Alarmi/ Grabiten 100 mln lekë në mes të ditës, rrëmbehen nga makinat e blinduara

0
114

Alma Çuka

banka e grabiturbanka_16 Policia aksidentohet në ndjekje të autorëve. Dyshohet se ishin tre persona. Hajdutët kanë studiuar mirë zonën. Pas grabitjes rrëmbyen makinën që shoqëronte autoblindën

 Tronditet siguria e bankave në vend. Një bankë e nivelit të dytë u grabit dje në orët e mesditës nga persona të maskuar dhe të armatosur. Grabitësit kanë shfrytëzuar garazhin e makinave të bankës për të kryer vjedhjen spektakolare. Nën kërcënimin e armëve dyshohet se kanë detyruar drejtuesit e makinave të blinduara të zbrisnin dhe më pas të merrnin prej andej dy thasë me para. Gjithçka duket se është bërë në një hark kohor tepër të shkurtër. Banka e grabitur është në afërsi të Stacionit të Trenit në kryeqytet. Ishte momenti kur blindi, i cili ishte në garazhin e bankës së nivelit të dytë, po bëhej gati të dilte prej andej dhe të shpërndante paratë në banka të tjera. Në këtë moment, tre personat janë shfaqur të armatosur dhe me maska. Me të parë makinën e blinduar, e cila po dilte nga garazhi personat e armatosur kanë dalë në mënyrë të rrufeshme dhe kanë detyruar drejtuesin të zbresë duke i marrë atij edhe para. Thasët me para janë marrë nën kërcënimin e armëve. E gjithë skena e krimit është bërë e ditur nga Policia e Shtetit.

 

Dyshimet

Menjëherë pas ngjarjes ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila i është vënë në ndjekje personave të armatosur. Tre të armatosurit kanë arritur të marrin vetëm paratë dhe kjo gjë thuhet se ka ndodhur pasi ata kanë qëlluar disa herë në tokë me armë kallashnikov që mbanin me vete. Në këtë moment punonjësi i bankës i cili gjendej në makinën e blinduar është detyruar të hapë portën e furgonit nga ku janë marrë paratë. Por nuk mjafton vetëm kjo. Personat e armatosur duke përdorur sërish armët “Kallashnikov”, arritën të kërcënonin shoferin që drejtonte makinën shoqëruese të blindit. Ata dyshohet se anë larguar nga vendi i ngjarjes duke përdorur këtë makinë. Por ajo që të lë të dyshosh është fakti se tre grabitësit kanë arritur të çarmatosin edhe rojet private të bankës si dhe shoqëruesit, të cilët janë të armatosur. Asnjë prej tyre nuk ka bërë rezistencë në momentin e grabitjes së parave.

 

Largimi

Pasi kanë krijuar një skenë terrori, tre grabitësit me anë të makinës së bankës janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ata janë ndjekur nga Policia e Shtetit, e cila në përpjekje për t’i kapur është aksidentuar. Gjatë ndjekjes mësohet nga policia se grabitësit janë drejtuar për nga shinat e trenit, ku u gjet dhe makina e braktisur. Autorët e grabitjes spektakolare të bankës në mes të ditës lanë makinën e bankës dhe aty u morën nga një tjetër makinë e cila dyshohet se e priste në vendin e ngjarjes dhe i ka shoqëruar nga pas deri në vendin e braktisjes dhe humbjes së gjurmëve. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi disa gëzhoja. Policia thotë se autorët duket se kanë studiuar mirë zonën para se të kryenin grabitjen. Por hije dyshime ka edhe tek drejtuesit e mjeteve të blinduara, të cilët kanë hapur dyert në një kohë që ato janë të siguruara. E vetmja shpresë e policisë për kapjen e tyre është mundësia e lënies së gjurmëve të gishtave në automjetin e grabitur dhe braktisur më pas. Këto gjurmë janë duke u verifikuar nga ekspertët. Ndërsa po studiohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e grabitjes, për të parë nëse mund të identifikohen grabitësit që për 2 minuta kryen vjedhjen dhe u larguan në drejtim të paditur për policinë.

 

 Kërkesa/ Prokuroria kërkon tri vite burg për kryebashkiakun e Kamzës Xhelal Mziu

Prokuroria e Tiranës kërkoi nga Gjykata deklarimin faktor dhe dënimin me 3 vjet burg për kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, i vënë nën akuzë për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim të detyrës”. Kjo kërkesë e akuzës u shoqërua edhe me kërkesën për heqje të së drejtës së Mziut për ushtrimin e funksioneve shtetërore dhe publike për një periudhë trevjeçare. Sipas prokurorit të çështjes, “taksat vendore ndryshonin sipas dëshirës së Xhelal Mziut”. Po ashtu Prokuroria ka kërkuar dënim me nga 1 vit burg edhe për juristin e Bashkisë Kamëz, Atli Hotin, dhe drejtorin e Tatimeve në këtë Bashki, Bujar Loshi, gjithashtu të akuzuar për shpërdorim detyre. Në datën 27 shkurt Gjykata do të dëgjojë mbrojtjen e të pandehurve në këtë gjykim. Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, u arrestua në 20 dhjetor 2013 nga policia e Tiranës nën akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Një tjetër zyrtar i Bashkisë, drejtori Juridik i kësaj Bashkie, Atli Hoti, u shpall në kërkim nga forcat e rendit. Prokuroria konfirmoi se dy shtetasit e hetuar prej disa muajsh kanë kryer veprime të kundërligjshme në tenderin e qershorit për ndërtimin e rrugës Laknas – Valias i Ri. Fillimisht komisioni i prokurimit publik shpalli fitues kompaninë “Gj… sh.p.k.”, por ajo më vonë bëri ankesë, sepse kompania u skualifikua nga komisioni i prokurimit të Bashkisë. Ndërkohë që shqyrtohej kjo ankesë, sqarojnë burimet zyrtare, rruga kishte nisur të ndërtohej nga një kompani tjetër, e cila nuk kishte arritur ta fitonte këtë tender. Xhelal Mziu dhe 37-vjeçari Atli Hoti janë akuzuar për dy vepra penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera”, dhe policia e Tiranës arrestoi bashkiakun dhe është vënë në kërkim të juristit. Në ngarkim të tyre Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.

 

Vendimi/ Vrau balerinën, autori dënohet me burgim të përjetshëm në mungesë

 Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor shtetasin Artur Kuliçi, i akuzuar për vrasjen e balerinës Sonila Tafa në një lokal nate në periferi të Tiranës dhe e dënoi atë me burgim të përjetshëm. Vendimi u dha pas 31 seancave gjyqësore, ndërkohë që i pandehuri nuk ndodhej në sallën e gjyqit. Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e 5 prillit 2013, ndërsa viktima nuk kishte lidhje me konfliktin që u krijua në lokalin e natës. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Artur Kuliçi dyshohet të ketë shtyrë dhe fyer një nga vajzat që ishin në tavolinën ngjitur më të tijën, për shkak se ajo e kishte prekur pa dashje me bërryl. Kjo sjellje ka shkaktuar reagimin e dy djemve me të cilët ndodhej balerina Sonila Tafa në tavolinë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency