Troja, “mëma e të gjitha luftërave”

0

kali i trojesPër grekët, ajo e Trojës ishte “nëna e të gjitha luftërave”. Rrëfimi i Homerit i vënë përballë dokumenteve historike dhe përgjigjet e arkeologëve. E vërteta është që “Iliada”, prototipi i të gjitha poemave epike të Perëndimit, pavarësisht nga titulli, nuk rrëfen aspak Luftën e Ilios (sinonim i Trojës), por vetëm një fazë shumë të kufizuar të konfliktit: vetëm 51 ditë, për një total prej 4 betejash dhe 6 duelesh. Pra, pothuajse asgjë, po të mendosh që sipas legjendës, historia e Trojës zgjati njëzet vjet (10 vjet përgatitje dhe 10 vjet luftime). Në mënyrë të veçantë, mbeten jashtë rrëfimit të Homerit si prologu i luftës (i ashtuquajturi gjykimi i Paridit), ashtu edhe epilogu i saj (kali i Trojës).

Loading...

 

***

Na ishte një herë një boksier me emrin Rocky, sportivisht i pamposhtur dhe seksualisht mashtrues, që kishte dy të dashur; një grua (Britney) dhe një burrë (Patrik). Trekëndëshi vazhdoi gjatë pa problem. Më pas, një ditë, shokët e palestrës i morën Britney-n, për arsye që do të duhej shumë kohë të shpjegoheshin. Rocky, i zemëruar, u tërhoq në jetën private. Dhe palestra, mbi të cilën kishte ngritur themelet e gjithë prestigjit të tij, filloi të shkatërrohej. Shumë herë tifozët dhe kolegët iu lutën kampionit që të rikthehej, por më kot. Deri kur një mbrëmje ndodhi e papritura; Patrick-u i hipur në ring për të zëvendësuar gjatë një ndeshjeje mikun e tij të ndjeshëm, përfundoi knock out. Jo vetëm kaq, po aty humbi edhe jetën. Kur Rocky mori vesh për lajmin, fillimisht u dëshpërua, më pas reagoi dhe vendosi të rikthehej në ring për t’u hakmarrë për mikun e humbur. Hipi në ring, u përball më boksierin që kishte shembur në tapet Patrick-un, luftoi në mënyrë shumë të ashpër, e shtyu kundërshtarin tek litarët dhe e shembi përtokë me një goditje të shënjestruar mirë. Dhe kur tjetri u rrëzua, ai vazhdoi ta godiste, kundër rregullave.

 

Fundi i ndeshjes (dhe i telenovelës)

Rrëfimi i mësipërm nuk është skenari i një serie televizive, as i një filmi me Silvester Stalonen, por një përmbledhje e “Iliadës”, ndonëse pakëz e përshtatur. Kundërprova: ndryshoni emrin Britney me Briseida, më pas Patrick me Patrokël dhe Rocky me Akil; tani zëvendësoni fjalën boks me luftë, më pas fjalën palestër me ushtri dhe ndeshje me duel, e në fund fjalën ring me fjalën fushëbetejë. Et voila! E reduktuar, pikërisht kjo është poema e Homerit; një histori gjaku dhe pasionesh, rikthimesh dhe xhelozish, dhunë dhe joshje.

E vërteta është që “Iliada”, prototipi i të gjitha poemave epike të Perëndimit, pavarësisht nga titulli nuk rrëfen aspak Luftën e Ilios (sinonim i Trojës), por vetëm një fazë shumë të kufizuar të konfliktit: vetëm 51 ditë, për një total prej 4 betejash dhe 6 duelesh. Pra, pothuajse asgjë, po të mendosh që, sipas legjendës, historia e Trojës zgjati njëzet vjet (10 vjet përgatitje, dhe 10 vjet luftime). Në mënyrë të veçantë, mbeten jashtë rrëfimit të Homerit si prologu i luftës (I ashtuquajturi gjykimi i Paridit), ashtu edhe epilogu i saj (kali i Trojës). Atëherë, nga burojnë të gjitha detajet “trojane”, aq të dashura për traditën homerike? Duhet thënë mbi të gjitha se “Iliada” ishte një pjesë e një cikli prej tetë poemash. Dy prej tyre i njohim: “Iliada” dhe “Odiseja”, që rrëfen rikthimin në shtëpi të Uliksit. Gjashtë të tjerat, në pjesën më të madhe të humbura, titulloheshin “Qipria”, “Etiopidi”, “Iliada e vogël”, “Iliou persis”, “Nozoi” dhe “Telegonia”. Shumë të rëndësishme ishin “Qipria”, ndoshta vepër e njëfarë Stasini, nga e cila mbeten vetëm 50 vargje dhe një përmbledhje që të lejon të rindërtosh përmbajtjen. Ndoshta duke nisur që këtu duhet riparë edhe historia e Trojës.

Gjithçka nis në Olimp, ku në një ditë të papërcaktuar në fillimet e kohëve festohej martesa mes Peleut, mbret i Ftias (në Thesali pra në veri të Greqisë) dhe nimfa shumë e bukur e detit, Teti. Është një ceremoni e çuditshme, që sheh një konkurs të përzier mes njerëzish, perëndish dhe gjysmëperëndish. Në fakt, Peleu është një njeri, por gjithsesi është pasardhës i largët i Zeusit, ati i të gjitha perëndive. Ndërsa Teti, ajo ka në vena gjak blu ende të pastër, sepse është bijë e Poseidonit, perëndia i deteve.

Të dy nuk e dinë, por nga bashkimi i tyre do të lindë Akili, superheroi i grekëve.

Megjithatë, përpara Akilit, nga martesa e Peleut me Tetin, lindi një grindje mes perëndeshave, shkëndija që më pas do të ndizte Luftën e Trojës. Në fakt, mu në mes të festës ndërhyn Erisi, perëndesha e mosmarrëveshjeve, e cila nuk ishte ftuar të vinte dhe për t’u hakmarrë hedh një mollë të artë, mbi të cilën ka shkruar: “Për më të bukurën”. Tri perëndesha u hodhën menjëherë të merrnin mollën: janë Hera, Athinaja dhe Afërdita. Rrezikohet të plasë sherri, por ndërhyn Zeusi për ta bllokuar: “Se kush është bërë e bukur mes perëndeshave, – thotë, – këtë do ta vendosë më i bukuri i njerëzve”.

Dhe këtu hyn në skenë Paridi, biri i mbretit të Trojës, Priamit; një mashkull i bukur, që emërohet kështu gjykuesi i madh i këtij edicioni të parë të Miss Universit. Verdikti i tij: Më e bukura është Afërdita. Por, konkursi i trukuar: në fakt, perëndesha, në këmbim të votës së tij, i ka premtuar Paridit gruan më të bukur të botës: Helenën, gruaja e mbretit të Spartës, Menelaut. Morali: i ndihmuar nga Afërdita, biri i Priamit ftohet në shtëpinë e Menelaut, josh Helenën dhe e merr me vete. Për t’u hakmarrë, bashkëshorti mbledh të gjithë grekët. Dhe me ta sulmon Trojën.

Jemi ende në prolog, por që këtu ravijëzohen disa elemente, që do t’i gjejmë edhe tek “Iliada”. Një mbi të gjithë bie në sy: Olimpi duket oborri i një shtëpie të rrëmujshme, dominuar nga një baba-kumbar, Zeusi, dhe i populluar nga perëndesha theshethemexhie që i kushtohen vetëkënaqësisë, zilisë dhe inateve reciproke. Me “Iliadën”, grindjet mes perëndeshave do të rriten, deri sa të ndajnë Olimpin në dy grupe, njëri kundër tjetrit, të armatosur. Grupi filogrek do të mbledhë shumë shpejt Herën dhe Athinanë, ndërsa ai filotrojan Apollonin, Aresin dhe natyrisht Afërditën, ndihmësja e Paridit.

 

Si mund të vlerësohen vargjet e “Qiprias”?

Natyrisht, ne njerëzit modernë nuk mund të japim gjykime letrare për një tekst që nuk e njohim, përveçse disa vargjeve. Mund të kujtojmë vetëm që 24 shekuj më parë, filozofi Aristotel fliste për poemën e Stasinit jo me superlativa. Megjithatë, “Qiprias” i mbetet merita që ka mbushur një hendek që kishte krijuar “Iliada”; në fakt, duket se Stasini e ka shkruar në një kohë pas Homerit, kur “Iliada” tashmë ekzistonte.

Megjithatë, në rrëfimin e historisë së Trojës, “Iliada” vjen pas “Qiprias”: praktikisht nis kur gjykimi i Paridit ka mbushur tashmë 19 vite dhe bukuria e Afërditës ka mbetur e pandryshuar, por jo ajo e Helenës. Kështu, ndërkohë që Homeri sulmon, nëpërmjet një teksti të ndërtuar më mirë sesa “Qipria”, grekët kanë shumë pak për të kënduar, sepse kanë ngecur: kanë organizuar sulme mbi brigjet anadollake, e kanë shtrënguar fort rrethimin përreth qytetit, por nuk arrijnë ta marrin. Dhe anijet e tyre fundosen në betejë.

Pikërisht në këtë kuadër shpërthen një tjetër casus belli; këtë herë jo ndërmjet grekëve dhe trojanëve, por ndërmjet dy VIP-ave të rrethueseve, Akilit dhe Agamemnonit. I pari është biri i famshëm i nimfës Teti, një hero pothuajse i pathyeshëm (e vetmja pikë e dobët e tij është thembra) dhe vrasësi kryesor i ushtarëve të armikut. I dyti, mbret i Mikenës dhe vëllai i Menelaut, si dhe komandant i ekspeditës: më pak i fortë se Akili në betejë, e megjithatë më me ndikim sesa ai, kur mblidhen këshillat e luftës në çadra. Dhe nuk druhet aspak ta përdorë pushtetin e tij.

 

Zemërimi fatal

Po cili është motivi i grindjes? Ndodh që gjatë sulmeve në brigjet të dy VIP-ave u kanë marrë si skllave dy kushërira: Brisieda dhe Kriseida. Ndodh edhe që babai i të dytës, Kriseidës, një prift në tempullin e Apolonit, vjen në çadrën e Agamemnonit bashkë me një pasuri më vete për të shpëtuar të bijën, por Agamemnoni e kthen mbrapsht në mënyrë të vrazhdë. Më pas ndodh, që Apoloni për t’u hakmarrë për shërbëtorin e tij të dëbuar, godet grekët me një murtajë të tmerrshme, e destinuar të vazhdojë deri kur Kriseida të rikthehet e lirë tek i ati.

Në këtë pikë Akili kërkon me forcë që të plotësohet dëshira e Perëndisë. Agamemnoni fillimisht reziston; më pas lëshon, por me një kusht: do të japë Kriseidën, por vetëshpërblehet duke marrë kushërirën e saj, Briseidën, në dëm të Akilit.

I zemëruar, superheroi pothuaj i hidhet në fyt komandantit që ta vrasë, por në momentin e fundit, Athinaja, e shqetësuar për të ardhmen e grekëve, e frenon. Kështu, Akili tërhiqet, por hyn në grevë: nuk do të luftojë më. Më pas tërhiqet në breg të detit dhe bën diçka jo të zakonshme për një luftëtar: shpërthen në lot dhe thërret të ëmën.

 

Rikthim në fushëbetejë

“Greva” e Akilit zgjat 18 libra, nga 24 që formojnë “Iliadën”. Por rrethimi e lufta vazhdojnë dhe mungesa e birit të Tetit ndihet në fushëbetejë.

Për Homerin është një fat, sepse kjo e lejon të nxjerrë në dritë personazhe të tjera, të dënuara përndryshe të qëndrojnë në hije. Disa janë të destinuar të bëhen simbole në letërsinë e mëvonshme greko-latine: për shembull mbreti i Pilos, Nestori, “gjyshi” i mençur i ekspeditës; apo Uliksi, apo Ajaksi, mbret i Salaminës.

Personazhi më pozitiv është Diomedi, mbret i Argosit dhe “kuzhinier” i perëndeshës Athina: një kalorës që di të luftojë si pakkush (në betejë arrin të plagosë edhe Aresin, perëndeshë e luftës), por ndalet, dorëzon armët dhe përqafon një armik (Glauki) kur zbulon se shumë kohë më parë, gjyshi i këtyre kishte qenë mysafir tek gjyshi i tij. Personazhi grek më negativ është Ajaks Oileu, një harkëtar nga Lokride, blasfemist dhe zhvatës kufomash.

Pastaj trojanët, mes të cilëve shkëlqen Hektori, biri i parë i Priamit dhe vëllai i Paridit; një hero i vërtetë, para të cilit vetëm Akili mund të ngrejë kokë. Një tjetër luftëtar me vlerë është Enea, që romakët shumë shekuj më vonë do ta adoptojnë si paraardhësin imagjinar të tyre. Ndërsa Paridi nuk bën një figurë të mirë: dembel dhe i dobët, qortohet rëndë nga Hektori, sepse fshihet, ndërkohë që të tjerët vdesin për shkak të tij; dhe kur del në duel me rivalin e tij, Menelaun, shpëton vetëm falë të zakonshmes Afërditë, e cila e ndihmon të zhduket në një re tymi.

Dy betejat e para të poemës përfundojnë praktikisht në barazim, por e treta është një fatkeqësi për grekët: Hektori, i papenguar nga Akili, udhëheq të tijtë deri pranë detit, duke kërcënuar edhe anijet greke që janë ankoruar aty. Kjo gjë prek rëndë Patroklin, një mik i afërt i Akilit, i cili i lutet heroit që të kthehet e të luftojë ose të paktën t’i japë hua armët e tij, sepse do të shkojë të luftojë në vend të tij. Akili bindet dhe i thotë “po” për propozimin e dytë. Një zgjedhje tragjike, sepse Patrokli shkon në betejë, ndeshet me Hektorin dhe vritet.

Pra, grekët duket se kanë përfunduar nga gjahtarë në pre. Por, paradoksalisht, vdekja e Patroklit përmbys fatet e luftës në favor të tyre. Në fakt, Akili, që deri këtu ka qeshur i kënaqur për humbjet e bashkëkombësve, përpara kufomës së mikut të tij shpërthen sërish në lojë, pastaj bën paqe me Agamemnonin dhe rikthehet në fushë në betejën e katërt të poemës, pas një takimi me nënë e tij, Teti. Për trojanët është tragjedi: kush nuk vdes nën shpatën apo rrotat e karrocës së Akilit, është i detyruar të futet brenda mureve të qytetit.

 

Perëndi në fushëbetejë

Këtu afrohet finalja e madhe. Dhe për t’i dhënë sa më shumë solemnitet ngjarjes, Homeri e paraprin me një seri perëndish në armë. Përveç perëndive të tjera të prezantuara tashmë, këtë herë zbresin në fushë në krah të grekëve edhe Hermesi, Hefesti dhe Poseidoni. Në frontin kundërshtar të ardhurit rishtas janë Artemisa, perëndesha e gjuetisë, dhe nëna e saj, Leti, që futen në duele personale me Herën dhe Hermesin. Kulmi i “Iliadës” vjen me dy superheronjtë, Akili dhe Hektori, që më në fund gjenden ballë për ballë. Kur trojani sheh të afrohet Akilin, e mbërthen frika dhe e bën të largohet. Pastaj ndalet, përballet me armikun dhe bie nga një goditje me shpatë në fyt. Duke vdekur, i kërkon fitimtarit të duelit që të ketë mëshirë për kufomën e tij. Por, Akili, i pamëshirshëm, përgjigjet se dëshiron ta shohë të copëtuar. Dhe fjalët i shoqëron me vepra: kufoma e heroit trojan zhvishet dhe tërhiqet zvarrë nëpër pluhur deri në fushëkampin e grekëve. “Iliada” përfundon virtualisht me këtë masakër, edhe pse në realitet poema vazhdon edhe me dy libra të tjerë, që, në fakt, janë rrëfime ku flitet vetëm për funerale. Por, për Homerin Lufta e Trojës mbetet pezull. Vazhdimin dhe epilogun e rrëfejnë poemat e tjera të ciklit trojan, përmbajtjen e të cilave e njohim pothuajse vetëm nëpërmjet përmbledhjeve të komentatorëve të lashtë. Nga ato poema të zhdukura tri meritojnë të përmenden: “Etiopida”, “Iliada e vogël” dhe “Iliou persis”. Tek “Etiopida” (ndoshta vepër e Arktinit, një vepër e Miletit) rrëfehet fundi i Akilit, i cili vdes nga një shigjetë e Paridit, e goditur keq, por e devijuar drejt kundërshtarit nga perëndia Apolon. “Iliada e vogël” (e shkruar ndoshta nga Lesche, një poet i ishullit Lesbo) thotë që edhe Paridi vdes një shigjetë, e lëshuar nga greku Filotet. “Iliou persis” (Rënia e Ilios) është teksti që rrëfen për rënien e Trojës falë kalit të famshëm prej druri: një hile e të zakonshmit Uliks.

 

Kali i dhuruar

Episodi është i njohur: grekët ndërtojnë një statujë shumë të madhe, bosh nga brenda. Pastaj, disa prej tyre futen në barkun e kalit dhe të gjithë të tjerët bëjnë sikur ikin: braktisin rrethimin dhe hipin në anije, ndërkohë që trojanët, kuriozë e marrin kolosin brenda mureve. Pastaj, bie nata dhe grekët e fshehur dalin nga barku i kalit dhe u hapin dyert bashkëluftëtarëve, që ndërkohë janë rikthyer. Tani Troja nuk ka më shpëtim: luftëtarët armiq janë kudo, vrasin, zhvatin gjithçka munden dhe djegin ato që mbeten. Më pak të njohur se kali janë disa gjeste, që sipas “Iliou persis”, shoqërojnë fundin e qytetit. E para është vepër e të zakonshmit Ajaks Oileut, sipas parashikueses Kasanda, mbi një altar të Athinasë. Në episodet e tjera është protagonist Neoptolemi, biri i Akilit, i cili në fillim vret me gjak të ftohtë në një tempull të Zeusit mbretin Priam, më pas vret vogëlushin Astianat, jetim i Hektorit, dhe në fund tërheq zvarrë tek varri i Akilit një bijë adoleshente të Priamit, Poliksena, dhe e flijon si të ishte një kafshë.

Me këto skena barbare dhe halucinante ulet sipari i Luftës së Trojës. Dhe hapen dy pyetje, për të cilat historianë dhe arkeologë kërkojnë përgjigje prej kohësh.

E para: sa të vërteta ka prapa këtij rrëfimi të lashtë të shndërruar në legjendë? E dyta: nëse “nëna e të gjitha luftërave” nuk është vetëm një fantazi poetësh, fitorja e grekëve a ishte lavdi e vërtetë?

/BBC, History Mag/ (bota.al)

Loading...