Vendimi për trukimet/ Komisioni i Etikës pezullon dy futbollistë dhe kallëzim për klubin e Elbasanit

0
175

Pas dëgjimit të dëshmitarëve janë marrë edhe disa vendime që kanë rezultuar në pezullimin e futbollistëve Alfred Osmani dhe Arjan Pisha, duke shtuar gjithashtu edhe ndjekje penale për këta të fundit

Komisioni i Etikës pezullon dy futbollistë dhe kallëzim për klubin e ElbasanitDy futbollistë të pezulluar dhe një kallëzim penal për KF Elbasanin janë vendimet e para të Komisionit të Etikës pranë FSHF-së për ndeshjet e dyshuara si të trukuara të javës së 19-të të Kategorisë Superiore. Etika, pasi u njoh me materialet e paraqitura nga Sekretariati Teknik, mori vendimin për të dënuar për 6 muaj pezullim nga aktiviteti portierin e KF Teutës, Alfred Osmani, për komplotim dhe influencim të rezultatit të ndeshjes Flamurtari-Teuta, në kundërshtim me etikën sportive bazuar në nenin 68/1 të KDS dhe mbrojtësin e Elbasanit, Arjan Pisha gjithashtu për 6 muaj po për të njëjtën akuzë, por jo për një ndeshje por për përfshirjen e tij në 3 sfida, Elbasani-Teuta të datës 10.9.2014 e mbyllur me rezultatin 1-5, Elbasani-KF Skënderbeu e datës 25.01 2015 1-4 dhe Kukësi-Elbasani i datës 31.1.2015 e përfunduar me rezultatin 3-0. Gjithashtu Etika kërkoi që të depozitohet kallëzim penal dhe për klubin e KF Elbasanit dhe lojtarin Arjan Pisha. Ndërsa në lidhje me ndeshjen KF Flamurtari-Teuta, u rezervua e drejta për kallëzim penal pasi çështja ka filluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor. Kjo është hera e parë që Komisioni i Etikës merr një vendim të tillë për hetim dhe pezullim. Palët mund të ankimojnë vendimin e Komisionit të Etikës në ditët në vazhdim. Kujtojmë që një javë më parë, komisioni i Etikës dëgjoi dëshmitë e gjyqtarit të sfidës Kridens Meta, presidentit të Flamurtarit Sinan Idrizi dhe drejtorit teknik të klubit vlonjat Ardi Behari, të cilët u pyetën dhe dhanë shpjegimet e tyre në lidhje me minutat e fundit të takimit me Teutën, në javën e 19-të të Superiores. Pas atij takimi, ishte klubi i Flamurtarit që denoncoi sjelljen e skuadrës së Teutës në fushë ashtu si dhe tifozeria e saj, me presidentin e kuqezinjve që madje bëri thirrje se do të tërhiqej nga kampionati, në rast se nuk niste një hetim nga FSHF, por edhe qeveria shqiptare. Pasi dëgjoi dëshmitë e tyre, Komisioni i Etikës vendosi të mblidhej përsëri të mërkurën e 4 shkurtit, në orën 14:00, për shkak se materialet që do të shqyrtoheshin pasi ishin mjaft voluminoze dhe kërkonin më tepër kohë në dispozicion. Etika thirri gjithashtu për të dëshmuar edhe persona të tjerë për takimet Vllaznia-Kukësi dhe Laçi-Partizani. Rrëmuja e madhe e ditëve të fundit mbi trukimet solli edhe ngritjen e institucionit që do të merret hetimin e ngjarjeve të ndodhura në ndeshjet e fundjavës në Superligë. Anëtarët e organizmit të krijuar enkas për të luftuar dukurinë e trukimit janë takuar në mjediset e Federatës në një mbledhje që u programua menjëherë pas fundjavës dhe akuzave për tolerim në disa prej ndeshjeve në fjalë. Si hap të parë, kanë ndërmarrë vëzhgimin e pamjeve filmike të këtyre takimeve si dhe janë njohur me raportet e zyrtarëve të ndeshjeve përkatëse. Pas diskutimeve të rastit, Komisioni i Etikës ka vendosur që si hap të mëtejshëm të thërrasë para tij për të dëshmuar të gjithë anëtarët e klubeve që janë përfshirë në këtë çështje që mendohet se mund të japin dëshmi të vlefshme në lidhje me hetimin. Paralelisht me hetimin në drejtësinë sportive, njëra nga ndeshjet në fjalë, e pikërisht ajo mes Flamurtarit dhe Teutës, po hetohet edhe në drejtësinë penale, me Prokurorinë e Vlorës që njoftoi se ka nisur hetimet kryesisht për takimin që u luajt të shtunën e kaluar. Për sa i përket Komisionit të Etikës, ky organ në të kaluarën ka dhënë disa vendime në lidhje me akuzat për paracaktim të rezultatit apo garës në futbollin shqiptar. Në shkurt të vitit 2013, Komisioni i Etikës ndëshkoi me nga 1 500 000 lekë klubet e Bylisit dhe të Kastriotit, duke gjykuar se kishin trukuar ndeshje, konkretisht Kastrioti u dënua për ndeshjen e fituar në Kupë 4-2 ndaj Shkumbinit, ndërsa Bylisi mori dënimin, pasi u gjykua se kishte hapur qëllimisht portën në disfatën 3-0 të pësuar nga Flamurtari. Një vit më parë, në 2012, Komisioni i Etikës vendosi që të mos akordoheshin çmimet “Këpuca e Artë” e Kategorisë Superiore edhe asaj të Parë, duke gjykuar se gara për titullin e kryegolashënuesit në këto kompeticione ishte kompromentuar. Gjithçka vjen jo vetëm pas pamjeve të drejtpërdrejta të këtyre dy takimeve, por edhe pas akuzave që erdhën nga drejtuesit e Flamurtarit për tolerim nga ana e skuadrës mike në minutat e fundit.

 

Martinez largohet në qershor nga Portoja

Sulmuesi kolumbian Xhekson Martinez ka bërë të ditur se në fund të këtij edicioni do të largohet nga skuadra e Portos. Martinez, 28-vjeçar, ka thënë se preferon që karrierën ta vazhdojë në Serinë A ose Premier Ligë. Këtë edicion ai ka shënuar 25 gola në 29 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat për Porton. “Në verë do të largohem nga Portoja për të vazhduar karrierën në një ligë më të fortë. Agjenti im tashmë ka filluar të punojë për të ardhmen time, e cila qëndron mes Italisë dhe Anglisë”, – është shprehur Martinez, i cili kërkohet nga Juventusi, Roma, Napoli, Arsenali, Mançester Junajtid e shumë skuadra të tjera. Ai ka kontratë me Porton deri në qershorin e vitit 2017 dhe ka një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh.

 

Rojsh rinovon me Dortmundin

Marko Rojsh u ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij, duke vazhduar kontratën me Borusian e Dortmundit. Lajmin e ka konfirmuar vetë mesfushori gjerman, i cili në faqen e tij në “Facebook” ka postuar një fotografi të nënshkrimit në kontratës me një koment falënderues. “Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se kam vazhduar kontratën time deri në vitin 2019”, – shkruhet mes tjerash në komentin e tij. “E ardhmja është me BVB me fansat tanë të jashtëzakonshëm që do të na mbështesin, jam i emocionuar. Zemra ime ka vendosur kështu, ne kemi shumë përpara jo vetëm këtë sezon”, – ka shtuar Rojsh. Mesfushori 25-vjeçar, i cili erdhi te Dortmundi në vitin 2012 nga Borusia Mynshengladbah, së fundi ishte lidhur me shumë klube evropiane, mes tjerash me Bajernin e Mynihut, Realin e Madridit dhe Arsenalin.

 

 Bogdanov vetëdorëzohet dhe lirohet pak orë më vonë

Ivan Bogdanov është vetëdorëzuar pas shpalljes në kërkim nga ana e policisë serbe. Huligani i njohur serb, i cili hyri në fushë gjatë ndërprerjes së ndeshjes Serbi-Shqipëri më 14 tetor 2014, është lëshuar nga policia pas një seance dëgjimore, edhe pse rrezikon pesë vjet burg nëse gjykohet për dhunë në manifestime sportive. E përditshmja serbe “Kurir” ka cituar fjalët e “Ivanit të tmerrshëm” gjatë marrjes në pyetje në polici: “Kam hyrë në fushë vetëm për një arsye. Doja të largoja dronin me flamurin e Shqipërisë së Madhe. Kur e pashë, më ngriti nervat dhe vendosa ta bëja, sepse askush në ato momente nuk po lëvizte nga vendi”. Pas shpalljes në kërkim, Bogdanov ka qëndruar i fshehur përreth katër muaj, transmeton gazeta “Shqip”. Ai ishte bërë i njohur edhe më parë, kur në stadiumin “Marasi” të Xhenovës, pati djegur flamurin shqiptar duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes Itali-Serbi.

 

 Parma shitet zyrtarisht nga Taçi

Në këtë mënyrë dalin zyrtarisht nga skena Rezart Taçi dhe njerëzit e tij. Erdhi dhe zyrtarizimi. Pas asambleve të ortakëve të Parma FC dhe të shoqërisë që e kontrollonte Eventi Sportivi Spa, klubi emilian ku luan edhe futbollisti i kombëtares shqiptare, Andi Lila, iu shit Xhampetro Manentit. Kështu, dalin zyrtarisht nga skena Rezart Taçi dhe njerëzit e tij, më saktësisht Ermir Kodra 29-vjeçari nga Lushnja dha dorëheqjen nga posti i presidentit, rol që e mori në 21 janarin e kaluar. “Detyra e presidentit që nga sot mbulohet me të gjitha efektet dhe me fuqi të plota nga Xhampetro Manenti”, – lexohet në komunikatën e nxjerrë nga klubi i Parmës. Komponentët e këshillit të ri administrativ do të përcaktohen në asambletë e jashtëzakonshme që do të mbahen në 19 dhe 20 shkurt dhe pronarët e rinj janë në luftë me kohën për të shëndoshur financat e klubit. Biznesmeni nga Milanoja, Xhampetro Manenti, i cili është edhe titullari i fondit slloven Mapi Grup ka siguruar se mund t’u përgjigjet detyrimeve fiskale si dhe për shlyerjen e pagave të futbollistëve që kanë përcaktuar si afat të fundit për pritjen 16 shkurtin. Siç raporton “Gazzetta Dello Sport”, në fund të asamblesë, Pjetër Doka, njeriu që Rezart Taçi kishte zgjedhur si president të Dastraso Holding, ka deklaruar: “E shitëm për 1 euro. Aq sa paguam ne. Problemi qëndron te borxhet”. supersport.com

 

 Enrike: Për Alveshin vendos në qershor

Tekniku katalanas Luis Enrike do të presë deri në fund të sezonit për të diskutuar rreth të ardhmes së Dani Alveshit, edhe pse rrezikon që mbrojtësi të largohet si lojtar i lirë. Braziliani ka kontratë me katalanasit deri në fund të qershorit, mirëpo klubi akoma nuk i ka ofruar kontratë të re. Kjo mund të bëjë që ai t’i japë fund qëndrimit shtatëvjeçar në “Camp Nou” dhe agjenti Dinorah Santana tashmë ka filluar të kërkojë klub të ri për të. “Nuk flas për këto situata. Kjo u shërben të dyja palëve. Të gjithë duhet të jenë të qetë dhe të flasin në fund të sezonit”, – ka thënë Enrike. Megjithatë, mbetet të shihet se a do të presë 31-vjeçari deri në fund të sezonit për të vendosur për të ardhmen e tij.

 

 Figo: Mos e gjykoni Ronaldon

Ish-futbollisti madrilen Luis Figo i ka dalë në mbrojtje Kristiano Ronaldos, pas akuzave që u bënë për festimin e ditëlindjes së tij, menjëherë pas humbjes turpëruese nga Atletikoja e Madridit. Superylli i Realit të Madridit e kishte planifikuar festën më herët, megjithatë tifozët dhe një pjesë e mediave e kanë kritikuar duke vënë në dyshim profesionalizmin e tij, pasi festimi ndodhi menjëherë pas disfatës nga rivali lokal. “Kushdo që vë në dyshim pasionin e Kristiano Ronaldos për Realin e Madridit dhe profesionalizmin e tij, nuk ka aspak njohuri për historinë dhe karakterin e tij”, – ka shkruar Figo në “Twitter”. 30-vjeçari është përkrahur edhe nga agjenti i tij, Horge Mendez, i cili ka sqaruar se miqtë dhe familjarët e Ronaldos kishin arritur në Madrid për festë, para ndeshjes. Në ceremoni, ku ishin të ftuar 150 njerëz, ishin pjesëmarrës edhe bashkëlojtarët e portugezit, si Fabio Koentrao, Marselo, Keilor Navas, Xhejms Rodriguez e Luka Modriç.

 

Van Gal: Felaini përpara Januzajt

Trajneri i “djajve”, Luis van Gal, ka kërcënuar Adnan Januzajn me lënie jashtë skuadrës, në favor të lojtarëve më të fortë fizikisht, pas paraqitjes jo të mirë kundër Uest Hemit. Mançester Junajtid barazoi 1:1 në udhëtim ndaj Uest Hemit të dielën, me një gol të shënuar në shtesë nga Deili Blind. Januzaj ishte titullar, por u zëvendësua në minutën e 72-të nga Maruan Felaini. Van Gal nuk ka qenë aq i kënaqur me paraqitjen e kosovarit dhe të mesfushorit tjetër sulmues Angel di Maria. “Me Felainin ne kemi më tepër fuqi në lojë. Me Adnanin dhe Di Marian, kemi më tepër lojtarë kreativë, mirëpo topin e dytë nuk mund ta fitosh gjithmonë me këta lojtarë. Duhet të fitosh topin, përndryshe duhet të kem në përbërje gjithmonë lojtarë si Felaini”, – ka thënë Van Gal.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency