Vendimi/ Qeveria përcakton kategoritë e personave që do të pajisen me armë dhe rregullat

0

Alma Çuka

kategoritë e personave që do të pajisen me armëPërfitojnë dy kategori. Ata që kryejnë një funksion shtetëror dhe janë në rrezik për shkak të tij dhe personat që raportojnë një vepër penale dhe për shkak të saj gjenden të rrezikuar

Qeveria në mbledhjen e saj të radhës përcaktoi kategoritë e personave që duhet të pajisen me armë dhe rregullat që duhet të vendosen për këto kategori. Për të përcaktuar këto rregulla qeveria ka ngarkuar Policinë e Shtetit. Sipas saj, është Policia e Shtetit ajo që, përmes një grupi pune, duhet të mbajë gjithë përgjegjësinë për vlerësimin e kërcënimit të rrezikut për jetën për persona që, për shkak të aktivitetit shtetëror ose të rrethanave personale të veçanta, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe u njihet e drejta e mbrojtjes së veçantë. Ndërkohë, qeveria ka arritur të vlerësojë në dy kategori personash vlerësimin e rrezikut për jetën. Sipas saj, duhet të pajisen me armë personat në rrezik, për shkak të aktivitetit shtetëror dhe persona në rrezik, për shkak të rrethanave të veçanta. Por për të vazhduar më tej dhe për të përcaktuar këtë kategori personash të ndarë në dy grupe, qeveria ngarkon Policinë e Shtetit me përgjegjësi, duke përcaktuar edhe mënyrën e punës.

Grupet e punës

Policia e Shtetit, thuhet në vendimin e qeverisë, duhet të krijojë komision për vlerësimin e rrezikut të personave, për shkak të aktivitetit shtetëror që kanë pasur ose kanë aktualisht, si dhe për ata për shkak të rrethanave personale të veçanta, të përbërë nga 5 veta. Në këtë komision duhet të jenë drejtori i Sigurisë Publike, me cilësinë e kryetarit, drejtori i Krimeve të Rënda, anëtar, drejtori për Krimet, anëtar, juristi i Drejtorisë, anëtar dhe shefi i sektorit për Shërbimet ndaj të Tretëve, anëtar. Sipas vendimit, komisioni për vlerësimin e kërcënimit për jetën, brenda 72 orëve nga paraqitja e kërkesës për personin e kërcënuar, duhet të administroi dokumentacionin. Qeveria përcakton edhe dokumentacionin për këtë qëllim. Sipas saj personi që kërcënohet duhet të paraqesë kërkesë individuale, një relacion nga komisariati ku banon, lidhur me ekzistencën e kërcënimit të jetës së personit, që kryen apo ka kryer më parë një aktivitet shtetëror, ose të rrethanave personale të veçanta. Ekstrakte nga informacionet, materiale të dala nga hetimi, materiale të dala nga kryerja e operacioneve apo teknikave speciale të hetimit etj., që i disponon policia ose institucione të tjera shtetërore, për ekzistencën e kërcënimit ose rrezikut të jetës së personit që ka bërë kërkesën, kopje e dokumentit identifikues të personit të kërcënuar, vërtetim besueshmërie për personin e kërcënuar, hartuar nga komisariati ku ka vendbanimin. Këto dokumente, të administruara në komisariatin e policisë, brenda 3 (tri) ditëve pune dërgohen për t’u regjistruar në drejtorinë vendore të policisë dhe nga kjo drejtori përcillen, për miratim, në Komisionin Qendror, pranë Drejtorisë së Policisë.

Rrethanat personale

Por qeveria argumenton edhe çfarë përfshijnë rrethanat personale. Sipas saj, ato kanë lidhje me rrethanat që krijohen si rezultat i ekzistencës reale të kërcënimit për jetën, për persona që ndihmojnë policinë apo struktura të tjera shtetërore, në lidhje me identifikimin e veprave penale, autorëve të tyre si dhe sigurimin e provave të tjera. Pra, në këtë pikë qeveria fut atë kategori personash të cilët kërkojnë të pajisen me armë pasi ndihen të kërcënuar pasi kanë dhënë informacione për kryerjen e një vepre penale, qoftë kur personi ka qenë në aktivitet shtetëror.

Komisioni

Komisioni mblidhet brenda pesë ditëve nga depozitimi i kërkesës dhe shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga drejtoria vendore/rajonale e policisë ku ka vendbanimin personi i kërcënuar për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta. Më tej komisioni merr vendim paraprak, me shumicë, për vlerësimin e rrezikut dhe për lëshimin e autorizimit për mbajtje arme, me qëllim ruajtjen e jetës. Autorizimin për mbajtjen e armës e firmos drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 24 orëve nga vendimmarrja e komisionit. Afati i shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të veçantë dhe lëshimi/refuzimi i autorizimit për mbajtje arme është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë. Afati i vlefshmërisë së autorizimit të posaçëm për mbajtje arme varion sipas ekzistencës së kërcënimit dhe rrezikut për jetën. Pas lëshimit të autorizimit për mbajtje arme, për rastet e rrezikut për shkak të aktivitetit shtetëror apo për shkak të rrethanave të veçanta, dokumentacioni, së bashku me vendimet e komisionit dhe kopjen e autorizimit, regjistrohet në një regjistër të veçantë dhe mbahet në kartotekë. Për dokumentacionin, kur nuk miratohet lëshimi i autorizimit për mbajtje arme, afati i mbajtjes në kartotekë është 2 (dy) vjet dhe, më pas, asgjësohet, me procesverbal, sipas rregullave të përcaktuara për çdo dokumentacion tjetër. Mbledhjet e komisioneve zhvillohen me protokoll, i cili mbahet së bashku me regjistrin dhe dokumentacionin e shqyrtuar.

Kërcënimi / Emiljano Shullazi mohon komunikimin me deputeten e djathtë

Një seancë më parë, Emiljano Shullazi ishte i sëmurë dhe nuk mund të paraqitej për të dhënë shpjegime lidhur me kërcënimin me jetë ndaj liderit të opozitës, Lulzim Basha, përmes deputetes së djathtë Voltana Ademi. Gjatë ditës së djeshme, Shullazi i është bindur kërkesës dhe është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë marrjes në pyetje, i kallëzuari nga deputetja Voltana Ademi pranoi se kishte qenë në të njëjtin lokal me të, ashtu sikundër është thënë më parë, por mohoi të kishte debatuar apo t’i kishte folur. Ai është shprehur para prokurorëve se ka qenë në lokal në të njëjtin ambient, por në asnjë moment nuk kishte komunikuar me të, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë deklaratën e kallëzueses Voltana Ademi. Prokurorët tashmë kanë në dosje vetëm një kallëzim të deputetes dhe mohimin e Shullazit. Ndërkohë, nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se kamerat e sigurisë të lokalit ku pretendohet se është kryer vepra penale, nuk kanë funksionuar. Sipas prokurorëve të çështjes, bëhet e ditur se kamerat ishin prishur pas ndërhyrjes së INUK-ut për të shkatërruar një pjesë të ndërtimit që pretendohej se ishte pa leje. Nuk dihet tani se si do të vazhdojë hetimi për këtë kallëzim penal regjistruar pak ditë nga atentati që iu organizua Emiljano Shullazit dhe mikut të tij Gilmando Dani në vendin e quajtur Qafa e Kasharit.