Bashkia: Parkingjet, asnjë kompani nuk favorizohet, rezidentët në asnjë rast nuk do paguajnë

0
120

3073266083_6373e28aa3Bozdo: Para nisjes së garës do të ketë konsultime me qytetarët

Bashkia e Tiranës e ka quajtur projektin për parkingjet në Tiranë si një mundësi për të investuar në infrastrukturën vendore. Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, u shpreh se 80% e të ardhurave do të përdoren në zonat ku do të jenë parkingjet me pagesë. Po kështu, me pagesë do të jepen vetëm 7400 vende parkimi.

 

Plani i Bashkisë

Investime në ndërtimin e rrugëve të reja dhe riparimin e rrugëve ekzistuese. Përmirësime në transportin publik, në autobus dhe me biçikleta, duke shtuar 5 km korsi të dedikuar për autobusët dhe 29 kilometra për biçikletat. Programi i menaxhimit të trafikut dhe parkimeve, i cili përmban: menaxhimin e trafikut dhe lëvizshmërisë të automjeteve brenda Tiranës nëpërmjet Qendrës së Kontrollit të Trafikut që menaxhon 64 nyje semaforike dhe 150 sensorë në akset kryesorë të Tiranës. Ngritjen e stacionit unik të transportit publik, terminali multimodal i Tiranës, i cili do të lehtësojë çdo ditë trafikun në Tiranë me 6 mijë mjete të transportit publik, duke iu rikthyer mbi 3 kilometra linjë parkimit qytetarëve që aktualisht zihet nga autobusët dhe furgonët, dhe duke i kursyer qytetarëve 6 tonë dioksid karboni në ditë. Ky projekt i hartuar me BERZH, që nuk i kushton asnjë qindarke qytetarëve të Tiranës dhe as qeverisë qendrore, është përsëri i bllokuar nga qeveria për arsye të luftës politike. Ndërtimi i parkimeve publike dhe private nëntokësore. Parkimi më i madh publik nëntokësor, i parashikuar për tu ngritur tek ish-stacioni trenit, pjesë e projektit të bulevardit të ri të Tiranës, është bllokuar nga qeveria për arsye të luftës politike!

 

Projekti i parkimit në kryeqytet:

Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë dhe rajon që nuk e ka një projekt të tillë. Prishtina ishte i fundit në radhë me 5 mijë vende. Çfarë do të ndryshojë sipas Bashkisë: Rregullimi i parkimit nuk sjell vetëm të ardhura për Tiranën, por është një instrument për të menaxhuar trafikun në zona të tëra që sot janë absolutisht të ngjeshura me trafik automjetesh dhe ku praktikohet parkimi dhe gjobëvënia informale; për sa i përket projektit në fjalë:

-Tirana sot ka 42 mijë vendparkime publike

-Bashkia e Tiranës menaxhon 2140 vende parkimi. Ky numër sipas propozimit do të jetë 7400, të vendosura në akset kryesore të qytetit

-Rezidentët nuk do të paguajnë. Ato do të pajisen me leje të posaçme për të parkuar brenda zonës së tyre në çdo çast, në çdo orë dhe pa asnjë pagesë.

Të ardhurat sipas zonave do të përdoren në 80% të tyre pikërisht për shërbimet dhe investimet në infrastrukturën urbane të zonave përkatëse. Gara do të jetë e hapur dhe ndërkombëtare. Do të ftohen kompanitë më të mira evropiane të marrin pjesë. Në vlerësimin e garës dhe negocimin e kontratës, Bashkia e Tiranës do të pajtojë eksperte të njohur të institucioneve evropiane. Asnjë kompani nuk favorizohet dhe nuk përfiton bonus, sipas legjislacionit aktual.

 

Konsultim me qytetarët

“Para nisjes së procesit dhe të garës do të ketë një konsultim publik dhe masiv me qytetarët e Tiranës me qëllim informimin dhe marrjen e mendimit të tyre. Asnjë hap i mëtejshëm nuk do të hidhet pa këtë konsultim publik. I gjithë ky proces do të marrë gjithë kohën e nevojshme për të marrë transparencën maksimale dhe bashkë -vendimmarrjen me qytetarët e Tiranës. Në përfundim të procesit, do të jetë përsëri Këshilli Bashkiak, që do të vendosë, dhe me gjasa do të jetë Këshilli i ri Bashkiak për shkak të kohës të nevojshme që merr procesi. Ne jemi të vendosur ta modernizojmë Tiranën tonë. Të ofrojmë kushte më të mira jetese dhe cilësi më të lartë të shërbimeve. Asnjë presion, asnjë keqinformim me apo pa dashje, nuk mund të ndalë rrugën tonë. Kontratën tonë e kemi vetëm me qytetarët e Tiranës, atyre u detyrohemi t’u shpjegojmë çdo gjë, të mbrojmë interesin e tyre”, – deklaroi dje nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.

 

 

Pasuritë natyrore

Prerja e pyjeve, erozioni shkatërron mijëra hektarë

 

Erozioni në vendin tonë ka shkatërruar qindra mijëra hektarë tokë, ndërsa Shqipëria renditet ndër të parat në Evropë për shfrytëzimin pa kriter të burimeve mjedisore. Shkatërrimi i sistemit të kanalizimeve duke mos menaxhuar ujërat, prerja masive e pyjeve por edhe ndërtimet pa kriter kanë bërë që erozioni të jetë një nga fenomenet më shqetësuese, i cili në jo pak raste ka sjellë shembjen e shtëpive, apo objekteve publike si akset e ndryshme rrugore pothuajse në të gjithë vendin. “Shqipëria ka pasur ndoshta ndër vendet evropiane një mbishfrytëzim të pasurive natyrore. Ne sot vazhdojmë dhe kemi erozion të tejskajshëm. Mijëra, qindra metra katrorë tokë bujqësore produktive sot përfundojnë në shtretër të lumenjve, shumë sasi pyjesh të ndotura, të djegura të dëmtuara, vazhdojnë dhe sot”, – tha Lefter Koka, ministër i Mjedisit. Prerja masive e drurëve në pyje apo edhe në zona të tjera është nga faktorët kryesorë që çojnë në erozion. Sipas Inspektoratit të Policisë Pyjore gjatë vitit të kaluar u kryen rreth 3 mijë inspektime dhe janë sekuestruar rreth 2370 metra kub lëndë drusore, ku pjesa më e madhe është përdorur për dru zjarri. Shumica e drurëve të prerë kanë qenë në pronësi shtetërore. Nga inspektimet e kryera në terren janë konstatuar edhe një sërë ndërtimesh të paligjshme në hapësirat pyjore, të cilat i janë përcjellë Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar për ndërhyrje.

 

 

Nafta

Zbehet frika e krizës së vitit 1986

 

Çmimi i naftës ka vazhduar rritjen gjatë javës që u mbyll, pavarësisht paqëndrueshmërisë. Referuar kësaj ecurie, analistët besojnë se çmimet e lëndëve të para në tërësi do të vazhdojnë të rriten në muajt në vijim, pas rënies dramatike. Nafta bruto amerikane po tregtohet mbi 51 dollarë për fuçi dhe vetëm në sesionin e së premtes fitoi rreth 1 dollar. Nafta bruto amerikane e mbylli këtë javë pranë 60 dollarëve për fuçi, për herë të parë për 2015-ën. Vetëm gjatë kësaj jave, çmimet e naftës janë rritur me rreth 4%. Ndërkohë që analistët presin një periudhë tjetër të paqëndrueshmërisë, të dhënat e fundit ekonomike mund të sugjerojnë se çmimet do të rriten drejt 100 dollarëve për fuçi. “Lajmi i mirë është se kërkesa po përmirësohet”, – shprehet një ekspert i këtij tregu. Skenarët më realist sugjerojnë se nafta bruto amerikane do të luhatet midis 40 dhe 50 dollarë për fuçi gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe midis 70 dhe 80 dollarë në gjysmën e dytë të vitit. Edhe rënia e lehtë e dollarit amerikan përballë shportës me monedhat ndërkombëtare ka kontribuar në mbështetjen e çmimeve. Analistët frikësoheshin se mund të përsëritej skenari i viteve 1980, kur mbifurnizimi i tregut dhe kërkesa e dobët rrëzuan çmimet deri në 10 dollarë për fuçi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency