Letra 1956/ Kur Lambertz “u ble” nga Enver Hoxha, të përkthente të përçudnuar veprën e Fishtës

0
170

gjergj fishtaKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave

Kjo letër prek një nga pikat më nevralgjike për kohën, kur regjimi komunist po hynte drejt shtypjes së thellë të shqiptarëve, shpresatse mund të hiqej qafe ky regjim po shtereshin. Ky projekt kishte qysh më ’45 që zihej e organizohej nga partitë shqiptare që vazhduan organizimin në emigrim, por kurrë nuk arritën të ishin në unison edhe pse jo pak raste u është afruar ndihma e vendeve tëPerëndimit për këtë situatë politike. Rasti më poshtëështë krejt i qartë se si mërgata politike ishte e përçarë në grupe interesash, qoftë me vendet fqinje, por edhe me fuqitë e mëdha, që në këtë kohë mund të thuhet ishin nën revanshin komunizmit sovjet. Mustafa Kruja gjithë këtë panoramë ja tregon në letrën e ’52 priftit françeskan, i cili ashtu si edhe në letra të tjera bëhet një apoteozë historike në vështrimin jo diletant të historisë, por sigurisht duke mbetur në gjurmë subjektivizmi, pavarësisht objektivitetit. Kjo për shkak se kemi të bëjmë thjesht me letërkëmbime personale, dhe aspak me pretendime të shkrimit të historisë. Kështu në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

Cannes, 29-2-1956

Fort i dashuni mik i im,

E kam marrë t’ânden me 16 kallnduer e qe ku po t’i përgjigjem.

Po më bie me i a nisun me Lambertzin. Mos m’a merr se jam zemruem me këtë hor të pêndës pse s’më ka shtimë mue kund në rendin e auktore a të shkrimtare shqiptarë, mbasi qyshse i a paska shitun shpirtin e pêndën Enver Hoxhës – siç po e marr vesht prej dy librave të rij qi më dërgove – ai s’ka pasun si të më përmêndte mue. Por m’i ke shtimë ti dreqnit kundra tij. Si more! Ky me pasun aqë guxim sa me marr’e me përkthyem Lahutën? E pra po t’a them, se veç n’mos paçim kurrsesi mjet e mënyrë, se ndryshe cilido prej nesh qi marrim vesht shum’a pak gjermanishten, për në qofshim përnjimênd Shqiptarë, duhet të çohemi in coro  me e bâmë zhele po qe se e boton atë përkthim. Mbas modelit qi po më shkruen ti (“Der Teufel halte sie am Leben” , he mozzo mâ keq!), ai përkthim kishte për t’a ulë Fishtën e popullin t’onë qi krenohet me tê në shkallën e Zuluvet. Mjafton shêmbull’ i yt: nji popull qi i lutet djallit, qoftë edhe metaforisht. Ndërsa ky popull ka krijuem eufemizma si “ai qi s’lut, ai qi qoftë larg” për mos me e përmêndun a nemose me e përmêndun sa mâ rrallë! Nji përkthyes qi nuk din se verbi me rruem (rnuem) nuk bâhet n’asnji rasë transitiv. Në dashtë Zoti, ajo vepër s’përkthehet kurrë. Pse ndryshe kritikën kishte me u dashun t’i a bâjshim gjermanisht e t’a botojshim në botën gjermane (Gjermaní e Austrí). Mirpo nuk dij a kemi kênd tjetër, posë Malokit qi do t’i vinte për dore kjo punë e qi do t’i afrohej nji bashkpunimi edhe me tjerë në këtë rasë, gjâ, kjo e fundit, qi për Malokin âsht fort për t’u dyshuem. Po presim e po shohim. Ti po dashke me i shkruem Lambertzit e me i a kallzuem këtë gabim qi paska bâmë në nji artikull. E ndoshta edhe i ke shkruem deri tash. Ndërsa un do të bâjsha ndryshe : po n’atë gazetë ku ka shkruem ai, do të botojsha nji kritikë qi t’i a hiqte mêndsh çdo guxim me e botuem librin e  tij.

I shkreti P. Bernardin! E kam pamë të mbrapmen herë në Shkodër dimnin e ‘43-shit. A i ka në Romë Koliqi ato 27 copë rapsodí të tija? Në qoftë se po, pse vallë nuk i ka botuem nji nga nji n’Albanie Libre?

Letrat, pa fjalë, këndej e mbrapa kam me t’i dërguem me zarfe jo ajrore. Sa për me lamë ndërgjegjen t’eme për gabimin e padashun e të padijtun qi kam bâmë deri tash qi kam marrë këtë letrën t’ânde me të tânë miqtë e mij qi banojnë n’Evropë, kam para sŷshë nji copë letër ku nëpuns’i postës qendrore të Cannes-it ka shkruem me dorën e vet për taksimin ajruer kah vêndet e ndryshme: “Europe, gratuit” . Dmth, je i detyruem me i ngjitun pulla letrës aqë sa duhen për çdo vênd normalisht e të bartunit ajruer âsht “gratuit”.

Kam uzdajë se do të shihemi në nji kohë jo fort të largë në qoftë se s’më del ndonji pengim i pakapërcyeshëm. Kështu e kemi nji plan me Hajdarin. Bukurij’e vêndit âsht pun’ e madhe për kê ka zêmër me e gzuem. Por mue m’âsht djegun shpirti për tjetër gjâ e tjera melheme kërkon ky. Nji ndër to âsht edhe shmallimi me miq të dashtun e të sinqertë. Për tash nji herë po të thom mbetsh me shndet e të mira.

 

Mustafa

 

 

Graz, me 26 marc 1956 

            Shum i dashuni Mik,

Letren tande e pata marrë me 5 të këtij moji. Letren t’ême po e filloj kësaj here me pyetje.

Më duket si n’anderr se më ké pasë shkrue nji herë dý fjalë per nji farë ipeshkvit Bonalda qi po paska intrigue kundra Turkís. Deri tash nuk kam mujtë me gjetë kurrgjâ mbi ket njeri, megjithse plasa tue këndue andej e kndej libra mbí Shqipní.

Vetem në nji liber të shkurtë t’Alois Hudal, Die serbisch-orthodoxe Nationalkirche,  shtypë në Graz me 1921 po gjêj këto fjalë mbi ket ipeshkev. Fjalët e Hudal po t’i shkruej gjermanisht:

“Verhängnisvoll wurden die politischen Intriguen des Erzbischofs Bonalda gegen die Türkei. Es folgten Massenübertritte nordalbanischer Gemeinden zum Islam, als sein Unternehmen fehlschlug”.

Prá, me fjalë të lira po t’i perkthej fjalët qi thotë Hudal, i cili âsht edhe ai ipeshkëv, per nji kolegë të vetin ipeshkev. Intrigat politike t’Arqipeshkvit Bonalda kundra Turkís kjén “verhängnisvoll”; italisht po e gjêj ket fjalë të përkthyeme me “fatale”, shqip perktheje si të duesh. Mbasi deshtoi kjo ndermarrje e arqipeshkvit, në Shqipnín e verit po kenkan kthye masa të mdhaja e bâ musulman.

Mue m’intereson me dijtë mâ gjatë mbi ket ndermarrje t’arqipeshkvit. Përposë fjalëve të Hudal, nuk mujta me gjetë kurrkund ndjeti ndoj gjâ mâ të gjatë mbí ket ndermarrje t’arqipeshkvit, qi as nuk e dij se ku kje arqipeshkev. As Maloki nuk dijti me më dhânë kurrqýsh haber mbí ket gjâ, qi mue m’intereson shum, pse prej kësaj e kuptoj mâ mirë arsyen se pse katholikët shqiptarë braktisen fén e perparshme e u bânë musulman. Cordignano në librin e vet tre blêjsh mbi Shqipnín çon në qiell “la resistenza adamantina” të Grekëvet e të Serbëvet orthodoks kundra moamedanizmës e thotë se njikso qindreset nuk e konstaton nder të krishtênë shqiptarë, sidomos nder katholikë, mbas mendimit të tij.

Nji pyetje tjeter: a âsht Çermenika nji krahinë në vedi apor i perket Matit?

Sá per perkthim të Lahutës prej anes së Lambertz-it, por presim nji herë se kur po botohet. Mâ mirë të botohet me të mbeta qi ka se sá mos të botohet aspak. Nder Shqiptarë nuk po gjindet kurrkushi qi po vêhet me e perkthye në nji gjuhë të huej. Per gjuhen italishte kishin me kenë dy t’aftë per ket gjâ: Prof. Ernest Koliqi e kolega i êm frat, P. Jakob Marlekaj. Por as njani as tjetri nuk e kanë nder mend me u vû e me perkthye Lahuten italisht. Per gjuhen gjermanishte i vetmi, per sa dij un deri tash, âsht Prof . Maloki, por as ky s’e besoj se do t’i a hîj  njiherë kësaj pune. E mandej, edhe po t’u perkthete prej tyne, kush e boton? Tashmâ kohët heroike kanë kalue e kurrkush nuk interesohet per lufta qi malsorët tanë kanë bâ kundra shkjeve. Interesant do të dalë per të huejin episoda e Tringës, pershî në Lahutë. Ai i hueji nuk i vên oroe gabimet qi do të bâjë Lambertzi. Ato i vên oroe vetëm shqiptari qi e kupton gjermanishten e qi vêhet me e kontrollue me origjinalin shqip. Lambertz-i ka perkthye 20 rapsodina në gjuhë gjermanishte e i ka botue. M’a ka dergue mue nji copë falë. Vetë i kam premtue Lambertz-it, se do të vêhem me konfrontue perkthimin e tij me origjinal e do t’i bâj kritiken t’ême. Kemi me pá se çfarë gabimesh të mdhaja ka me bâ. Natyrisht ket punë do t’a bâj kadalë, sepse tash as kohë nuk kam per ket gjâ, pse jam i nxânun me punë tjera.

27 rapsodít e P. Bernardinit Koliqi nuk i ka, porse i ka pasë në dorë në Shqipní, pse i a ka pasë dhânë Bernardini vetë. Por mandej Koliqi i a ka pasë kthye. Se ku do të jén, veç Zoti e din. P. Bernardini ka pasë shkrime shumë, por ishalla ka mujtë me i mshehë ndokund para se e kanë mbytë. Po të diftoj se këtê e kanë mbytë në nji mndyrë krejt barbare, dmth. e kanë gozhdue per shtrat.

Sot ndjeva se Lahuten e perkthyeme të Lambert-zit do t’a botojë instituti jug’ linduer i München, kur të gjêj shumën e nevojshme per botim. Kur të botohet, sigurisht ka me i u bâ kritika.

E kur e keni menden me ardhë kndej pari? Prit edhe nji fije, qi të fillojë me u blerue, pse tash jemi endè në dimen. Njandej kah maji a qershori, at herë âsht mrekullí natyra kndej. Në blerimin e Austrís të knaqet syni kahdo të shkojsh. E Stiria, ku gjindem vetë, thirret “die grüne Steiermark” . Prá kjo âsht e blertë per eccellenza.

Sido kjoftë, eja kur t’i a shifsh gjasen, por bukur âsht këtu njandej kah marimi i prillit ase mâ vonë kurdo, deri në vjeshtë. Në dimën, çoje pa gjâ!

Per sot njiherë po e kpusim muhabetin me kaq. Nji herë tjeter do të më bíjn nder mend edhe pyetje tjera.

Shum shndet e të mira

I jueji me nderime

  1. P. Margjokaj O.F.M.

 

Cannes, 9 Máj 1956

 

        I dashuni mik i mirë e i gjallë,

Mbasi nuk e patëm fat me u pamë, siç pata shpresuem, e kushdi se a do t’a kemi ndonji herë e kur atë fat, po vazhdojmë pra me shkruem letra si tash sa vjet e këndej. Un i kam ruejtun letrat e tua të gjitha. E ti të mijat? Ti ndoshta, si njeri shumë i rregullt qi je, ke shkruem me kopje; mjerisht un besa jo, veç kur më ka marrë ana ndonji herë në të rrallë. Mundet qi n’atë Shqipní të vogël t’onën dikur mund të shkruhen edhe bijografí gjindsh të vogjël. Korrespondenca private âsht nji burim i madh për jetën e nji njeriu publik, se âsht nji burim intim. Po t’a lâ pra me fjalë e me lutë qi po të vijë ndonji ditë qi nji im bir a nji im nip – se tjerë s’besoj të ketë kush mallë për to – t’i kërkojë mbas dekës s’eme, ke me i a falë letrat e mija qi të keshë ruejtun.

Pun’e atij peshkop a kryepeshkop Bonaldës – emnin e paskam pasë harrue krejt madje, – ka qênë kështu: më pat ramë në dorë nji libër tyrqisht në nji biblijothekë t’ Aleksandrisë. Ishte përkthyem prej nji auktori anglez, të quejtun Arnold. Flitte mbi të shtrimët e islamit në botë. E këndova. Atje kishte edhe disa faqe përmbi të përhapunit e asaj feje n’atdhenë t’onë. Atëherë duket se të paskam pasë shkruem edhe tý ndoj send. Por nuk i besoj kujtesës s’eme me të thânë gjâ tjetër posë ça të paskam pasë shkruem atëherë e ça të shkrova këtu.

Krahasimi qi bân Cordignano ndërmjet qëndresës greko-slave mbë nji anë e shqiptare mbë tjetrët kundra islamizimit nën sundimin tyrk, âsht i drejtë e i provuem prej faktesh. Gjithashtu krahasimi ndërmjet qëndresës orthodokse shqiptare e katholike shqiptare. Por ku e kanë rrânjën këto ndryshime? Pse Grekët e Slavët mundën me qëndruem mâ të fortë se Shqiptarët e pse orthodoksit shqiptarë mâ të fortë se katholiqt? Spjegimi na paraqitet jashtzakonisht i vështirë e kompleks. E pa pasun para sŷsh nji pasqyrë krejt të qartë të të gjitha rrethanave shoqnore, ekonomike e politike mbrenda të cilave janë zhvilluem faktet qi dihen, çdo gjykim qi mund të bâhet mbi to nuk mund të jetë veçse arbitrar.

Çerm(ë)nika âsht nji krahinë malsore administrativisht e lidhun me Elbasanin.

Botimin e Lahutës së përkthyeme prej Lambertzit e ka në dorë ky vetë e mundsija financore qi të ketë për shpenzimet e botimit. Për mendimin t’em, mos mbërriftë me e botuem kurrë! Se, si t’a kam shkruem, kishte me e  qitun fytyrën poetike të kryepoetit t’onë në nji dritë të përçudnueme. Kështu mendoj un, por ishalla del ndryshe. Nji perkthyes i mirë i Lahutës do të gjindet nji ditë, ka ende për të lemë ndoshta. E un  them mâ mirë të përkthehet vonë se keq. Âsht e vërtetë se sod për sod mâ i miri përkthyes në italishtet do t’ishte Koliqi, sidomos me vjersha. Shoqin t’and, Marlekaj, nuk e njoh e në poesí s’kam kënduem asnji send prej tij. Por Koliqi, me sa dijmë, as për sprovë s’i a ka nisun deri sod asaj pune. Nji sprovë e ka pasë bâmë Bonati e nuk dij a të ka ramë me e kënduem nji kangë (s’embaj mênd se cilën) qi ka pasë përkthyem e botuem në broshurë. Mue më ka pasë pëlqyem. Por aty mbet edhe ai e nuk vot mâ përtej. Përkthim’ i Lahutës, i dashuni mik, s’âsht asht qi mund t’a brêjë çdo njeri. Ti thue se “i hueji nuk i vên oroe gabimet qi do të bâjë Lambertzi; ato i vên oroe vetëm Shqiptari qi kupton gjermanishten e vêhet me e konfrontuem me origjinalin shqip”. Ah! po shi njëktu âsht rreziku i përkthimit të keq, shi njaty ku s’kuptohen gabimet. Se kur këto kuptohen, s’ka asgjâ të keqe për Auktorin. Përkthyes’ i nji poesije jo vetëm duhet t’i njohë à la perfectiontë dyja gjuhët me gjithë idjomat e tyne ( e sidomos me ksosh Lahuta âsht plot e këtu qëndron mâ tepër vështirsij’e përkthimit të saj), por duhet të ketë edhe frymë poeti, qoftë edhe pa pasë shkruem kurrë në vargje.  Mbasi s’e njoh Lambertzin, për këtë cilësin’e dytë të tij nuk mund të thom asgjâ; por për të parën jam i sigurtë se nuk e ka, pse asnji i hueji qi s’âsht rritun ndër malet e Gegnisë nuk mund t’a ketë. Po mbërrîj deri me bâmë këtë pyetje: sa për qind janë edhe sod intelektualë jugorë qi e kuptojnë mirë filli Lahutën?

Un nji herë jam i kapërthyem me kujdesin e vizës për të votun te im bir, e këtê po t’a rrëfej në këshill. Si t’a kemë këtê në xhep, në mos më mugofshin mjetet, deshirin e kam me i përshëndetun personalisht të gjithë miqt e Evropës para se të marr nji rrugë aqë të gjatë.

        E tash mbetsh me shëndet e gjithë të mirat.                   

 Mustafa

 

Graz, me 13 korrik 1956

 Shum i dashtuni mik,

Po bâhen gati dy muej qëse mora letren e mbrame tanden. Nji herë thashë, po pres pergjegje, pse ndoshta po kaloni Atlantikun e letra ême po hupë. Dje kjeçë prap te Ingj. Kerçiku, per t’a pvetë per ket gjâ, e ai më tha se endè gjindeni atŷ. Prandej e dava me ju shkrue edhe kso here në Europë. Qýsh tash po Ju dergoj shndetet e mija n’êmën të Kerçikut, i cili âsht mblue në punë. Prap tash do të marrë mbi vedi drejtimin e punës për katër shpija qi do të naltohen në Graz. Po mos t’ ishte Ingj. Kerçiku, nuk dij as vetë si kishin me i a bâ këta Austriakë, qi nuk po dien as me ndreqë shpijat e veta.

Tashti po due me ju bâ ndonji pyetje të vogel: E kam këndue para dhetë ditëve nji artikull t’Uejin në Hýll të Dritës, ku ju shkrueni mbi patriotizmin e madh qi mbretnonte aso kohe (1912) në Shqipní. Artikullin e keni botue në vj. 1938 e ka ket titull: “Shqiptari” i 1912-s. Po ju bij hymjen e këtij artikulli fjalë për fjalë.

“Po them shqiptari i 1912-s per me shenue nji datë qi na intereson mâ fort këtu në ket artikull; por e verteta âsht se kjo fjala shqiptar, me kuptimin qi do të diftoj këtû, ka pasë fillue me u përhapun nja katër vjet para asaj date dhe ka rrue edhe kater tjera mâ vonë me shëndet e fuqí të plotë. Masandej ka nisun të zbehet e të venitet dalkadalë, derisa na ka thânë “lamtumirë” per jetë per me shkue e me marue në parrijzin e lumnueshem të kujtimeve kombtare mâ të shênjta e mâ të shtrênjta “.

Ndoshta e keni Hyllin me vedi, prandej këndonje njiherë prap ata shka keni shkrue aso here, pse mue më intereson shum ata shka keni shkrue at herë.

Por tue kenë se vetë shikjoj me i interpretue të tana punët e Ballkanit e të Shqipnís me tê prej anës fetare, mue më jesin disa gjâna të pakuptueshme. Ti i çon në qiell Shqiptarët e asaj kohe dhe thue se ishin shumë. Por mue nuk më hîn në krye qi të kenë mujtë me kenë Shqiptarë aq shumë, sepse kjo puna e atdhedashunís, si e përshkrueni ju në artikull, suponon njerëz me kulturë shumë të naltë, e kësish kemi pasë sugurisht pak n’at kohë e edhe tash. E mandej, si të thásh sypri, shumica e Shqiptarëve janë musulman, prandej per kta rrin perherë në rend të parë feja e mandej vjen atdheu, prandej âsht vshtirë me besue qi këta musulman, posë atyne me kulturë të naltë, të kenë pasë dishír me u librue prej zgjedhës otomane. Se ideja shqiptare t’i ketë tërhjekë aq fort Shqiptarët e qarkut të Durrësit, qi pershkrueni ju n’ artikull, shtyhem me e besue vetem pse Ju shkrueni kështu, perndryshej nuk mundem me e xânë besë. Mue më duket se shi njekta Shqiptarë në kohën e Wied-it nuk u prûn aspak si Shqiptarë të saktë kundrejt Wied-it e nacjonalistave qi bashkëpunojshin me tê. Këtû ishte Esad Pasha, por Shqiptarët e tij i perkitshin qarkut të Durrësit e edhe të Tiranës. Un kishem me dashtë me dallue këtu Musulmanët në dý kategorí: bektashinjt, qi simbas spjegimeve qi më keni pasë dhânë njiherë, ishin patriot shqiptarë, e tjerë musulmanë qi nuk ndiejshin gjithaq per Shqipní. E kjo gjâ nuk do t’interpretohet keq, sepse per musulman religjoni rrin mbi atdhé. Kjo atdhedashunija e flaktë âsht nji gjâ e dalme në Europë qýsh me veprat e Herder-it, por nder musulman të Shqipnís nuk ka mujtë me kenë e njoftun e e ndieme. Deri Ismail Kemali, qi pra me gjasë ishte bektashi, paraqitet nder shkrime qi kam vetë per doret, jo gjithaq atdhetar i flaktë. Ai xhepat po i paska pasë përherë të mbushun me napoljona të verdhë, të marrun prej tana anësh: prej Austrijet, Italijet e Grekijet e kush e din se prej kah. Prá më duket se patriotizma e tij âsht në dedé. At herë ishte disi si modë me u mbajtë Shqiptár, e prandej edhe atij s’i  jitëte tjeter por me shkue me rrymë. Se mâ per Turkhan Pashen, ky po paska kenë agjent rus deri vonë, mbasi edhe ishte per dhetë vjet ambashjator në Pietrograd. Po e lâm Esatin, se këtê nuk e mban kurrkushi per patriot të madh! Por ata të gjithë, qi ishin aso kohe të permendun, kishem me dashtë me i analizue të gjithë nji ka nji, a thue dalin gjithaq Shqiptarë të flaktë, sikurse mendohet pergjithsisht. Si ju thashë, atdhedashunija âsht nji virtyt shumë i naltë; e kanë vetëm njata njerz qi, posë edukate shumë të naltë shpirtnore, kanë edhe nji karakter të paprekshëm. A kemi kësish shumë ndër Shqiptarë? Mue më duket se ju thoni n’artikull qi aso kohe, prej 1908-1916, ka pasë shumë Shqiptarë në veshtrimin e njimendtë të fjalës. “Masandej ka nisë të zbehet e të venitet dalëkadalë, derisa na ka thânë “lamtumirë” per jetë………”.

Kur të jeni njiherë telhá m’a shkrueni nji leter sa mâ të gjatë permbi ket problem. Ju sugurisht e kuptoni ket gjâ mirë, pse e dieni mâ mirë se vetë çë pozicjon merr feja musulmane kundruell atdheut. Natyrisht këtu nuk duem me gjykue as mirë as keq, sepse edhe ky nacjonalizmi i tepruem, qi po duen me na shitë do vetë, i ka të mbetat e veta. Dashunija per atdhé nuk âsht vlera mâ e nalta mbi të gjitha tjerat. Ka vlera edhe mâ të nalta se patriotizma. Prandej do të gjykohet çashtja me gjakftoftsí, perpá u vû me kritikue e me sha njanin se pse nuk âsht kenë patriot e pse nuk ka ndie dashtnín për Shqipní.

Tashti due me ju pyetë edhe per do libra. Më keni pasë shkrue njiherë prej Egjiptit se dikund n’ Europë keni do libra, p.sh. at librin e famshem të Gjorgjeviqit, qi e keni perkthye ju, por edhe ndoj tjeter të Lumo Skendos e edhe nji tjeter të Juejin mbí Konferencën e Paqit në Paris. A thue mundeni prá me m’i raditë mue ndonjanin prej ksi librash?

Tashti po Ju uroj rrugë të mbarë per Amerikë. Por perpara do të vîni këndej, me na pá e me ndejë ndoj ditë me né. Ingj. Kerçiku edhe ai u dishron këtu. Ai miku i Juej, Prof. Maloki, ai mâ âsht si âsht, e mos u bâni marak. Jeni në ndore të Pukës e të Kerçikut!!! Jo qi në verë shkon tjeterkund e nuk âsht në Graz.

Shum shëndet e urime të përzemerta si Juve si dhe motres.

I Jueji nga zemra

  1. P. Margjokaj O.F.M.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency