Vendimi/ Lejet e ndërtimit në Ksamil, Gjykata rrëzon Prokurorinë

0
215

Alma Çuka

 gjyqPafajësi për dy të pandehur, nga 6 muaj burg për dy të tjerë. Prokuroria kundërshton, përgatit ankimin në Apelin e Gjirokastrës, kundër vendimeve

 Gjykata e Sarandës rrëzon kërkesën e Prokurorisë për të dënuar katër ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në këtë qytet, akuzuar për dhënien e lejeve pa kriter në zonën e Ksamilit. Vendimi është dhënë tri ditë më parë, ndërkohë që akuza vetëm dje arriti të jepte detaje lidhur me të. Në vendimin përfundimtar, Gjykata ka rrëzuar akuzat për dy të pandehur dhe ka dënuar dy të tjerë vetëm me nga 6 muaj burg për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Trupi gjykues e ka parë të arsyeshme të rrëzoi akuzën duke pretenduar se provat e sjella kundër tyre janë të paplota dhe nuk vërtetojnë shkeljet e pretenduara.

 

Vendimi

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, tri ditë më parë, vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Vesel Koçiu, ish-drejtor i ALUIZNI-t Sarandë dhe dënimin me 6 muaj burgim. Për këtë të pandehur akuza kërkoi dënimin me 2 vite burg. Po kështu u deklarua fajtor edhe i pandehuri Laert Cane, ish-përgjegjës i ALUIZNI-t Sarandë dhe dënimin me 6 muaj burgim. Edhe për këtë të pandehur prokuroria kërkoi 2 vjet burgim. Ndërkohë Gjykata pushoi çështjen për shtetasit Feti Deromenaj dhe Manjola Nikollo, në një kohë thotë akuza, kur për ta ishte kërkuar deklarimi fajtor dhe dënimi përkatësisht me nga 1 vit e 4 muaj burg. Gjykimi ndaj këtyre të pandehurve është zhvilluar me procedurë të shkurtuar. Ndërkohë, po vijon me procedurë normale gjykimi për të akuzuarin e pestë të kësaj çështje, shtetasin Roland Tafilaj, ish-drejtori rajonal i ALUIZNI-t Vlorë.

 

Argumenti i akuzës

Gjykata ka pranuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë së Sarandës për shpalljen fajtor të dy ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t në këtë qytet, ndërkohë që për dy të pandehur të tjerë ka vendosur pushimin e çështjes dhe për një tjetër është veçuar gjykimi. Vendimi është dhënë pak ditë më parë. Të gjithë këta zyrtarë akuzohen për “shpërdorim detyre” në procesin e legalizimit të objekteve në zonën e Ksamilit, në Sarandë. Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimin në bazë të një kallëzimi të mbërritur nga KLSH. Nga hetimi, prokuroria ka krijuar bindjen se shtetasit e akuzuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhënë leje legalizimi në të paktën 24 raste të për objekte shërbimi (lokale dhe hoteleri) në Ksamil, të cilat janë ngritur në vijën bregdetare ose pranë saj, si edhe në zona arkeologjike, muzeale e turistike. Pra, në zona ku është totalisht e palejuar të ndërtohet dhe, rrjedhimisht, as të legalizohen. Prokuroria thotë se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata, ka pranuar pjesërisht kërkesën shpalljen fajtor të dy prej të akuzuarve, por edhe për këta dy të akuzuar ka dhënë vendime dukshëm më të ulëta, krahasuar me kërkesën e prokurorisë. Ndërkohë që për dy të tjerë, ka vendosur pushimin e çështjes. Në këto kushte, Prokuroria e Sarandës po përgatit ankimin në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

 

 Vlorë/ “Bluzat e pastra”, pranga mjekut që merrte ryshfet për pranimin e kempit

Policia e Vlorës njofton se ka vënë në pranga gjatë ditës së djeshme një mjek akuzuar për veprën penale të korrupsionit pasiv. Prangosja e mjekut u finalizua gjatë operacionit policor antikorrupsion të koduar “Bluzat e pastra”. Bëhet me dije se është kryer arrestimi në flagrancë për “Korrupsion pasiv” i shtetasit: Thoma Koci, vjeç 65, banues në Vlorë me profesion mjek neurolog në spitalin rajonal Vlorë, me detyrë kryetar i Komisionit të Mjekëve për Caktimin e Aftësisë në Punë. Arrestimi i këtij shtetasi u krye pas kallëzimeve të marra nga qytetarë të ndryshëm të cilëve u kërkoheshin para në këmbim të dhënies së vendimit për përcaktimin e shkallës së invaliditetit. Arrestimi i tij u krye menjëherë pas momentit që një qytetar i kishte dorëzuar shumën prej 50 mijë lekësh si ryshfet në këmbim të një vendimi invaliditeti. Gjithashtu nga kontrolli personal i ushtruar ndaj këtij shtetasi i janë gjetur edhe 1823200 lekë të reja të ndara në shuma të ndryshme dhe të vendosura në zarfe, si dhe 350 euro, të cilat dyshohet se i kishte përfituar nga raste të tjera korruptive.

 

 Lezhë/ Procedohet penalisht kryetari i Komunës Shëngjin, akuzohet nga një qytetar

Policia e Lezhës nis procedimin penal ndaj kryetarit të Komunës Shëngjin, 48- vjeçarit Salvador Kaçaj, pas kallëzimit të bërë nga një qytetar. Po sipas policisë, qytetari me iniciale F. M., banues në Lezhë, ka deklaruar në polici se në muajin maj të viti 2012, në Kune, Shëngjin, i është prishur lokali në kundërshtim me ligjin, duke e pasur me dokumente të rregullta. Sipas burimeve zyrtare, bëhet me dije se duke shkelur ligjin, kryetari i Komunës nuk i ka njohur të drejtën e kompensimit shtetasit F. M. dhe shpronësimi i objektit nuk është bërë për interes publik, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik. Ndërkohë nga ana e tij kryetari i Komunës është shprehur se kallëzimi ndaj tij është kryer me letër anonime dhe ai pretendon se një gjë e tillë është bërë për të prishur imazhin. Ai thotë se gjithçka po bëhet për të prishur imazhin e tij, në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme. Salvador Kaçaj ka deklaruar se bëhet fjalë për prishjen e një kioske në 2012-ën, për shkak të ndërtimit të një vepre madhore. Pasi ka bërë me dije se objekti ka qenë në pronësi të Fan Markut, ka thënë: “Është një çështje e mbyllur dhe e ezauruar. Kjo e sotmja është një vepër, një letër anonime e dërguar në policinë e Lezhës. Qytetari është në zyrën time aktualisht dhe nuk ka bërë asnjë kallëzim apo nuk ka dërguar asnjë letër. Kjo bëhet me qëllime të caktuara, duke qenë se jemi në prag zgjedhjesh. Bëhet për të prishur imazhin tim. Nuk kanë për t’ia arritur qëllimit, pasi organet e drejtësisë do të vendosin në mënyrë të drejtë. Qytetari është në zyrën time dhe deklaron se nuk ka bërë kallëzim. Unë jam një nga kandidatët për Bashkinë e Lezhës”. Ai ka përforcuar mendimin se prishja e ndërtimit pa leje është bërë duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency