Si “komunikojnë” njerëzit me kafshët?

0
162

Si “komunikojnë” njerëzit me kafshëtTemple Grandin është një nga femrat më të famshme të botës. Ka shpikur “makinën e përqafimeve”, shkruan libra, i kupton jashtëzakonisht mirë dhe kujdeset si askush tjetër për to. Gjithmonë vishet në të njëjtën mënyrë, me një shall në qafë, sipër një këmishë të bardhë dhe një palë pantallona kauboj dhe hedh mbi shpatulla një pelerinë të dekoruar me dizajno të qenieve të gjalla, me të cilët ndihet më e afërt: lopët. Që kur ishte e vogël, Temple Grandin e ka pasur më të lehtë të komunikonte me to, sesa me njerëzit, të cilët jo gjithmonë e pranonin ashtu siç ishte. Edhe kur e ëma e mbante në krahë, Temple përpiqej të luante gjithmonë me to. Fjalët e para filloi t’i belbëzonte kur ishte 4 vjeçe. Shpesh herë këpuste copa letrash dhe i mbante në gojë si çamçakëz, ndërkohë që bajgat e lopëve i përdorte si plastelinë dhe formonte figura. Vajzës i pëlqente shumë të rrinte me lopët. Ajo shkonte shpesh në fermën e tezes së saj në Arizona dhe kalonte orë të tëra mes këtyre kafshëve. U fliste, i përkëdhelte dhe luante me to. Ndjenjën e Temple Grandin për lopët amerikanët e kanë kuptuar në një film që tregonte historinë e mrekullueshme të jetës së saj. Kur ishte e vogël, Temple i kalonte ditët në një shtëpi të vogël pranë Arizonës. Gjatë adoleshencës ëndrra e saj ishte të bëhej një rritëse e zonja kafshësh. “Pa autizëm ndoshta as Anjshtajni dhe as Mozarti nuk do të kishin ekzistuar. Kush mendoni se e ka shpikur regjistruesin që ju po përdorni? Ka shumë mundësi që ta ketë shpikur një zotëri i prekur nga një formë e lehtë autizmi, i cili në vend që ta shpërdoronte kohën, vendosi që të kalonte orë e orë të tëra për të zgjidhur problemin e riprodhimit të tingujve”, thotë Temple. Në film, ajo që interpreton pjesën e Temple është aktorja Claire Danes. “Është një aktore shumë e zonja. Ta shihja ishte njësoj sikur të kthehesha vite prapa me makinën e kohës”, thotë Grandin, që gjithashtu është këshilltare e “McDonald’s”, si dhe e disa firmave të tjera ushqimore amerikane. “Gjatë pubertetit kisha kriza të shpeshta paniku.

Rasti

Një ditë pashë se kur veterinerët po merrnin një lopë për ta vaksinuar, ajo u qetësua. Atëherë provova ta vija edhe unë veten në vendin e saj”, kujton ajo. Grandin ishte 18 vjeçe kur ndërtoi për herë të parë “makinën e përqafimeve”, të cilën për vite të tëra e përdori disa herë në javë për t’u qetësuar (“Makina e përqafimeve” është titulli i një libri tjetër të famshëm). “Njerëzit e ndjeshëm dhe kafshët logjikojnë në të njëjtën mënyrë, nuk përdorin fjalët, por gjuhën e mrekullueshme të tingujve, aromave dhe sidomos atë të imazheve”. Sipas Grandin, ka forma të ndryshme autizmi (jo më kot ekspertët flasin për ‘spektrin autistik’, ku përmendin Kim Peek, personi i prekur nga sindroma “idiot savant”, i cili vdiq para pak kohësh. Peek u mor si model nga aktori Dustin Hoffman në filmin e famshëm “Rain Man”. Grandin ka një kujtesë të jashtëzakonshme vizive: “Më duket sikur në kokën time ekziston një skedë grafike gjigande: kujtimet i kam aq të gjalla, saqë i mbaj në mendje si videoklip, fillimisht shfaqet pamja, pastaj nëse dua lidh edhe zërin”. Dashuria romantike është diçka që Temple thotë se nuk e ka provuar kurrë: “Emocionet e mia nuk janë të ndërlikuara, nuk do të arrij kurrë të kuptoj si mund të ndjesh xhelozi dhe të duash një njeri. Por nuk qahem se nuk kam pasur lidhje dashurie. Kam shumë miqësi të bazuara tek interesat e përbashkëta. Gjithsesi, mendoj se kam talente të tjera dhe emocionet që ndjej janë të vërteta, si frika dhe kurioziteti, që më afrojnë më shumë me kafshët”, thotë ajo. Për të larguar krizat e saj të panikut, që për vite me radhë kanë shkaktuar kriza paniku, që nuk e lejonin të hante gjë tjetër përveç kosit, Grandin prej 30 vjetësh merr një sasi të vogël antidepresivësh. Ato që e bëjnë të ndihet mirë janë kafshët e saj të dashura. “Lopët të trembin me hijen e tyre dhe gjithashtu kur pëllasin. Por si njerëzit, edhe lopët kanë shpirt. Tremben edhe nga një zinxhir i vogël që mund të kenë të lidhur në qafë, ndërkohë që ndihen më të qeta kur lëvizin brenda grupit”, tregon Temple. “Shumë lopë për prodhimin e mishit nuk do të ishin gjallë nëse nuk do të rriteshin për këtë qëllim. Por kjo nuk do të thotë që duhet të trajtohen në mënyrë çnjerëzore, dhe jo vetëm në pesë minutat e fundit të jetës së tyre, kur niveli i stresit mund të ndryshojë cilësinë e mishit. Edhe në fermat më të mira, lopët mund të trajtohen në mënyrë çnjerëzore. Ka persona që nuk i ndjekin rregullat, bërtasin, bëjnë gjeste të dhunshme. Për këtë arsye unë kam shpikur një sistem për të matur pikërisht këta faktorë”. Kjo mund të jetë arsyeja që Grandin është ndoshta njeriu i vetëm në botë që ka marrë çmime si nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, si nga zbutësit e kafshëve të çdo kontinenti, që e konsiderojnë një mit. Dikur, gjatë viteve të përshkruara nga filmi, i cili flet për të, Grandin nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se do të fliste për një temë kaq të gjerë. Megjithatë Temple thotë se ka ende shumë për të mësuar dhe për t’u përmirësuar edhe më. Lidhur me njerëzit, Temple thotë se mund të ketë kontakt fizik, por kjo gjë do të ndodhte vetëm nëse ajo do t’i njihte mirë: “Sigurisht që nuk u hidhem në qafë njerëzve që shoh rrugës, por do më pëlqente të njihja sa më shumë njerëz të mirë, që veçanërisht i duan kafshët”, thotë. Po me makinën e përqafimeve çfarë ka ndodhur? “U prish para dy vitesh. Fakti që nuk kam kohë dhe dëshirë për ta rregulluar, do të thotë se nuk kam më nevojë për të”, – përfundon Temple.


Lidhja kafshë-njeri

Nuk është e pazakontë të dëgjosh njerëz që flasin për lidhjen e fortë që kanë ata me kafshën e tyre. Kjo lidhje është veçanërisht e qartë në klinikën veterinare. Madje, është kjo arsyeja pse njerëzit i çojnë kafshët për t’i vizituar. Shumë shkencëtarë kanë gjetur mjaft fakte rreth kësaj lidhjeje të veçantë (koncept shumë dimensional) për shembull: – J. Bosard në Revistën “Mental Hygiene” (1950) sqaronte nga pikëpamja sociologjike se kafsha e shtëpisë janë burim i një dashurie të pakushtëzuar, të dobishme për të nxjerrë jashtë ndjenjat, si dhe mësues për fëmijët mbi çështje si përgjegjshmëria, shoqëria dhe rregullat e tualetit. – Konrad Lorenc (Laureat i çmimit Nobel në vitin 1973) ose “babai i lidhjes njëri-kafshë” dhe një prej themeluesve të etologjisë, në autobiografinë e tij citon: “Dëshira për të mbajtur një kafshë buron nga lidhja e gjatë me natyrën. Kjo lidhje është analoge me ato funksione të njeriut si emocionet e dashurisë, shoqërisë së pastër dhe ndershmërisë”. – Boris Levinson studioi mbi dobitë e kafshëve lidhur me“vlerat kuruese”, duke i hapur kështu rrugën drejtimit të“pet terapisë” p.sh., përdorimi i kafshëve si terapi për fëmijët me probleme (vitet 1962-75).

Si shpjegohet

Teoria e zhvillimit të familjes propozon që njerëzit në familje kanë cikle të ndryshme të jetës. Një kafshë shtëpiake mund të përmbushë role të ndryshme për një pronar lidhur me një fazë të jetës së pronarit. Për njerëzit, kafshët karakterizohen shpesh si pjesëtarë të familjes. Për të sapomartuarit ato konsiderohen si zëvendësues të fëmijëve; për një çift me fëmijë si shoqëri për fëmijët e tyre dhe si siguri familjare, ndërsa për adoleshentët si shoku më i mirë. Sipas studimeve psikologjike (1988), kafshët shtëpiake në qytete luajnë një rol emocional zëvendësues për fëmijët dhe gratë. Teoria e mbështetjes sociale është ajo që i referohet llojeve të ndryshme të ndihmës që na japin njerëzit e tjerë (ndihmë emocionale, praktike, informacioni dhe vlerësimi). Studimet tregojnë se edhe kafshët e shoqërimit bëhen pjesë e rrjetit social të pronarit. Sot kafshët drejtojnë të verbrit, aspekt i cili flet për ndihmë praktike etj. Teoria “e ngjitjes” është teoria më e shfrytëzuar për të treguar lidhjen me kafshët. Njerëzit shfaqin disa “sjellje ngjitëse” që hasen shpesh në klinikat veterinare. Kjo lidhje shpesh përshkruhet e ngjashme me atë të nënës me fëmijën, të dy shokëve të ngushtë ose si bashkëshortë. Në klinika vihen re 4 forma afrimiteti: të qëndruarit ngjitur gjatë gjithë kohës, stresi në ndarje (shqetësim, lotim), komente të qarta për të vërtetuar sigurinë e kafshës së tyre dhe biseda personale për kafshën e tyre (p.sh., të tipit “si e trajtoj macen”). Sipas studimeve, njerëzit që janë më të dhënë pas kafshës së tyre janë kryesisht: femrat, njerëz me shumë shoqëri ose të vetmuar dhe mosha e tretë ndërkohë që gjendja socio-ekonomike, edukimi ose të ardhurat nuk janë tregues domethënës i kësaj lidhjeje.

Studimi për qentë

Çdo dashamirës i qenve e di mirë se si “miku më i mirë i njeriut” shpreh gjendjet e tij shpirtërore. Veshë të puthitur mirë pas kokës, gjendje të ashpër dhe bishtin drejt do të thotë: Mos më bezdis. Veshë të ngritur, trupin në lëvizje dhe lëvizja e bishtit pa pushim do të thotë: Sa i lumtur jam që të shoh. Përveç këtyre karakteristikave, kohët e fundit është zbuluar edhe një tjetër karakteristikë e gjuhës së qenit, e cila ndoshta mund t‘i habisë pa masë padronët e tyre më të kujdesshëm. Kur qeni është i vëmendshëm kundrejt diçkaje apo dikujt, do lëvizë bishtin më djathtas, ndërsa kur do ta zhvendosë atë majtas, nuhat diçka negative. Studimi që përshkruan këtë fenomen është publikuar në revistën “Current Biology” dhe titullohet “Lëvizja asimetrike e bishtit te qentë u përgjigjet stimujve të ndryshëm emotivë” dhe autorët e tij janë disa shkencëtarë të Universitetit të Triestes dhe dy veterinerë të Universitetit të Barit. “Është një studim intrigues edhe pse lidhet me një numër të madh kërkimesh, të cilat tregojnë ekzistencën e një asimetrie emocionale në tru”, thotë njëri nga studiuesit, Richard J. Davidson, në Universitetin e Ëisconsin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërkimet kanë treguar se në pjesën më të madhe të kafshëve, te zogjtë, hemisfera e majtë e trurit specializohet në ato sjellje që shkencëtarët e përcaktojnë si afrim dhe akumulim energjetik. Te njerëzit, kjo do të thotë se hemisfera e majtë u është bashkangjitur ndjenjave pozitive si dashuria, ndërsa hemisfera e djathtë specializohet në sjelljet e “distancimit” si frika dhe depresioni. Që nga momenti që hemisfera e majtë kontrollon pjesën e djathtë të trupit, ndërsa hemisfera e djathtë kontrollon pjesën e majtë, këto asimetri shfaqen edhe vetëm në dy pjesët e tjera të trupit. “Bishti i qenit është shumë interesat, thotë Davidson, pikërisht sepse gjendet në pozicionin qendror të trupit, nuk është as nga e majta e as nga e djathta”. Në këtë rast, asimetria emocionale ekziston, apo jo? Për ta zbuluar këtë, shkencëtarët kanë rekrutuar 30 qenë shtëpie të racave të ndryshme, duke i lidhur në një kafaz të pajisur me telekamera, që regjistrojnë me përpikëri lëvizjen e bishtave të tyre. Kështu, shkencëtarët i përballën me katër stimuj të ndryshëm emotivë: padronin e tyre, një njeri të panjohur, një maçok dhe një qen të panjohur shtëpiak. Çdo herë, personi ose kafsha i shfaqej qenit për një minutë, me një pushim 90 sekondash ndërmjet shfaqjeve. Eksperimentimi vazhdoi për 25 ditë, me 10 seanca në ditë. Kur qentë shihnin padronët e tyre, lëviznin bishtin vrullshëm të spostuar nga ana e djathtë. Kur shihnin një person të panjohur, lëviznin bishtin mesatarisht edhe në këtë rast më shumë nga e djathta se sa nga ana e majtë. Duke parë macen, qentë tundnin bishtin më shumë djathtas se majtas, por me një kënd më të zvogëluar. Kur gjendeshin përballë një qeni të panjohur dhe agresiv, një pastor i madh belg Malinois, tundja ishte e spostuar totalisht nga e majta. Konkluzioni, thotë njëri prej shkencëtarëve, është se kur qentë tërhiqen nga diçka, qoftë edhe nga një mace e qetë dhe miqësore, e tundin bishtin nga e djathta, ndërsa kur kanë frikë, bishti i tyre lëviz majtas. E gjithë kjo tregon se muskujt e pjesës së djathtë të bishtit pasqyrojnë emocione pozitive, ndërsa muskujt e pjesës së majtë shprehin emocione negative.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency