Operacioni/ Shkatërrohet grupi që prodhonte dhe tregtonte eksploziv në Elbasan

0
172

Alma Çuka

tritoli_16Arrestohen 6 persona. Pasi u vëzhguan për disa ditë, u kapën në flagrancë me 48 kg lëndë eksplozive. Kallëpet e tritolit prodhoheshin në një fshat të Librazhdit

Policia e Shtetit dhe Prokuroria në bashkëpunim arrijnë të shkatërrojnë një grup, i cili dyshohet se prej disa kohësh kryente aktivitet kriminal, lidhur me prodhimin dhe tregtimin e lëndës eksplozive. Pas arrestimit të personave, pjesë e grupit të prodhimit të lëndës eksplozive, Gjykata e Elbasanit pranon kërkesën e Prokurorisë dhe vendos masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 shtetas. Këta persona thotë akuza dyshohen se kanë konsumuar element të veprës penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 278/1/6 të K. Penal.

Arrestimi

Prokuroria bënë të ditur se këta shtetas janë arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Qarkut Elbasan në datë 5.2.2015 pasi janë kapur në posedim të lëndëve eksplozivëve, në një sasi rreth 48 kilogramë, të përgatitura në mënyrë amatore. Në këtë datë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Aurel Isaku, Astrit Blloku, Artin Balazi, Edmond Koçi, Subi Koçi dhe Illi Koçi. Bëhet me dije se Policia në bashkëpunim me Prokurorinë për të vënë në pranga të pandehurit, kanë përdorur mënyra speciale të hetimit. Fillimisht është vendosur përgjimi i tyre dhe vëzhgimi hap pas hapi. Ndërkohë, më parë ishin marrë informata në rrugë operative.

Rrethanat e ngjarjes

Rezulton se më datë 3.2.2015 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, mbi bazën e materialit referues nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, është regjistruar procedimi penal nr. 273 i vitit 2015. Nga materiali rezulton se nga informacionet e marra në rrugë operative nga seksioni për Narkotikët dhe Trafiqet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, shtetasi Aurel Riza Isaku, banues në fshatin Neshtë, Librazhd, në bashkëpunim me tre persona të tjerë përgatisin në kushte shtëpie lëndë eksplozive të amonit malor dhe këtë lëndë dyshohet se e shesin kundrejt shpërblimit. Gjithashtu nga informacionet e grumbulluara nga policia gjyqësore një ndër personat me të cilët bashkëpunon ky shtetas është edhe shtetasi Astrit Feim Blloku, lindur dhe banues i fshatit Neshtë, të rrethit të Librazhdit.

Vëzhgimi

Për këtë, më datë 3.2.2015 me vendim të prokurorit është autorizuar vëzhgimi i shtetasve Aurel Isaku dhe Astrit Blloku, si dhe personave që bashkëpunonin me to. Ka rezultuar se më datë 5.2.2015 rreth orës 09:30 shtetasi Aurel Isaku ka qenë duke qëndruar në trotuarin tek shkolla e mesme “Ali Myftiu”, Elbasan, ku i është afruar një mjet tip fuoristradë me targa AA508EV, brenda të cilës ndodheshin shtetasit Illi, Edmond dhe Subi Koçi. Aureli ka hipur në mjet dhe janë larguar në drejtim të Zaranikës. Mjeti ka ndaluar në hyrje të hotel “Imperial”, ku kanë zbritur shtetasit Aurel, Illi dhe Edmond, ndërsa shtetasi Subi është larguar me mjetin në drejtim të një lavazho aty pranë. Aty ka ndërhyrë policia gjyqësore, nga ku ka bërë të mundur kapjen e shtetasve Illi, Edmond dhe Subi, ndërsa shtetasi Aurel është larguar me vrap, dhe është kapur nga policia gjyqësore më tutje. Në momentin e kapjes Aureli kishte në xhepin e xhupit 100 (njëqind) copë kapsolla detonatore alumini, futur brenda një kutie kartoni me mbishkrim në gjuhë të huaj, futur në një qese plastike të tejdukshme. Gjithashtu nga policia gjyqësore është vëzhguar shtetasi Astrit Blloku, i ndodhur në vendin e quajtur Qafë-Drizë, në afërsi të fshatit Neshtë. Ky shtetas ka qënë duke qarkulluar me mjetin tip fuoristradë “Mitsubishi”. Ka ndaluar në vendin e mësipërm dhe nuk ka dalë nga mjeti. Aty është afruar policia gjyqësore dhe ka bërë kapjen në flagrancë. Nga kontrolli i ushtruar, në xhepin e xhupit të shtetasit Astrit Blloku janë sekuestruar 15 copë kapsolla detonatore të mbështjella me letër të bardhë, ndërsa në bagazhin e mjetit është gjetur një thes lini me ngjyrë të bardhë, ku në brendësi kishte tetë qese ngjyrë të verdhë plastike të lidhura të cilat kanë brenda një lloj lënde në gjendje të ngurtë (kokrriza), me ngjyrë si të bardhë dhe kokrriza të zeza, të dyshuar si lëndë plasëse amonit malor. Në afërsi të vendit ku ndodhej mjeti është arrestuar dhe shtetasi Artin Balazi, i dyshuar si bashkëpunëtor i shtetasve Aurel Isaku dhe Astrit Blloku. Nga policia gjyqësore janë sekuestruar sendet e mësipërme. Nga peshimi i lëndës që dyshohet si eksplozive, ka rezultuar se ajo është 47.878,5 gramë.


Durrës/ Rrëmbehet personi që grabiti makinën e përdorur në vrasjen e Dritan Lamajt

Gjatë mbrëmjes së të dielës, persona ende të paidentifikuar nga Policia e Shtetit kanë marrë nga banesa e tij në Krujë shtetasin Enver Stafuka. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e personit të rrëmbyer, të cilët kanë vënë në dijeni efektivët e policisë, pasi konstatuan vonesën në banesën e tij. Por ndërsa kanë kaluar më tepër se 24 orë, policia nuk ka rënë në gjurmët e personave që mund të kenë rrëmbyer Stafukën dhe vazhdon të mos ketë asnjë pistë për arsyet e këtij rrëmbimi të mundshëm. Nga ana tjetër personi që dyshohet se është rrëmbyer nuk është i panjohur për median. Ai është një 48-vjeçar, i cili njihet tashmë si grabitësi i makinës tip “Audi”, e përdorur nga autorët e vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt në shkurt të vitit 2013. Për këtë çështje pak kohë pas arrestimit, Stafuka u la i lirë nga drejtësia, ndërsa thuhet se në emër të tij ka edhe disa vepra të tjera penale që rëndojnë. Pra Stafuka nuk është person i panjohur për drejtësinë. Ai është person me precedent të mëpasshëm penalë dhe nuk dihet nëse rrëmbimi ka lidhje me vrasjen e Dritan Lamaj apo me ndonjë ngjaje tjetër, Lidhur me të gjitha këto fakte, Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë sqarim. Ajo që është mësuar është fakti se Stafuka është marrë nga tre persona në banesën e tij. Familjarët kanë konfirmuar faktin se ndaj tij është përdorur forca për ta nxjerrë nga banesa. Policia e Durrësit ka nisur veprimet e para hetimore si dhe ka referuar materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë. Aktualisht vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe për kapjen e autorëve. Paraprakisht dyshohet për larje hesapesh mes të dyshuarve dhe 4-vjeçarit. Denoncimi për rrëmbimin e Stafukës është bërë nga vëllai i tij, i cili ka thënë se i ka parë autorët, por nuk ka njohur asnjërin prej tyre.


Tiranë/ Pezullohet efektivi i policisë që u konfliktua me një banor në Laprakë

Qytetarët kanë nisur “gjuetinë” ndaj efektivëve të policisë. Për çdo ngjarje e cila ka objekt një punonjës policie, tashmë ka një video, që dorëzohet menjëherë në media dhe pas publikimit të saj, merret vendim i menjëhershëm nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Qytetarët duket se e kanë më të lehtë tani të ndëshkojnë atë pjesë të uniformave blu, të cilat shfrytëzojnë detyrën për të bërë presion mbi pjesën e pambrojtur dhe pse jo për të përfituar prej tyre. Këtë radhë viktimë e videove amatore ka rënë një punonjës i policisë së Institutit në Kamëz, i cili ndonëse ishte i veshur civil dhe në gjendje të dehur, duke përdorur dokumentin e policisë, i bënë presion një banori të pallatit ku banon në Laprakë. E gjithë ngjarja është filmuar dhe Ministria e Brendshme menjëherë pas saj ka bërë pezullimin e policit i identifikuar me emrin Preng Lepuri. “Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë së komisariatit nr. 3, të cilët kanë konstatuar se disa banorë, mes të cilëve edhe shtetasi Preng Lepuri, me detyrë punonjës policie pranë komisariatit nr. 5 në Tiranë, kanë qenë duke u konfrontuar verbalisht me një person tjetër, banor i të njëjtit pallat. Shkak i konfliktit ka qenë një ndërtim që banori i katit të parë ka dashur të bëjë në apartamentin e tij, duke e kthyer një dritare në derë, gjë që ka hasur në kundërshtimin e banorëve të tjerë, përfshirë punonjësin e policisë Preng Lepuri, i cili në atë moment nuk ka qenë në shërbim. Punonjësi i policisë është shoqëruar në komisariat, ku i është bërë nënshtruar edhe testit të alkoolit, i cili ka dalë në nivelin 0,5%.Punonjësi Preng Lepuri është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij kanë nisur procedurat për ndëshkim disiplinor. Nga ana tjetër komisariati i policisë nr. 3 në Tiranë ka nisur procedimin penal për ndërtim të paligjshëm ndaj shtetasit që ka qenë duke ndërtuar në kundërshtim me ligjin”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency