Shpërthimet/ Në burg tre të dyshuar, Pine pranon bashkëpunimin me drejtësinë

0
134

Alma Çuka

 ne burgKrimet e Rënda zbulojnë një grup të rrezikshëm. Dyshohet se kanë kryer disa vrasje dhe shpërthime me tritol kundrejt pagesës. Kristi Pine rrëfen mëkatet

Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se pas grupit të rrezikshëm të Juljan Sinanajt, ka rënë në gjurmët e një tjetër grupi, i cili dyshohet se kryente shpërthimet me tritol në Shkodër e Tiranë. Për këtë arsye disa ditë më parë në prangat e policisë ranë shtetasit Kristi Pine, 24 vjeç, nga Elbasani, Alfred Qefalia, 28 vjeç, nga Tirana dhe Armando Gorezi. Ky i fundit u arrestua tre ditë më parë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai kërkohej nga drejtësia Italiane për disa vepra penale dhe në të njëjtën kohë edhe nga Prokuroria e Beratit për trafik femrash për prostitucion. Pas arrestimit Policia dhe Prokuroria koordinuan veprimet dhe pas marrjes në pyetje dolën në konkluzionin se mes tyre ka pasur bashkëpunim për kryerjen e disa veprave penale. Por ajo që është vërtetuar është fakti se Kristi Pine ka pranuar autorësinë e disa shpërthimeve në Shkodër e Tiranë. Të gjitha këto krime ai ka thënë se i ka kryer pas marrjes së porosive nga burgu dhe kundrejt pagesës.

 

Bashkëpunimi me drejtësinë

Kristi Pine 24-vjeçari nga Elbasani arrestuar të dielën ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë duke rrëfyer edhe disa krime të rënda. Gjatë marrjes në pyetje mësohet se Pine ka treguar të dhëna për katër ngjarje ku ka qenë protagonist. Ai ka pranuar të rrëfehet vetëm me qëllim që të përfitoi nga drejtësia ulje të dënimit dhe lehtësira për familjen e tij. Mësohet se Pine në deklarimin e tij pendues ka treguar se bashkëpunëtor i afërt me të është shtetasi Alfred Qefalia. Kristi Pine mësohet të ketë thënë se autor i shpërthimit në farmacinë e Bashkim Tahirit është Alfred Qefalia, por ky i fundit ka mohuar këtë fakt. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe familjarët e Qefalisë. Sipas familjarëve të cilët ndodheshin jashtë gjykatës, Qefalia nuk ka lidhje me vendosjen e tritolit. Madje ata shtojnë se nga ana e policisë është ushtruar dhunë fizike me qëllim që djali i tyre të pranoi autorësinë në një kohë që nuk e ka kryer atë. Nga ana e tij Kristi Pine ka rrëfyer se ka qenë i pranishëm në tre ngjarje të ndryshme kundrejt pagesave. Një nga porositësit sipas Pines është Admir Tafili nga burgu i Drenovës. Prokurorët që kanë marrë në pyetje Kristi Pinen shprehen se ai ka pranuar, se ka qenë pjesëmarrës në vrasjen e Ibrahim Manit në Shkodër, së bashku me një person të shpallur në kërkim, që dyshohet si porositës. Kjo ngjarje ka ndodhur në qershor të 2014-ës, ku është ekzekutuar më plumb në kokë 50 vjeçari Mani për hakmarrje. Një tjetër ngjarje që ka pranuar Pine është edhe një tentativë vrasje në Shkozë. Ai është shprehur se ka qenë së bashku me Alfred Qefalinë si bashkautorë për të vrarë dy vëllezër Andi dhe Edmond Çakmashi në Shkozë të Tiranës. Edmond Çakmashi në këtë ngjarje mbeti i plagosur. Gjithashtu, ai ka treguar, se së bashku me Qefalinë dhe Gorezin, i kanë vendosur dy herë tritol biznesmenit Armando Ceka, dhe në mesin e shkurtit të 2014-ës, kanë mbetur të gjymtuar dy persona.

 

Qefalia dhe Tafili
Pas arrestimit të Alfred Qefalisë ishte Policia ajo që deklaroi se ai është i dyshuar kryesor për veprën penale të dhënies ndihmë të të arratisurve nga Burgu i Drenovës, ku mes tyre ishte dhe Admir Tafili. Dyshohet se Tafili sipas të dhënave që ka deklaruar Kristi Pine të jetë porositës i katër ngjarjeve. Ndërkohë i dënuari me burgim të përjetshëm Admir Tafili e ka mohuar bashkëpunimin. Ndërsa i arrestuari Armando Gorezi, është shpallur në kërkim nga autoritet italiane, pasi në maj të 2014-ës, ka kryer një vrasje në Torino. Në momentin e arrestimit të tre të dyshuarve si vrasës, i janë gjetur armë të ndryshme.

 

 Itali/ Sekuestrohet 30 kg heroinë, arrestohet shqiptari

Policia Italiane njoftoi pasditen e djeshme se, karabinierët e Padovës kanë goditur një grup trafikantësh droge, duke sekuestruar 30 kilogramë heroinë. Nga ky aksion i forcave blu italiane ka përfunduar në pranga një shtetas shqiptar, 56 vjeç, i cili ishte i papunë dhe jetonte në një banesë në Ater Cadoneghe. Prej ditësh karabinierët italianë kishin vënë re një lëvizje të çuditshme në afërsi të banesës ku jetonte shqiptari, dhe vetëm të mërkurën kanë ndërhyrë duke bërë kontrolle të fshehta në banesë. Ndërkohë, shtetasi shqiptar ka thënë se kujtonte se ajo ishte thjeshtë miell dhe se nuk e dinte se ishte heroinë. Hetuesit thanë se heroina shërbente vetëm për furnizimin e zonës së Padovës.

 

Berat/ Grabitet një pikë karburanti, merret xhiroja ditore

Një tjetër grabitje me maska ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Berat, pas asaj të ndodhur në autostradë në firmën “Neranxi” tri ditë më parë. Burime të policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se persona me maska dhe me armë kanë grabitur paratë e xhiros ditore në një pikë karburanti në fshatin Lumas. Fillimisht grabitësit kanë kërcënuar punonjësit e karburantit e më pas janë futur brenda duke përdorur kërcënimin e armëve kanë marrë paratë. Bëhet fjalë për marrjen e xhiros ditore prej rreth 350 mijë lekë. Policia tha se është në kërkim të grabitësve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency