Tritoli në Tiranë/ Berisha: Krimi ka përmbytur qeverinë. Tahiri: Ka prirje për destabilizimin e vendit

0
127

Gëzim Saliu

 berisha ne kuvendIsh-kryeministri: Tritoli në zarf ishte për t’i thënë se guxuat të na prekni aty ku na kishit dhënë garanci

 “Në periferi të Vlorës ekziston një fabrikë tjetër e drogës. Qytetarët po vdesin nga ilaçet e rreme”

Ngjarjet e rënda e kërcënimit me tritol ishin kryefjala e debatit mes palëve politike në vend, ku nga ana e saj opozita nënvizoi edhe një herë se këto akte vijnë, për shkak të lidhjeve që vetë qeveria dhe përkatësisht ministri i Brendshëm ka me botën e krimit. Në fjalën e tij, ish-kreu i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi në Kuvend se krimi tashmë ka përmbytur qeverinë dhe se, sipas tij, kërcënimi me tritol ka ardhur nga banda rivale e grupit kriminal që mbështet ministri Tahiri. “Krimi po pushton çdo javë horizonte të reja. Goditja e tij dy ditë më parë, e kam thënë dhe po them prapë, ishte tritoli në zarf për ministrin e Brendshëm, ishte tritoli në zarf për ministrin e Brendshëm dhe kjo është një gjë shumë e keqe, për opozitën, për pozitën dhe për gjithë vendin. Kjo është një gjë e papranueshme dhe e dënueshme. Një gjë që s’ka ndodhur në asnjë nga kohërat e përparme Është reagimi i mafies ndaj vijës së kuqe që qëndron në arrestimin me urdhër të prokurorit të gjysmës së grupit, se gjysma tjetër është e lirë, e pashqetësuar fare”, – theksoi Berisha. Ndërkohë, në fjalën e tij, ministri i Brendshëm theksoi para deputetëve se, sipas tij, ka një prirje tejet të dhunshme për të destabilizuar rendin dhe sigurinë në vend. “Nuk është e lehtë për mua, për sa kohë u përfshi edhe familja ime, po nuk bën shumë dallim për detyrën që mbaj, për sa kohë përfshihet çdo familje e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë në këtë vend, sepse unë besoj që bota e krimit kërcënon njëlloj cilindo në këtë vend, pavarësisht partisë, pavarësisht politikës, pavarësisht të gjithave. Bota e krimit duhet të marrë një mesazh nga ky Parlament dhe që është të dënojmë në mënyrë të përbashkët çdo kërcënim, jo ndaj Saimir Tahirit, as ndaj ministrit të Brendshëm, por ndaj çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë që nuk ka asnjë motiv pse të ndjehet i kërcuar, pse kriminaliteti guxon deri në këtë pikë”, – tha Tahiri. Por në përgjigjen e tij, ish-kryeministri Berisha theksoi se opozita është kundër krimit dhe dënon kërcënimet e tij. “Ne nuk jemi kurrë që krimi të diktojë, ne nuk jemi kurrë që krimi të vendosë, por krimi po vendos, krimi po dikton. Sepse juve ju ka shokë. Tritoli në zarf ishte pikërisht për t’i thënë se guxuat të na prekni aty ku na kishit dhënë garanci. Në fakt ata i preku Prokuroria e Krimeve të Rënda, sepse Policia kishte në patronazh të plotë. E dyta, ishte mesazh për të thënë se mirë ne na arrestuat por janë nja 13 të pa arrestuar, ndaj mos guxoni t’i prekni”, – u shpreh ai. Ndërkaq në fjalën e tij, Berisha nuk nguroi të komentonte edhe arrestimin e Shpëtim Gjikës, duke pohuar: “Pse kujtoni ju se më dhimbset mua Shpëtim Gjika? Kurrë s’më dhimbset, por ka një rregull. Ti e arrestove, i rendite të gjitha akuzat. Ore tjetrit mund t’i hapësh dhjetë çështje, nuk jam kundër, por mos përsërit të njëjtën praktikë të shëmtuar dhe shkon pastaj ta arrestosh. Absolutisht luftë brenda jush është”. Duke folur për masën e lartë të drogës në vend, Berisha deklaroi nga ana tjetër se ka dyshime se në Vlorë ekziston një fabrikë tjetër. “Unë i bëj thirrje prokurorisë të hetojë, sepse në periferi të Vlorës ekziston një fabrikë tjetër. Njerëzit flasin”, – u shpreh ai.

 

Ilaçet

Ndërkaq, një tjetër denoncim i ish-kreut të qeverisë në fjalën e tij ishte edhe ai që lidhej me ilaçet e rreme që, sipas tij, po shkaktojnë vdekjen e qytetarëve. “Është një Zhan Levani aty, vetë është regjistrues, të shoqen e ka në depo. Është rast tipik. Ky zotëri porosit një ilaç në një firmë irlandeze, të cilin e merr në Jordani. Ilaçi dorëzohet në doganat shqiptare me 2.9 euro flakoni. Natyrisht me rregullimin e çmimit shkon tek 4.6. A dini sa e shet Zhan Levani së bashku me të shoqen e tij, e shet 29 euro ampulën. Heroi i Partisë, prokuror Troci, që lëshon urdhër arreste për të njëjtën çështje për Shpëtim Gjikën në emër të Partisë, për Fullanin në emër të Partisë, kur vjen puna për ilaçin, i cili del në treg në vend që të dalë me 4.6 euro shitet me 29 euro, ai është një kriminel për shoqërinë, është një hero për Partinë”, – deklaroi Berisha.

 

 Majko: Nuk është zgjidhja rikthimi i Doktorit në pushtet

Në kohën kur debati në seancën plenare u përqendrua tek kërcënimet me tritol e ish-kryeministri Berisha deklaroi se zgjidhja e shqiptarëve ishin zgjedhjet e parakohshme, deputeti Pandeli Majko tha se kjo e fundit nuk ishte zgjidhja. “Sot e dje kanë ndodhur akte shumë të rënda në Tiranë. Ka një klimë terrori në kryeqytet. S’ka pse bëjmë përralla, por t’i gjendemi në krah policisë. Ku po shkojmë? Apo o burra zgjedhje të parakohshme që të vijë edhe një herë Doktori. Kjo është zgjidhja?! Lërini këto dëngla, se po gajaset bota me ne, kalon niveli i diskutimit atje ku thërret qameti”, – u shpreh Majko.

 

 Në seancë parlamentare/ Berisha vendos audion kur Meta shante Ramën. Kryeparlamentari: Mbaroi koha e replikës

Në seancën e djeshme parlamentare nuk munguan as dëgjesat me audio në sallë. Kështu, gjatë kulmit të debatit mes palëve, ish-kryeministri Berisha përmes një audioje, të cilën e vendosi në mikrofonin e foltores së Kuvendit, riktheu në sallë akuzat që Kryeparlamentarit Ilir Meta bënte ndaj aleatit aktual Edi Rama, kur qëndronin në pole të kundërta të pushtetit. Në atë audio dëgjohej akuza që Meta ka bërë më parë për përdorim droge nga ana e Kryeministrit aktual. Edhe pse kreu i LSI-së u mundua ta kalonte me të qeshur aktin e Berishës, nuk ngurroi të ndërpriste atë përmes batutës: “Mbaroi koha e replikës”.

 

 Blushi: Ata që vunë bombat, stil hakmarrjeje si qeveria e djeshme

Deputeti i PS-së, Ben Blushi, i kërkoi dje opozitës që të frenojë fantazinë dhe të japë solidaritet për sulmet me tritol ndaj familjes se ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Blushi tha se qeveria e djeshme i ka përgatitur krimit metodën e hakmarrjes. “Dy herë që kanë dashur ta poshtëronin të dyja herët ça kanë bërë? I kanë marrë për shënjestër familjen. Njëherë këtë e bëri qeveria e shkuar, i arrestoi babain Saimir Tahirit para dy ditësh e bëri krimi, i mori prapë në shënjestër babain dhe sigurisht që kjo është koinçidencë, nuk them që krimi dhe opozita e sotme kanë pasur të njëjtën shënjestër. Nuk them se pas bombës së pardjeshme fshihet dora e opozitës, por askush nuk më bind sot se ata që i vunë bombën pardje nuk kanë huazuar fatkeqësisht të njëjtin sitil hakmarrje si qeveria e djeshme. Ata nuk janë lodhur fare ti gjejnë dobësinë, njerëzore në fund të fundit, t’i gjejnë Saimir Tahirit thembrën e Akilit, se me dashje apo pa dashje qeveria e djeshme i ka përgatitur krimit metodën e hakmarrjes. Edhe dje dhe sot është babai i Saimir Tahiri e njëjta tabelë qitje Kjo është arsyeja që unë po flas sot këtu për ti kërkuar opozitës dhe në fakt jo vetëm të frenojë fantazinë e vet, t’i japin solidaritet një njeriu që edhe pse nuk e do, në fund të fundit është në detyrë, është nën sulm, është në shantazh”, – u shpreh Blushi.

 

 Strazimiri: 15 drejtuesit e inteligjencës së Ushtrisë që kanë qenë sigurimsa

Në interpelancën me ministren e Mbrojtjes, deputeti demokrat bëri të ditur se në Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes janë përfshirë drejtues që më parë kanë qenë më parë në sigurimin e shtetit.

 

Lista

Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm – Operativ, ish-operativ sigurimi në Kërrabë.

Drejtor i kundërzbulimi – Operator sigurimi në Shkodër

Drejtor i Analizës – Operator i Përgjimeve në Sigurimin e Shtetit.

Zv.drejtori i kundërzbulimit – Operativ sigurimi në Shëngjergj.

Zv.drejtor i zbulimit të Jashtëm – Operativ sigurimi në aviacion,

Shefi kundërzbulimit – Operativ sigurimi në Ersekë

Shef i sekretarisë sekrete me NATO-n – Operativ sigurimi në metalurgjik Elbasan

Shef i sektorit të zbulimiit – Operativ sigurimi në Korçë

Drejtori i trajnimeve – Operativ sigurimit në Shkodër

Shef i zbulimit rajonal – Operativ sigurimi në Kavajë

Shef i menaxhimit kundër spiunazhit – Operator sigurimi në burgun e Burrelit

Shef i sektorit të spiunazhit në Durrës – Operator sigurimi në portin e Durrësit

Shef i kundërzbulimit të logjistikës – Punëtor operativ Burrel

Shef i operacioneve speciale – Operator përgjimi i Sigurimit

Drejtor i mbështetjes – Punëtor operativ në Pogradec

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency