Reagimi/ Rama: Pse nuk shpallim gjendjen e emergjencës, lehtësirat për kreditë e fermerëve të përmbytur

0
111

Gëzim Saliu

edi rama“Në 48 orët e ardhshme presim më të keqen, jemi në gatishmëri për ta përballuar”

Pas një takimi që zhvilloi me krerët e bankave të nivelit të dytë, ku merrte pjesë edhe guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Kryeministri Rama deklaroi se ishte arritur marrëveshje që të krijohen lehtësira për kreditë e marra nga fermerët e prekur nga përmbytjet. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë bëri të ditur se guvernatori dhe krerët e bankave do të mundësonte më pas konkretizimin e marrëveshjes, e cila sipas tij, do të favorizojë fermerët e zonave të përmbytura në jug të vendit. “Të gjithë këta kredimarrës duhet të mos trajtohen njësoj si të tjerët. Atyre duhet t’u jepet një periudhë kohore e arsyeshme, pa asnjë detyrim ndaj bankave. Për të bërë të mundur që në ndërkohë, ndihma që ne do t’u japim t’i rikthejë në pozitë normale ndaj bankave. Edhe përgjigjja e bankave na tingëlloi shumë e qartë: Po, këtyre kreditorëve do t’u krijohet kjo lehtësi”, – u shpreh Rama.

Emergjenca

I pyetur nga gazetarët lidhur me kërkesat e opozitës për shpalljen e gjendjes së emergjencës si domosdoshmëri në situatën në të cilën ndodhet një pjesë e vendit, kreu i qeverisë argumentoi se edhe pse qeveria e shkuar e shpalli katër herë këtë gjendje, nuk dëmshpërbleu sipas tij, në 100% të prekurit. “Na e kërkojnë ata që e kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme nja 4 herë, në mos gabohem dhe na e kërkojnë me argumentin që vetëm po shpalle gjendjen e jashtëzakonshme je i detyruar të dëmshpërblesh 100% të prekurit nga fatkeqësia natyrore, në këtë rast. Pyetja është e thjeshtë: Pse nuk i kanë dëmshpërblyer njerëzit e prekur në situatat e gjendjes së tyre të shpallur si të jashtëzakonshme? Dhe faktikisht kanë lënë në kurriz të kësaj qeverie, mes shumë e shumë borxhesh të tjera, një borxh prej 37.4 milionë dollarësh, një borxh ndaj familjeve të prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, gjatë periudhës 2010- 2011, në vlerën 21.4 milionë dollarë dhe si një borxh të mbledhur në vitet e tjera, para hatave të Shkodrës, në vlerën 16 milionë dollarë”, – u shpreh ai. Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se qeveria nuk do ti shmanget detyrimit që buron nga inventari i dëmeve të bëra nga përmbytjet. “Sikundër, ne do të mobilizojmë forcat dhe burime si asnjëherë më parë për t’iu gjendur pranë njerëzve në kurimin e plagëve imediate dhe për të kuruar dhe shëruar plagët që rrezikojnë të dëmtojnë edhe ekonominë e gjithë atij territori në afatmesëm”, – deklaroi ai. Ndërkaq, Rama deklaroi se në dy ditët e fundjavës pritet një tjetër situatë e vështirë për shkak të kushteve klimaterike që parashikojnë kthim të stuhive dhe shirave. “Duke shpresuar që e keqja të mos ndodhë, ne sidoqoftë jemi në gatishmërinë maksimale, për të vazhduar të përballojmë me suksesin e deritanishëm operacionet e nevojshme në ndihmë të njerëzve, të kërcënuar në jetën e tyre në radhë të parë dhe po ashtu për të vazhduar të sigurojmë digat, argjinaturat, pritat dhe apo rrugëkalimet e njerëzve në zonat e prekura nga përmbytja”, – pohoi Rama. Përpos kësaj, kreu i qeverisë garantoi se janë marrë të gjitha masat jo vetëm në jug ku aktualisht ka ende zona nën pushtetin e ujit, por dhe për menaxhimin e kaskadës së Drinit për të mos lejuar një situatë të ngjashme të ndodhë dhe në ultësirën e Shkodrës. Sa i përket ndikimit që mund të kenë përmbytjet në rritjen ekonomike, ashtu siç ka paralajmëruar Banka Botërore për të gjithë rajonin tonë, Rama nuk e përjashtoi duke pohuar se analiza e dëmeve do të bëhet në një kohë tjetër.

Deklaratat e Nishanit/ Rama s’komenton Presidentin, por pohon: I pari që sulmon qeverinë, qëndrimet ia them sy më sy

Në konferencën nga Kryeministria lidhur me situatën e përmbytjeve, Kryeministri nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes lidhur me deklaratat e kreut të shtetit, duke mos lënë pa shtuar nga ana tjetër se është i vetmit President që sulmon qeverinë. “Unë i mbetem besnik asaj që kam thënë, që çfarë kam për t’i thënë Presidentit ia them vetëm në sy. Ky është një tjetër dallim i madh dhe një tjetër ndryshim i madh që ka ndodhur në Shqipërinë e pas 23 qershorit, ku qeveria nuk sulmon Presidentin. Sigurisht, pas 23 qershorit kemi për herë të parë një President që sulmon qeverinë, gjë që nuk e kemi pasur në të shkuarën, por kjo është zgjedhja e Presidentit, nuk është zgjedhja jonë. Me Presidentin kemi, për sa na takon, kanalet institucionale të komunikimit dhe të jeni shumë të sigurt se çfarë kam për t’i thënë dhe çfarë kemi për t’i thënë ia themi ballë për ballë dhe sy më sy”, – theksoi Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency