Përplasja në Kuvend/ Berisha: Të zbardhen tabulatet e mia, Nokës, Ramës e Tahirit, këta të lidhur me krimin

0
117

Gëzim Saliu

Ish-kryeministri: Shpërdoruat fondin e emergjencave. Tahiri: Ti e le me 570 dollarë

Berisha_ne_Kuvend_3_prillNë një seancë ku kryetemë e diskutimit ishin përmbytjet në Jug të vendit, nuk munguan përplasjet mes palëve që lidhen me situatën e krimit në vend si edhe akuzat dhe kundërpërgjigjet për përfshirje ose jo të qeverisë me bandat kriminale. Ish-kryeministri Berisha dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilluan një debat të ashpër, ku nuk munguan akuzuat thumbuese dhe replikat e forta mes palëve. “Është fondi që duhet të kishte caktuar që ditën e parë qeveria për ta përballuar atë. Po pse me fjalë do i mbani, me sharje, me njerëz të papërgjegjshëm të cilët prej kohësh populli i thërret me mbiemrin e Shullazit? Me ata mbahet? Po nuk mbahet me ata more Saimir Shullazi, mund të thuash çfarë të duash ti. Por shqiptarët të njohin ty si Saimir Shullazi”, – u shpreh Berisha. Në përgjigje ministri Tahiri theksoi: “Tani se si më njohin mua shqiptarët këtë unë nuk e kam lënë, as nuk ka shans ta lë ta ndani ju. Pse nuk erdhe këtu dhe të thuash si ka mundësi, e le me 570 dollarë fondin e emergjencës, pse nuk vjen këtu të japësh përgjigje ku i çove 1.2 milion dollarë që ishin të planifikuara për emergjencat civile, si i harxhove gjatë zgjedhjeve këto”. Pas replikës së parë, gjatë fjalës në foltore të ish-kryeministrit, ky i fundit i është drejtuar ministrit të brendshëm duke e akuzuar për sharje. “Mbaje gojën mor rrugaç dhe mos shaj nga mbrapa”, – u shpreh Berisha. U desh ndërhyrja e drejtuesit të seancës në atë moment, Vangjel Dules, i cili sqaroi: “Nuk shau komunikonte me mua, në asnjë rast, ju garantoj ju. Në këtë moment komunikonte me mua”.

Tabulatet

Nga salla e Kuvendit, Berisha hapi një sfidë për zbardhjen e tabulateve të viteve të fundit të vetë atij, ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka, Kryeministrit Rama dhe ministrit aktual Tahiri. Sipas ish-kreut të qeverisë në këtë mënyrë do të vërtetohet lidhja qe qeveria ka me krimin. “Sfida ime është kjo: që nesër Edi Rama, Sali Berisha, Saimir Shullazi, Flamur Noka të firmosin tabulatet e 10 viteve të fundit. S’e bëni dot, por po ta bëni do dilni se jeni të lidhur me Shullazin, me “Hakmarrjen për Drejtësi”, me bandën e Lushnjës, me bandën e Tiranës. Të nxjerrim tabulatet, Berisha, Rama, Noka, Saimir Shullazi. Ke burrëri? Të vendosim sot të bëjmë një amendament të autorizojmë Prokurorinë të bëj një check up. Kjo jep zgjidhje. Kur Tirana i flet Saimir Shullazi ky thotë ma bën Berisha”, – u shpreh ai. Ndërkohë që Dule kërkoi që Berisha propozimin ta bënte me shkrim për të qenë brenda procedurës, ministri i Brendshëm iu përgjigj duke pohuar: “Ju ia keni marrë dorën kësaj kërkese me tabulate, kur vratë 4 qytetarë në 21 janar dhe kërkuat tabulatet e gazetarëve. Qytetarët nuk presin gallatën tuaj në Kuvend, por të çoheni në nivelin dhe lartësinë e atyre atje që ndihmojnë njeri-tjetrin. Ju nuk keni bërë dhe kur kishit mundësi për të bërë ne kemi vendosur të bëjmë edhe ato që nuk keni bërë ju, është dallim i madh ky”.

Akuzat dhe batutat mes Berishës dhe Peleshit, Meta: S’ka kuptim të ziheni, keni pasur miqësi

Pjesë e debatit në Parlament ishin dje edhe akuzat e batutat mes ish-kryeministrit Berisha dhe zv.kryeministrit Peleshi, të cilat përfshinë edhe deputeten e Korçës Elena Qirici. Në fjalën e tij deputeti demokrat akuzoi numrin dy të qeverisë se ka përfituar në kohën kur ishte kryetar Bashkie në Korçë në kurriz të taksapaguesve. “Sa ka kushtuar unaza e Korçës, sa kanë kushtuar pallatet të cilat i janë dhënë zotërisë kryetar Bashkie për t’ua dhënë romëve dhe ua dha militantëve socialistë, këtë që lumturuan xhepat e veta dhe përvetësojnë troje dhe vinë këtu na thonë se është bërë sa 20 vjet. Nuk është normale kjo, duan ta përdorin platformën për të na mashtruar se Korça i dëgjon të gjithë”, – theksoi ai. Nga ana e tij, zv.kryeministri kërkoi nga Berisha që akuzat t’i dërgojë në Prokurori. “Si politikan i rafinuar në 40 vjet dini t’i rregulloni fjalët për të mos u përballur me Prokurorinë dhe thoni jeni akuzuar nga qytetarët. Nëse dikush nesër do gjejë kohë të merret me ju do thoni: “Prokurori unë thashë qytetarët”. Ju kam ftuar të shkoni në Prokurori dhe të bëheni njëherë serioz pas kaq shumë vitesh në politikë”, – u shpreh Peleshi.

Debati

Niko Peleshi: Më vjen keq për shoqen time të klasës për të cilën kam një konsideratë dhe ruaj në memorie kujtime shumë të mira të gjimnazit.
Sali Berisha: Për sa i përket fatkeqësisë së zonjës Qirici që ka pas në klasë atë (Peleshin), kjo nuk është përgjegjësi e zonjës Qirici, se në klasë nuk i zgjedh dot njerëzit.
Ilir Meta: Jo, jo… Ju kur keni qenë Kryeministër keni pasur bashkëpunim me zotin Peleshi. Tani vetëm se keni ndërruar pozicionin, nuk ia vlen ta prishni këtë miqësi.
Eleina Qirici: Lakohet e lakohet shoqe klase, po kemi qenë matura më e mirë, por jo shoqe klase, kemi qenë klasë paralele. Shokët e klasës i ke marrë në qeveri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency