Ndodhi në mars

0
132

Meri Lalaj

meri-lalaj-foto-302Atë të diel të parë të marsit, Shqipëria mbarë rrinte mendjengrehur teksa ndiqte lajmet në televizor, duke parë varrezat e atij qyteti të vogël në juglindje të vendit. Pasi patën hedhur në erë (s’dihej se prej kujt) me një sasi shumë të madhe tritoli depon e ujit ndodhi hataja, krejt rezerva ujore e depos u zbraz nëpër varreza, paskëtaj ia behu një shi i llahtarshëm që gërreu dheun e varreve. Në të vërtetë nuk ndikoi thjesht uji, por toka në varreza luajti nga vendi, u greminua e të vdekurit dolën përsipër. Dikush tha se ata nuk po i duronin dot më bëmat e të gjallëve. Pranverë, muaj i marsit dhe moti mos më keq, ftoma e dimrit u kthye nga e para, po binte dëborë me fjolla të mëdha. Bajamet dhe kumbullat e porsalulëzuara i rrëzuan petalet përtokë.
Pamja ishte e tmerrshme, varre të përmbysur bërë lesheli dhe njerëz, që ecnin përmes tyre duke u kalamendur me çadra të zeza në duar, nëpër fërfëllizën e dëborës së bardhë duke kërkuar pa pra varret e të afërmve të tyre. Njerëzve u dridhej buza e u kërcisnin dhëmbët prej të ftohtit dhe llahtarës, po për çudi nga poshtë dheut prej humbellave të varreve dilte një avull disi i vakët, posi firomë e shpirtrave të atyre të gjorëve… I gjithë qyteti jetonte me tërë këtë lemeri të paparë ndonjëherë. Dihet se varrimi kryhet brenda pak orësh a një ore të vetme, ndërsa ky zhvarrim i çrregullt po vazhdonte ditë e ditë me radhë. Njerëzia shkelnin nëpër baltën e trashë ngjitëse të varrezave, u zhyteshin çizmet deri tek gjunjët mezi çapiteshin, ngrinin njërën këmbë për të hedhur hapin tjetër dhe ecnin duke u lëkundur si të dehur.
Të gjithë njerëzit e qytetit, pa përjashtim, ishin bërë si të përhënur nuk flinin dot netëve, jo vetëm ata që kishin varre të të afërmve të dëmtuar, por edhe gjithë të tjerët. Rrëfeheshin histori nga më të çuditshmet, histori, që patën ndodhur nga kohërat që nuk mbahen mend, pastaj në Luftën e Parë a të Dytën apo në vitet e diktaturës. E në çdo shtëpi ditë e natë mbaheshin ndezur kandilat dhe qirinjtë për të ndritur shpirtrat e atyre të ndjerëve.
Siç po pëshpëritnin njerëzia lart e poshtë, kishte ndodhur edhe një e pangjarë tjetër si nëpër libra. Një nënë, Myzejeni, që e pat varrosur të bijën para pesë vitesh, pasi e hapën varrin dhe nxorën arkëmortin, kur ajo tërhoqi mbulesën e mëndafshtë, me të cilën pati mbështjellë të vdekurën, mbulesa ishte e ronitur copë e çikë prej lagështisë dhe krimbave. Pasi e zbuluan, e ëma u tmerrua dhe mbeti pa ndjenja sepse e bija, Adela, nuk ishte tretur fare, e gjeti po ashtu siç e pat varrosur me buzën paksa shtrembëruar nga një si tallje e lehtë.
Nënën e gjorë e shtruan në gjendje të rëndë në klinikën e kardiologjisë, ndërsa me vajzën e vdekur dhe të patretur u morën të tjerët. Sa herë kemi dëgjuar të thonë: “Nuk e treti dheri!” e ndërkaq kemi menduar se ka qenë shprehje e krijuar kotnasikoti, nga ndonjë mendjeshkrepje e dikujt. Jo, jo nuk paskësh qenë fare e vërtetë. Kur u hap fjala dhe njerëzia mësuan se e vdekura u gjet e patretur ia filluan nga hamendësimet dhe vramendjet përse e përse… Thanë se dikush ngriti dhe një këngë. Siç u mor vesh më vonë, këngën e ngriti, Beni, i dashuri i saj i dikurshëm dhe tani po e këndonte natën rrugëve me shokët.
Disa filluan të grinden sepse u ishin ngatërruar jo vetëm varret, po, kur gjenin kafkën, kockat e gjymtyrëve të poshtme kishin rrëshqitur tek varri fqinjë, apo kur gjenin kockat e krahëve nuk gjenin dot ato të këmbëve.
Kështu u ngatërruan jo vetëm myslimanët me të krishterët, jo vetëm burrat me gratë dikur të panjohur me njëri tjetrin, por edhe njerëz me pikëpamje të ndryshme politike. Më e keqja ishte se nuk po gjendeshin eshtrat e disa komunistëve, të cilët dikur patën qenë shumë të përkushtuar ndaj detyrës pikërisht në atë qytet. Bëhej fjalë për një hetues, që pat torturuar sa e sa të burgosur, një operativ, që pat spiunuar poetët dhe artistët e qytetit si edhe nja dy kryetarë lagjesh shumë kokëtrashë. Pëshpëritej se të gjithë këta përfituan nga rrëmuja dhe katrahura e madhe që ndodhi dhe ashtu të vdekur ia mbathën drejt Amerikës, atje përfituan menjëherë strehimin politik të ëndërruar aq shumë që për së gjalli.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency