Problemi i pagesave/ OSHEE: Ata që kanë librezat e vulosura nga Posta, nuk janë debitorë

0
212

Erneta Shevroja

 komisioni i veprimtarive prodhuese cela (1)Nga fundi i këtij viti ose në fillim të vitit që vjen fatura afrofe do të eliminohet

 Ata persona që kanë paguar energjinë elektrike në Postë dhe që paraqesin një librezë të vulosur pranë zyrave të OSHEE-së, nuk do të konsiderohen debitorë nga kompanisë. Kjo u bë e ditur dje nga drejtori i OSHEE-së, Arben Çela, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese në kuadër të diskutimeve për projektligjin e ri për shërbimin e energjisë eklektike. “Sot ne kemi dhënë me vendim që të gjithë ata që paraqesin librezë të vulosur nga zyra e Postës, të pezullohen, nuk konsiderohen si debitorë dhe nuk do të paguajnë për sa kohë nuk do të mbyllet ky rakordim”, – tha administratori i OSHEE-së, Ardian Çela. Në Komision, deputetët pyetën edhe në lidhje me faturat abuzive për të cilat konsumatorët kanë paraqitur ankimim. Edhe në këtë rast, Çela bëri të ditur se këta konsumatorë nuk do të paguajnë faturat e tyre, të cilat i konsiderojnë abuzive, deri në momentin që kompania bën verifikimin. Një pikë tjetër e parashikuar në projektligjin në diskutim, është blerja energjisë elektrike OSHEE direkt nga HEC-et e vegjël apo dhe importi dhe jo vetëm nga KESH-i.

 

Faturat abuzive

Në Komision u ngrit shqetësimi i faturave abuzive për të cilat konsumatorët kanë paraqitur ankesat e tyre. Në këtë pikë, administrator Çela u shpreh se konsumatorët që kanë bërë ankimi për abuzim me faturën nuk do të paguajnë derisa ankimi të shqyrtohet. “Kompania trajton me shërbimin e furnizimit rreth 1.2 milionë abonentë, ndaj dhe ankesa mund të ketë, aq më tepër që kemi trashëguar një sistem tepër problematik. Ne i trajtojmë të gjitha me rigorozitet. Askush nuk paguan nëse ankesa është në proces shqyrtimi. Kemi dëgjuar për fatura abuzive dhe ne kemi vepruar me shpejtësi, si në rastin e Laçit, ku ne evidentuam problematikën dhe reaguam duke sistemuar faturat, kurse për personelin përgjegjës morëm masa”, – tha Çela. Administratori i OSHEE-së sqaroi edhe një pikë tjetër problematike lidhur me faturat. “Kemi dëgjuar ankesa të tipit që faturat na vinin më pak, tani vijnë më shumë, kjo vinte për shkak të leximit të parregullt të faturave, ku deri dje lexoheshin të dhënat në sahat nga zyra. Sot shkohet shtëpi më shtëpi për të verifikuar matësin, me grupet e kontrollit që kemi ngritur. Kemi bërë matje, sondazhe dhe na rezultojnë kilovat të palexuar, të pahedhur në sistem, dhe për këtë shkak, qytetarët kanë paguar më pak. Po i rikthehem rastit të Laçit, ku pas ankesave, nisim kontrollin dhe na rezultoi 360 raste me nënfaturim, ndërsa vetëm 154 ishin mbifaturim dhe ne morëm masa duke larguar nga puna drejtuesit dhe faturistët që më 24 janar”, – u shpreh drejtori i OSHEE-së.

 

Faturat e paguara në Postë

Ata konsumatorë që kanë paguar shërbimin e energjisë në Postë dhe sërish dalin debitorë nga kompania, ky vendim do të pezullohet deri në momentin që verifikohet. “Ne kemi bërë me dije abonentët që kanë librezë të firmosur nga zyra e Postës, ne i kemi regjistruar dhe jemi në proces azhurnimi me postën. Kjo ka ndodhur, sepse Posta në të shkuarën i ka mbajtur paratë e shërbimit që i ofronte kompanisë ish-CEZ, ish-OSSH në mënyrë arbitrare në mënyrën e shpërndarjes së faturës dhe përqindjen që i takonte nga mbledhja e pagesave, pa bërë asnjëherë rakordim. 1.2 miliardë lekë të parakorduara ka qenë gjendja në dhjetor. Jemi duke rakorduar dhe kur të mbarojmë, do të marrim një vendim deri ku mund të shkohet me rakordim, do të shikohet kush është debitori ose cili klientë nuk arrin të rakordojë për mungesë informacion dypalësh dhe pastaj do të shohim sa do të shkojë kjo shifër”, – sqaroi Çela.

 

Fatura afrofe

Nga fundi i këtij viti ose në fillim të viti që vjen fatura afrofe do të eliminohet për arsye se konsumatorët e energjisë harxhojnë më shumë se fatura afrofe. “Numri i konsumatorëve që faturohen afrofe, që janë pa matës, janë 50 mijë nga të cilët 46 mijë janë konsumatorët familjarë dhe pjesa tjetër janë biznese. Ne i kemi vënë një objektiv vetes që brenda maksimumi janari i vitit 2016, do të marrë fund kjo histori”, – tha drejtori i OSHEE-së.

 

Fatura e janarit

Çela iu përgjigj shqetësimeve lidhur me faturat e muajit janar, për të cilat sqaroi se sistemi i matjes e ka të pamundur të bëjë ndarjen e ciklit të leximit dhe se për këtë arsye tarifa e re do të vijë me faturën e muajit shkurt.

 

Energji nga HEC-et

OSHEE do të blejë energji direkt nga HEC-et e vegjël, apo dhe importi dhe jo vetëm nga KESH. “Ky projektligj që po diskutojmë për sektorin e energjisë elektrike synon krijimin dhe sigurimin e një tregu eficient dhe konkurrues në sektorin e energjisë elektrike. Në këtë p/ligj janë pasur parasysh të harmonizohen dhe ekuilibrohen interesat e të dy palëve, si të konsumatorit dhe të operatorëve, por pa lënë mënjanë dhe interesat e një kategorie të veçantë që janë klientët në nevojë. Një nga ndryshimet themelore që ka sjellë projektligji është liberalizimi i tregut ku janë përcaktuar dhe afatet që janë parashikuar për daljen e klientëve që do të dalin në tregun e lirë”, – tha administratori i OSHEE-së.

 

Privatizimi i OSSHE-së

Para vitit 2017 nuk mund të diskutohet për privatizimin e OSSHE-së deri në uljen e nivelit të borxhit që ka kompania. “Ulja e nivelit të uljeve parashikohet me rriten e faturimit dhe ne kemi parashikuar që edhe në këtë vit, do të ketë një rritje të nivelit të borxhit. Pasi të arrihet të frenohet rritja e borxhit, në vijim dhe në vitin 2017 kompania do të mund të fillojë të dalë me fitim”, – tha Çela duke vijuar se më pas do të mund të diskutohet për privatizimin e kompanisë.

 

Matësit inteligjentë

Sa i përket vënies së matësve inteligjentë, Çela sqaroi se ky vendim do të merret vetëm pasi të shikohet efektiviteti i projektit pilot që aktualisht po aplikohet në disa zona në Tiranë. “Janë përzgjedhur 4 zona në Tiranë me problematika nga më të ndryshmet me qëllim që gjatë këtyre muajve të marrim një rezultat që të na afrojë me realitetin. Më pas, do të diskutojmë dhe marrim një vendim se si do procedojmë, por jemi ende në proces dhe në fillim të muajit prill do të nisë implementimi. Avantazhet e matësit inteligjent i kemi thënë: ato janë të shumta, pasi na mundësojnë një monitorim real të konsumit, arrijmë të kemi një bilanc të saktë të energjisë”, – tha Çela. Ndërkohë, kompania ka bërë edhe një kalkulim sa i përket faturimeve dhe arkëtimeve për këtë vit. “kemi parashikuar që në vitin 2015 të jetë 61 miliardë lekë të faturuara dhe niveli i arkëtimit të jetë në nivelin e 54 miliardë lekëve për këtë vit”, – tha Çela. Në seancë dëgjimore ishte i ftuar edhe administratori i KESH-it, Agron Hetoja,  i cili gjatë fjalës së tij, vuri në dukje se, shumë shpejt pritet një performancë më e mirë nga ana e KESH-it. Ligji për energjinë synon krijimin e një tregu eficient, dhe ndryshimi themelor është liberalizimi i tregut.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency