Rrëfimi i rrallë i një anglezi/ Në emër të Virgjëreshës, Si ndahen shqiptarët?!

0
154

John Foster Fraser

John Foster Frase pictures from the balkansNga libri i rrëfimtarit të ballkanologjisë, John Foster Fraser, “Pictures from the Balkans”, në shqip kapituj për Shqipërinë nën titullin “Shqipëria e Poshtme”, shoqëruar me 12 fotografi të panjohura më parë, duke dhënë atmosferën historike nga udhëtimi ndërmjet viteve ‘800-‘900. Më poshtë po botojmë një pjesë nga ky libër, kopertina e të cilit ka veprën e Karl Haag, “Shqiptari duke vrapuar”, që ruhet në Muzeun Benaki të Athinës

Shqiptarët mund të ndahen si skocezët. Malësitë e Veriut banohen prej fiseve; në ultësirat më pjellore të Jugut sistemi fisnor vjen duke u zhdukur.
Dhe sikundërse skocezët, shekuj më parë, pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet tyre, puqeshin me njëri-tjetrin nga urrejtja që ushqenin për anglezët, kështu edhe shqiptarët i bashkon urrejtja që kanë për sllavët.
Kombet përreth tyre ua kanë pasur aq shumë frikën – për shkak të pasionit të tyre mbizotërues dhe të pashuar për luftën – sa i kanë lënë shqiptarët të merren me veten e tyre. Mungesa e rrugëve, shtigjet e rrezikshme malore dhe zilitë ndërfisnore kanë bërë që çdo zonë, e mbërthyer mes malesh të pakalueshëm, të ndjehet e vetëmjaftueshme.
Gjithkund vërehet një bujari e rreptë. Një femër mund të udhëtojë e sigurt nëpër Shqipëri vetëm falë dobësisë së saj. Megjithatë, shqiptari do të ngurronte të qëllonte një burrë për një fyerje të paqenë, aq sa do të ngurronte të qëllonte një qen që i leh. Ekziston një mëvetësi e ashpër…
Fiset e Shqipërisë nuk kanë një fe të përbashkët. Disa janë të besimit mysliman dhe disa të krishterë. Brenda fisit mund të gjenden që të dy besimet. Më i rëndësishmi nga fiset e Veriut, mirditorët, janë të krishterë: katolikë romanë.
Në Jug, shqiptarët janë të krishterë dhe, duke qenë në kufi me grekët, kanë përqafur Kishën Ortodokse. Shqiptari mysliman është nën ndikimin e fqinjëve të tij të krishterë. Ai pi verë dhe është veçanërisht i dhënë pas birrës – më rastisi të gjej edhe shishe birre nga Mynihu – dhe betohet në emër të Virgjëreshës…
Paraja bën çudira, kështu që arrita të pajtoj një burrë që më siguroi se dinte një rrugë të shkurtër nëpër male për në qytetin e Leskovikut, e cila do të na kursente ndonja një ditë udhë. U nisëm! Nuk ishte më shumë se sa një shteg, por meqë e dija se ç’mund të bënin kuajt shqiptarë, nuk ngurrova t’i ngjitem shpatit.
Peizazhi ishte magjepsës, pak a shumë si Tiroli i Austrisë. Lugina, e ndarë nga një rrëke e bukur, kufizohej nga Vargmali i Nemërçkës, majat e maleve të së cilës pluskonin mbi re. Qe interesante të shihje se si, pasi u ishe ngjitur kodrave për orë e orë të tëra, të shihje disa ngastra të vocrra lavrash, ku shqiptarët rrisnin misrin e tyre. Besoj se shumica e shqiptarëve parapëlqen të jetojë më mirë në këto fortesa, se sa poshtë, në luginat, në dukje më të këndshme, ku ata do të bëheshin objekte sulmesh të anëtarëve të tjerë të fisit.
Drita e diellit ushtron një ndikim të mirë mbi gjendjen shpirtërore. Edhe pse ishim të lerosur e të parruar dhe në një vend cubash, nuk merakoseshim për asgjë, dhe teksa kapërcenim sup më sup kodrat, ia morëm këngës, derisa përpara syve na u shfaq Leskoviku. Gjithë vendi përreth dukej i zhuritur dhe i shkretë, ndaj pemët e errëta në kopshtet e Leskovikut qenë një kënaqësi për syrin.
Ia behën kalorësit: shqiptarët ishin veshur me gëzofët e tyre më piktoreskë, me breza sermi dhe fustanella që u valëviteshin, xhufkat e festeve të tyre të kuqe tërhidheshin pa pushim, opingat e kuqe mbërthyer në yzengji – shqiptarë thatimë, shqiptarë të majmë, të gjithë hipur mbi kafshët e tyre e në mes të rrëmetit, fshikullonin njëri-tjetrin nëpër rrugët e Leskovikut. Pastaj një vargan llandonësh të shkallmuar e të pluhurosur për shkak të udhëtimit dy ditor nga Korça, por jo, me sa dukej, aq të pluhurosur sa miqtë që po sillnin, të cilët edhe pse të maskuar me pluhur, buzëqeshnin sërish, duke u kthyer përshëndetjen banorëve të panumërt të qytetit. Në fund, mbërriti pajtoni me nusen. Nuk më kishin zënë sytë kurrë pajton më shkatarraq, por ai ishte stolisur me shirita shumëngjyrësh, kurse në majë kishte një lloj jorgani të kuq. Dritaret qenë të mbyllura, por njëra syresh ishte e thyer. Brenda qe ulur një figurë thatime, e mbështjellë me të kuqe. Ajo ishte e velluar, me përjashtim të pjesës së sipërme të fytyrës. Sytë e saj shikonin të frikësuar atë turmë të huaj, të zhurmshme dhe të trazuar, që rrëmbushte rrugët, duke i uruar mirëseardhjen me zëra të ngjirur.
Ditën e nesërme më priste udhëtimi më i gjatë i jetës sime. U ulëm mbi shalë në orën një të mëngjesit dhe, kur kuajt tanë të lodhur na shpunë në Korçë, ora ishte shtatë pa një çerek. Duke përjashtuar një pushim dyorësh midis nëntës dhe njëmbëdhjetës së mëngjesit, praktikisht ne udhëtuam gjatë tërë kohës. Mendoj se ushtarët turq kishin arsye të më qortonin që i nisa për udhë në mes të natës, sepse, siç kam thënë tashmë, nëse ka ndonjë gjë që urrejnë turqit, kjo është të udhëtuarit nëpër terr. Më rrëfyen të njëjtat histori kusarie. Kushedi se sa njerëz kishin ngrënë kokat e tyre pse kishin kuturisur të udhëtonin natën. Unë iu përgjigja se nuk e kisha ndër mend t’u prishja zakonet dhe se, po të dëshironin, mund të mos vinin me mua, por të më mbërrinin më vonë. Në çastin që e kuptuan se e kisha me tërë mend atë që u thashë, ata u treguan të gatshëm të bënin theror jetët e tyre duke me shoqëruar dhe duke u bërë ballë sulmeve të çdo kusari që mund të na dilte në udhë.
Pas pak mbërritëm ndanë një grumbulli shtëpish në periferi, ku po zhvilloheshin ende kremtimet e një martese që ishte kryer disa javë më parë. Martesën e pasojnë gostitë edhe për një muaj a gjashtë javë të tjera. Fshatarë të veshur me petka piktoreske ishin grumbulluar përpara shtëpizave të tyre. Dëgjohej tingëllima e kitarave dhe muzika e mprehtë e zamareve. Shqiptarët kërcenin e këndonin, dhe ishin njerëzit më gazmorë në botë. Sado që të varfër, ata ishin shumë të njerëzishëm. Po kundroja gëzimin e tyre nga larg. Por pas pak dërguan një prej tyre me një tabaka të mbushur me llokume e raki. Llokumi nuk të linte edhe aq shije të mirë në qiellzë, kurse rakia të digjte fytin, por unë e vlerësova si shenjë mikpritjeje ndaj një të huaji. Kur u ktheva të largohem, vallja pushoi, qëndruan të gjithë, kurse muzikantët luajtën një melodi lamtumire.

(Pjesë të cituara nga vepra)

Rrëfimtari i ballkanologjisë

John Foster Fraser (1868-1936) është një sy vëzhgues i fillimit të shekullit të njëzetë, i cili midis memuareve të veta ka përfshirë dhe vështrimet mbi Shqipërinë, sidomos pjesën e poshtme të saj, ku elementet e eposit, etnografisë, traditës dhe dokeve shqiptare janë përshkruar me një stil të këndshëm, pse jo edhe me dashuri, të përshtatshëm për lexuesin anglo-sakson. Vlera e këtij libri nuk ndalet me prezantimin e Shqipërisë te lexuesi i huaj, por fare mirë mund t’i shërbejë dhe lexuesit shqiptar për të njohur këtë pjesë të Shqipërisë nëpërmjet këndvështrimit të një të huaji. Për më tepër përkthimi i tij në shqip do t’i shtonte materiale me vlerë historiografisë shqiptare, e cila kohët e fundit po mbledh dhe shqyrton të gjitha veprat e autorëve të huaj, të cilët kanë shkruar apo studiuar Shqipërinë nga këndvështrime të ndryshme. Përshkrimet e tij për relievin, tipologjinë, virtytet dhe psikologjinë e shqiptarëve dhe marrëdhëniet e tyre me fqinjët mund t’i shërbejnë dhe studiuesve nga fusha të ndryshme.
“Populli që të bie më shumë në sy janë shqiptarët. Burrat janë shtatlartë dhe zeshkanë, me tipare të pashme dhe të rregullta. Atje dhe, në të vërtetë, në të gjithë vendin, shqiptari më la përshtypjen e një sqimatari. Ai dëshiron që xhamadani i tij të jetë i qëndisur me serm e flori. Zakonisht, fustanella e tij është borë e bardhë. Opingat, rëndom prej lëkure të kuqe, kanë nga një xhufkë të madhe në majë… për të cilën shqiptari mendon se është pjesë veçanërisht e rëndësishme e “kapardisjes” së tij”, – ky citim i John Foster Fraser dëshmon për një realitet historik të Shqipërisë së para 100 viteve.
“Shqipëria e Poshtme” e autorit John Foster Fraser, një nga rrëfimtarët dhe ballkanologët e shquar të fillimshekullit të kaluar bën pjesë në koleksionin Memorie të Botimeve Zenit. Pararendëse në këtë kolanë është vepra “Shqiptarët” e Mit’hat Frashërit, e shkruar në origjinal frëngjisht, e pajisur me një parathënie të një prej figurave të njohura të kohës Eugene Pittard, profesor në Universitetin e Gjenevës, përkthyer dhe botuar për herë të parë në shqip. “Pa dyshim që të tilla vepra i shërbejnë mjaft njohjes së shqiptarëve me vendin e tyre nën optikën e atyre studiuesve, etnologëve, ballkanologëve, artistëve e poetëve mes të cilëve edhe Byron, Edward Lear, Dora D’Istria, që përmes udhëtimeve, syrit observator, me dashurinë herë për faktin e vërtetë e herë për Shqipërinë, kanë bërë që kjo të njihet aq shumë prej tyre sa edhe Rilindjes shqiptare. Përtej kësaj ndihmesa për etnologjinë, kostumografinë, historinë, antropologjinë e më tej janë të pallogaritshme duke i dhënë material dhe gjithë trajtimeve të mëvonshme të albanologjisë dhe deri artit si pasqyrim dhe memuar i peizazhit, relievit dhe etnosit shqiptar nga artistë të mëdhenj si Delacroix, Leon Gerome, etj. apo anasjellas”
Përg. Re. Ku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency