Sikur të isha mësues në Kosovë

0
179

Dr. Ndriçim Mehmeti

Dr. Ndriçim MehmetiPër shumë arsye, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e gjithkund ku jetojnë, Ballkan, Evropë dhe më gjerë, kanë pasur mall të përzier me një lloj “zilie” për shqiptarët e Shqipërisë. Një pjesë nuk e kishin prekur ndonjëherë realitetin shqiptar, vetëm se kishin ndjesinë se shqiptarët e Shqipërisë ishin të lirë të lëvronin gjuhën kulturën, të frekuentonin shkollat e me radhë. Pas vitit 1990, ndodhi që ky raport u përmbys, pasi shqiptarët e Shqipërisë panë një diferencë jo të vogël ekonomike me bashkatdhetarët e tyre jashtë Shqipërisë. Pavarësisht nga kjo, në Shqipëri vazhdojnë të mburren shumë se jemi shteti amë dhe se kemi pjekuri, guxim e më shumë aftësi të menaxhimit të shtetit. Tani me dhimbje duhet të shohim se shqiptarët e Shqipërisë janë më të frikur, më pak të guximshëm dhe më pak të aftë për t’i dalë zot vetes, ndonëse mendohet se duhet të jenë më të pjekur. Në Kosovë, gjatë këtyre viteve kemi parë demonstrime që rrokin thuajse të gjithë problematikën në jetën ekonomike, sociale dhe politike.
Pa asnjë mëdyshje, në Kosovë njerëzit bëhen bashkë për të kërkuar të humburit e luftës, shtrenjtimin e rrymës (energjisë elektrike), më shumë punë, për të mbështetur kombëtaren shqiptare e për gjithçka. Në vendin tonë, këto janë bërë kaq të rralla këto kohë, sa na merr malli për protestë. Ajo që më shtyu të bëj krahasimin me Kosovën ishte pikërisht lajmi se “90 për qind të shkollave në nivel Kosove po mbajnë grevën njëditore”. Për çfarë është greva? Kundër testimit? Kundër fyerjes së rolit të mësuesit? Kundër talljes dhe vënies në lojë të figurës së mësuesit, nga video të bëra enkas apo qoftë edhe reale? Jo. Për të gjitha këto ndoshta do të duhej kohë e gjatë dhe njerëzve mbase do t’u dukej e lodhshme ngritja e një serie pyetjesh. Protesta ka një motiv të thjeshtë e kuptimplotë, që ngërthen brenda saj të gjithë problematikën e mësuesit: Zbatimi i kontratës kolektive të punës. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë kontradiktë të hapur mes mësuesve dhe qeverisë, por thjesht qeveria të respektojë kontratën që ka nënshkruar vetë. Prej një muaji, kontrata kolektive e mësuesve ka përfunduar dhe as qeveria dhe as sindikata nuk kanë një datë të caktuar se kur do të nënshkruhet kontrata e re. Madje, nuk kemi asnjë informacion nëse kanë filluar apo jo negociatat mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Sindikatave që përfaqësojnë arsimtarët. Po ashtu, Ministria e Arsimit vazhdon presionin mbi mësuesit për çështjen e testimit dhe përsëri heshtje. Ministria e Arsimit hapi, mbylli, do të rihapë gjithnjë në shkelje të ligjit portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe përsëri sindikatat nuk kanë ndërmend të flasin. Ministrja e Arsimit, tashmë njeriu që punëson dhe pushon mësuesit, deklaroi se “nuk kthehet më në detyrë mësuesja e matematikës”, që u bë objekt i diskutimit pas një videoje dhe asnjë përfaqësues i sindikatës, shoqërisë civile, grupeve të të drejtave të njeriut nuk thënë asnjë fjalë. Zërin nuk e ngritën as gratë e as burrat, në mbrojtje të kësaj gruaje. Askush nuk bëri përpjekjen më të vogël t’i shpjegonte ministres se kthimin në punë ose jo nuk e vendos ajo, por institucione të tjera. Nëse ministrja Nikolla është e pakënaqur mund t’i drejtohet lehtësisht Gjykatës, sikundër po bën edhe për punonjësit e larguar prej vetë asaj. Ministrja Nikolla largon nga detyra pastruese e roje të institucionit të saj dhe të gjithë bëjnë sikur nuk dinë gjë. Në Kosovë ndodh krejt e kundërta. Atje mësuesit nuk mund të heshtin ndaj padrejtësive që u bëhen. Në 11 janar 2015, SBASHK, u dërgoi këtë paralajmërim shtetarëve më të lartë të Kosovës “Ju drejtohemi me apelin që të veproni në përmbushje të Kontratës sonë Kolektive, që është nënshkruar më 11 prill 2014 në mes të MASHT dhe SBASHK dhe ta hapini mundësinë për dialogun për ngritje pagash. Nga Ju varët se cila do të jetë situata në shkollat e Kosovës”.
Pra, qeveria e Kosovës nuk ka mbajtur fjalën për rritje pagash dhe as ka pranuar nisjen e dialogut. Madje sindikata jo pa nota kërcënimi i drejtohet Presidentit, Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit, ministrit të Arsimit dhe atij të Financave, se nga këta të fundit varet situata në shkollat e Kosovës. Në Shqipëri ishte sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, i cili kërcënoi nga një studio televizive të gjithë mësuesit se do të marrë masa disiplinore, nëse ndonjë prej tyre nuk paraqitet në testim dhe përsëri heshtje. Dallimi është fare i qartë: Pavarësisht nga vështirësitë që kalon shteti dhe qeveria në Kosovë, mësuesit kërkojnë që të plotësohen të gjitha pikat e kontratës kolektive si një detyrim që shteti e ka njohur përmes bashkë firmosjes me sindikatën. Në Shqipëri, nuk ka për të ndodhur që mësuesit të çohen për ngritje rroge, edhe pse u bë vitit i dytë që askush nuk kujtohet për këtë gjë. Mësuesit duket sikur mendojnë më shumë se gjithë kolegët e tyre në botë. Në vend që të bëjnë qeverinë t’i qaj hallet e tyre, duket sikur përfaqësuesit e tyre sindikalistë ja qajnë më shumë hallin e qeverisë. Pra si të thuash sindikata janë në raport me qeverinë, janë bërë si shprehja e njohur në humorin shqiptar “Unë them mendimin tim dhe t’i tund kokën tënde”. Ndërkaq në Kosovë, sindikata ka aq fuqi jo vetëm që ta bëjë me dhimbje koke qeverinë por ta lerë net të tëra pa gjumë. Pas arsimtarëve janë mjekët në Kosovë, ata që do të vijojnë grevën kundër qeverisë. Edhe në Shqipëri, mjekët me guxim në mbrojtje të dinjitetit të tyre, e detyruan Kryeministrin Rama të zhvillonte bisedime me dyer të mbyllura me ta. Ndërsa arsimtarët, modeli i një shoqërie të zhvilluar, dërguan sindikata që t’i përfaqësonin, në nënshtrimin kolektiv ndaj qeverisë.
Kështu që, mësuesit, nuk do të kërkojnë as kushte më të mira pune, as kushte më të mira sigurie për ta, as ndonjë kompensim financiar për punën e vështirë të disa prej tyre në zonat e thella. As në fund të vitit nuk do të ngrenë zërin për mungesën e shpërblimit për vitin e dytë radhazi. Cili është shkaku që nuk e bëjnë? Shumë e thjeshtë, nuk duan ta prishin me qeverinë, përderisa nuk kanë këllqe sindikata shqiptare, t’i tregojnë vendin që ka ajo dhe vendin që ka ministria, do të sundojë refreni i vjetër “se sindikata është partnere me qeverinë”. Në realitet sindikatat i bëjnë fresk qeverisë “Rama” dhe Ministrisë së Arsimit me paratë e mësuesve. Prandaj, tani më shumë se kurrë do të dëshiroja të isha mësues në Kosovë. Atje dhe në fshatin më të largët dhe në kushtet më të vështira, do të isha krenar jo vetëm se jam shqiptar i mirë, porse nuk është askush, qoftë qeveritarët, Parlament, President apo pushtetar lokal, të nëpërkëmbë dinjitetin tim profesional si mësues. Në Kosovë titullin mësues nuk ta jep vetëm fakulteti, por ta mbron me forcë shoqëria dhe sindikata që të përfaqësojnë. Në Kosovën 7 vjeçe unë ndihem denbabaden mësues.
Mësues në Shqipëri? Do të thotë një skllavërim i ngadaltë prej qeverisë, të ndihmuar prej sindikatave që për çudi deklarojnë se mbrojnë të drejtën e punonjësve të arsimit. O sa mirë me qenë mësues në Kosovë?!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency