Drafti i qeverisë/ Alibeaj: Formulat e mundshme për zgjedhjen e Presidentit, pse mazhoranca nuk e heq dot Nishanin

0
101

Intervistoi Erneta Shevroja

Alibeaj “Qeveria ka gjetur zgjidhjen për të “asgjësuar” jo individin, që është President Republike, por të “asgjësojë” Presidencën, duke ia hequr, zbehur, ngushtuar ato kompetenca që ka”

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, mendon që Presidenti duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në një intervistë për gazetën “Standard”, Alibeaj komenton përplasjen efundit mes Presidentit dhe Kryeministrit. Ai shprehet se mazhoranca praktikisht i ka marrëPresidentit kompetencat dhe jep njëarsye pse shumica nuk e shkarkon Nishanin. Alibeaj jep edhe disa formula se si mund të zgjidhet Presidenti dhe të qëndrojë mbi palët politike.

 

 Së fundi është bërë publik një dokument analitik nga Ministria e Drejtësisë, ku një ndër pikat propozohet që Presidenti Bujar Nishani, kreu i KLD-së, të mos jetë më në krye të këtij institucioni. Çfarë mendimi keni ju për këtë propozim dhe çfarë pasojash mendoni të sjellë?

Media, por edhe Ministria e Drejtësisë nuk e kanë plotësisht këtë dokument analitik. Në këto kushte është e vështirë të japësh një opinion mbi saktësinë apo edhe mbi gjerësinë e propozimit (pra, çfarë ndryshimesh të tjera bashkëshoqërojnë këtë propozim). Ajo çfarë mund t’ju them është se ekspertiza ndërkombëtare (edhe ajo e Komisionit të Venecias) mbështet një propozim, sipas të cilit jo vetëm Presidenti mund të mos bëjë pjesë në KLD, por mbi të gjitha edhe ministri i Drejtësisë nuk duhet të bëjë pjesë në të. Madje, propozohet t’i hiqet e drejta e ekskluzivitetit në rastin e ngritjes së procesit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Pra, një propozim i tillë i ekspertizës ndërkombëtare që synon një KLD politikisht neutrale, tashmë është bërë i njohur e madje edhe është mbështetur nga Presidenca në takimin e tetorit të vitit të kaluar të organizuar për reformën në drejtësi. Personalisht jam i mendimit se Presidenti i Republikës duhet të jetë në krye të organit. Pavarësisht nga fakti se mund të jetë përfaqësues i ndonjë force politike, duke qenë se është i vetëm, ai nuk arrin të “ngjyrosë” politikisht organin. Ajo çfarë duhet bërë është që ndoshta duhet t’i “zbehet” kompetenca e fortë dhe ekskluzive që ka për emërimin e gjyqtarëve nëpërmjet dekretimit ose mosdekretimit. Për gjyqtarët është e mjaftueshme të emërohen në bazë konkurrimi dhe me proces transparent. Veç kësaj, KLD-ja duhet të shndërrohet në një organ që funksionon me kohë të plotë. Vetëm kështu roli i saj si organ kolegjial eklipson çfarëdo protagonizmi jo të përshtatshëm, qoftë të Presidentit e qoftë të ministrit të Drejtësisë. Po kështu, ministri i Drejtësisë nuk duhet të jetë pjesë e KLD-së personalisht, por të jetë i përfaqësuar e, veç kësaj, edhe kompetencat e tij duhet të rishikohen. Gjithsesi, vlerësime të plota teknike mund të jepen vetëm kur është e qartë se çfarë ndryshimesh të tjera parashikohen të bëhen paralelisht me atë të mësipërmin.

 

Si e komentoni propozimin tjetër të Ministrisë së Drejtësisë se Presidenti duhet të zgjidhet me shumicë të cilësuar dhe jo si deri me tani, me shumicë të thjeshtë nga Parlamenti?

Formula sipas së cilës, shumicat e cilësuara (3/5 ose 2/3 etj.) në Kuvend prodhojnë presidentë të gjithëpranuar, politikisht virtuozë dhe shtetarë të virtytshëm, në Shqipëri ka dështuar turpshëm. Së paku, në dy raste kjo formulë u testua dhe për mua secili rast nuk prodhoi konsensus, bashkëpunim, marrëveshje. Aspak! Procesi në secilin rast ka qenë jotransparent. Në momentet delikate kur vendosej emri i Presidentit të radhës, fshehtësia, nxjerrja e emrave në mënyrë të befasishme, matjet e forcave brenda grupeve politike, ndonjëherë edhe “tradhtitë politike” brenda grupeve parlamentare ishin simptomat e procesit zgjedhor presidencial. Diçka aspak higjienike dhe e shëndetshme për sistemin e demokracisë së brishtë parlamentare. Ky sistem vazhdon të jetë ende po aq i brishtë. Rikthimi i asaj formule nuk duket të jetë një zgjidhje e zgjuar. Meraku sipas të cilit formula aktuale (zgjedhja në raundin e 5-së me shumicë të thjeshtë) mund të sjellë një President përfaqësues politik të një krahu, mund të zgjidhet me shumë formula të tjera që mund të pasurojnë atë që kemi. Formula aktuale është e tillë që ngjarjes së zgjedhjes së Presidentit t’i jepet pesha politike dhe pasojat juridike proporcionale, dhe jo si ajo e me 3/5, dështimi i së cilës do të sillte rrezikun e zgjedhjeve të parakohshme, edhe thjesht për papërgjegjshmëri të opozitës. Ndërkohë që mund të ruhet formula aktuale, duke shtuar edhe rregullin se nëse zgjedhja bëhet në raundin e fundit, pra me shumicë të thjeshtë, atëherë dhe vetëm atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Pra, mjeti i “shantazhit”, i cili duhet të çojë në konsensus, duhet të qëndrojë në dorë të mazhorancës, e cila duhet të zgjedhë ose një president të vetin, ose të shkojë në zgjedhje. Kjo është një nga formulat, por ka shume të tjera.

 

Këto tri ditëtefundit ka pasur një përplasje mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë. Presidenca është shprehur se mazhoranca kërkon të vërë nën kontroll këtë institucion. Si qëndrojnë këto akuza, sipas opinionit tuaj?Ka tendenca të mazhorancës për të vënë nën kontroll Presidencën? 

Tendenca dhe jo vetëm tendencë, por veprime konkrete, pra miratime të ligjeve që heqin kompetencat e Presidentit, të cilat i ka marrë po me ligj me parë, tashmë janë disa. Kujtoj atë për KLD-në, atë për Forcat e Armatosura apo edhe ai që flitet ndërkohë për emërim të ambasadorëve. Për këtë çështje nuk ka nevojë për analizë, se tashmë provat janë të bollshme. Kryeministri që ky vend ka aktualisht, duket haptazi që nuk e honeps Presidentin e vendit. Nuk ka me të asnjë bashkëpunim dhe as respektin e duhur në distancë. Vetëm për shkakun se do të ishte një ngjarje politike zhurmëmadhe, kjo mazhorancë nuk ndërmerr hapat për shkarkimin e tij, sepse dëshirën dhe vrullin hakmarrës e ka. Për këtë arsye, ka gjetur zgjidhjen për të “asgjësuar” jo individin, që është President Republike, por të “asgjësojë” Presidencën, duke ia hequr, zbehur, vështirësuar, ngushtuar ato kompetenca që ka. Madje, përdorin edhe citimin e formuar kushtetues, kur thonë se Presidenti ka vetëm ato kompetenca që shpreh Kushtetuta. Në fakt, nuk është aspak kështu, se Kushtetuta në nenin 94 parashikon se Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të. Pra, Presidenti ushtron kompetenca që i njeh Kushtetuta dhe kompetencat që me ligje të tjera i jepen. Këto të fundit po i krasiten me shpejtësi.

 

Janë shprehur mendime se Presidenti duhet te zgjidhet nga populli ose të paktën të ketë më shumë kompetenca për të kontrolluar Parlamentin. Ju i mbështetni këto opinione?

Jam plotësishtdakord. Sistemi parlamentar shqiptar ka treguar se nuk është shumë funksional. Ai nuk krijon frymëmarrje, shpërndarje dhe balancim kompetencash, bashkëpunim dhe dialektike mes institucioneve. Për këtë arsye duhen krijuar pole të tjera pushteti përveç mazhorancave parlamentare. Këto zgjedhje (presidencial dhe parlamentare) nëse bëhen të spostuara në kohë nga njëra-tjetra kanë gjasë më të madhe për të krijuar balancim të pushteteve politike. Në ndihmë të kësaj qasjeje, e këshillueshme do te ishte edhe një reformim i thellë i qeverisjes vendore duke iu dhënë atyre kompetenca reale qeverisëse, pra, duke ia hequr pushtetit qendror dhe kaluar në nivelet e qeverisjes vendore. Sa më shumë qendra pushteti që burojnë nga sovrani të ketë, aq më i fragmentuar do te jetë pushteti politik, formulë kjo që garanton eliminimin e autoritarizmit dhe krijon nevojën reciproke të palëve politike për bashkëpunim. Përfundimisht, zgjedhja e Presidentit prej popullit është e nevojshme në fazën aktuale të zhvillimit të regjimit shtetëror në Shqipëri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency