Paniku/ Përhapen frikshëm pakot me tritol në kryeqytet, mesazhet sërish me biçikletë

0
112

Alma Çuka

 tritoli petro nini luarasi 1 kg bicikletaKrimet e Rënda në alarm. Dosje të shumta pa emra konkretë. Pista pa destinacion dhe raste të rreme alarmi që tronditin qytetarët. Brenda pak ditëve dy shpërthime dhe dy çaktivizime

 Tirana u zgjua sërish mëngjesin e djeshëm me frikën e një tjetër shpërthimi me lëndë eksplozive. Një sasi prej 1 kg tritol i përzier me gozhdë dhe materiale të tjera ndërtimi është pikasur rreth orës 04:51 minuta të datës 12.2.2015, në rrugën “Sami Frashëri”, në mes të pallateve, shumë pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Burime të Policisë së Tiranës bënë me dije se në zgarën e një biçiklete të parkuar para një pallati përballë shkollës ndodhej një pako e mbështjellë me natriban dhe jashtë pakos ishte një fije teli, që e cila përforcoi bindjen se kjo pako ishte e mbushur me tritol. Policia është njoftuar nga një banor i lagjes, i cili sipas të dhënave nuk është identifikuar. Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i Policisë dhe ekspertëve xhenier, të cilat ndërhyn për të bërë shpërthimin e kontrolluar.

 

Çaktivizimi

Me mbërritjen e njësisë antieksploziv u arrit edhe çaktivizimi i pakos së mbështjellë me natriban dhe që në të vërtetë përmbante një sasi të konsiderueshme, e cila nëse do të kishte shpërthyer do të sillte pasoja të mëdha. Mbi pakon me eksploziv u gjend edhe një celular. Pas ndërhyrjes së ekspertëve, ky rast iu referua për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia e Shtetit e ndodhur përballë këtyre fakteve të cilat duket se janë tepër të rënda, nuk ka dhënë asnjë detaj më tepër. Biçikleta u gjet në pallatin numër 27, por këto janë vetëm të dhëna paraprake dhe asgjë më shumë. Policia nga ana e saj nuk ka asnjë informacion se cili ka qenë objektivi në këtë rast. Nuk dihet gjithashtu edhe ora e saktë se kur mund të jetë dërguar aty biçikleta me sasinë e tritolit. Burime nga grupi hetimor i ngritur për këtë çështje bëjnë me dije se, njoftimi i parë për ngjarjen është bërë nga një grua rreth orës 5:00 të mëngjesit. Ajo ka lajmëruar menjëherë policinë ndërsa forcat e antiterrorit kanë kryer dhe çaktivizimin rreth 30 minuta me pas. Të gjitha provat e gjetura në vendngjarje u dërguan në laboratorin e policisë shkencore. Po kryhet verifikimi nëse kjo biçikletë është përdorur dhe në dy atentatet e tjera të ndodhur më 10 shkurt.

 

Hetimi
Fatin e hetimeve për të gjitha rastet e shpërthimeve me tritol, është në duart e krimeve të rënda. Nuk ka të dhëna paraprake. Për ngjarjet e ndodhura mëngjesin e 10 shkurtit, Prokuroria ka arritur të identifikoi personat që blen numrat e telefonit në Laprakë në datat 31 janar dhe 2 shkurt. Por vetëm kaq. Tre numrat e blerë, kanë çuar akuzën edhe te dyshime se mund të jenë afër të dyshuarve si bashkëpunëtor me personat që urdhëruan shpërthimin në biznesin e babait të ministrit të brendshëm. Por pas marrjes në pyetje, personat që kanë blerë numrat e telefonit janë shprehur se nuk kanë lidhje me shpërthimet. Megjithatë po hetohet edhe fakti se si numrat e telefonit që u blenë në Laprakë arritën në duart e personave keqbërës. Ndërkohë për ngjarjen e djeshme oficerët e policisë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të një biznesi, e cila shpresohet se ka regjistruar personin që ka lëvizur me biçikletë. Hetuesit dyshojnë se biçikleta me tritolin në kosh është lënë aty për tu marrë nga një tjetër person me destinacion vendosjen e saj në një tjetër vend. Jo vetëm kjo por Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje dhjetëra persona për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Burime të besueshme nga akuza bëjnë me dije se kanë vështirësi të shumta në hetimin e këtyre rasteve edhe pse po punojnë në shumë drejtime. Në duart e tyre ndodhen të gjitha pamjet e marra nga kamerat e sigurisë, por maskimi i personave të përfshirë në vendosjen e pakove me tritol në vende të ndryshme, pengon hetimin e plotë.

 

Emrat

Prokuroria e Krimeve të Rënda ndonëse ka nisur hetim të gjerë për të gjitha rastet e shpërthimeve në kryeqytet, nuk jep asnjë detaj për mekanizmin e këtyre ngjarjeve dhe për deklaratat e datës 11 shkurt të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, se tre ngjarjet e para janë të shkëputura. Për organin e Prokurorisë, të tria ngjarjet e datës 10 shkurt, aktualisht janë duke u hetuar së bashku. Ka dyshime se ato kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por nuk është i këtij mendimi shefi i policëve. Ai është shprehur se sasia e eksplozivit e vendosur në biznesin e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ai i çaktivizuar pranë një stacioni autobusi në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, janë të lidhura duke shkëputur shpërthimin në banesën e shefit të Krimeve Alfred Nomani.

 

 Mashtrimi/ Alarm i rremë, pako e dyshimtë në afërsi të poliklinikës numër 9

Një tjetër ngjarje e rëndë tronditi pasditen e djeshme banorët e zonës pranë “21 Dhjetorit”. Një pako kartoni në mes të rrugës paralizoi qarkullimin për më shumë se 1 orë. Pas njoftimit të banorëve për këtë pako të dyshimtë, u desh ardhja e forcave xheniere për të ndërhyrë dhe fotografuar atë. Pas fazës së fotografimit, ekspertët skanuan fotot dhe pasi u bindën se nuk kishte asgjë të dyshimtë, të qetë e larguan nga vendi, duke bërë dhe zhbllokimin e rrugës. Alarmi për një tjetër pako me lëndë eksplozive në mes të rrugës ka mbajtur mbërthyer banorët dhe kureshtarët e asaj zone. Vendi i ngjarjes u rrethua me shiritat e policisë, ndërkohë që qarkullimi u ndërpre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency