La Liga / Malaga shtang Barcelonën, fiton në “Camp Nou”

0
141

Messi-Malaga

Katalanasit janë mundur në mënyrë të çuditshme nga bardhekaltrit, që me një gol të shënuar në minutat e para, e mbyllën sfidën, duke marrë tri pikë surprizë

 

Pas gjithë kësaj forme duket se syri i keq ka prekur edhe Barcelonën. Ndodhi me Realin, ndërsa tani kapi edhe katalanasit. Kjo, pasi 21-vjeçarin Juanmi ka mundësi të mos e harrojnë për një periudhë të gjatë në “Camp Nou”. Goli i tij në minutën e 7-të të ndeshjes bëri që java në Primera të niste me një surprizë nga ato të mëdhatë, me Malagën që fitoi në Barcelonë, duke i hequr tri pikë që mund të rezultojnë të rëndësishme në garën për titull katalanasve të Enrikes. Skuadra e Gracias nuk është ndër ato që shënon shumë, por kur e bën, i ka gola me peshë, si ky i fundit që nuk lejon Barçën të marrë qoftë dhe për një mbrëmje kreun e La Ligas. Në fakt, pritej një ndeshje krejt ndryshe në “Camp Nou”, aq më tepër që “blaugranat” vinin pas 11 fitoreve radhazi dhe një frenim me Malagën as që pritej. Megjithatë, loja e mbyllur e andaluzianëve i dha frytet e saj, aq më tepër që u ndihmua edhe nga një epërsi e shpejtë e miqve. Goli nuk shqetësoi publikun në impiant, pasi përmbysja e shifrave ishte plotësisht e mundur nga formacioni i Enrikes, por me kalimin e minutave dhe mungesën e rasteve u kuptua që për Barçën do të ishte e vështirë, aq sa i vetmi rast i mirë në pjesën e parë u regjistrua vetëm në të 39-ën me Iniestën. Në pjesën e dytë, ndeshja nuk ndryshoi shumë, me Malagën që ngriti një mur përpara mbrojtjes, aq sa infiltrimi i topave në zonën e Kamenit dukej pothuajse i pamundur. Dhe kur Pedro gjeti rrjetën, si në të 84-ën, ishte veç në pjesën e jashtme të saj. Ndeshja u mbyll mes nervozizmit të vendasve, me Malagën, që i dhuroi një asist në garën për titullin Realit.

 

Nejmar: Mesi është më i miri

 

Nejmar mendon se shoku i tij te Barcelona, Lionel Mesi, është më i mirë sesa fituesi i Topit të Artë, Kristiano Ronaldo. Sulmuesi brazilian është në sezonin e tij të dytë te Barça dhe ka shijuar lojën me Mesin, ndërsa deri më tani kanë fituar 11 ndeshje radhazi në të gjitha garat. Nejmar mendon se çmimi i më të mirit në botë shkoi te futbollisti i gabuar, sepse, sipas tij, këtë e meritoi bashkëlojtari i tij në skuadrën spanjolle. “Mesi është futbollisti më i mirë që kam parë ndonjëherë, – ka thënë Nejmar. – Së bashku me Ronaldon, ai është lojtari më i mirë në botë, por Leo është shoku im dhe pa dyshim që ai është më i mirë se Ronaldo”.

 

Mançester Junajtid mundet nga Suansea

Mançester Junajtid ka shënuar një dhe ka pësuar dy gola nga Suansea Siti në “Liberty Stadium”. Ishin mysafirët ata që shënuan të parët përmes Ander Herrerës (28’), i cili u asistua nga Di Maria. Mirëpo, shumë shpejt vendasit barazuan me golin e Ki Sung-Jueng (30’). Jonjo Shelvi ishte asistues. Vendasit përmbysën gjithçka në gjysmën e dytë, kur Shelvi goditi drejt portës, ndërsa Bafetimbi Gomis e devijoi në rrjetë. Mançester Junajtid është në vend të katërt në tabelë, me një pikë prapa Arsenalit që është ngjitur në të tretin pas fitores ndaj Kristal Palas.

 

 

Arsenali fiton dhe ngjitet në vendin e tretë

Arsenali është katapultuar në vendin e tretë, pasi ka shënuar fitore minimale prej 1-2, kundër Kristal Palas si mysafir. Gjithçka filloi mirë për “topçinjtë”, të cilët fituan një penallti në minutën e 8-të të takimit pas ndërhyrjes së gabuar të Pape Souares. Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Santi Kacorla. Arsenali arriti ta dyfishojë epërsinë në fund të pjesës së parë përmes golit të Olivier Zhirud, i cili përfitoi nga një ngatërresë në zonë. Të besuarit e Arsen Vengerit e kontrolluan ndeshjen edhe në pjesën e dytë teksa patën raste të mira për ta ngritur edhe më tej epërsinë, mirëpo fati nuk ishte në anën e tyre. Ndërsa, në minutën e fundit të takimit vendasit e shënuan golin e nderit përmes Glen Murrej. Me këtë fitore, Arsenali ngritët në pozitën e tretë me 48 pikë, katër më pak se Mançester Siti në pozitën e dytë, por që ka një ndeshje më pak.

 

 

Çelsi barazon me Bërnlein

Skuadra e Çelsit ka dështuar të arkëtojë pikë të plota kundër Bërnleit, të cilët siguruan një barazim 1-1 në minutat e fundit të takimit. Të përzgjedhurit e Hoze Murinjos e dominuan pjesën e parë në tërësi, teksa arritën edhe të shënojnë një gol. Eden Hazard e gjeti për mrekulli Branislav Ivanoviçin në zonë, i cili shënoi nga afërsia për t’i dhënë epërsinë skuadrës së tij. Në pjesën e dytë, Çelsi mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit me karton të kuq të Nemanja Matiçit dhe këtu filluan vështirësitë, pasi Bërnlei shtoi presionin. Këta të fundit e arritën golin e barazimit përmes Ben Me, i cili shënoi një gol të bukur me kokë, për t’i dhënë një pikë të rëndësishme skuadrës së tij. Edhe pas këtij barazimi, Çelsi mbetet në pozitën e parë me 60 pikë, tetë më shumë se Mançester Siti që ka një ndeshje më pak.

 

 

Junajtid, 145 milionë euro për Bejlin dhe Humelsin

Mançester Junajtid raportohet se është duke punuar për transferimin e Gareth Bejlit dhe Mat Humelsit në “Old Trafford” gjatë kësaj vere. Gazeta gjermane “Bild” raporton se klubi anglez është i gatshëm të shpenzojë 100 milionë euro për uellsianin, ndërsa 45 milionë të tjerë për transferimin e mbrojtësit të Borusias së Dortmundit. Ditë më parë është spekuluar se Junajtid ka përfunduar marrëveshjen me sulmuesin holandez Memfis Depai, i cili është duke shkëlqyer te Fejnordi, por gazeta gjermane ka raportuar se gjiganti anglez në hije është duke kryer punë në transferimin e Bejlit dhe Humelsit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency