Kupa e Shqipërisë/ Flamurtari barazon me Skënderbeun, Tirana habit ndaj Apolonisë

0
126


Flamurtari barazon me SkënderbeunVlonjatët janë ndarë në paqe me korçarët, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e radhës

Bardheblutë kanë dështuar ndaj fierakëve, duke marrë vetëm një pikë të vështirë, që e lë akoma të hapur mundësinë e kualifikimit për të dyja skuadrat

Kupa e Shqipërisë ka mbyllur dje ndeshjet e fazës së parë të vlefshme për çerekfinalet e këtij turneu. Ndeshje të forta të ekuilibruara që dhuruan edhe spektakël. Flamurtari ashtu si një vit më parë nuk arrin të mundë dot Skënderbeun në Vlorë për ndeshjen e Kupës. Kampionët e kompeticionit barazuan 1-1 me korçarët, duke regjistruar të njëjtin rezultat si në sfidën e kampionatit, me vlonjatët që shënuan të parët e Skënderbeun që barazoi më pas. Një ndeshje e luftuar mes dy prej skuadrave më të mira në vend, ku nuk munguan dhe rastet për shënim por rezultati përfundimtar megjithatë lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit më 18 shkurt. Trajneri Ramela preferoi nga minuta e parë Xhelilaj ndërmjet dy shtyllave në vend të portierit Lika, zgjedhje që në fakt e shpërbleu dhe pse në fillim u duk paksa e guximshme duke qenë se Kupa e Shqipërisë është “dritarja” e vetme drejt Evropës për Flamurtarin. Në një terren të rënduar ishte Skënderbeu që e nisi më mirë sfidën, teksa që në minutën e 6-të dha një sinjal në portën e Xhelilajt, por goditja e Berishës përfundoi jashtë. Korçarët ishin dominues dhe në të 17-ën, provoi dhe Martins, por shumë në qendër. Xhelilaj bëri mrekullinë në të 32-ën kur gjeti përballë Martins, goditjen e të cilit e ndali me këmbë. Në pushim u vajt pa gola, por me përshtypjen se Skënderbeu meritonte diçka më shumë. Në pjesën e dytë ritmi ishte shumë më i shpejtë dhe rastet nuk munguan megjithatë golin e gjeti Flamurtari, që në minutën e 61-të, kaloi përpara me Nikoliçin, që hapi në dysh mbrojtjen e Skënderbeut. Flamurtari mund të kishte shënuar dhe të dytin në të 70-ën, por Orges Shehi ruajti mirë portën. Skënderbeu nuk u pajtua me disavantazhin dhe dha një sinjal në të 75-ën me Radasin që goditi traversën ndërsa 2 minuta më pas, Jemini akordoi 11-metërsh për korçarët. Flamurtari protestoi për faull jashtë zone, por vendimi nuk u ndryshua. Nga pika e bardhë Shkëmbi nuk fali. Terreni që u rëndua akoma dhe më shumë ja bëri ndeshjen më të vështirë dy skuadrave që e patën të vështirë të krijonin mundësi me rezultatin që u fiksua në 1-1, duke i dhënë një avantazh minimal korçarëve për sfidën e kthimit, për shkak të golit të realizuar në fushë kundërshtare.

Tirana ngec ndaj Apolonisë

Tirana ka çuditur të gjithë duke barazuar me surprizën e kësaj faze, Apoloninë. Edhe pse në letër më të dobët fierakët ia kanë arritur të marrin një barazim duke i dhënë edhe një rrymë tjetër emocionale ndeshjes. Trajneri Magani e filloi ndeshjen me ndryshime të mëdha ku kishte lënë në stol një pjesë të mirë të titullarëve si Muzaka, Ndikumana dhe Elis Bakaj. Takimi fillon menjëherë me një ritëm të lartë nga të dyja ekipet. Fierakët dukeshin të transformuar në krahasim me nga sa jemi mësuar t’i shohim deri tani. Skuadra e Mërgjyshit shfaqet rrezikshëm dhe luan duke sulmuar vazhdimisht Tiranën. Kjo e fundit ka vështirësi në ndërtimin e aksioneve dhe duket e paqartë në lojën e saj. Dimo, Uzuni dhe Ribaj i japin freski sulmit të Apolonisë. Në minutën e 29-të vjen dhe goli që zhbllokon sfidën. Talenti berates, Uzuni jep një asist fantastik për Ribajn dhe ky e fundit del i pambuluar përballë portierit Bakaj duke realizuar dhe kaluar skuadrën e tij në avantazh. Pas golit të shënuar, fierakët marrin edhe më shumë zemër dhe hidhen përsëri në sulm. Tirana e ka të vështirë të marrë frenat e lojës në dorëzim dhe duket e shpërqendruar. Në minutën e 43-të, është lojtari më aktiv i Apolonisë, pikërisht Uzuni që realizon një supergol duke dyfishuar shifrat. Me golin e dytë të shënuar nga fierakët, u mbyllën edhe 45 minutat e para. Ne fraksionin e dytë të kësaj sfide Tirana futet në fushë me një tjetër fytyrë. Bardheblutë arrijnë të gjejnë menjëherë golin me anë të Mario Morinës që realizon dhe ngushton diferencat duke rihapur kështu sfidën dhe duke e bërë më interesante. Nga ana tjetër Apolonia nuk mendon për t’u mbrojtur por vazhdon të sulmojë. Ribaj dhe Uzuni duken rrezik konstant për Tiranën. Ndeshja ka një ritëm të lartë dhe ka raste për të dyja ekipet. Në minutën e 62-të, bardheblutë gjejnë edhe golin e barazimit. Është Karabeci që pas një kombinimi me Bushiç, gjuan fort dhe mposht portierin Cakoviç duke barazuar rezultatin. Goli i shënuar iu jep zemër bardhebluve të cilët tashmë duan ta fitojnë këtë takim pasi ka ende shumë minuta lojë. Tirana nuk pajtohet me barazimin dhe në minutat e fundit të ndeshjes rrit edhe më shumë presionin, por pa rezultat, duke lënë gjithçka të hapur për në ndeshjen e kthimit e cila do të luhet në Fier.

Partizani i tregon të fortin Laçit

Partizani nuk gabon kësaj radhe ndaj Laçit duke e mposhtur me rezultatin e pastër 2-0. Astrit Fazlliu dhe Dorian Bylykbashi, realizuan nga një gol në këtë sfidë, me Partizanin që është me njërën këmbë në gjysmëfinale të kompeticionit. Shpëtim Duro hodhi në fushë një formacion me shumë ndryshime, duke i dhënë mundësinë e aktivizimit Ibrahimit dhe Krasniqit në mbrojtje, Dajës dhe Shabanit në mesfushë, ndërsa në vijën e parë u rreshtuan Bylykbashi dhe Fazlliu. Rasti i parë i rrezikshëm në këtë sfidë u shënua në minutën e 7 në portën e Partizanit, ku fillimisht portieri Alban Hoxha dhe më pas Cuculli i mohuan golin Sozës. Dy minuta më pas Bylykbashi asistoi Fazlliun, që u ndal në momentin e fundit nga Mocka, ndërsa në aksionin pasardhës sulmuesi i të kuqve devijoi drejt rrjetës krosimin e saktë të Cucullit. Goli i shpejtë u dha krahë të kuqve, që ishin më të rrjedhshëm në lojën e tyre. Në të 11-ën Mocka nuk e lejoi Shabanin që të shënonte golin e dytë, që gjithsesi erdhi 5 minuta më pas, pas një kundërsulmi të shpejtë me protagonistë Trashin, Fazlliun, Shabanin dhe Bylykbashin, me 35-vjeçarin që e dërgoni topin pas shpinës së Mockës në një pozicion paksa të prirët. Donimi i Partizani u reflektua me të tjera raste në pjesën e parë, ndërkohë vlen për t’u theksuar se Duro në këtë fraksion u detyrua të bënte dy zëvendësime, pasi Daja dhe Fazlliu nuk mundën ta vijonin lojën për arsye dëmtimi, duke i bërë vend Vatnikajt dhe Myftarajt. Pjesa e dytë nuk pati shumë histori. Tentativa e Bylykbashit në minutën e 47 ishte ndër rastet e vetme për t’u shënuar në këtë fraksion, pasi Laçi nuk pati forca për të reaguar. Me këtë rezultat vetëm një mrekulli në sfidën e kthimit mund ta kualifikojë Laçin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, që mbetet e vetmja mundësi për kurbinasit për të luajtur në kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.

Kukësi mposht pa probleme Vllazninë

Kukësi nuk ndalet as në kupë dhe mund përsëri Vllazninë me rezultatin 2-0. Verilindorët e nisin takimin menjëherë në sulm dhe gjejnë golin që në minutën e 2-të. Pas një krosimi të gjatë nga Smajli, Pero Pejiç kërcen më lart se të gjithë në zonë dhe shënon duke kaluar menjëherë skuadrën e tij në avantazh. Ky gol i shpejtë nuk e trondit Vllazninë që hidhet menjëherë në sulm dhe ka një mundësi mjaft të mirë me Sozën për të barazuar, por topi shkon në goditje këndi. Në momentin më të mirë të shkodranëve, shfaqet sërish Kukësi që fiton një penallti në minutën e 8-të. Goditjen e merr përsipër Lushtaku që nuk gabon dhe dyfishon rezultatin. 2-0 dhe Kukësi fiton qetësinë. Vllaznia nuk dorëzohet dhe hidhet në sulm për të shënuar golin që mund të rihapë sfidën. Shkodranët kanë disa mundësi të mira, por Soza shpërdoron. Kuksianët janë kthyer mbrapa duke u përpjekur të administrojnë rezultatin. Në shifrat 0-2 u mbyll edhe pjesa e parë. Në 45 minutat e dyta Vllaznia duket më agresive duke sulmuar vazhdimisht Kukësin. Shkodranët hidhen menjëherë në sulm dhe përpiqen të shënojnë për të rihapur takimin. Gilaman Lika ka një mundësi mjaft të mirë në minutën e 85-të por është sërish Halilaj që thotë “jo”. Me përpjekjet e shumta të Vllaznisë ndeshja shkon drejt fundit, duke i dhënë Kukësit një mundësi më shumë për të parë afër gjysmëfinalen.

Shyrrle: I stresuar për transferimin te Volfsburgu

Andre Shyrrle ka pranuar se është ndier nën presion se kishte pasur frikë që nuk do të ndodhte në kohë kalimi nga Çelsi te Volfsburgu. Futbollisti gjerman u kthye në Bundesliga për një shumë prej 32 milionë eurosh në ditën e fundit të afatit dimëror. Ai kishte arritur marrëveshje me klubin gjerman shumë më herët, mirëpo negociatat mes klubeve zgjatën deri në momentin e fundit. “Kur po shkonim drejt fundit, gjithçka shkonte zvarrë, gjë që ishte stresuese për mua dhe më bëri nervoz. Tashmë më në fund jam te VfL Volfsburg dhe jam shumë, shumë i lumtur për këtë. Nuk ishte transferimi im i parë, prandaj e dija se gjërat të tilla merrnin më shumë kohë sa pritej, derisa të gjitha palët të pajtoheshin”, – ka deklaruar lojtari gjerman.

Ançeloti fton Odegardin në Champions

Real Madridi ka ftuar Martin Odegardin në ekip për fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampioneve. 16-vjeçari, i cili nënshkroi kontratë tre vjet e gjysmë me Realin, do të bëhet lojtari më i ri që ka luajtur ndonjëherë në garën e famshme evropiane. Norvegjezi raportohet se do të luajë kundër Shalke 04-ës. Odegard shkëlqeu në debutimin e tij për Real Madrid, duke dhënë dy asiste dhe kjo formë e ka shtyrë Karlo Ançelotin që ta ftojë atë në ekip. Rekordin e lojtarit më të ri që ka luajtur ndonjëherë në Ligën e Kampionëve, e mban Celestine Babajaro që në atë kohë kishte 16 vjet e 87 ditë.

Mendez: Vetëm Murinjo mund të zëvendësojë Fergusonin

Sipas agjentit Horge Mendes, në botë ekziston vetëm një Sër Aleks Ferguson dhe që ta zëvendësojë atë duhet që të marrë Murinjon. Mendes është shprehur se Murinjo nuk do të largohet nga klubi londinez Çelsi. “Murinjo është njeriu i duhur për të drejtuar Mançester Junajtidin dhe që të gjejë rrugën e trofeve. Por, në të njëjtën kohë, ai ka vetëm një problem. Është plotësisht e pamundur që të gjesh një njeri sikur Sër Aleks Ferugson, sepse ai është Zoti i futbollit. Ai është gjeni dhe një gjeni të gjendet është e vështirë. Ju keni vetëm një të tillë tani për tani në Angli, ai është Mourinjo”.


Vdes në moshën 80-vjeçare ish-trajneri i Bajernit, Udo Latek

Ish-trajneri legjendar i Bajernit të Munihut dhe Barcelonës, Udo Latek, ka vdekur në moshën 80-vjeçare. Gjermani ishte njëri nga trajnerët më të suksesshëm në histori, duke fituar 14 trofe gjatë karrierës së tij 35-vjeçare. Ai fitoi Kupën Evropiane, Kupën UEFA dhe Ligën e Kampioneve me tri klube të ndryshme. Bosi i Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige, ka shprehur ngushëllimet e tij, duke e quajtur Latekin si “shok të ngushtë”, i cili luajti një rol të rëndësishëm në suksesin e klubit bavarez. “Për shumë dekada ai ka qenë njëri nga personalitetet më të rëndësishëm në botën e futbollit. Ne kemi humbur një njeri të mirë të Bajernit”, – ka thënë Rumenige.

Tevez: Topi i Artë në Itali, i pamundur

Sulmuesi i Juventusit, Karlos Tevez, mendon se është thuajse e pamundur që një lojtar që luan në Serinë A të mund ta fitojë Topin e Artë në një të ardhme të afërt. Argjentinasi, i cili po kalon formë të mirë qëkur nënshkroi për “Zonjën e Vjetër”, thotë se gjasat janë minimale për futbollistët që luajnë në kampionatin italian për ta fituar çmimin prestigjioz për shkak të taktikave defensive. “Fitimi i Topit të Artë është punë e vështirë, sidomos kur kihet parasysh se në Itali, futbolli është ndryshe. Nuk shënohen shumë gola në Serie A, si në vendet tjera”, – ka deklaruar 30-vjeçari.

Barcelona shënjestron Iskon dhe Pogbanë

Barcelona është duke u përgatitur për të transferuar futbollistë të rëndësishëm, menjëherë pasi të përfundojë pezullimi për blerjen e lojtarëve. “Blaugranët” nuk mund të transferojnë lojtarë deri në vitin 2016, mirëpo shefat e klubit vazhdojnë të shënjestrojnë emrat e duhur për të ardhmen. Sipas “Mundo Deportivo”, mesfushori i Juventusit është shënjestra kryesore e “blaugranëve”. Mirëpo, për të siguruar shërbimet e francezit, katalanasit do të përballen me konkurrencë të fortë, pasi atë e kërkojnë të gjitha klubet e pasura evropiane. I dyti në listën e dëshirave të Barçës është mesfushori i Real Madridit, Isko.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency