Kupa e Shqipërisë/ Partizani habit, e skualifikon Laçi, Tirana, Kukësi dhe Skënderbeu kalojnë në fazën tjetër

0
138

Partizani LaçiHumbja e Partizanit ndaj Laçit ka qenë edhe surpriza e vetme, ndërkohë që pretendentët e Kukësit, Tiranës dhe Skënderbeut kanë bërë detyrën duke kaluar për në fazën tjetër

Janë mbyllur dje edhe ndeshjet e dyta të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Të gjitha ekipet ishin pretendente, hiq këtu Apoloninë, që në letër kishte disavantazh me bardheblutë e Tiranës. Bardheblutë fituan 3-0 ndeshjen e kthimit me Apoloninë në “Loni Papuçiu”, duke siguruar biletën për në raundin pasardhës me rezultatin e përgjithshëm 5-2. Golat e Pashajit, Takut dhe Busicit i dhanë kualifikimin skuadrës së Maganit, që e pati më të thjeshtë se ç’parashikohej. Me objektivin për të vazhduar ecurinë dhe në Kupë dhe me rezultatin 2-2 që nuk i favorizonte shumë, bardheblutë kërkuan që në fillim të mbyllin çështjen e kualifikimit, duke gjetur golin e epërsisë që në minutën e 17-të, me Pashajin që shfrytëzoi një harkim nga këndi të Bakajt. Tirana megjithatë nuk e uli ritmin dhe në të 19-ën, Bakaj-Sefa dhe Taku dhuruan një aksion model, me të këtë të fundit që goditi fluturimthi por Cakovic dhe shtylla nuk e lejuan të festonte. Apolonia u kundërpërgjigj në të 21-ën me Filin, por finalizimi i këtij të fundit ishte i pasaktë. Mbështetja e tifozerisë i dha zemër vendasve, që në të 38-tën për pak sa nuk barazuan por Andi Ribaj i vetëm përballë Edvan Bakajt, në pozicion të prirët nuk goditi siç duhet duke e dërguar topin mbi traversë. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa e dytë nisi sërish mirë për Tiranën. Në të 54-trën, Cakovic pengoi Sefën në zonë, me Jeminin që akordoi 11-metërsh. Nga pika e bardhë Bakaj gaboi, por bardheblutë nuk e vuajtën shumë shpërdorimin e sulmuesit, pasi 3 minuta më pas, Taku arriti të dërgojë në rrjetë topin e 0-2. Në të 66-ën shënoi dhe Curri por mbrojtësi ishte në pozicion jashtë loje. Gjithsesi goli i anuluar u pasua nga një tjetër i vlefshëm 20 minuta më pas, me Busicin që u konfirmua goleador i Kupës duke shënuar për të katërtën herë në këtë kompeticion. 3-0 rezultati përfundimtar dhe 5-2 ai i përgjithshëm në dy sfida, me Tiranën që respektoi parashikimet duke siguruar një vend në gjysmëfinale.

 

Skënderbeu nuk gabon, kalon Flamurtarin

Çerekfinalja e kthimit ndaj Flamurtarit përfundoi me fitoren 3-1 të kampionëve dhe festën e tifozerisë që si qershi mbi tortë për triumfin ndaj rivalëve i gëzohet golit thjesht të mrekullueshëm nga Bledi Shkëmbi. Gjithçka riniste nga barazimi 1-1 në Vlorë dhe sfida nisi me një gol të shpejtë por të parregullt të Flamurtarit, e bukur skema e vlonjatëve në minutën e 3-të, por Buval autori i golit ishte dukshëm në pozicion jashtë loje. Tjetër episod arbitrimi në minutën e 20-të kur Liridon Latifi u gjend i vetëm para Ilion Likës, por pa mundur të shënojë një gol që nëse do të ishte realizuar do të kishte ngjallur një mal me polemika. Në minutën e 25 rast për Flamurtarin, me Tefik Osmanin që gabon në largimin e topit Bedi Buval gjendet i vetëm para Shehut por humbet kohë dhe gjuan keq duke shpërdoruar. Edhe pse çdo minutë që kalonte me rezultatin 0-0 ishte në dëm të Flamurtarit ishte Skënderbeu skuadra më kërkuese, me Prognin që mbetej një rrezik konstant për kundërshtarët ndërsa më pas Kristi Vangjeli por dhe Liridon Latifi patën rastin për të tentuar portën e Ilion Likës. Iniciativa e korçarëve u shpërblye në shtesën e pjesës së parë, kur pas një goditje nga distanca Tefik Osmani morri topin në qendër të zonës dhe me mbrojtësit vlonjatë të hipnotizuar shfaqi qetësi olimpike për të shënuar golin e avantazhit. Më shumë se sa për golin është lodhur ndoshta për dedikimin duke përshkuar gjithë fushën për t’ia rezervuar Bledi Shkëmbit. Josa e nisi pjesën e dytë duke futur në lojë Shkëmbin dhe Berishën për Nimagan dhe Latifin duke ofruar dhe një eksperiment interesant me kapitenin bashkë me Alikajn në fushë, gjithsesi ndryshimi në rezultat erdhi nga futja në lojë e Kosovarit që shënoi golin e 2-0 në minutën e 55. Ashtu si Stojkov në kampionat edhe Berisha duhet të ndajë meritat me Gerhard Progni që përsëriti gjestin e tij altruist, edhe këtë herë u gjend i vetëm para portës në pasimin e Alikajt por me inteligjencë ftoi Berishën që kishte kohën dhe hapësirën për të kolauduar goditjen fatale. Episod tensioni në minutën e 60 mes Shkëmbit dhe Telushit por gjithçka zgjidhet brenda pak sekondash dhe loja bëhet më interesantë në minutën e 73. Gol i Flamurtarit me Hoxhën që merr pasimin brenda zonës dhe bën gjithçka mirë për të çuar shifrat në 2-1, pasiguri në sytë e presidentit të Skënderbeut Takaj në tribunë pasi një gol tjetër kualifikon vlonjatët por nuk ka vend për frikë kur në fushë është një si Bledi Shkëmbi. Gol i mrekullueshëm i 35-vjeçarit që kujton Shkëmbin e ditëve më të mira të karrierës, spektakolar dhe plot klas kapiteni i Skënderbeut me një harkim fantastik që i befason të gjithë, madje edhe regjinë. Të gjithë në këmbë, pas një goli të tillë. Fjalët janë të tepërta.

 

Partizani skualifikohet prej Laçit

Humbje e turpshme për Partizanin në Laç, duke parë edhe rezultatin e dy javëve më parë ku të kuqtë fituan 2-0. Në një stadium të boshatisur, ndeshja mes Laçit dhe Partizanit nis me kurbinasit më agresivë. Djemtë e Armando Cungut u hodhën menjëherë në sulm, duke u përpjekur të shënonin sa më shpejt për ta rihapur kualifikimin. Nga ana tjetër Partizani e nisi lojën e kthyer në mbrojtje duke u përpjekur më shumë të administronte rezultatin. Brenda 15 minutave të para laçianët kanë dy mundësi mjaft të mira me Xhejms dhe Cetkoviç të cilët rrezikojnë seriozisht portën e mbrojtur nga Alban Hoxha. Janë vazhdimisht kurbinasit ata që sulmojnë ndërkohë që Partizani zgjohet vetëm ne fundit e pjesës së parë. Kur fraksionit të parë të ndeshjes po i drejtohej fundit, të kuqtë hidhen në sulm duke sulmuar. Megjithatë, 45 minutat e para u mbyllën në barazim 0-0. Në pjesën e dytë kurbinasit risin edhe më shumë presionin dhe në minutën e 50-të fitojnë një penallti, të cilën e shkaktoi Muskaj. Goditjen e merr përsipër Cetkoviç, por malazezi godet shtyllën. 5 minuta më vonë Muskaj shkakton sërish penallti dhe ndëshkohet me karton të kuq, këtë herë goditjen e merr përsipër Xhejms që këtë herë nuk gabon dhe kalon Laçin në avantazh. Ndërkohë përpjekjet e Laçit shtohen edhe më shumë ndërkohë që Partizani lejon shumë hapësira. Në minutën e 76-të, Meto shënon edhe golin e dytë për kurbinasit. Koha e rregullt u mbyll në barazim 2-0 dhe ndeshja shkoi në shtesë. Edhe 30 minutat e shtuara ishin kopje e pjesës së dytë të ndeshjes pra me Laçin në kërkim të golit dhe me Partizanin e hutuar në prapavijë. Kur ndeshja iu afrua fundit, ishte Cetkoviç që shënon edhe golin e tretë duke i dhënë kualifikimin skuadrës së Laçit. Partizani largohet e turpëruar nga Kupa

 

Kukësi – Vllaznia 0-0

Ndeshja mes Kukësit dhe Vllaznisë nuk ka pasur shumë histori, pasi në asnjë moment nuk u diskutua fati i kualifikimit për Kukësin. Janë vendasit ata që kontrollojnë topin në minutat e para duke u përpjekur ta spostojnë lojën në gjysmëfushën shkodrane. Vllaznia duket e dorëzuar duke parë që Kukësi ka avantazhin e dy golave që nga ndeshja e parë. Megjithatë Gilman Lika provon të vërë në vështirësi veriorët me një gjuajtje nga jashtë zonë, por topi kontrollohet nga portieri. Më pas kuksianët kanë disa mundësi të mira me Dos Santos, por braziliani nuk e ka qetësinë e duhur para portës së Vllaznisë. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 0-0. Pjesa e dytë ka nisur ashtu si e para, me Kukësin që qarkullon topin dhe Vllaznia që duket e dorëzuar. Mbyllet gjithçka 0-0 dhe Kukësi kalon në gjysmëfinalet e Kupës.

 

Benitez: Turqia në plan për të ardhmen

Rafael Benitez ka bërë të ditur se në të ardhmen mund të drejtojë ndonjë ekip në Superligën e Turqisë. Spanjolli, i cili do të mbetet pa kontratë këtë verë, para ndeshjes me Trabzonsporin në kuadër të Europa League është pyetur se a do ta konsideronte ndonjë skuadër të Turqisë, teksa ai është përgjigjur me pozitivitet. “Për momentin jam i lumtur te Napoli, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Unë gjithmonë them: kurrë mos thuaj kurrë”, – ka theksuar Benitez. “U kontaktova nga Beshiktashi para se të shkoja te Liverpuli në vitin 2004. Ata më ofruan një rrogë të mirë, mirëpo vetëm një vit kontratë, ndërsa Liverpuli m’i ofroi pesë. Gjithashtu, më ka kërkuar edhe Gallatasaraji në vitin 2013 para se të shkoja te Napoli. Edhe oferta e tyre ishte e mirë”, – ka thënë spanjolli.

 

 Buskets rinovon me Barcelonën

Mesfushori i Barcelonës, Serxho Buskets, ka nënshkruar kontratë të re me klubin katalanas. Spanjolli, i cili është te Barça që prej vitit 2005, ka nënshkruar kontratë të re që e mban atë te skuadra e Luis Enrikes deri në vitin 2019. Kontrata e kaluar e Busketsit e shihte atë te Barça deri në vitin 2018. Mirëpo Barcelona i ka ofruar rritje në pagë duke e bërë një prej lojtarëve më të paguar të klubit. 26-vjeçari deri tani ka fituar katër tituj të ligës, dy Kupa të Mbretit dhe dy tituj të Ligës së Kampionëve.

 

 Garsia: Roma gati për Europa Ligë

Skuadra e Romës është eliminuar nga Liga e Kampioneve, por fokusi është kthyer në garën e dytë më të rëndësishme në Evropë. Italianët synojnë të triumfojnë në Ligën e Evropës, ku të enjten do ta presin në shtëpi skuadrën e Fejnordit në ndeshjen e parë. Trajneri Rudi Garsia ka thënë se skuadra e tij do të bëjë çmos për ta fituar këtë trofe të çmuar. “Unë e kam thënë tashmë, ne do të luajnë në maksimum në të dy garat si në Serie A ashtu edhe në Ligën e Evropës”, – ka deklaruar Garsia. “Ne kemi nevojë për të marrë përvojë në Evropë, ne kemi nevojë për të bërë emër. Qëllimi ynë është që të kualifikohemi dhe ne mund ta bëjmë këtë qysh nesër. Unë do të shoh kush është i aftë dhe kush ka nevojë për të luajtur. Ne kemi pasur katër ditë për të rimarrë vetën pas asaj ndeshje ku luajtëm vetëm në pjesën e dytë. E dimë se ka dy ndeshje dhe nesër ne kemi për të marrë një rezultat shumë të mirë. Lojtarët kanë një dëshirë të madhe për të luftuar. Na duhet vetëm të përqendrohemi”, – shton ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency