Rend i ri politik apo përmbysje e debatit politik?

0
149

Brikena Bogdo

Brikena BogdoE majta evropiane po tenton një rend të ri politik dhe kjo tashmë është e sigurt. Por, do e arrijë nëpërmjet aksionit të ri politik, nëpërmjet përmbysjes së debatit politik, sidomos në Evropën Jugore, do ta arrijë nëpërmjet shformatimit, riformatimit ideologjik apo internacionalizmit, kjo do të mbetet për t’u parë, në vazhdim. Fenomeni Tsipras (Greqi), fenomeni Podemos (Spanjë), po tenton çdo ditë të fitojë terren social-ideologjik. Më 8 dhjetor, në universitetin e Lisbonës u mbajt një seminar mbi gjuhën politike të Pablo Iglesias, kreut të Podemos, në Spanjë. Në të njëjtën ditë, doli në Itali “Podemos, e majta spanjolle, përtej së majtës”, një libër i gazetarëve, Matteo Pucciarelli, dhe Giacomo Russo Spena. Kjo mund të jetë krejt një rastësi, por duket edhe një tendencë për ta shndërruar fenomenin spanjoll, në një fenomen me interes ndërkombëtar.

Shohim tentativë për formacione të reja politike, kryesisht në Greqi dhe në Spanjë, por të dyja vendet janë dy raste të ndryshme. Në Greqi, kemi një koalicion të së majtës radikale, lindur 10 vjet më pare, ndërsa në Spanjë, “Podemos” (Mundemi), duket e lindur nga asgjëja. “Të majtë, përtej së majtës”, po konsiderohet Podemos, me Pablo Iglesias në krye, një forcë e re që operon në publikun spanjoll vetëm prej një viti, por që po konkurron fort me forcat politike atje, ndërsa Iglesias është një kandidat i mundshëm për të fituar zgjedhjet e nëntorit 2015. Iglesias po tenton të pushtojë qendrën, por me një ridemensionim të konceptit të social-demokracisë. Podemos nuk përfshin asnjë forcë të vjetër politike. E krijuar, në janar të 2014, nga rreth 30 persona, të ardhur nga parti të ndryshme, intelektualë, eksponentë lëvizjesh, të koordinuar nga Pablo Iglesias Turrion, ata u treguan organizatorë efikasë, duke ngritur brenda disa muajve, diskutime në të gjithë vendin. Momentalisht, ka akredituar 27% të votave, pothuaj dy pikë më shumë se socialistët, dhe shtatë më shumë se popullorët. Podemos tenton në shtresa krejt të reja sociale, duke përjashtuar, si partinë socialiste, ashtu edhe atë komuniste, duke tentuar të zgjerojnë konceptin, përmbajtjen, dhe përbërjen e shtresave sociale të së majtës. Ajo që e diferencon Podemos, në Spanjë, është se ndryshe nga Greqia, apo Italia, ishte skeptike në mundësinë për të rikuperuar fragmentarizmin e një të majte të vjetër, dhe mendoi për të krijuar një formacion krejt të ri.

Në Greqi, kemi një Tsipras, që tashmë ka fituar betejën e parë, marrjen e pushtetit. Ka përpara betejën e dytë, mbajtjen e pushtetit, e cila është tepër e vështirë për kryeministrin e ri, përballë rebelizmit grek, që kundërshton lehtësisht gjithçka dhe gjithkënd, si dhe përballë elitës evropiane e të gjithë think tank-eve. Tsipras është kontrovers edhe brenda vetvetes. Konsiderohet Keynesian, thelbi i së cilës është të shpëtojmë kapitalizmin! Kjo i jep ngjyra të dyshimta figurës së një të majti. Megjithëse, i konsideruar mjeshtër i realpolitikës, detyrimisht do të sjellë ekstremizimin e aksionit të tij politik, pasi përfshin rreth vetes ekstremet politike, që mund t’i komprometojë suksesin. Tsipras, që po shqetëson Evropën sot, përfaqëson radikalizmin politik të së majtës dhe qëndron ndërmjet anarkizmit, liberalizmit anarkist dhe kapitalizmit. Ky ekstremitet shfaqet edhe në përbërjen e shtresave sociale. Tsipras ka përfshirë, në partinë e tij, ekstremistë të majtë, nacionalistë, intelektualë, ekosocialistë dhe detyrohet që të bëjë koalicion, në qeverinë e tij, edhe me një parti të djathtë. Kjo është arsyeja që elita evropiane është e frikësuar. Kryeministri britanik, David Cameron, paralajmëroi se, rezultatet e zgjedhjeve në Greqi mund të sillnin pasiguri ekonomike në Evropë. “Wall Street Journal” ka shkruar se, fitorja e partisë së të majtëve në Greqi do të sjellë, me siguri, një konflikt të ri në BE. Tsipras, ditën që fitoi zgjedhjet, deklaroi se Europa po kthen një faqe. Këta të majtë po shkojnë me moton: “Rrezikojmë me kurajo, në të kundërt Evropa mbyllet dhe së bashku me të, e mbyllim edhe ne”.

Në Itali, e majta përfaqësohet nga disa grupime si SEL, Rifondazione, komunistët italianë së bashku me disa përzierje të herëpashershme të PD, që sipas disa analistëve mund të jetë fillimi i një koalicioni, të ngjashëm me atë të Sirizës. Por, e majta italiane është e mbushur me histori sherresh. Në Shqipëri, Rama në fillesat e tij, tentoi nismën “përtej së majtës dhe së djathtës”. Tentoi të ecte “përtej”, si Podemos, por me të njëjtat shtresa sociale të majta si Tsipras, duke sjellë kështu dështimin e nismës së tij. Në fakt, ku ka mbetur e majta shqiptare? Debati i fundit që ngriti Ben Blushi ose më saktë shkrimi i tij, më kujtoi teatrin e kukullave. “Nuk ka rëndësi historia, por si e tregon historinë” më shpjegonte një regjisor. Dhe në fakt, nuk pati shumë rëndësi se çfarë tregoi Blushi, pasi ajo është një histori e vjetër dhe e re, e përsëritur dhe e jetuar çdo ditë, si realitet, për 25 vjet rresht, por pati rëndësi si e tha. Ai gjeti një mënyrë tepër fine, apo finoke, për të na treguar që tribuna e politikanit, e deputetit, e parlamentit tashmë ishte shndërruar në teatër politik marionetash, pa debate reale, siç po ndodh aktualisht, në të majtën evropiane. Deputetit Blushi është pa zë në foltore, dhe zgjedh së pari një debat publik, përpara një debati politik, juridik, në parlament, ku deputetët kanë mundësi reale, që të ndryshojnë realitete reformash dhe ligjesh. Që parlamenti shqiptar është një teatër kukullash-marioneta, ku hyjnë e dalin personazhe të komanduara me fije nga lart, kjo është një shfaqje që ne e shohim prej 25 vitesh. Një e majtë pa program ekonomik, sidomos ideologjik. “Qendrën” e tentoi PD, ose u vetëshpall e tillë, duke dështuar edhe ajo, në këtë nisëm. Politika shqiptare realizoi vetëm një mishelë, pa ngjyrime të qarta ideologjike.

Portugalia ka një eksperienca të ngjashme si me Podemos-in spanjoll. “Bloco de Esquerda” (BE), është një parti që ka mbledhur rreth vetes sektorë të ndryshëm të së majtës Portugeze, por që kanë lënë jashtë partinë socialiste, PS, partinë komuniste PCP. BE është një parti që, pas zgjedhjeve të 2009-ës, arriti në kuotën e mbi 10%, duke tejkaluar partinë komuniste. Kjo tendencë, ku del si forcë më vete, larg formacioneve të vjetra të majta, është ajo që e përafron me Podemos-in spanjoll. Dhe jo rastësisht, ekziston kjo lidhje, jo vetëm për afërsinë gjeografike, dhe situatën e ngjashme ekonomike, por edhe për lidhjen historike me IA-në, dhe disa grupeve interesi në BE. Për më tepër, organizimi i asamblesë “Cidadã do Junto Podemos”, në Lisbonë, mund të konsiderohet lindja e “Podemos-it portugez”.

E majta evropiane po tenton njëkohësisht dhe internacionalizimin e saj. Por, a realizohen aksionet e reja politike, me metoda të vjetra. “Internacionalizmi” është koncept që u praktikua në formatet e vjetra të majta, por po tenton të implementohet edhe sot, ndonëse jo më, si “Internacionalizmi proletar”, por “Internacionalizmi qytetar”, për një Evropë të qytetarëve. Kjo tingëllon e vjetër dhe e re. E majta, në jugun e Evropës, po tenton një koalicion forcash, Tsipras i është drejtuar Renzit, në Itali, Iglesias i drejtohet Tsiprasit, dhe anasjelltas. Kontaktet janë të ngushta, midis Podemos dhe Syriza-s, jo vetëm në Bruksel. Tsipras merr pjesë në aktivitetet e Podemos-it, ndërkohë që edhe Iglesias shkon në Athinë, i ftuar nga Tsipras. Syriza e Podemos kanë vendosur së fundi që, të organizojnë një sërë aktivitetesh mes tyre, një konferencë internacionale, mbi problemin e debisë dhe të ristrukturimit të saj.

Portugalia ka një komunikim interaktiv me Podemos-in spanjoll. Tereza Rodriguez, eurodeputete e Podemosit shkon në një miting, në Liszbonë, ndërsa në nëntor ishte pikërisht Pablo Iglesias, që morri pjesë, në një takim të “Bloco de Esquerda” (BE), në Portugali. Por, jo vetëm Syriza është e interesuar për Podemos. Ka patur edhe një tentativë për tu lidhur më M5S të Grillo-s, me Podemos. Këto dy forca kanë, në formë, diçka të ngjashme, janë grupime krejt të reja dhe operojnë me diskutime publike, por në thelb kanë diferenca ideologjike dhe politike. Kjo duket edhe në grupimet që kanë krijuar në Parlamentin Evropian (Podemos me Tsiprasin dhe M5S me Farage).

Ndërkohë, po ngrihen pyetje, pse Syriza është kaq e interesuar ndaj Podemos, thjesht për sintoni ideologjike dhe për rezultatet e mira që po arrin apo ka diçka tjetër ndën? Zërat po shtohen se, Podemos po shndërrohet, për shumë në Europë, në ndërlidhësin me qeveritë progresiste të Amerikës Latine, falë lidhjeve të ngushta që kupola e Podemos (Juan Carlos Monedero, Iñigo Errejón dhe vetë Iglesias) ka me qeveritë e Venezuelës, Ekuadorit e Bolivisë. Tsipras ka interes, për politika të suksesshme që do sjellin të majtën në pushtet, apo dhe interesa për të vendosur kanale financimi dhe mbështetjeje të dukshme, në politikat e mundshme të ristrukturimit të borxhit, që do të sillte një goditje të tregjeve, kundër vendit helenik?

Gjithsesi, sa e vërtetë është e gjithë kjo, e ka një provë. Në 29-30 shtatorin e kaluar, kur u mbajt në Quito, Takimi Progresist Latinoamerikan (ELAP 2014), ku morën pjesë 35 organizata politike nga 20 vende të ndryshme, të vetmit të ftuar evropianë ishin spanjollët (Pablo Iglesias per Podemos e Cayo Lara e Maite Mola për IU, si dhe grekët Yannis Dragasakis, anëtar i Komitetit Qendror të Syriza).

PS evropiane, po thellon diferencat midis progresistëve dhe konservatorëve evropianë. Por, ngrihet pyetja se. me çfarë kërkon ta bëjë diferencën kjo e majtë, në një ringritje dhe revansh të saj, kundrejt kundërshtarit ideologjik, të djathtës? Duke u zgjeruar në hapësirë, duke zgjeruar refleksionet e veta, në forcat e reja sociale dhe ekologjiste, që janë krijuar në këto vite. Duke investuar mbi kandidatët që dëshmojnë prishjen e skemës, (çmime karriere për shërbime politike). Kjo, sipas tyre, do të prishë skemat e deritanishme që kanë lodhur, jo pak publikun. Por, në fakt, baza që e mbështet, si Renzin në Itali, apo edhe Tsiprasin në Greqi, është konfuze pasi, përpara konflikteve ideologjike janë më shumë të interesuar në realizime konkrete, si investimet mbi shkollat, mbështetje mbi të ardhurat (që janë në shumë vende të Evropës), dhe kreditë e sipërmarrjeve e të sistemit prodhues, që ndikojnë drejtpërdrejtë, në përmirësimin e jetës së tyre.

Këto new-formacione, më shumë se populiste, janë popullorçe. Prekin një ndjeshmëri popullore, efikase në moment krizash ekonomike. Tsipras, jetonte deri përpara zgjedhjeve, në katin e shtatë, në një lagje të varfër periferike, ndërsa deputetët e M5S së Grillos, në Itali, ushqeheshin në ferma me bukë e gjizë, ullinj e vaj ulliri. Por kjo është pjesë e një show, që nuk ndryshon realitete dhe nuk tejkalon kriza financiare, duke mos i shndërruar dot në lëvizje reale trasformuese. Ajo që mund të bëjë diferencën, është tentativa për të diversifikuar shtresat sociale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency