Shpërthimet/ Shoqërohet në polici pronari i telefonit që u përdor për shpërthimin e tritolit

0
85

Alma Çuka

 emirjonm gjuta ne polici10953149_888734041169580_6207101060683080284_nGjuta u shoqërua mbrëmjen e 11 shkurtit. Publikon në “Facebook” foto nga dhoma e paraburgimit. Nuk pranon të ketë dijeni për shpërthimet. Shoqërohen edhe të tjerë

Mbrëmjen e 11 shkurtit, 24 orë nga shpërthimi i tritolit me telefon në biznesin e babait të ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, Policia e Shtetit shoqëron pronarin e telefonit, blerë në Laprakë. Bëhet me dije se shoqërimi i tij lidhet me faktin se muaj më parë ka pasur në pronësi telefonin me të njëjtin numër që u përdor në shpërthim, por kohët e fundit ai ka pretenduar se nuk e ka pasur në përdorim për shkak se e ka shitur. Emirjan Gjuta është personi i shoqëruar. Ai thuhet nga policia se është nga Kukësi dhe dyshohet për lidhje me autorët e shpërthimit. Policia e ka shoqëruar për shkak se ka penguar në identifikimin e personave që bënë të mundur shpërthimin e tritolit duke përdorur telefonin e tij. Por mësohet se gjatë marrjes në pyetje ai ka mohuar të ketë dijeni për këtë fakt. Sipas burimeve nga drejtoria e Policisë thuhet se Gjuta nuk ka pranuar të flasë për këtë gjë duke pretenduar se prej muajsh telefonin e kishte shitur një personi të cilin nuk e njeh. Sipas të dhënave të kompanisë “Vodafone”, rezulton se Gjuta e ka përdorur këtë aparat celular dhe më pas e ka shitur në dyqanin e babait të tij, që ndodhet pranë Postës Shqiptare në kryeqytet.

 

Alibia

Bëhet me dije se 26-vjeçari Emirjan Gjuta dhe babai i tij prej vitesh merren me tregtimin e aparateve celulare. Sipas burimeve të policisë Gjuta gjatë kohës që është mbajtur në paraburgim është përdorur nga policia për të bërë identifikimin e personave që janë kapur nga kamerat e sigurisë në momentin e vendosjes së tritolit. Policia pretendon që përmes tij të bëjë të mundur gjetjen e personave që kanë marrë pjesë ne shpërthimet me tritol, por deri tani nuk rezulton asnjë e dhënë.

 

Statusi

Por teksa ndodhet në dhomat e Drejtorisë së Policisë në Tiranë, Gjuta ka arritur që përmes telefonit të tij të vendos edhe një status në faqen e tij në “Facebook”. Ai shkruan se ndodhet në paraburgim. Deri tani policia nuk ka asnjë të dhënë për autorët e mundshëm të shpërthimeve. 26-vjeçari i ka thënë hetuesve se nuk mund ta njohë atentatorin nga pamjet e kamerave të sigurisë, por ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion një fotografi për ta identifikuar. I shoqëruari në polici është shprehur se e ka shitur aparatin celular në mesin e muajit janar dhe nuk mund të njoh personin i cili e ka blerë atë në dyqanin e babait të tij. Por nga ana e tyre hetuesit pretendojnë se e vërteta mund të jetë krejt ndryshe. Ata janë të mendimit që Gjuta i njeh personat që kanë blerë telefonin e tij, por nuk pranon t’i identifikojë ata. Në orët e para të së premtes, Gjuta u arrestua nën akuzën e “pengimit për të zbuluar të vërtetën”. I njëjti grup hetimor në Prokurorinë e Krimeve të Rënda po heton edhe vendosjen e lëndës plasëse prej rreth 1 kg e përzier me sfera dhe gozhda, që u gjet pranë dy pallateve në afërsi të shkollës “Petro Nini”. Tritoli mësohet se u vendos aty në datën 11 shkurt, një ditë pas shpërthimit të ndodhur ne farmacinë e babait të Saimir Tahirit. Sipas hetuesve, në aparatin celular të lidhur më lëndën plasëse është gjetur dhe aparati celular dhe karta e saj. Nga këqyrja e telefonit, rezulton se ka tre thirrje në drejtim të numrit që ndodhej i lidhur me tritoli, por që fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Burimet thonë se thirrja e parë është bërë në 16 e 22 minuta të pasdites së 11 shkurtit dhe më pas janë përsëritur edhe dy thirrje të tjera. Në asnjë rast shpërthimi nuk është aktivizuar për shkak të një defekti në montim, thonë ekspertët.

 

 Arrestimi/ Abuzuan me tenderin për kamerat e Tiranës, arrestohen 3 ish-zyrtarë të policisë

Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, janë ndaluar nga Policia e Shtetit tre ish-zyrtarë të Drejtorisë së Prokurimeve Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Më konkretisht, janë ndaluar shtetasit K. Kukaj, ish-shef i Sektorit të Prokurimeve, A. Hysko, ish-specialist i Sektorit te Prokurimeve dhe B. Martini, ish-juriste e Sektorit të Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Nga hetimi i Prokurorisë, në bazë të materialit të referuar dhe me bashkëpunimin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, rezulton se shtetasit K. Kukaj ka dyshime se ka konsumuar elementët e veprave penale së pari në prokurimin publik për vendosjen e kamerave të Tiranës. Nga hetimet e kryera per autenticitetin e këtij projekti është arritur në konkluzionin se, projekti i kamerave të Tiranës, zhvilluar në dhjetor 2010, është falsifikuar edhe në përmbajtjen e tij edhe në kosto, duke e rritur këtë të fundit me 75.8 milionë lekë të reja mbi koston fillestare. Po ashtu, nga hetimi i prokurorisë rezulton se anëtarët e Komisionit të Negocimit të realizimit të procedurës për “Instalim i sallës operative dhe sistemit të kamerave të qytetit të Tiranës”, me fondin prej 165.000.000 lekësh, të vëna në dispozicion të Policisë së Shtetit nga buxheti i shtetit”, K. Kukaj, B. Martini dhe A. Hysko, kanë kryer procedura fiktive. Sipas të dhënave të përftuara nga hetimi, rezulton se pasi janë kryer instalimet e nevojshme, anëtarët e komisionit kanë hapur procedurat e prokurimit publik. Pra, krijohen dyshimet e arsyeshme se procedura e prokurimit publik në këtë rast është tërësisht fiktive, pasi tenderi është realizuar pasi kishte përfunduar marrja e shërbimit. Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshimet se këta shtetas, me veprimet dhe mos veprimet e tyre në mospërmbushje të rregullt të detyrës kanë sjellë pasoja të rënda në rregullshmërinë ligjore të veprimtarisë së administratës publike në mirëmenaxhimin e fondeve publike.

 

 Apelimi/ Lirimi i kryebashkiakut Gjika, Prokuroria e Vlorës apelon vendimin

Prokuroria e Vlorës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, e cila zëvendësoi masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “detyrim për paraqitje” për shtetasin Shpëtim Gjika, me funksion kryetar i Bashkisë Vlorë, i dyshuar për konsumimin e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”; “Falsifikimit të dokumenteve”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Në kërkesën e saj, drejtuar Gjykatës së Apelit Vlorë, Prokuroria ka renditur tetë argumente se ku ka gabuar gjykata e shkallës së parë në zëvendësimin e masës së sigurisë për personin e dyshuar. Pretendimet në lidhje me themelin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit dhe shkeljet proceduriale të kryera nga ana e Gjykatës. Madje konstatohet një kontradiktë logjiko-juridike në vendimin gjyqësor, ku gjykata fillimisht parashtron në pjesën arsyetuese se ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e masës së sigurimit, por duke u referuar rrethanave të narratuara prej mbrojtësit merr të mirëqenë gjendjen shëndetësore të të arrestuarit dhe bazuar vetëm mbi këtë narratim pranon kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency