Vendimi/ Qëlluan 6 herë me armë mbi borxhliun, dënohen 36 vite burg dy vëllezërit Gaxha

0
778

Alma Çuka

gjykata e tiranes2 Një borxh prej 3 mijë eurosh i pakthyer i ka rrezikuar jetën. Vëllezërit Gaxha dënohen në arrati. I dëmtuari tregon skenën e krimit, identifikon dhe flet për arsyet e vërteta

Një borxh i pashlyer prej 3 mijë eurosh i ka rrezikuar seriozisht jetën një shtetasi nga Durrësi. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka gjetur fajtor dhe ka dënuar me 35 vite burg dy vëllezër nga Durrësi si autorë të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj shtetasit Luan Byberi. Pas pranimit të gjykimit të shkurtuar të pandehurit do të vuajnë përkatësisht 14 dhe 9 vite burg, pra 23 vite burg së bashku. Bëhet fjalë për vëllezërit Shpëtim dhe Defrim Gaxha, të cilët, pasi nuk kanë marrë atë që dëshironin, kanë tentuar të vrasin shtetasin Luan Byberi, me armë zjarri, duke i shkaktuar këtij të fundit plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Policia nuk i ka kapur dot të pandehurit, ndërsa organi i Prokurorisë dërgoi në Gjykatë çështjen, duke pasur provën e vetme dhe të patjetërsueshme atë të personit të dëmtuar, Luan Byberi. Ky i fundit ka rrëfyer për Gjykatën gjithë ngjarjen, duke bërë që çështja të zgjidhet, edhe pse dy vëllezërit e pandehur janë në mungesë.

 

Ngjarja

Sipas akuzës, të dyshuarit në maj të vitit ta kaluar rezulton të jenë afruar në vendin e ngjarjes me një automjet tip “Skoda” me targa AA 902 BY dhe pasi kanë qëlluar mbi të dëmtuarin janë larguar me të njëjtin automjet, ndërsa shtetasi Luan Byberi është shoqëruar për në Spitalin Ushtarak reparti i traumave, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Siç dokumentohet nga procesverbali i këqyrjes i administruar në vendin e ngjarjes ka rezultuar se janë gjetur në distanca të ndryshme një gëzhojë model 54, kalibër 7.62 mm në formë shishe me kapsollë të goditur me markerim 11-64, një gëzhojë me karakteristika të njëjta me markerim 11-65, një predhë si ato të armëve të zjarrit, në njërën anë e shtypur në formë gërvishtje, një njollë e kuqe si ajo e gjakut me përmasa 40×30 cm, një gëzhojë me karakteristika të njëjta me markerim 11-57. Sipas proces verbalit datë 23.5.2014 është sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe automjeti tip Skoda me targa AA 902 BY, në pronësi të shtetasit Defrim Gaxha i cili dyshohet të ketë transportuar autorët e dyshuar në dhe nga vendi i ngjarjes.

 

Dëshmia e të dëmtuarit

Në lidhje me këtë fakt penal, janë marrë deklarime nga shtetasi i dëmtuar Luan Byberi, i cili ka shpjeguar se më datë 22.5.2014 rreth orës 21:00, ai ka qenë në një lokal pranë shtëpisë që dikur e ka pasur me qira. Në lokal, deklaruesi sqaron se ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Ardi dhe Bujar Pasmaçiu, si edhe babai i tyre, të cilit i kishte kërkuar t’i blinte diçka për të ngrënë duke qenë se do lante automjetin. Por meqenëse lavazhi ishte i mbyllur në atë orë, deklaruesi pohon të jetë ulur në lokal. Pasi ai është ngritur për tu larguar, në momentin që ai po kthente automjetin, pranë shtetasit Luan Byberi është afruar një automjet tip “Skoda”, me xhama të ulur. Në këtë automjet ndodheshin katër persona të armatosur, të ulur dy në pjesën e përparme dhe dy të tjerët në pjesën e pasme. Sipas deklaruesit, përpara ishte ulur shtetasi Besnik Gaxha i cili mbante armë në dorë, ndërsa automjetin e drejtonte shtetasi Defrim Gaxha, edhe ky i armatosur me armë zjarri e llojit pistoletë. Në pjesën e pasme, në krahun e djathtë qëndronte ulur shtetasi Shpëtim Gaxha dhe në krah të majtë një shtetas tjetër, që sipas deklaruesit është djali i shtetasit Shpëtim Gaxha. Këta shtetas, sipas deklaruesit kanë dalë nga automjeti i tyre dhe i kanë kërkuar këtij të fundit të hipte në këtë automjet. Shtetasi Luan Byberi u është përgjigjur se nuk kishte punë me ta dhe i ka kërkuar t’i fusnin pistoletat brenda. Më pas, këta shtetas kanë nisur të debatojnë dhe shahen me njëri- tjetrin. I pandehuri Shpëtim Gaxha ka qëlluar me armë zjarri 6 herë në drejtim të shtetasit Luan Byberi, duke i shkaktuar 6 plagë në këmbë, në krahë dhe në bark. Pas kësaj, deklaruesi shpjegon se ka rënë në tokë dhe autorët e dyshuar janë larguar me automjetin e tyre me shpejtësi dhe njëkohësisht duke qëlluar. Sipas të dëmtuarit Luan Byberi i vetmi motiv që ka shërbyer si shkak ka qenë moskthimi prej tij i shumës prej 3000 euro që ai i detyrohej shtetasit Dëfrim Gaxha.

 

 Shpërthimet/ Kryeprokurori: Shumë shpejt përfundime konkrete, autorët para përgjegjësisë

 Shpërthimet e ditëve të fundit ndodhur në kryeqytet kanë marrë vëmendjen e kryeprokurorit Adriatik Llala. Teksa ishte i pranishëm në përurimin e ndëtesës së re të Prokurorisë së Shkodrës, kryeprokurori Llalla u shpreh se ngjarjet e fundit mes tyre edhe shpërthimi tek farmacia e Bashkim Tahirit, shumë shpejt do të kenë një përfundim dhe autorët e tyre do të dalin para përgjegjësisë. Për këtë qëllim, tha kryeprokurori, janë duke u kryer hetime konkrete.  I pranishëm në analizë dhe në përurimin e ambienteve te reja të Prokurorisë së Shkodrës ishte dhe ambasadori i Britanisë i cili deklaroi për mediat se kohët e fundit harmonia fetare është prishur nga celulat që kanë lidhje me Sirinë. “Prokuroria shqiptare për të gjitha ngjarjet ka filluar dhe po vijon hetimet me të gjitha strukturat shtetërore që ka në varësi, policinë e shtetit, SHISH dhe besoj se shumë shpejt do të kemi të dhëna konkrete për ngjarjet për të cilat kanë shqetësuar dhe kanë tronditur vendin”, – tha kryeprokurori Adriatik Llalla. Ndërkohë, ambasadori i Britanisë, Nicholas Cannon, tha : “Një nga traditat më të rëndësishme shqiptare është harmonia fetare, të cilën ju duhet ta mbroni, por kohët e fundit ajo është prishur, për shkak të këtyre personave që predikojnë të shkojnë të luftojnë për xhihadin në Siri. Edhe Papa vetë e ka theksuar harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri dhe duhet mbrojtur nga këto fenomene. Duket se deri tani strukturat shtetërore e kanë luftuar këtë fenomen në mënyrë efektive. Por është një luftë që kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkon përtej kufijve të një shteti”.

 

Fushë-Krujë/ Gjendet një makinë e shkrumbuar, dyshohet se u përdor për ngjarje kriminale

Një makinë e braktisur është gjetur e djegur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Larushk të Krujës. Mjeti i braktisur u gjet nga banorë të zonës rreth orës 6.30 minuta. Makina tip “BMW” dhe pa targa është djegur tërësisht, dhe banorët e fshatit Larushk, pasi e kanë pikasur duke u djegur, menjëherë kanë njoftuar policinë e cila shkoi në vendngjarje bashkë me ekspertët e kriminalistikës që punuan për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes. Sipas policisë së Krujës kjo makinë dyshohet të jetë përfshirë në ndonjë krim, por pa specifikuar për çfarë bëhet fjalë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency