Fenomeni / Shpërthimet me tritol, rikthehet problemi i kartave SIM

0
135

largea_mos-kalo1422718786

Alma Çuka

Ndryshimet në Kodin Penal, të shoqëruara me forcimin e dënimit për të gjithë personat që tregtojnë kartat e paregjistruara, duket se nuk kanë ndryshuar situatën. Autorët gjejnë zgjidhjen në shumë mënyra

 

Rikthimi i frikshëm i shpërthimeve me tritol me anë të telefonave celularë ka rikthyer në vëmendje edhe problemin e tregtimit të kartave SIM në treg të zi. Duket se shitja e këtyre kartave nga kompanitë celulare, pa u bërë regjistrimi i numrit të identifikimit të personit që e blen atë, nuk është përmirësuar. Këtë e tregojnë ngjarjet e fundit në vend, ku shpërthimet janë aktivizuar përmes telefonave. Dhe në të shumtën e rasteve këta numra janë zbuluar se janë blerë në treg të zi. Rreth një vit më parë, qeveria vendosi të shtrëngonte masat e dënimit për mbajtësit dhe përdoruesit e lëndëve eksplozive dhe për personat që shesin kartat SIM të paregjistruara. Por një vit më vonë, këto masa duket se nuk i kanë trembur aspak personat që i kanë vënë qëllim vetes të krijojnë terror mes qytetarëve.

 

Masat

Ishte vetë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ai që në mars të vitit të kaluar do të deklaronte se do të kishte më shumë masa të rrepta dhe siguri, inovacion dhe progres për qytetarët. Duke thënë këto fjalë, ai shtoi se kjo gjë do të arrihej me rritjen e marzhit të dënimit për disa kategori veprash penale, ku ata që do të kapeshin dhe procedoheshin për akuzën “Mbajtje, përdorim, tregtim lëndëve eksplozive” dënohen me burg deri 20 vjet,  shitja e kartave SIM të paregjistruara – burg minimalisht 15 ditë. Por duket se këto masa nuk kanë frikësuar aspak autorët e shpërthimeve.

 

Rastet

Në 19 janar, drejtori i burgut të Fushë-Krujës mbeti i plagosur rëndë teksa automjeti i tij shpërtheu në ecje e sipër si pasojë e vendosjes së një sasie lënde eksplozive. Shpërthimi u krye në distancë dhe me anë të telefonit. Pas një hetimi të hollësishëm, Prokuroria arriti të vërtetonte faktin se karta e celularit ishte blerë në treg të zi dhe personi që e kishte shitur nuk mbante mend se kujt ia kishte dorëzuar. Hetimet mbetën deri në këtë pikë. Aktualisht ky rast nuk është zbardhur. Ndërkohë që drejtori i burgut të Fushë-Krujës është dërguar në Itali për mjekim të specializuar, për shkak se gjatë shpërthimit, pësoi dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Rastet përsëriten. Në 10 shkurt persona të cilët ende nuk janë identifikuar, arritën të vendosnin një sasi eksplozivi në biznesin e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, në farmacinë pronë e tij përballë spitalit Pediatrik. Edhe në këtë rast, sipas hetuesve, shpërthimi është kryer përmes telefonit. Skema është përsëritur me një sasi tritoli që u vendos në të njëjtën ditë në një stacion autobusi në rrugën “Muhamet Gjollesha”, por për fat të mirë nuk shpërtheu. Edhe këtu shpërthimi ishte planifikuar të kryhej me anë të aparatit celular. Prokuroria ka arritur të vërtetojë dhe me ndihmën e policisë të ndalojë personin që ka pasur në përdorim telefonin nga ku është bërë shpërthimi. Por ndërsa ndodhet në paraburgimin e Drejtorisë së Policisë Tiranë, Emirjan Gjuta është shprehur se e ka shitur telefonin disa muaj më parë dhe nuk e di se në duart e kujt ka rënë. Edhe për këto ngjarje, policia dhe prokuroria, përveç faktit se ka arritur të shoqërojë dhe të pyesë disa persona, nuk ka identifikuar asnjë prej autorëve.

 

 

Pukë

Shembje në minierën e bakrit në Munellë, humb jetën një punonjës

 

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në minierën e Munellës në Pukë. Pas shembjes së një masivi dheu ka humbur jetën një punonjës i galerisë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se nga shembja e masivit të dheut në minierën e bakrit ka gjetur vdekjen një 48-vjeçar. Ka dyshime se shembja ka ndodhur në katin e 6-të të minierës nën tokë e ndërsa nuk dihen shkaqet që kanë sjellë këtë incident. U desh më tepër se një orë që efektivët e policisë në bashkëpunim me zjarrfikëset të bënin të mundur nxjerrjen e trupit të minatorit nga thellësia. Sipas policisë, minatori që gjeti vdekjen është identifikuar si Gjovalin Prengaj, 48 vjeç, nga fshati Kimëz. Policia, edhe pse në vendin e ngjarjes, thotë se nuk arritur ende të ketë të dhëna se si ka arritur shembja e dheut brenda galerive. Në minierën e bakrit në Munellë punojnë rreth 170 minatorë. Miniera e Munellës në Pukë ndodhet në lartësitë e masivit malor me të njëjtin emër në kufirin Pukë­Mirditë, rreth 70 kilometra larg qytetit të Pukës. Miniera e Munellës është një prej pasurive më të mëdha të nëntokës në vendin tonë. Nga galeritë e Munellës nxirren çdo ditë dhjetëra tonë mineral bakri, i cili është i pasur edhe me ar dhe argjend.

 

 

Lezhë

Mbajti peng dy shtetas nga Maqedonia në 2010-ën, shpallet në kërkim autori

 

Dy persona nga Maqedonia janë mbajtur peng nga një i ri nga Lezha dhe kjo ka bërë që i dyshuari të shpallet në kërkim. Nga ana e uniformave blu nisi procedimi penal dhe është bërë shpallja në kërkim si dhe po punohet për kapjen e 23-vjeçarit Gjokë Gjinaj, banues në Pllanë të Lezhës. Gjykata e Lezhës, më 9 shkurt, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj të riut për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit në rrethana lehtësuese”. Sipas policisë, Gega akuzohet se më 7 tetor të vitit 2010 në rrugën Lezhë – Shëngjin ka rrëmbyer dhe ka mbajtur peng për disa orë dy persona nga Maqedonia me iniciale I. Sh. dhe I. B., që të dy banues në Mal të Zi. Identifikimi i tij është bërë pas hetimeve që zgjasnin prej afro një viti e gjysmë dhe kjo ka bërë që të shpallet në kërkim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency