Përplasja në Kuvend/ Rama: Ligj për kriminalizimin e shpifjes së zorrës politike. Paloka: Na do në burg si Gjika

0
95

Gëzim Saliu

edi rama parlament sali berisha sherr lsa 2015 shkurt Kryeministri: Deklaratat e PD-së pas tritolit të ministrit, të turpshme, edhe gjakësit Kanuni i jep 24 orë qetësi

 Paloka: S’na tremb me gjyqin, do të kesh telefonata të përgjuara dhe foto që tregojnë lidhjen me krimin. Bëj testin e drogës!

Shpërthimet me tritol në Tiranë ishin në qendër të debatit në seancën e djeshme parlamentare, ku nuk munguan akuzat dhe kundërpërgjigjet mes palëve politike. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë akuzoi PD-në për qëndrimet e saj pas ngjarjes, duke i cilësuar ato jashtë çdo lloj arsyeje dhe morali politik. “Edhe gjakësit Kanuni i jep 24 orë qetësi në besë, ndërsa ju nuk pritët dot as 4 orë për t’u shtuar bombave të terroristëve aktin e dhunës suaj të pashembullt verbale ndaj njeriut që ishte objektiv i terrorit, ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë”, – u shpreh Rama. Në këtë kontekst, duke akuzuar demokratët për shpifje, kreu i qeverisë bëri të ditur një nismë të re të mazhorancës për kriminalizimin e shpifjes. Sipas kësaj nisme ligjore, çdo deputet që do të hedhë publikisht akuza ndaj një force politike e përfaqësuesve të saj, do të mbajë përgjegjësi penale dhe do ta ketë të detyrueshme përballjen me hetimin e Prokurorisë. “Ne do të kërkojmë kriminalizimin, një orë e më parë, me ligj, të shpifjes për shkak të detyrës për çdo rast kur akuza e bërë nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik. Dhe, po me ligj, ne do të sanksionojmë si të pashmangshëm detyrimin e Prokurorisë për të vepruar menjëherë për të hetuar mbi bazën faktike të një akuzë, ku për shkak të detyrës dikush akuzohet se ka kryer një vepër të rëndë penale ose se ka bashkëpunuar me krimin për të kryer një vepër penale”, – tha Rama. Kjo deklaratë e Kryeministrit hasi në kundërshtinë e plotë të demokratëve në sallë, të cilët madje e shoqëruan atë me ovacione të tilla si: “Burg, vetëm burg do ti, po kthen agjitacion-propagandën”. Ndërkaq, në reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, theksoi se me këtë praktikë, Kryeministri po synon të fusë edhe deputetët e opozitës në burg. “Le t’i marrë deputetët t’u bëjë një gjyq në bodrum, gjë që i bëri edhe mikut të tij Gjika dhe pastaj t’i dërgojë policinë t’i rrëmbejë e t’i fusë në burg. Këtë ëndërron. Për të, një opozitë e mirë është ajo që është në burg, si babai i tij shpirtëror, e ëndërron”, – u shpreh Paloka.

 

Përplasja për gjyqin

Nga ana tjetër, në diskutimin e tij të gjatë prej thuajse 1 ore, Kryeministri Rama, duke iu drejtuar deputetëve Paloka dhe Ristani, bëri të ditur se do t’i sfidojë ata në gjyqin që kanë në mars. “Ju kam kallëzuar për shpifje për shkak të detyrës dhe ju kam sfiduar t’i faktoni përpara Gjykatës së Lartë akuzat tuaja, sa qesharake aq të çuditshme për lidhjet e mia me kriminelë dhe me vepra kriminale. Do t’i shkoj deri në fund atij procesi dhe nëse ju do të provoni sadopak, jo të gjitha, sadopak, nga tërë ato hatara që ju ka nxjerrë hapësira që e quani gojë, unë do të jap dorëheqjen dhe do t’i vihem në dispozicion drejtësisë. Në të kundërt, ju do të paguani çmimin e kësaj politike të turpshme”, – u shpreh Rama. Në përgjigje, kreu i grupit parlamentar demokrat, Paloka, tha se në gjyqin ku është paditur nga Kryeministri, do të shfaqë dokumentet, që pretendon se i ka nga shërbimet e huaja. “Për gjyqin po i them që të përgatitet, po ia bëj favor. Nuk do të jetë show siç e mendon ky zotëria, të përgatitet të sjellë në Gjykatë tabulatet e telefonave. Të përgatitet t’u përgjigjet dokumenteve, shërbimeve të huaja, ku janë përgjuar telefonat e këtij që sot është Kryeministër. Të përgatitet për ekspertiza fotosh për lidhjet e tij. Po ia bëj favor, se mund të mendojë se po shkonim kshu për show në atë gjyq. Të përgatitet t’u japë përgjigje akuzave të drejtuesve të policisë dhe për testin e drogës do të ishte mirë ta bënte sot”, – deklaroi Paloka.

 

Akuzat për opozitën

Ndërkohë, ajo që u vu re në fjalën e Kryeministrit të vendit ishin akuzat e tij të forta për opozitën, të shoqëruar shpesh me ironi dhe sarkazëm ndaj palës kundërshtare. Një pjesë e fjalorit të Kryeministrit u cilësua si banal nga deputetët e PD-së, të cilët gjatë fjalës së tij e ndërprenë disa herë, duke i rënë me duar tryezës. “Ne nuk jemi këtu për të hapur gjyqe me ju, sa herë ju jashtënxjerr goja ju ato që ju prodhon zorra juaj politike. Kështu nuk vazhdohet më. Shqipëria nuk mund të rrijë zhytur në baltën e akuzave të sajuara apo të paprovuara të politikanëve me njëri-tjetrin”, – tha Rama. Më tej, kreu i qeverisë tha se asnjë prej deputetëve nuk mund të fshihet pas imunitetit apo dekriminalizimit të shpifjes në emër të fjalës së lirë, “që është për gazetarët, jo për ata si puna juaj që e nxjerrin bukën duke i shërbyer zorrës, për ta bërë baltë këtë foltore dhe të tërë mjedisin social dhe politik të Shqipërisë”. Ndërkaq, demokratët nga ana e tyre dënuan fjalorin e kreut të qeverisë e ndërsa Paloka theksoi se nuk mund të akuzohet opozita për mossolidarizim të luftës ndaj krimit, pasi, sipas tij, PD ka bërë shumë më tepër se kaq. “Kjo mazhorancë, kjo qeveri, qëkur erdhi në pushtet, erdhi në bashkëpunim me krimin, aleanca e qelbësirave. Krimit i jepet zemër atëherë kur sapo vjen në pushtet, shkarkon të gjithë specialistët e policisë dhe i zëvendëson me militantë dhe ca më keq, i zëvendëson me të inkriminuar”.

 

 Batutat në Kuvend/ Rama, Vokshit: M’u duke si Pamela Anderson te “Baywatch”. Deputetja e PD-së: Ti je si Mr. Bean-i

 Krahas debatit për situatën e krimit në vend, edhe ajo e përmbytjeve në Jug të vendit ishte sërish në qendër të replikave mes mazhorancës dhe opozitës. Pas akuzave të deputetëve të opozitës ndaj qeverisë për mosmenaxhimin e duhur të situatës dhe mosshpalljen e gjendjes së emergjencës, ishte Kryeministri Rama, i cili nxiti edhe më shumë debatin në sallë. Në fjalën e tij, Kryeministri ironizoi kreun e PD-së, i cili, sipas tij, shkon në zona të papërmbytura dhe kërkon marrjen e masave, duke mos ngurruar të krahasojë deputeten demokrate Albana Vokshi me personazhin e telefilmit “Baywatch”, Pamela Anderson. “Të krahasohesh me ju është si të krahasosh postën elektronike me postën me zogj. Fakti që e rrënuat shtetin duke e drejtuar me veshë, si ata muzikantë që nuk njohin notat, por i mban gjallë instinkti i tallavasë. Kryetari juaj, i riu, shkoi në një fshat në kodër dhe në tokë të thatë dhe urdhëronte qeverinë të shpallte gjendjen e emergjencës… Ose siç mund t’i jetë dukur ndonjërit sot, dikush si Pamela Anderson në Baywatch”, – tha Rama. Ndaj deklaratave të kreut të qeverisë nuk mungoi reagimi i deputetes së PD-së, e cila theksoi: “Më mirë të jesh Pamela Anderson që shpëton njerëz në filmin “Baywatch”, sesa si Mr. Bean që të bën të qeshësh edhe me zor, meqë Kryeministrit Rama i pëlqen shumë Pamela”.

 

 Rama flet 58 minuta/ Berisha: Je bërë si hallë Esmaja, u nisa nga Miloti e erdha, ti prapë në foltore

Fjala e Kryeministrit Rama dje në foltoren e Kuvendit zgjati më shumë se zakonisht, përkatësisht 58 minuta. Ndërsa në pjesën më të madhe të saj në sallë nuk ishte i pranishëm ish-kreu i qeverisë Berisha, i cili u paraqit thuajse në fund të fjalës së Kryeministrit Rama. Në hyrje të sallës, Berisha iu drejtua deputetëve të PD-së, kur Rama ende po fliste në Kuvend, duke pohuar: “Akoma po flet ky, unë isha në Milot e erdha në Tiranë, ky akoma duke fol”. Ndërsa mbylli fjalën e tij kreu i qeverisë, Berisha theksoi: “Më duhet t’i them parafolësit se në karrierën time politike kombëtare dhe ndërkombëtare tre personat të cilët flisnin më gjatë dhe ky vjen i katërti në botë se u nisa nga Miloti dhe erdha në Tiranë, kur e mori fjalën isha në Milot dhe erdha në Tiranë dhe vazhdoi edhe gjysmë ore. Po kjo, tre persona para tij të cilët mbanin fjalime të tilla, Injacio Çaves, kolonel Gedafi dhe kolonel Kastro Ruz e kanë pësuar shumë rëndë nga fjalimet e tejzgjatura të tyre”. Ironisë së paraardhësit Rama i është përgjigjur po me ironi duke pohuar: “Jo, besoj ju e vutë re, i riu vajti në Shtyllas ku nuk kishte përmbytje, ky i vjetri në Milot. Edhe në Milot nuk ka pas përmbytje, merre me mend ç’lidhje kanë këta me problemet e njerëzve”. Ndërkaq, replikën e tij Berisha e shfrytëzoi në nisje të diskutimit të tij, duke theksuar: “Këtu para meje dëgjuat një ligjëratë prej 1 orë e 45 minuta, të atij që tani në popull po e thërrasin rëndom “halla” e “Njeriu me top” apo “hallë Esmaja” që niste dhe s’i pushonte goja pa ditur se çfarë thoshte. Por këto i zgjidh me Dritëroin ai”.

 

Debati

 Albana Vokshi: Ky ministër që bën gafa pa fund, është edhe ministër i rinisë, por fyen të rinjtë. Ke 500 familje të bllokuara në Kurvelesh, ke Përmetin pa ujë të pijshëm. Po ti zgjodhe të shkosh një javë në Amerikë.

Erion Veliaj: Ky ekip gaztorësh është larguar tashmë. Ju shkaktoni përmbytje qesharake në një vend kodrinor. Teksa ti në Ferras po pije kapuçino, ne verifikonim gjendjen.

Edi Rama: Ne nuk jemi këtu për të hapur gjyqe me ju, sa herë ju jashtënxjerr goja ju ato që ju prodhon zorra juaj politike. Kështu nuk vazhdohet më.

Deputetët e PD-së nga vendi: Po boll, boll, më me këtë fjalor, ç’është ky fjalor i Kryeministrit?

Edi Rama: Ne do të kërkojmë kriminalizimin, një orë e më parë, me ligj, të shpifjes për shkak të detyrës për çdo rast kur akuza e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik.

Halimi nga salla: Burg, burg, fiksimin te burgu e ke.

Strazimiri nga salla: Agjitacion dhe propagandë…

Edi Rama: Ju s’keni paguar lekët për darkat e 100-vjetorit. Thonë që keni ngrënë shumë. Nuk latë kokërr orizi, nuk latë kokërr fasuleje dhe me gjithë ato fasule që keni ngrënë në mes të vapës, – se ishte fushata elektorale dhe emergjenca e vetme ishte si t’i shpëtonit humbjes, – kushedi ç’kanë ndier ata që ju vinin mbrapa.

Flamur Noka: Shih tritolin, po ku jeton ti mor, i di njerëzit budallenj ti…

Jozefina Topalli: Ty po t’qeshin edhe këta (për deputetët e PS).

Erion Braçe, Topallit: Ça ke që je e shqetësuar sot apo nuk ka plas ndonjë bombë sot.

Edi Rama: Flisni jo vetëm sikur s’keni lidhje fare me tërë këtë lumë borxhesh e zullumesh, por sikur ne ju kemi borxh t’ju themi “na falni që u përmbytët në 23 qershor”. Ne nuk jua themi dot këtë. Thahuni. Thahuni vetë. Jeni akoma të lagur nga koka te këmbët.

Edmond Spaho nga vendi: Hajde Kryeministër hajde, ky është fjalori i Kryeministrit.

Edi Rama: Profesor të lutem se kemi një debat bashkë.

Edmond Spaho: Po ç’është ky fjalor…

Edi Rama: Profesor unë dua të mësoj nga ju, të lutem tani. Ti e ke fituar bukën si akademik e jo si shpifës.

Spaho bëhet gati të largohet nga salla

Edi Rama: Mos ik tani profesor, se kjo është për ju. E kam për rezervën e shtetit, si e latë ju…

Hyn në sallë Berisha (u drejtohet deputetëve të PD-së): Akoma s’ka mbaruar ky, isha në Milot e erdha e ky ende ne foltore.

Deputetët e PD-së qeshin

Edmond Spaho: I dashur piktor, ikën dhe flet e nuk dëgjon përgjigjet. Bëre shfaqje të shëmtuar, përmende edhe zorra të trasha. Je zënë keq dhe ndaj kërcen nga ndërtimet, energjia, NATO e deri te posta.

Kastriot Islami: Para disa kohësh, kur ju që jeni në mazhorancë ishim në opozitë është organizuar një protestë para shtëpisë sime. Ngjarja e sotme me tritol (ajo pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”) ka ndodhur po aty ku organizua protesta.

Blerina Gjylameti qesh nga salla

Kastriot Islami: Ti mos qesh, se ke qenë edhe ti në atë kohë.

Blerina Gjylameti: Absolutisht po kam qenë. Para se të vija këtu kam qenë edhe atje…

Gjylameti kërkon fjalën për replikë

Vangjel Dule: Nuk ta jap fjalën, sipas rregullores i takon deputetes Valentina Leskaj.

Gjylameti këmbëngul për të marrë fjalën, akuza Dules

Erjon Braçe: Ti ke dy orë që shkel rregulloren, jepi fjalën zonjës.

Vangjel Dule: Fjalën e ka znj. Leskaj.

Gjylameti ngrihet në këmbë dhe bllokon foltoren

Vangjel Dule: 5 minuta pushim.

Sali Berisha: Në lidhje me akuzën që është bërë në prokurori për Zhani Levanin, bashkë me të shoqen kanë sjellë në Shqipëri nga Jordania një ilaç shumë të rëndësishëm për fëmijët. I takon të shitet deri në 5 euro, por ky ilaç është shitur me 29 euro. 7 herë më shumë se çmimi, për një abuzim për 300 mijë euro e kanë dërguar në prokurori, prokurori i partisë Troci ka mbyllë dosjen.

Halim Kosova: Zoti ministër po bën akuza të përsëritura. Për ilaçet që pretendohen false, instancat të ndjekin çështjen. Isha i pari që ta kam thënë dhe e rithem, je hajdut. Rama ka vënë në krye të shëndetësisë një njeri që vetëm gishtin e vogël të dorës e ka 32 cm.

Ilir Beqaj: Do përballemi në prokurori. Lidhur me çmimet e barnave, kjo është Shqipëria dhe këtu jetojmë. Të njëjtat barna në Shqipëri në vitin 2015 krahasuar me vitet e kaluara është sot 30% më i lirë.

Taulant Balla: Kam një apel për ty Sali Berisha, distancohu nga elementët kriminalë dhe terroristë që u jep urdhra me telefon.

Sali Berisha: Një anëtar i “klanit Gjura” që më sulmon mua më nderon. Avokati i tyre nuk i mbron dot, mund të pudroset me kokainën e tyre, mund të ndërtojë prona me drogën e tyre. Taulant Balla është i regjistruar në TIMS që kalon në makinën e tij Fatos Gjurën në ndjekje ndërkombëtare. Ky është i dënuar 7 herë për shpifje.

Taulant Balla: Ti Sali ke një problem me mua, unë kam fatin e keq që kam moshën e djalit tuaj. Djali juaj ju ka dalë nga duart, e ke sindromë. Ne nuk duam të paguajmë këtë sindromë që ke me djalin tënd. Thuaje dhe atë të Sidës….

Sali Berisha: Për sa i përket sulmeve ndaj djalit, ka bërë disa gjyqe, i ka humbur në mënyrën më të turpshme. Për sa i përket përdhunimit, i bindur të jesh se shumë shpejt do t’i lexoj në këtë sallë. Do të nxjerr deponimin që viktima ka bërë për ty.

 

Interpelanca/ Kodheli: Feka, me precedentë që nga 2005-a. Strazimiri: Po pse ishte i besuar? Komision hetimor

Në interpelancën me ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, deputeti demokrat Gent Strazimiri deklaroi se deputetët e opozitës janë thellësisht të shqetësuar për dëmtimin që i bëhet vendit në sytë e aleatëve euroatlantikë. Ndërkaq, ministrja lidhur me ngjarjen e rëndë të shënuar disa ditë më parë ku një major i Forcave të Armatosura humbi jetën duke pilotuar një helikopter me drogë në Spanjë tha se i ndjeri Sokol Feka ka pasur precedentë të mëparshëm penalë për largim pa leje nga Shqipëria në vitet 2005-2007. “Feka rezulton i dënuar 2 herë: më 18 nëntor 2005 dhe në vitin 2007 për largim pa leje nga vendi. Në të dy rastet ai e ka pranuar fajin dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Në të dyja herët është dënuar në bazë të kodit penal. Atij në të dy rastet i është bërë ndërprerje e pagës për të gjitha mosparaqitjet në punë. E megjithëse ky individ ishte dënuar nga gjykata, ai propozohej për trajnime”, – u shpreh Kodheli. Në reagimin e tij, deputeti demokrat i cilësoi tërësisht të pavërteta fjalët e ministres, pasi sipas tij, të gjitha fjalët e saj bien ndesh me atë që vetë Ministria e Mbrojtjes tha se majori Feka ishte një nga më të përgatiturit dhe të besuarit e Forcave të Armatosura. “The që dokumentacioni tregon që sistemi nuk ka funksionuar për shkak se ti i ke dhënë besimin një oficeri me të gjitha ato të dhëna që i the këtu. U përpoqe t’ia lesh ministrit të PD-së dhe në rastin konkret, është z. Gazmend Oketa, të cilit sot nuk i përmendet emri për shkak se është aleat i kësaj qeverie në politikë. Është pasaktësi në fshehje apo bashkëpunim, unë nuk e di, por nga fjala e parë deri tek e fundit janë gënjeshtra. Ndjesë, fakti që ishte njeri i besuar nuk ishte gënjeshtër dhe është e vetmja e vërtetë aksidentale që u tha këtu. Që majori i ndjerë Fekaj ishte njeri i besuar. Kjo po. Certifikimi i tij nga kjo ministre dëshmon më së miri preferencën që kishte për këtë pilot. Ishte e vërtetë që ishte klasifikuar në 12 më të aftët e regjimentit, nga trajnuesi anglez në një kohë kur duheshin vetëm katër veta në këtë mision specializimi në të cilin shkoi me helikopterët Kugar”, – deklaroi Strazimiri, i cili gjithashtu paralajmëroi ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar lidhur me informacione mjaft sensitive dhe informacione sekrete, të cilat deputeti pretendoi se i disponoi dhe kanë të bëjnë me abuzime të shumta nga strukturat drejtuese e FA.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency