Trafiku i drogës/ Kapen në Turqi 51 kg heroinë në makinën me targa shqiptare

0

droga turqiPolicia turke gjeti 51 kilogram heroinë në një automjet me targa shqiptare, i cili po eksportonte mallrat të ndryshme drejt Shqipërisë. Ministria e Tregtisë së Turqisë dhe ekipet e Drejtorisë së Shërbimit Informativ dhe Mbrojtjes së Doganës njoftuan se droga u gjet në Doganën Halkalı të Stambollit gjatë kontrollit të makinës me targa shqiptare. Ajo u zbulua nga qentë e drogës. Makina që punonte për llogari të një firme, trasportonte hidrosanitare, si lavamanë, termo-sifonë, rubineta, dhe mallra të tjera hidraulike. Por në brendësi të saj u gjetën 98 pako me heroinë me peshë të përgjithshme 50 kilogram e 725 gram, njofton agjencia Anadolli. 5 persona u arrestuan për trafikun e drogës. Lënda narkotike kishte për destinacion Shqipërinë e më pas vendet e BE –së.

Riaktivizimi i rrjeteve të drogës

Shqipëria po shihet kohët e fundit si Kolumbia e Europës. Goditja e plantacioneve me kanabis i hoqi Lazaratit emrin “kryeqytetit europian të marijuanës”. Por në pak muaj, fushat e bimës narkotike i zëvendësuan sasitë e mëdha të drogave të forta të kapura brenda Shqipërisë apo ngarkesat me heroinë e kokainë që kanë si destinacion vendin tonë. Shqipëria është shndërruar kështu në një pikë nevralgjike të grumbullimit, përpunimit dhe shpërdarjes së kokainës dhe heroinës. Thuajse njëkohësisht me operacioin në një anije me 250 kilogram kokainë u kap në Mal të Zi. Ajo kishte destinacion Shqipërinë, por thuhet se u godit në vendin fqinj për shkak se agjencitë e huaja që e kishin zbuluar atë kishin dyshime se operacioni do të dekonspirohej. Droga do të përpunohej në Shqipëri dhe do të trafikohej në vendet e BE-së.
Ngarkesa me 51 kilogram heroinë e kapur në Stamboll në kamionin me targa Shqiptare që po sillte hidrosanitare, dëshmon riaktivizimin e një korridori të vjetër të drogës: Turqi-Shqipëri-Itali. Shumë kohë më parë Shqipëria prodhonte lajm pasi në Itali kapeshin sasi të mëdha drogash të forta të nisura nga brigjet tona. Për disa kohë, ky korridor u bllokua. Por muajt e fundit linjat e narkotrafikut janë rigjallëruar. Ngritja e laboratorit të përpunimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit është një tjetër provë se vende të ndryshme të njohura për narkotrafikun e shohin Shqipërinë si terrenin më të përshtatshëm për ta grumbulluar heroinë e kokainë, për t’i përpunuar e për t’i trafikuar në vende të BE –së. Kokaina e gjetur në laboratorin e Xibrakës dyshohet se vinte nga Kolumbia. Por prokurorët kanë dyshime të forta se transporti i saj bëhej me anë të ngarkesave me veshëmbathje nga Turqia. Tetorin e kaluar një organizatë e trafikut të marijuanës dhe drogave të tjera u godit në Lezhë e Shkodër me ndihmën e policisë italiane dhe asaj malazeze, në operacionin e koduar me emrin Viluni. Disa media raportuan se njëri nga trafikantët i shpëtoi arrestimit pasi u strehua në makinën e një deputeti të mazhoranëcs. Edhe ky operacion, ky rrjet, ashtu si ai i Xibrakës u zbuluan nga shërbimet partnere të vendeve të huaja. Riaktivizimi i rrjeteve të narkotrafikut është shndërruar tashmë edhe në një debat politik, ku opozita po e akuzon vazhdimisht mazhorancën për lidhje të saj me krerët e organizatave që e drejtojnë trafikun e drogës.