Rezervat e naftës shqiptare, 400 milionë tonë. Të ardhurat e shtetit-pronar? Qesharake…

0
149

nafta_152814782Ervin Kaduku

–  Në favor të kujt shkojnë milionat e tonëve të “arit të zi” që nxirren çdo vit nga nëntoka?

 

Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta të naftës, që arrijnë deri në 400 milionë tonë, sipas specialistëve. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, është diçka e pranuar tashmë se 40 milionë tonë janë të pashfrytëzuara, ndërsa 50 milionë tonë janë tashmë të shfrytëzuara. Patos Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri dhe më e madhja në tokë (on shore) në Evropë, me një sipërfaqe prej rreth 17.8 mijë hektarësh dhe rezervat e saj të provuara janë rreth 5.4 miliardë fuçi naftë (fuçia = 169 litra naftë bruto).

 

Kompanitë

Pas viteve ‘90, kompanitë e huaja kanë treguar interes të vazhdueshëm për të investuar në fushat e naftës në Shqipëri, përmes marrëveshjeve koncesionare me qeverinë shqiptare dhe kompaninë shtetërore Albpetrol, të angazhuar në zhvillimin, prodhimin dhe tregtimin e naftës bruto dhe gazit. Qeveria ka marrëveshje për eksplorimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit me kompani të tilla si: Islandrockall JV. dhe Australian Beach Petroleum Ltd, Capricorn Albania Ltd, një degë e kompanisë Cairn Energy Company, Petromanas Albania Gmbh, Bankers Petroleum Albania dhe Sky Petroleum. Marrëveshje të tjera janë nënshkruar për prodhimin dhe zhvillimin e fushave ekzistuese të naftës dhe gazit me Bankers, Stream Oil & Gas, Sherëood International Petroleum dhe iEC Visoka. Bankers Petroleum prodhon naftë që prej vitit 2014, ndërsa Stream Oil & Gas ka filluar aktivitetin prodhues gjatë viteve të fundit. Kompanitë e tjera janë ende në fazë shfrytëzimi për rezerva të reja nafte, në tokë dhe në det.

Bankers Petroleum ka pozicionin kryesues aktualisht – ai është operatori i vetëm në Patos Marinzë, duke prodhuar 1.06 milionë tonë naftë në vitin 2013, sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës, nga 1.2 milionë tonë, që ishte prodhimi gjithsej po atë vit. Kompania ka shënuar rritje të shpejtë të aktivitetit të saj në vite, duke u bërë aktualisht sipërmarrja më e madhe në vend për sa i përket qarkullimit vjetor. Në vitin 2013, xhiroja e kompanisë arriti një nivel rekord prej rreth 68 miliardë lekësh (484 milionë euro), me një rritje prej 28% me bazë vjetore, sipas bilancit të saj të vitit 2013.

Kompania rezulton me një tatimfitim kontabël të shtyrë prej 8.2 miliardë lekësh në 2013 (rreth 60 milionë euro), nga 6.5 miliardë lekë në 2012-n. Por, sipas shpjegimit në bilancin e saj të vitit 2013, “rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ por, bazuar në marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers. Në gjashtë vjet (nga 2008-a, kur Bankers figuron për herë të parë në listën e kompanive më të mëdha në vend deri në 2013-n), kompania ka siguruar të ardhura nga shitja e naftës shqiptare në vlerën e 1.4 miliardë eurove, rreth 14% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të një viti. Nga ana tjetër, ndikimi në ekonomi ka qenë disa herë më i ulët, si në drejtim të krijimit të vendeve të reja të punës (kompania kishte 522 punonjës direkt në fund të vitit 2013, sipas bilancit të saj) ashtu dhe të ardhurave në buxhet. Sipas bilancit vjetor 2013, e drejta minerare e paguar prej saj ishte 60 milionë dollarë euro në 2012-n dhe 70 milionë euro në 2013-n.

Stream Oil & Gas Ltd është kompania e dytë më e madhe në vend e prodhimit të naftës, pas Bankers Petroleum. Ajo shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe në fushën gazmbajtëse të Delvinës, në bazë të një kontrate koncesionare 25-vjeçare, me të drejtë zgjatjeje 5-vjeçare. Pas një rritjeje të shpejtë nga viti 2009, kur nisi prodhimin e naftës, në 2013 Stream Oil & Gas raportoi rënie të lehtë të të ardhurave, me rreth 4.5%, në 25.5 milionë euro.

Kompania deklaroi humbje të mëdha prej 1.9 miliardë lekësh (rreth 13.5 milionë euro), nga 334 milionë lekë në 2012-n, për shkak të rritjes së ndjeshme të zërit të shpenzimeve “mallra, lëndët e para dhe shërbimet”. Në raportin vjetor të vitit 2013, Stream Oil & Gas Ltd shpjegon dhe konfliktin me qeverinë e re, që ka ndikuar në frenimin e prodhimit: “Kompanisë iu desh të përballej me një mjedis sfidues biznesi në vitin 2013, në lidhje me qeverinë e re të zgjedhur në Shqipëri.

 

Koncesionet

Në Shqipëri, format e para “koncesionare” (edhe pse nuk mund të quheshin të tilla, sepse nuk kishte bazë ligjore) u shfaqën rreth viteve ‘90. Kur me vendim të Këshillit të Ministrave u përcaktuan zonat me përparësi për turizmin, në të njëjtën kohë u miratua edhe ligji i turizmit, që u fokusua në dhënien e iniciativave për investime në turizëm. Viti 1995 shënoi fillimin e “epokës” së koncesionit, ndërsa viti ‘98 atë të privatizimeve. Ligji i parë i koncesionit u miratua me asistencën e ekspertëve të huaj dhe futi parimin se ndryshimi i afatit duhej të bëhej me vendim Parlamenti.

Juristët thonë se Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera, ka një numër të lartë të të drejtave të dhëna me koncesion, në shumë sektorë, si: ai i telefonisë së lëvizshme, infrastrukturës portale dhe infrastrukturore, minerare, të naftës, lotarive, etj. E në këtë rast, lind natyrshëm pyetja: koncesion apo privatizim? Juristët thonë se përgjigjja e saj varet nga ajo që shteti do të përfitojë, nëse duhet të jetë si një masë për të siguruar më shumë likuiditet apo shërbim më cilësor. Në rastet kur shteti (siç ka ndodhur me disa koncesione, si ai i minierave, naftës, aeroportit) nuk arrin të sigurojë zhvillim me standarde për shkak të mungesës së kapaciteteve atëherë, sipas juristëve, zgjedh si rrugën më të drejtë koncesionin. Në rastin e Shqipërisë, juristët thonë se duhet të ishte kryer një monitorim më i ashpër ndaj të gjitha koncesioneve të dhëna, natyrisht sipas fazave.

Sa i përket trajtimit “preferencial” fiskal të kompanive që kanë fituar koncesionet, juristët thonë se ligji nuk parashikon incentiva të posaçme. Natyrisht ka pasur edhe përjashtim (ku mund të përmendim lehtësimin nga detyrime fiskale për koncesionarin gjerman gjatë ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe sektori i hidrokarbureve që u përjashtua nga pagesa e TVSH-së në fazën e kërkim–zhvillimit, lehtësim i cili tashmë është hequr).

Në lidhje me afatet e dhënies me koncesion, në ligjin e parë të miratuar në vitin 1995 ai e parashikonte 20 vjet, më pas me ndryshimet që pësoi kuadri ligjor, kjo periudhë u zgjat në 35 vjet. Së fundmi, shtyrja e afatit koncensionar (tashmë në 35 vjet) iu dha me vendim Kuvendi kompanisë “Devolly Hidropower” e cila ka marrë në shfrytëzim kaskadën e lumit Devoll.

Sipas juristëve, një tjetër pikë e diskutueshme dhe që ngjall më shumë polemika është ajo e normave të fitimit që sigurojnë kompanitë koncesionare, veçanërisht në ata sektorë që kanë situatë monopoli (të pakontestueshëm) në treg. Kjo gjë i siguron kompanisë (si e vetme në treg) një marzh të lartë fitimi. Natyrshëm lind pyetja: A duhet të ketë një lloj “tavani” apo rregullimi ndaj këtyre normave të fitimit. Juristët thotë se kjo është një pikë e cila diskutohet në momentin e hartimit të kontratës mes shtetit dhe privatit.

Ata thonë se zgjidhja nuk është “prishja” e këtyre marrëveshjeve, gjë e cila do të shoqërohej me pasoja të rënda financiare në dëm të buxhetit të shtetit, por monitorimi dhe kontrolli sipas fazave që njeh ligji, duke e detyruar kompaninë që të përmbushë detyrimet ligjore, por pa cenuar të drejtat e saj dhe pa qasje politike apo klienteliste.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency