Maqedoni/ Afera e përgjimeve do të shkaktojë dridhje politike

0

Vlladimir PivovarovEkspertë juridikë konsiderojnë se Maqedonia ka kapacitet të mjaftueshëm për t`i zbardhur rastet korruptive, për të cilat ka folur Zoran Zaev, lider i opozitës maqedonase. Zaev ka theksuar se pos audio-incizimeve disponon dhe me dëshmi të dokumentuara. E, sipas ekspertëve, problemi qëndron në mungesën e vullnetit politik. Osman Kadriu, njohës i çështjeve juridike, thotë se nëse institucionet punojnë në formë të pavarur, dhe njëkohësisht veprojnë konform ligjeve dhe kompetencave të tyre, s’do mend se nuk do të mungojë zgjidhja ligjore me kusht që të mos përzihet politika.  “Është më se evidente se në veprat penale për përgjimet, të involvuara janë vetë organet shtetërore. Meqenëse bëhet fjalë për organet shtetërore dhe gjyqësori është një nga organet e shtetit, i cili duhet ta zbërthejë çështjen në fjalë”. “Dhe, nëse edhe kësaj radhe ndaj gjyqësorit ushtrohet trysni politike, atëherë do të kemi sërish një dështim të theksuar në aspektin juridik dhe gjyqësor që të mos zbardhet rasti dhe të mos e marrë atë epilogun e duhur e tërë procedura, e cila ka të bëjë me përgjimet”, thotë Kadriu.

Loading...

Sipas tij, me vetë faktin se përgjime në ish- regjimin bëheshin me urdhër të shtetit dhe ato përdoreshin më pas si dëshmi ndaj personave, të cilët ndiqeshin politikisht, “vazhdimi i këtij fenomeni edhe në kohën e sotme është non-sens” për një vend që mendon të jetë demokratik, madje dhe pjesë e Bashkimit Evropian. “Tani dëshmohet sërish, se gjendemi para një situate të njëjtë kur si në sistemin monist, organet e shtetit me kompetenca konkrete, duke keqpërdorur pozitën e tyre, bëjnë përgjimin e personave fizik, për të cilët kanë qenë të interesuar, që të hartojnë dosje që do t’u shërbejnë për hakmarrje politike”, vlerëson Kadriu.  Ndërkaq, Vlladimir Pivovarov, ish- punonjës në shërbimet sekrete, shprehet skeptik se aferat e mëdha korruptive, madje edhe kjo e fundit “Puçi” do të arrijë të zbardhet tërësisht. Ai thekson se në Maqedoni më shumë raste, të cilat kanë qenë raste të pastra krimi, hetimet janë stërzgjatur aq sa është harruar rasti. “Duke marrë parasysh partizimin e skajshëm të institucioneve, të cilat janë përgjegjëse për të ndjekur dhe zbardhur veprimet kriminogjene, pavarësisht nga kush ndërmerren ato, nuk kam shumë shpresa se institucionet do të ndërmarrin hapa konkret që do të çonin kah zbardhja e tërësishme e aferës së përgjimeve. Por, ajo që mund ta them me siguri është se në aspektin politik kjo aferë do të shkaktojë dridhje serioze”, thekson Pivovarov.  Nga ana tjetër, Stojan Andov, thotë se përvoja e gjatë politike e ka mësuar se aktorët politikë mund të mbledhin forca për t’i dhënë kahe procesit gjyqësor, me qëllim të zbardhet tërësisht afera e përgjimeve. “Është e pakontestueshme se mbi 25 mijë qytetarë janë përgjuar, kjo paraqet arsye të mjaftueshme që së paku ministri i Punëve të Brendshme ‘të bjerë’, nëse do të ishim vend vërtet demokratik.Por, ne shohim se as numri një i dikasterit të policisë, e as kryeministri s’e kanë ndërmend të japin dorëheqje”, vlerëson Stojan Andov, kryetar i përbërjes së parë parlamentare në fillim të viteve ’90/ evropaelirë.org

 

ISIS kërcënon Italinë: Jemi në jug të Romës

Mbi Tripoli, kryeqytetin e Libisë, tashmë është ngritur flamuri i Shtetit Islamik. Mediat ndërkombëtare raportojnë se tashmë militantët e ISIS kanë marrë në zotërim një pjesë të kryeqytetit, pas zonave që kishin marrë në kontroll pak ditë më parë. E gjithë situata e tensionuar në Libi, ka përcjellë ankth në Itali, e cila është vetëm 400 km larg nga Tripoli, në rrugë detare. Veç kësaj, mediat italiane raportojnë se persona të armatosur me kallashnikovë, kanë kërcënuar ekuipazhin e një mjeti lundrues të Rojës Bregdetare italiane, e cila ishte afruar në afërsi të Tripolit, për t’i dhënë ndihmë gomoneve me emigrantë që drejtoheshin për në ishullin e Lampeduzës, vetëm rreth 100 km nga kryeqyteti i Libisë.

Ndërkohë, menjëherë Ministria e Jashtme e Italisë ka urdhëruar evakuimin e Ambasadës së saj në Libi dhe të shtetasve italianë që ndodhen në këtë vend. Por kërcënimi për Italinë duket se bëhet edhe më serioz, pasi gjatë orëve të mbrëmjes, militantët e ISIS kanë publikuar një video, e cila sipas tyre është filmuar në brigjet e Tripolit, ku duken 21 pengje egjiptianë, të cilët ekzekutohen me prerje koke. Në videon e titulluar “Një mesazh i shkruar me gjak për kombin e kryqit”, një militant i ISIS, kërcënon Italinë, duke thënë se tashme gjendemi në jug të Romës dhe do ta pushtojmë atë.

 

Sulmi në Kopenhagen/ Policia vret personin që kreu sulmet vdekjeprurëse

Policia në Kopenhagë ka thënë se ka qëlluar për vdekje një person, i cili besohet se ka kryer dy sulme vdekjeprurëse në kryeqytetin danez, të shtunën. Policia ka thënë se ka vrarë të dyshuarin mbrëmë vonë në qarkun Norrebro, pasi ai ka hapur zjarr kundër forcave të rendit. Ky zhvillim ka ndodhur pasi një person është vrarë dhe tre policë janë plagosur në një debat për lirinë e shprehjes, që është mbajtur të shtunën. Në sulmin e dytë, ndërkaq, një hebre është vrarë dhe dy policë janë plagosur pranë sinagogës kryesore të qytetit. Policia ka thënë se videot e mbikëqyrjes tregojnë se personi i njëjtë ka kryer të dyja sulmet. Autoritetet e rendit nuk besojnë në përfshirjen e ndonjë personi tjetër.

Kryeministrja e Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt, ka thënë se mëngjesi i djeshem ka qenë shumë i trishtuar, ndërsa të shtënat i ka përshkruar si “akt cinik të terrorit kundër Danimarkës”. “Danimarka është goditur nga terrori. Dje, (14 shkurt) një debat paqësor dhe plotësisht demokratik është sulmuar dhe një person është qëlluar dhe vrarë. Mbrëmjen e kaluar, është vrarë edhe një burrë pranë sinagogës hebreje këtu në Kopenhagë”, ka thënë Thorning-Schmidt. Ajo ka theksuar se ndihet e lehtësuar që policia ka çarmatosur kryesin e dyshuar të sulmeve dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e policisë dhe të jenë vigjilentë. Thorning-Schmidt ka vizituar më pas edhe sinagogën dhe ka thënë se Danimarka do të bëjë gjithçka për të mbrojtur komunitetin e saj hebre. “Ne nuk jemi në mes të një beteje midis Islamit dhe Perëndimit; nuk është betejë midis myslimanëve dhe jomyslimanëve. Është betejë kundër vlerave që bazohen në lirinë individuale dhe e një ideologjie të errët. Dua t’i them komunitetit hebre këtu në Danimarkë se jam thellësisht e pikëlluar për atë që ka ndodhur mbrëmjen e kaluar”, ka thënë Thorning-Schmidt.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur ngushëllimet e tij dhe ka thënë se ky është një tjetër sulm kundër hebrenjve. “I shprehim ngushëllime popullit danez si dhe komunitetit hebre në Danimarkë. Hebrenjtë janë vrarë përsëri në tokën evropiane vetëm pse janë hebrenj. Kjo valë e sulmeve pritet të vazhdojë”, ka thënë Netaanyahu.

Muajin e kaluar, militantët islamistë kanë vrarë 17 persona në Francë, në mesin e tyre edhe disa hebrenj. Të shtunën në Kopenhagë, sulmi i parë ka ndodhur në një qendër kulturore, ku karikaturisti kontrovers, Lars Vilks, i cili e ka përshkruar Profetin Muhamed si qen në vitin 2007, ka marrë pjesë në një debat për lirinë e shprehjes. Përshkrimi i Profetit konsiderohet fyes për shumë ndjekës të Islamit. Sipas traditës islamike, çdo përshkrim fizik i Muhamedit, qoftë edhe pozitiv, konsiderohet blasfemi

 

 

Loading...