Vendoret/ PD ndez motorët për zgjedhjet e 21 qershorit: Zgjidhen sekretarët e degëve

0
142

Erneta Shevroja

kryesia e partise demokratike lulzim basha dhjetor 2014 lsaSekretarët lokalë propozohen nga dega dhe përzgjidhen nga kryesia e partisë. Gjithsej janë 53

Pasi kreu i demokratëve, Lulzim Basha, u dha fund të gjitha dyshimeve lidhur me pjesëmarrjen apo jo të së djathtës në zgjedhjet vendore, përgatitjet kanë filluar. Hapi i parë është ngritja e grupeve lokale që do të përgatisin të gjithë infrastrukturën për t’i çuar demokratët në kryesimin e zonave lokale. Kështu, dje Partia Demokratike nisi zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Gjatë ditës së djeshme në një mbledhje që zgjati më shumë se një orë, kryesia e Partisë Demokratike ka diskutuar dhe ka zgjedhur emrat e sekretarëve lokalë. Sipas burimeve të gazetës, Partia Demokratike ka zgjedhur të gjithë sekretarët lokalë që gjithsej janë 53. Njëkohësisht, po sipas të njëjtave burime, në mbledhjen e djeshme të thirrur nga kreu i partisë, Lulzim Basha, është diskutuar edhe për ngritjen e grupeve të punës që do të nisin përgatitjet për zgjedhjet vendore të qershorit. Më gjerë për këtë temë do të diskutohet javën që vjen.

Sekretarët

Përzgjedhja e sekretarëve lokalë ishte një proces i gjatë, që u finalizua dje me përzgjedhjen e tyre përfundimtare. Çdo degë lokale fillimisht ka bërë disa propozime, të cilat iu nënshtruan diskutimeve dhe verifikimeve dhe së fundi zgjedhja e kandidatit më të përshtatshëm. Sekretarët e degëve lokale do të nisin përgatitjet që në zonat e tyre të kryesojë në zgjedhje i propozuari i Partisë Demokratike. Në mbledhjen e djeshme është diskutuar edhe lidhur me ngritjen e grupeve të punës në kuadër të zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen pasi gati 4 muajsh. Në këtë mbledhje nuk është vendosur asgjë konkrete lidhur me grupet e punës, gjë që është shtyrë për javën e ardhshme. Ndonëse do të ishte e pritshme që në mbledhjen e djeshme të ishte folur edhe për emra konkretë që do të konkurrojnë për bashkitë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sipas burimeve të gazetës, përzgjedhja e sekretarëve lokalë është vetëm procesi i parë i zinxhirit të gjatë të përgatitjeve dhe asnjë prej anëtarëve të kryesisë nuk ka përmendur çështjen që ka shkaktuar zhurmë në media, emrat për kandidatë të bashkive. Ndër më të diskutuarit është emri për Bashkinë e Tiranës. Do të jetë sërish Lulzim Basha apo ky i fundit do t’ia lërë vendin një demokrati tjetër. Deri në këto momente ajo që është bërë e ditur nga vetë demokratët është se një numër i madh i tyre përkrahin kreun aktual të Bashkisë, si kandidati që do të mund të kryesojë ndaj një të majti.

PS dhe PD përplasen për bllokimin e makinës së Veliajt. PD: Banorët përzënë ministrat

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë përplasur në distancë përmes deklaratave lidhur me incidentin e ndodhur dje në Ferras të Fierit, ku u bllokua për disa minuta makina në të cilën udhëtonin ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, dhe shefi i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi. Fillimisht ishin socialistët që komentuan ngjarjen e dy ditëve më parë, duke e cilësuar bllokimin e makinës si një akt i shëmtuar që bllokoi ndihmat për banorët e zonave të përmbytura. “Dje një akt i shëmtuar ka ndodhur në Fier, teksa aktivistë të PD-së të zbritur nga Tirana u kanë zënë rrugën dy karvanëve me ndihma për banorët e zonave të përmbytura. Sot është koha për të qenë solidarë me vepra e jo me deklarata hileqare në mbështetje të të gjithë atyre që kanë nevojë për bashkim njerëzor jo për përçarje politike; për dashuri njerëzore jo për urrejtje politike; për mbështetje reale në oborrin e shtëpisë jo për abuzim politik nga oborri i SHQUP-it. Është e pafalshme që forca kryesore opozitare, pasi për ditë me radhë u lut haptazi që të ndodhte më e keqja dhe bëri çmos të përdorte politikisht banorët e përmbytur, tani u bëhet pengesë fizike strukturave të solidaritetit në ndihmë të të përmbyturve”, – tha deputeti socialist, Besnik Bare. Sipas deputetit socialist, është momenti që demokratët të tregojnë solidaritet dhe të distancohen nga veprime të atilla. “I bëjmë thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga veprime të tilla dhe, edhe në kushtet kur ka banorë natyrshëm të stresuar nga përmbytja, t’i ndihmojë dhe jo t’i acarojë më keq me provokime, me shpifje e me turpe si ai i djeshmi. I bëj thirrje personalisht Lulzim Bashës që të mos na e kujtojë orë e çast dhe për çdo gjë famëkeqin Sali Berisha”. Ndërkaq, pas kësaj deklarate, deputetja demokrate Albana Vokshi tha se arsyen se pse ministrat e zyrtarët po dëbohen nga qytetarët, Kryeministri duhet ta kërkojë tek braktisja që u ka bërë atyre pikërisht në ditën që duhej t’u gjendej pranë. “Arsyen pse ai vetë e, pas tij, të gjithë ministrat e zyrtarët po dëbohen nga qytetarët, po përcillen me neveri, Edi Rama duhet ta kërkojë tek braktisja që u ka bërë atyre pikërisht në ditën që duhej t’u gjendej pranë. Arsyet duhet t’i kërkojë tek shpërfillja, tek zbavitja me selfie me dramën e tyre, tek pandjeshmëria e arroganca që ka treguar”, – u shpreh deputetja demokrate. Së fundi ajo përmendi disa të dhëna rreth fondit shumë të vogël rezervë. “Fondi i dhënë nga Edi Rama për rezervat e shtetit për ushqime në vitin 2014 është 6 milionë lekë të reja. Për vitin 2015 është 10 milionë lekë të reja. Pra, gjithsej 120 mijë euro, ndërkohë që ai dha 200 mijë euro për përmbytjet në Serbi dhe Bosnjë”, – deklaroi deputetja demokrate, që ishte bashkudhëtare në Ferras të Fierit para dy ditësh kur u shënua incidenti.

Faturat e energjisë, PD: Të trajtohen të gjitha ankesat, të falen kamatëvonesat

Partia Demokratike i kërkoi dje Kryeministrit që të marrë masa dhe të dëmshpërblejë qytetarët, të cilët, sipas tyre, u detyruan të paguanin faturat abuzive të OSHEE-së, ndonëse për to ishin ankuar dhe qeveria refuzonte t’i shqyrtonte. Nënkryetari demokrat Edmon Spaho ripërsëriti gjithashtu kërkesën për faljen e kamatëvonesave dhe uljen e çmimit të energjisë. “Partia Demokratike kërkon faljen e menjëhershme të të gjitha kamatëvonesave. Uljen e çmimit të energjisë, sipas premtimit të Edi Ramës, me reduktimin e TVSH-së me 14%. Shqyrtimin e shpejtë të ankesave të qytetarëve bazuar mbi faktet e tyre, por edhe mbi premtimet e Ramës. Ne nuk do të bëjmë sehir, nuk do presim derisa Edi Rama të kujtohet, pasi i ka bërë zullumet. Do ta kërkojmë me vendosmëri, bashkë me shqiptarët, masivisht e të bashkuar, edhe më shumë se me 22 nëntor”.
Në qoftë se këto kërkesa nuk plotësohen, sipas Spahos, Partia Demokratike nuk do të bëjë sehir, por bashkë me qytetarët në protestë do të kërkojë të drejtat që qeveria i mohon.
Por pas këtyre thirrjeve i menjëhershëm ka qenë reagimi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

PD, ndihma në Bishan të Novoselës

Partia Demokratike ka vijuar shpërndarjen e ndihmave në ushqime dhe veshmbathje edhe gjatë ditës së djeshme. Dje Partia Demokratike ka shpërndarë në disa familje në Bishan të Novoselës 25 dyshekë, 50 batanije, 200 bidonë me ujë të pijshëm, 500 kg oriz, vaj, sheqer dhe detergjentë. Sekretarja për Organizatat Partnere në PD, Mezini, dhe kryetari i degës së PD-së së Vlorë, Meminaj, u takuan me banorët të cilët u shprehen së ndihen të braktisur dhe pa vëmendjen e duhur nga strukturat e qeverisë. Thirrja e Partisë Demokratike për ndihma dhe solidaritet ka angazhuar shumë qytetarë, sipërmarrës e anëtarë të opozitës që po kontribuojnë çdo ditë me mundësitë që kanë. Dje ishte dita e 9-të që përfaqësues të Partisë Demokratike kanë dalë në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur të zonave të Fierit e Vlorës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency