Kosova në udhëkryq! Jabllanoviçët ia kanë vënë asaj zjarrin!!!

0
119

Dr. Enver Bytyçi

Dr. Enver BytyçiIsa Mustafa e shkarkoi Jabllanoviçin, po lopa e Serbisë do të pjellë viça të tjerë pafund. E atëherë çfarë fitoi Kosova me shkarkimin e një ministri serb, i cili do të zëvendësohet po me një “viç” tjetër?! A do të ketë ajo më pak ose aspak korrupsion?! A do të funksionojë shteti i së drejtës mirë e më mirë?! A do të ketë më shumë demokraci, liri e të drejta për qytetarët e Kosovës?! A do të jetë qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj autoritet i plotë në veri të vendit?! Çfarë do të bëhet me Trepçën dhe cilat asete do t’ia lënë Serbisë, nëse i referohemi një deklarate të ambasadorit anglez në Prishtinë?!
Jabllanoviçi i mori valixhet. Po cilat valixhe mbajnë në duar vetë politikanët shqiptarë në Kosovë?! A e ndihmon Albin Kurti Kosovën me ekstremizmin e tij patetik?! A ishte më 1999 Thaçi më revolucionar se sot Albini?! A u duk edhe Thaçi atëherë shumë më nacionalist se Rugova?! Po cilat janë veprat e të tillë revolucionarëve, a kanë lënë ata ndonjë gjurmë se janë të përkushtuar për Kosovën?! E nga ana tjetër sa e sa gjurmë kanë lënë për grabitjen e pasurisë së vendit në format nga më të ndryshmet?! A mos Albini është i shenjtë dhe nesër në pushtet nuk do të bëjë kësisoj e më keq sesa Thaçi?! A nuk kemi të njëjtën histori të shkruar e të lexuar ne shqiptarët?! Cila qeveri e qeverisje në 100 vjet nuk luftoi më shumë për pushtet sesa për shtet?! Cila lëvizje nacionaliste për vetëvendosjen e jona nuk ka përfunduar në qëllimin e marrjes dhe përfitimit nga pushteti?! Cili nga udhëheqësit shqiptarë, përveçse Rugovës, nuk është dëshmuar nga pak Esat Pashë Toptan, të cilin e kemi etiketuar me të drejtë si simbolin e tradhtisë kombëtare?! Po nëse është kështu, a mund të ketë njerëz “pak tradhtarë ose pak shkërdhata”?! Pra a nuk na shfaqet përditë Esat Pasha në pashallëqet tona në Prishtinë e në Tiranë?!
Isa Mustafa, nga ana tjetër, çfarë i ofron Kosovës veç shkarkimit të sforcuar të Jabllanoviçit?! Çfarë do të bëjë ai me Trepçën?! Si do ta ulë papunësinë dhe varfërinë e qytetarëve të Kosovës?! A do të krijojë kapital të bollshëm për rritjen e pagave e të pensioneve, që shqiptarët më së pari, por edhe të tjerët të mos ndjejnë nevojën e emigrimit?! Si do t’i vërë ai në lëvizje pasuritë e nëntokës dhe mbitokës së Kosovës, për t’i dhënë vendit mirëqenie e begati?! Si do ta luftojë korrupsionin e mitmarrjen te vetja e partneri kryesor i tij, PDK?!
Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje edhe pas shkarkimit të Jabllanoviçit, se Jabllanoviçët shqiptarë janë instaluar në qeveri, në Parlament dhe shumë institucione të tjera të Kosovës. Jabllanoviçi ishte ashiqare, por ata tjerët shqipfolës ose serbishtfolës që rrinë fshehur e janë përhapur si metastaza deri në administratën e pushtetit lokal janë më të rrezikshmit. Po mos ishin ata që prej 16 viteve, Kosova sot do të ishte në OKB. Territori i saj dhe për pasojë Trepça nuk do të viheshin në diskutim. Autobusët dhe linjat e avionëve nuk do të mbushnin barkun me shqiptarë që ikin, ikin dhe nuk duan të kthehen, madje as ta kthejnë kokën nga atdheu për të cilin njëqind vjet, tre ose katër breza derdhën aq shumë gjak. Plaga e kurbetit nuk do të ishte në rendin e ditës si zgjidhja e vetme për të mbijetuar. Dhe politika, qeveria, deputeti, ministri, kryeministri, të gjithë këta që janë majmur dhe kanë lëshuar rrënjë në vilat luksoze sheikase bëjnë sikur nuk ndodh asgjë. Thjesht merren me deklarata dhe moralizime, por jo edhe me projekte konkrete për ndërtimin e shtetit demokratik të së drejtës, për zhvillimin e pronës e të prodhimit, për rritjen e të ardhurave dhe të mirëqenies.
Qytetarët e Kosovës kanë dalë në rrugë, jo për Jabllanoviçin, por në protestë kundër të gjithë Jabllanoviçëve në pushtet. Ata nuk presin vetëm shkarkimin e një ministri serb në qeverinë e Kosovës, sado legjitime të duket kjo. Ata presin që dikush të injektojë së paku shpresën e humbur dhe dalëngadalë të rikthejë nderin, dinjitetin dhe integritetin moral e ekonomik të vendit. Ata nuk presin më bisedime të pafund me Beogradin, por operacione reale dhe bindëse, ku të duket se Kosova është e do të mbetet shtet i pavarur, shtet demokratik funksional dhe shtet i së drejtës, bazuar në vlerat e Perëndimit. Ku shqiptarët të mos i tremben shpërbërjes ose copëtimit të territorit të saj, ku Serbia të ikë, të ikë larg, shumë larg, përtej Beogradit e të mos duket kurrë më në Kosovën, të cilën e shkatërroi me shtëpi e katandi, e vrau, e masakroi dhe e spastroi etnikisht.
Qytetarët e Kosovës protestojnë, sepse nuk shohin asnjë shenjë drite në fund të tunelit. Shkarkimi i Jabllonoviçit, ndonëse një hap i duhur, nuk jep ndonjë shenjë drite. Sa kohë që do të lejohet që lojën antishqiptare në Kosovë ta bëjë Beogradi me Jabllanoviçët e Prishtinës, aq kohë Albini do të gjejë alibi të pafund për t’i thyer e copëtuar xhamat e ndërtesës së qeverisë e ndoshta nesër edhe të Parlamentit, pavarësisht se ai vetë është anëtar i atij Parlamenti. Absurdi nuk ka fund. Në vend të alternativës vepron rruga. Në vend të arsyes veprojnë Jabllanoviçët që marrin në mbrojtje krimin. Këto ndodhin në një terren të mbarsur me mllef e me konflikte. Jabllanoviçi vetëm se ia vuri zjarrin benzinës, por Kosovën e kanë lyer me benzinë vetë qeveritarët e derisotëm shqiptarë të Kosovës. Madje, ata që u betuan për një Shqipëri të Bashkuar.
Dhe më në fund gjithçka ndodh që shqiptarët e Kosovës të detyrohen të kërkojnë e përshpejtojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Pikërisht kjo është loja e Serbisë, që Kosova të kërkojë bashkim me Shqipërinë ende pa definuar pavarësinë dhe integritetin territorial të saj. Kësaj strategjie i shërbejnë ata që qeverisin, por edhe vetë Albini, që hiqet se i dhemb shumë për Kosovën e shfrytëzon pakënaqësinë e ligjshme të qytetarëve me qeverinë dhe qeverisjen. Më këtë kërkesë Serbia do të realizojë lehtësisht projektin e saj të ndarjes së Kosovës. Nuk ka asnjë arsyetim tjetër pse këto që po ndodhin në Kosovë janë kaq të trishta, të dëmshme e të rrezikshme.
Është koha për të thënë mjaft më! Kështu nuk mund të ecet përpara! Gjithçka që po bëjmë i kundërvihet interesit tonë kombëtar!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency