Joachim Herrmann apel urgjent: Do të ktheheni brenda pak javësh në Kosovë

0
140

Joachim HerrmannMinistri i Brendshëm i landit të Bavarisë, Joachim Herrmann në intervistë ekskluzive për “Deutsche Welle”-n i këshillon qytetarët të mos e braktisin Kosovën, nga ana tjetër ai kërkon nga BE-ja ta ndihmojë më shumë këtë vend.

 Deutsche Welle: Javët e fundit është shtuar së tepërmi vala e refugjatëve nga Kosova që vijnë në Gjermani por përmes Bavarisë. Si e përballon ky land këtë fluks e sfidë të re?

 Joachim Herrmann: Shumica e këtyre refugjatëve udhëtojnë nga Bavaria për në lande të tjera në Gjermani, prandaj Bavaria dhe qendrat e saj të pritjes për azilantët janë shumë të prekura nga kjo valë refugjatësh. Bëhet fjalë për disa mijëra refugjatë të ardhur nga Kosova vetëm në janar, ndërkohë që dhe në shkurt kjo shifër ka pësuar edhe një rritje tjetër, tani na duhet të flasim për disa qindra vetë në ditë.

 Nga ana ekonomike edhe para një viti gjendja në Kosovë nuk ka qenë më e mirë. Çfarë ka ndodhur që pikërisht në këto muaj kemi udhëtime të organizuara me autobusë në drejtim të Gjermanisë apo Austrisë? Keni ju informacione se çfarë rrjeti fshihet pas tyre?

Përshtypja jonë është që në shumë raste pas kësaj fshihen banda kontrabandistësh që bëjnë biznesin e tyre me këta refugjatë duke i motivuar ata që të braktisin Kosovën. Këta refugjatë duket se paguajnë shumë para që të vijnë deri në Gjermani. Këta ofrojnë imazhe komplet të gabuara për Gjermaninë dhe krijojnë përshtypjen e rreme se Gjermania kërkon me urgjencë njerëz, se këtu i presin avantazhe të mëdha: Kjo në një kohë që as nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë, prandaj ne do ta drejtojmë tani më shumë vëmendjen brenda në Kosovë dhe t’u sqarojmë se e drejta gjermane e azilit nuk është aspak rruga e përshtatshme për një imigrim në Gjermani.

 

Ju përmendët punën që duhet bërë në vend, por sa funksionon realisht bashkëpunimi me autoritetet kosovare për ta ndalur këtë valë refugjatësh?

Ne përpiqemi për të mbajtur kontaktin më të mirë të mundshëm me autoritetet në Kosovë, ministrja bavareze për Çështjet Evropiane, Beate Merk ishte ditët e fundit në vend për t’u informuar konkretisht për gjendjen. Nga ana tjetër ne do ta përforcojmë fushatën tonë të informimit publik: Ajo që dihet është se duhet të vetëdijësohet publiku për imazhet e rreme që krijohen. Nga ana tjetër në të njëjtën kohë ne do të forcojmë kontrollet kufitare kryesisht me Hungarinë dhe Serbisë për të reduktuar këtë shtegtim ilegal drejt Gjermanisë.

 

Jo vetëm ministrja Merk ishte në Kosovë, por edhe autoritete të tjera në Gjermani, sa munden këto fushata informimi të ndihmojnë, në fund të fundit, kush e ndal atë që kërkon të ardhme për familjen e tij?

Një gjë duhet thënë qartë se në Kosovë nuk ekziston asnjë arsye që të bën të kërkosh azil në Gjermani. Aty nuk ka as përndjekje politike, as përndjekje raciste dhe as fetare. Këtu kemi të bëjmë me varfërinë, dhe unë jam i mendimit që Bashkimi Evropian duhet të forcojë masat e ndihmës për Kosovën, por e drejta gjermane e azilit nuk duhet shpërdoruar për emigrimin për shkaqe varfërie. Kësaj ne do t’i kundërpërgjigjemi në mënyrë shumë më të angazhuar.

Çfarë mund të bëjë Gjermania më shumë për Kosovën, duket se njerëzit në vend e kanë humbur shpresën tek institucionet, tek e ardhmja në vendin e tyre?

Republika Federale e ka ndihmuar mjaft Kosovën në vitet e fundit. Nuk duhet të harrojmë që në Kosovë është prezent një numër i madh i ushtarëve gjermanë për të garantuar sigurinë e njerëzve në vend. Atje kemi mjaft policë gjermanë, edhe nga Bavaria që ndihmojnë në Kosovë. Sigurisht ka vend ende për ta shtuar ndihmën përmes Bashkimit Evropian në Kosovë, por një gjë është e qartë: Problemet e Kosovës nuk zgjidhen kur njerëzit ikin në mënyrë masive në vende të tjera evropiane, veçanërisht në Gjermani.

 

Bavaria ndërmori edhe një iniciativë për ta futur Kosovën por edhe Shqipërinë në vendet e sigurta të origjinës. Si i shikoni shanset për realizimin e saj, dhe a i plotësojnë këto vende kriteret e një vendi të sigurt?

Vende të sigurta origjine janë ato vende që kanë gati një kuotë zero të njohjes së azilit. Për qytetarët nga Kosova kuota e pranimit si azilantë të azilkërkuesve nga Zyra Federale për Refugjatët dhe Migracionin aktualisht është nën 1%. Pra, shansi për të bërë kërkesë për pranimin e azilit në Gjermani është gati zero. Dhe nëse Zyra Federale ka marrë një vendim të tillë në shumë e shumë raste, atëherë edhe Bundestagu mund të konkludojë se këtu kemi të bëjmë dukshëm me një vend të sigurtë origjine.

 

Ju llogarisni pra që Kosova dhe Shqipëria do të shpallen së shpejti vende të sigurta… Sidoqoftë ne si palë bavareze angazhohemi fort për këtë. Kur mund të ndodhë kjo?

Në këtë moment nuk mund të parashikohet një afat.

 

Mos është Shqipëria më pranë një kategorizimi të tillë se Kosova?

Këtë mbetet ta shohim. Aktualisht mund të thuhet se numri i të ardhurve nga Shqipëria është shumë herë më i vogël se ai nga Kosova.

 

Serbia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina u shpallën po ashtu vende të sigurta origjine. Raportimet në media thonë se kjo nuk e ka ndryshuar ardhjen e refugjatëve. Cili është mendimi juaj?

Vendimtare në këtë moment është që të kthehen personat që nuk kanë të drejtë të njohjes së azilit në Gjermani. Tani ne do të bëjmë çdo gjë që të kthehen sa më shpejt në Kosovë refugjatët e ardhur.

 

Një pyetje e fundit: Çfarë do t’i thoni nëse ju lexon një kosovari që sot merr rrugën drejt autobusit për të ardhur në Gjermani ?

Unë do t’i këshilloja me urgjencë kosovarët që marrin rrugën drejt Gjermanisë të mos e bëjnë këtë hap. Nuk ka asnjë shans për azil dhe do të ishte fatale për dikë që dorëzon shtëpinë apo banesën në Kosovë për të kërkuar një të ardhme këtu në Gjermani. Brenda pak javësh ai do të jetë sërish në Kosovë dhe do të duhet të përpiqet të riorganizojë rishtazi jetën e tij. Unë i këshilloj me urgjencë të qëndrojnë në Kosovë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency