Përplasja/ Takimi me Nishanin, Zhiti: Zot mëshiroje Presidentin, se nuk e di çfarë bën

0
113

Erneta Shevroja

 visar zhiti duke dale nga presidencaKandidati për ambasador: Më vjen keq për vendin që ka njerëz kaq të dobët që nuk kanë interes të parë vendin, por interesat e tyre vetjake

Presidenti Bujar Nishani thirri dje në Presidencë personin që ka ndezur një “luftë” mes institucionit që drejtohet nga ai dhe Kryeministrisë, Visar Zhitin, kandidat për ambasador në Vatikan. Por, rezultati nuk ishte ajo që pritej, një “paqtim” me kandidatin, por e kundërta: Zhiti doli nga Presidenca edhe më i pezmatuar, duke shprehur dhe një lutje për Nishanin: “Zot mëshiroje Presidentin, se nuk e di çfarë bën!” Nga kjo shprehje mund të kuptohet se takimi mes Presidentit dhe Zhitit nuk ka qenë aspak i qetë dhe pozitiv, duke theksuar këtu faktin se Nishani në këtë takim ka artikuluar me gojë gjithë qëndrimin e tij të shprehur në media ditët e fundit. Ditë më parë, kreu i shtetit, Bujar Nishani, është shprehur se Zhiti nuk është një autor i rrallë e për këtë cilësim, sipas tij, edhe vetë visar Zhitit i vjen turp. Nishani këmbëngulë në qëndrimin e tij se kandidatura e Zhitit është jashtë procedurave ligjore dhe nëse ka një person që e turpëron dhe ridënon kandidatin për ambasador në Vatikan, është Kryeministri Edi Rama. Ndërkaq, kandidatura e Zhitit gëzon një mbështetje të madhe nga deputetët socialistë dhe demokratë të Komisionit të Jashtëm, duke e cilësuar si personin që do t’i shërbente më së miri vendit duke qenë ambasador në Vatikan. Ndërkohë, në një koment rreth kësaj çështjeje, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se zgjedhja e ambasadorit i takon qeverisë dhe, sipas tij, nuk ka ndërhyrje në kompetencat e kreut të shtetit. Bushati nuk dha një afat kohor se kur Shqipëria do të mund të përfaqësohet nga një ambasador në Vatikan.

 

Takimi

Takimi mes Presidentit dhe kandidatit Visar Zhiti zgjati 60 minuta. Në këtë takim të thirrur prej vetë Presidentit, ky i fundit duket se ka ripërsëritur qëndrimin e tij për mosdekretimin e kandidatit Visar Zhiti për ambasador në Vatikan. Kështu la të kuptohej vetë Zhiti, duke u shprehur se ai dëgjoi prej Presidentit ajo çfarë ai kishte lexuar në shtyp. Presidenti i ka bërë të njohura gjërat, nuk pata ndonjë gjë të re, ato që ka thënë në shtyp”, – tha Zhiti pas daljes nga Presidenca dje në orët e paradites. Ndërsa ditë më parë Kryeministri Edi Rama u shpreh se mbas mosdekretimit të kandidatit qëndrojnë motive politike, këtë në një formë tjetër e përsëriti edhe vetë Zhiti. Ai u shpreh për njerëz “të dobët” që nuk u shpërbejnë interesave të vendit por atyre vetjake. “Më vjen keq për vendin që ka njerëz kaq të dobët që nuk kanë interes të parë vendin, por interesat e tyre vetjake”, – tha Zhiti.

 

Arsyet e Nishanit

Nëse është feja ajo që i heq mundësinë që ai të jetë ambasador në Vatikan, Zhiti thotë se kjo arsye nuk qëndron. Kjo është një përgjigje për një deklaratë të dhënë më parë nga Presidenti Bujar Nishani që tha: “Unë e quaj jokorrekte që një kandidat për ambasador në Vatikan të shprehet publikisht, duke e konsideruar Kishën si inkuizitore”. Zhiti u shpreh se ai i ka shërbyer Shqipërisë edhe në burg gjatë diktaturës, bashkë me priftërinj të Vatikanit që në mënyrë të fshehtë kanë kryer festa e kungime. “Shqipërisë sime i kam shërbyer edhe në burg, kur nuk donte Shqipëria. Dhe në burg kam qenë edhe me priftërinjtë e Vatikanit, me priftërinjtë e burgosur. Kemi bërë edhe festa e kungime të fshehta. Qëndrimi im nuk ndryshon. Qëndrimin tim nuk e përcakton Presidenti i tanishëm”.

 

Përplasja

Kryeministri është shprehur se mosdekretimi i kandidatit për ambasador në Vatikan është një ridënim për “poetin”, një ridënim i dytë pas mbajtjes pas hekurave gjatë kohës së diktaturës. Por Nishani nga ana e tij, e konsideron se turpin dhe dënimin e bën Kryeministri Rama, që nuk respekton procedurat e zgjedhjes dhe në rrugë të tjera jo ligjore këmbëngul që Zhitin ta bëjë ambasador. Në fund të komenteve të tij, Zhiti u shpreh me një lutje për kreun e shtetit: “Dal duke thënë o Zot mëshiroje Presidentin, se nuk e di çfarë bën!”

 

Bushati citon Kushtetutën: Emërimi i ambasadorit i takon qeverisë

 Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, tha se propozimi i Visar Zhitit për ambasador në Vatikan është në përputhje me Kushtetutën, e cila ia cakton qeverisë detyrën për të emëruar krerët e selive tona diplomatike në shtetet e tjera. Kjo deklaratë u bë dje gjatë një takimi që Bushati pati me homologen kroate, Vesna Pusiç, e cila dha një opinion dhe një këndvështrim të Kushtetutës Kroate sa i përket zgjidhjes së ambasadorëve. Bushati iu referua Kushtetutës, duke thënë se në thelb emërimi i ambasadorëve i takon qeverisë. “Çështja e emërimit të ambasadorëve është një çështje që i përket në thelb qeverisë, është një çështje që ka të bëjë me menaxhimin sa më të mirë të burimeve njerëzore dhe me një përfaqësim sa më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Mund t’ju them se, edhe për shkak të profesionit, edhe duke iu referuar Kushtetutës Shqiptare, Presidenti i Republikës nuk bën pjesë në asnjë prej tri pushteteve dhe kushtetutëbërësi nuk i ka njohur asnjë prej tri pushteteve. Ai, kur vjen puna tek ligji, veton e përdor në mënyrë shumë diskrecionare dhe më pas ose ligjvënësi vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim, ose Presidenti bie dakord me ligjvënësin, ose ligji hyn në fuqi automatikisht nga një afat i vendosur në Kushtetutë, aq më tepër kjo tek rasti i një ambasadori”, – tha Bushati.

 

Sa mund të zgjasë zgjedhja e ambasadorit?

Ministri i Jashtëm nuk dha një përgjigje të qartë se kur Shqipëria do të mund të përfaqësohet nga një ambasador në Vatikan. Nëse qeveria do të presë deri në mbarimin e mandatit të Nishanit për të emëruar një ambasador, Bushati u shpreh se Shqipëria nuk e ka këtë luks. “Besoj se kjo është një çështje që do të marrë adresimin e duhur në ditët në vijim. E thashë edhe një herë tjetër se shkak u bë propozimi ynë për në Selinë e Shenjtë, të cilin të gjithë e njohim që është një personalitet i zëshëm në opinionin publik edhe për shkak të faktit se ka qenë edhe ministër i Kulturës dhe deputet në kohën e Partisë Demokratike. Jam i bindur se Shqipëria nuk e ka luksin të shkojë drejt skenarëve që ju me të drejtë i mendoni, për shkak edhe të retorikës së përdorur këto ditë”, – tha ministri i Jashtëm

 

 Vesna Pusiç/ Ministrja e Jashtme kroate: Si zgjidhen te ne ambasadorët, Kryeministri vë në zbatim diplomacinë

Ndërsa ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiç, gjatë një konference të përbashkët me homologun shqiptar, tha se zgjedhja e ambasadorëve është çështje që u takon dy institucioneve, President-Kryeministër, por ky i fundit është ai që vë në zbatim politikën e jashtme. “Për sa i përket Kushtetutës Kroate, unë do të thosha në fakt që Presidenti është bashkautor i politikës së jashtme të vendit, por ama është qeveria ajo që vë në zbatim politikën e jashtme të vendit”, – tha ministrja e Jashtme kroate. Ajo citoi Kushtetutën e Kroacisë për të dhënë një përgjigje se si mund të zgjidhet ngërçi i krijuar mes Presidentit dhe Kryeministrit. Ajo theksoi se rregulli është që Kryeministri në emër të qeverisë vë firmën për një kandidat ose një tjetër. “Unë, si ministre e Jashtme e vendit, jo si zëvendëskryeministre, propozoj kandidatët te Kryeministri i vendit. Pastaj propozimi shkon në qeveri dhe qeveria më vonë vendos. Natyrisht që ka edhe konsultime jozyrtare edhe mes Presidentit dhe Kryeministrit dhe këta të dy të fundit janë ata që vendosin firmën në mënyrë të përbashkët për ambasadorët e vendit. Unë do të thosha, duke u bazuar edhe në përvojën time të gjatë në politikë, se gjërat shkojnë me më pak problem në rastin kur kemi Presidentin dhe Kryeministrin nga i njëjti krah politik dhe ka më shumë probleme kur ata janë nga kahe të ndryshme dhe kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera”, – tha Vesna Pusiç.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency