

Ideja e Murit ishte për një lojë të re, sipas tij, e paparë. Lidhim me spango një pesëqind lekësh. Spangon e kalojmë nga vrima e murit, poshtë, aty në rrêzë ku kalon kanali i ujrave të zeza e që del nga avllia e shtëpisë në cep të rrugës. E lemë pesëqind lekshin në mes të rrugës dhe nëse ndokush vjen ta kapi, me shpresën se e ka gjetur në rrugë, ne e tërheqim spangon nga pas murit dhe shohim se çfarë do të ndodhë.

U eksituam të gjithë nga ideja. E realizuam kurthin dhe u fshehëm pas murit të shtëpisë, hipur në të, dhe nja njëzet çamarrokë kishim nxjerrë vetëm kokat sipër avllisë duke parë se çfarë do të bënte shoku ynë Muri, tironc i vjetër, duke e parë rrugën nga brima e derës.

Muri tha se lojën do ja punonim ndonjë nëpunësi. Ai e kishte gjetur edhe cilit. Nuk e di se përse. Ishte një burrë i hollë, i gjatë, rreth të pesëdhjetave, me kollare e pallto gub, me një çantë në dorë, që edhe kur shkonte edhe kur vinte në muzg nga zyra ecte drejt, serioz, dhe sikur mendonte gjithë kohën se cilat ishin hallet e shtetit dhe të popullit.

Atij do ja bëjmë – tha Muri, dhe ne tundëm kokat. Për ne ishte njësoj.

Pritëm deri sa ai të dukej te fillimi i rrugicës, andej nga rruga e Kavajës për të ardhur në drejt të Myslim Shyrit, duke ecur si gjithmonë serioz, i paanshëm, i palëkundur në hapin e vet të vendosur, solid, dhe këmbëngulës.

Pesëqind lekshi me fytyrën e Skënderbeut rrinte pezull në mes të rrugës, mbi kalldrëm.

Në muzg, ai sikur ndriçonte.

Nëpunësi i gjatë e pa me bisht të syrit. Fillimisht hapi i tij ndoqi ritmin e mëparshëm, eh, s’e hangri – u pezmatuan kokat tona sipër murit. Por, në një sekondë hapi i tij u lëkund, ndali, pa para dhe mbrapa, nuk kishte njeri. U përkul drejt Skënderbeut shtrirë mbi kalldrëm. Ne na u duk se u përul përpara parasë. Pastaj u ul pothuajse duke e thyer mesin, e përkulur trupin poshtë. Ecte i përulur dy a tre hapa drejt lekut si një majmun. Muri si duket e tërhoqi pak spangon që në errësirë nuk dukej dhe pesëqindlekshi lëvizi. U duk sikur e shty era. Muri pas brimës të derës paskësh qen një mjeshtër i vërtetë. Nëpunësi me kollaro, bëri dy a tre hapa përpara ashtu i përulur për ta kapur me shpejtësi lekun, por u pengua në kalldrëm, ra në gjumë dhe pasi pa nga prapa, nisi të ecë këmbadore për ta kap pesëqind lekshi që e kishte mu te hunda e tij. Ishte kthyer në qen duke ecur me katër gjymtyrë. Po ecte si qen. Zgjati dorën ta kapë biletën e lekut, por Muri e tërhoqi edhe pak fare spangon që dilte nga brima e kanalit të ujrave të zeza. Nëpunësi zgjati dorën dhe rrëshkiti mbi kalldrëm. U shtri dhe na u duk sikur u zvarris disa centimetra për ta kap lekun. Ishte bërë gjarpër, njësh me tokën në kërkim të lekut që nuk ishte i tij. Po zvarritej

Nga majmun, në qen, e pastaj në gjarpër. Për pesëqind lek ishte transformuar i tëri, në çast, na dukej se po bënte në drejtim të kundërt rrugën miliona vjeçare  që përshkruan Darvini për t’u bërë njeriu njeri. Leku brenda pak çastesh nëpunësin nga njeri e kishte bërë majmun, pastaj qen dhe në fut gjarpër.

Na shkrepi gazi, ai i shtrirë në rrugë, mbi kalldrëm, nën dritën e zbehtë të llampës së dritës mbi shtyllë druri të shtrembër, kollarja i dukej si gjuhë gjarpri shtrirë në tokë, kollarja e kuqe drejt pesëqindlekshit, çanta e braktisur më tej.

Skënderbeu nga letra e lekut e shihte me trishtim.

Muri e tërhoqi krejt spangon dhe pesëqind lekshi nga kanali i ujrave të zeza u fut në oborrin e shtëpisë. Na pa në sy. I ndrisnin sytë. Dukej sikur thoshte : E patë? Ne e shihnim me adhurim. Nuk e di përse por na dukej madhështore ajo lojë. Sa herë të tjera e bëmë. S’lamë nëpunës pa shtrirë mbi kalldrërm. Edhe me njëqindleksh madje. Jo me Skënderbeun, nuk kishte nevojë, shiteshin lirë, binin barkazi edhe për shumë më pak lek, thjesht me Naim Frashërin, nuk kishte nevojë të përdorje Minatorin…

Të qeshurat tona u përhapën në muzg. Nëpunësi i shtrirë mbi kalldrëm ngriti sytë dhe na pa. E kuptoi se kishte qenë një kurth kalamajsh të prapë. U ngrit në gjunjë pastaj në këmbë. Nisi t’u binte gjunjëve, dhe gjoksit me pëllëmba, pastrohej nga pluhuri i kalldrëmit. Dhe pastaj nisi të na shante : Rrugaçë të ndyrë ! Bij kurvash! Cfarë nuk nxorri nga goja. Ne zgërdhiheshim edhe më keq. Ai po kërcënonte dhe shante publikun e shfaqjes që kishte dhënë si në një kamera të fshehtë, si në një reality show. Atëhere nuk kishim televizor. Zbaviteshim si mundeshim në rrugicën tonë Islam Alla, me kalldrëm. Me cilin të na shkrepte, edhe me nëpunësin që gjurmon si majmunqengjarpër lekun që s’është i veti…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency