Biletë/ Një varkë për Noen !

0
148

Artan Fuga

Artan_FugaA i lamë kodrat dhe malet dhe u zhytëm në këneta???
A ndërtuam qytete me pallate me shumë kate, por pa kanalizime???
A i lamë të braktisura anët e lumenjve dhe i harruam hidrovorët???
A ndërtuam në zona me rreziqe përmbytjesh???
A i shkatërruam pyjet dhe shkurret që na mbronin nga erozioni???
A i lamë fushat djerrë pa bimësi dhe u bënë si pista avionësh ku rrjedh uji si në pasqyrë???
Çfarë duam tani???
Pika që s’na bie, neglizhojmë ligje dhe rregulla që në mijëra vite paraardhësit tanë, çfarëdo që ishin, etruskë, ilirë, epirotë, romakë, ostrogotë, turq, çifutë a të përzier, i respektonin deri në një. Nuk kishin frikë pushtetin, kishin frikë Zotin. Tani i ankohemi Natyrës, Zotit, Dreqit me të Birin???
Jo ore, jo, kataklizmoja është ndëshkim për veset tona. Por gjynah për të pafajshmit, thuaj, që rrezikojnë të mbyten, t’u tretet në ujë shtëpi e katandi, për ata burra dhe gra që presin solidaritetin e të gjithë shoqërisë, mobilizimin e të gjitha forcave materiale dhe njerëzore të shtetit dhe shoqërisë për t’iu gjendur në këtë hall të madh. Ka vend për emergjencë kombëtare, alarm kombëtar, siguria kombëtare është në rrezik nga dalja prej duarve e forcave të natyrës.
Tërmeti, shiu, përmbytjet, era, furtuna nuk janë thjesht dukuri natyrore, sepse pasojat e tyre zbuten ose përforcohen nga fakti se sa shoqëria dhe njeriu ka ditur të mbrohet prej tyre. Duhet ndihmë dhe pasi të kalojë gjendja, një reflektim, sepse përndryshe hajde marrim varkën e Noes për të shpëtuar, të hipë kush të mundet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency