Trokitje

0
118

Zija Çela

Zija ÇelaIsha njëzet vjeç dhe pyeta: “Kur do ta njoh?”
Në njëzetë e pesë thashë: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë”.
U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë. Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë.
Po mbushja dyzetë kur bëmë udhëtimin e madh. Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme: Njëri prej nesh u tjetërsua aq shumë, sa e humbi toruan edhe tjetri.
Në dyzet e pesë u ndamë.
Pesëdhjetë vjeç i trokita në derë. Doli dikush dhe më tha:
– Ajo po fle. Ke ndonjë porosi?
– Jo, – i thashë, – vetëm desha të di në është mirë.
– Ajo është mirë, – tha.
Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di në është zgjuar nga gjumi dhe a vazhdon të jetë mirë.
Ndoshta kur të bëhem gjashtëdhjetë, do të pyes veten: “A do ta shoh më?”
Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë vjeç do të martohem me një tjetër. Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur pranë një dorë gruaje.

Vdis ore

Dikur, kur veronim në Pogradec, se nëna ime kishte nevojë për klimë të shëndetshme, shkonim çdo mbrëmje shëtisnim gjatë bregut të liqenit të qetë. E herë, herë, hipnim në varkë e ktheheshim vonë pastaj në breg.
Një mbrëmje nëna ime nuk po kandisej për të bërë shëtitjen në varkë. E lutëm të gjithë, por ajo na ktheu në shtëpi më këmbë, aty buzë Toplecit. Rrugës unë grindesha dhe nuk më shuhej dëshira për të lundruar mbi liqen. Kush ma vinte veshin mua? Dhe në kulmin e dëshpërimit përdora të gjitha armët e mia.
-Kështu me ty – i them nënës – më mirë të vdes.
Ajo m’u përgjigj qetësisht
-Vdis ore!
Ç’ndjeva unë atëherë!
Nga të gjitha fjalët e rënda që kam dëgjuar gjer më sot në botë, asnjë nuk më është dukur më e hidhur. Sa të tjera dëgjova dhe harrova, por këto s’ka gjë që të m’i shlyejë nga kujtesa. Nuk qava. Dhembja qe e madhe. Eca bashkë me grupin e gëzuar duke dëgjuar shakatë e shëtitjes së mbrëmjes. Por as shalqini i madh që po ftohej në ujët e Toplecit, as macja e vogël e shtëpisë të cilën mund ta hidhja nga dritarja poshtë në ujin e ftohtë, as grepi i ri që kisha blerë plot qejf atë mbasdrekë, nuk ma zhdukim atë helm.
Kur rashë të flija, ndërsa drita e hënës mbi mure, më shihte me fytyrën e vet të zbehtë, dhe mërmërima e sylinglorëve të Toplecit që rridhte vazhdimisht kërkonte të më shuante çdo vizion të ditës që kaloi, mendoja tek revolja në Tiranë, atje tek dollapi i rrobave, ose tek një mënyrë tjetër vdekje, p.sh të mbyturit. Por mbaj mend se mendoja që ishte e pamundur të mbytesha në liqen, sepse duke mos ditur not nuk mund të shkoja aq thellë sa të mbytesha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency