Zgjedhjet vendore / Rama premton: Komuniteti rom do të përfaqësohet në këshillat bashkiakë, përpjekjet tuaja janë shembull

0
127

edi rama ne korce

Erneta Shevroja

“Të luftosh nga pozita juaj, tërësisht e disavantazhuar në të gjitha aspektet, për ta shembur këtë mur, është një shembull i admirueshëm dhe frymëzues”

Politika në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore ka kthyer sytë edhe nga komunitetet, të vlerësuara deri tani si të diskriminuara. Komuniteti egjiptian dhe ai rom ka marrë premtimin se do të kenë përfaqësitë e tyre, së paku në nivel vendor. Ky është premtimi që ka dhënë dje Kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar se në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, e majta do të kandidojë për këshillat bashkiakë emra që vijnë nga radhët e këtyre komuniteteve. “Ju siguroj se këtë shembull të Korçës do ta shtrijmë edhe në bashkitë e tjera, duke kërkuar nga të gjithë që me përgjegjësi dhe me ndershmëri të përzgjedhin përfaqësues të këtyre komuniteteve për të pasur një zë në këta këshilla që në zgjedhjet e ardhshme marrin një peshë të re shumë më të madhe”, – tha Kryeministri Rama nga Korça, gjatë përurimit të Qendrës Ndërkulturore të Komuniteteve.

 

Hapja e qendrës

Të përfshirit e personave nga këto komunitete në politikë është një hap i vështirë për shkak të paragjykimeve që ka pjesa tjetër e shoqërisë. Kështu ka vlerësuar kreu i qeverisë Edi Rama gjatë përurimit të Qendrës Ndërkulturore të Komuniteteve. “Përpjekja juaj është një shembull frymëzues për ne, sepse është një përpjekje e vështirë, në kushte shumë të vështira, dhe përballë një muri të lartë paragjykimesh dhe indiference që shpesh fatkeqësisht rrezaton prej injorancës apo inercisë të një qasjeje të vjetër dhe racizëm”, – tha Kryeministri. “Të luftosh nga pozita juaj, tërësisht e disavantazhuar në të gjitha aspektet, për ta shembur këtë mur, është një shembull i admirueshëm dhe frymëzues për ne që kemi shumë probleme për të trajtuar, por që pa dyshim jemi në një pozicion shumë më të favorizuar sesa ju”, – vlerësoi shefi i qeverisë. Në Korçë, Kryeministri bëri të ditur se një person nga ky komunitet është kandidat për anëtar të Këshillit Bashkiak. “Ky shembull, – theksoi Rama, – duhet të ndiqet edhe nga qytetet e tjera në këto zgjedhje. Ritheksoj se shembulli i Bashkisë Korçë duke adresuar me dinjitet, duke e kuptuar si çështje dinjiteti shoqëror dhe njerëzor, përbën shembull rrezatues për ne si qeveri. Shembulli i parë i integrimit në Këshillin Bashkiak i një anëtari nga këto komunitete është pjesë e shembullit tërësor që nga Korça i jepet gjithë Shqipërisë”, – tha Kryeministri, duke premtuar se në të gjithë këshillat bashkiakë këto komunitete do të kenë përfaqësuesin e tyre. “Ju siguroj se këtë shembull të Korçës do ta shtrijmë edhe në bashkitë e tjera, duke kërkuar nga të gjithë që me përgjegjësi dhe me ndershmëri të përzgjedhin përfaqësues të këtyre komuniteteve për të pasur një zë në këta këshilla që në zgjedhjet e ardhshme marrin një peshë të re shumë më të madhe”, – tha Rama.

Sipas Kryeministrit, përurimi i qendrës komunitare është një mesazh i vullnetit që kjo qeveri ka për të trajtuar me seriozitet dhe dinjitet problematikën e këtij komuniteti. Rama gjithashtu theksoi se ka besimin që me anë të zgjidhjeve cilësore, një zinxhir veprash si kjo e sotmja mund të sjellin një ndryshim thelbësor në përpjekjen për integrimin me dinjitet të komuniteteve.

 

 

 

 

Shkurt/ Përurohet zyra për shërbim policor, Tahiri: Është rritur besimi ndaj uniformave blu

 

Në Korçë, Kryeministri Rama përuroi edhe zyrën e shërbimit unik policor për qytetarët. Ndërsa Kryeministri nuk dha asnjë koment, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, foli për besimin që qytetarët kanë ndaj forcave policore. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, sot qytetarët kanë besim më të madh ndaj uniformave blu.

“Vetëm gjatë vitit 2014 aksesi i qytetarëve tek Policia e Shtetit është dyfishuar. Nëse në vitin 2013 ishin rreth 3 mijë qytetarë që njoftonin policinë për problemet e tyre, gjatë vitit 2014 janë mbi 5 mijë. Kjo gjë tregon besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit, por edhe lehtësi për të aksesuar shërbimin e policisë”, – tha Tahiri. Në qytetin juglindor, Kryeministri shoqërohej nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministrat Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri.

 

 

Vizitë zyrtare

Bushati dhe Gjiknuri: Inkurajojmë Qipron për një qasje më fleksibël ndaj Kosovës

 

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, kryesuan një delegacion, me pjesëmarrje nga të dyja institucionet, në një vizitë zyrtare në Republikën e Qipros. Gjatë kësaj vizite, ministrat Bushati dhe Gjiknuri realizuan një axhendë të pasur takimesh me autoritetet më të larta shtetërore të Republikës së Qipros. Ata zhvilluan takime me Presidentin e Republikës Nikos Anastasiades, me Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve Janakis Omiru, me homologët e tyre, ministrin e Punëve të Jashtme Janis Kasulides dhe ministrin e Energjisë, Tregtisë, Industrisë dhe Turizmit Jorgos Lakotripis, si dhe me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e të Agjencisë së Nxitjes së Investimeve të Qipros. Në këto takime theksi u vendos tek marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, por edhe nevojë për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare. Palët u shprehën se është e nevojshme që potencialet e të dyja vendeve të aktivizohen e angazhohen më tej për të zgjeruar bashkëpunimin. Për një bashkëpunim edhe më të ngushtë u shprehën zyrtarët edhe në fushën politike. Në takimin me homologun e tij qipriot, Ministri Bushati vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Qipro për procesin e integrimit evropian të vendit tonë dhe mori sigurimet se kjo mbështetje do të vijojë edhe për fillimin e procesit të negociatave të anëtarësimit. Në këtë kontekst, duke vlerësuar përvojën e Qipros në anëtarësimin në BE, si dhe në respekt të Memorandumit të Bashkëpunimit midis dy vendeve për çështje të integrimit, Ministri Bushati shprehu interesin e palës shqiptare për realizimin e konsultimeve dypalëshe. Gjatë konferencës për shtyp me homologun Kasulides, Ministri Bushati u shpreh se Shqipëria “inkurajon Qipron për një qasje më fleksibël në raport me Kosovën”. Në kuadër të këtij takim, Ministrat Bushati dhe Kasulides nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve. Në takimet me Presidentin e Republikës, Anastasiades dhe Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve, Omirus, u theksua angazhimi i përbashkët për zgjerimin e bazës juridike të bashkëpunimit dypalësh, nëpërmjet përshpejtimit të punës për marrëveshjet në proces, propozimit të marrëveshjeve të reja dhe angazhimit të të dyja palëve për zbatimin në praktikë të marrëveshjeve tashmë të nënshkruara. Me rëndësi u vlerësua intensifikimi i bashkëpunimit edhe në kuadrin shumëpalësh, në kuadër të OKB-së, Bashkimit për Mesdheun etj. Ministrat shqiptarë theksuan se Shqipëria është angazhuar të luajë një rol aktiv, si vend model për bashkëjetesën ndërfetare, e rëndësishme kjo veçanërisht në kushtet aktuale të krizave e kërcënimeve rajonale e globale. “Ne po inkurajojmë kompanitë e huaja që të investojnë duke shërbyer kështu edhe në forcimin e sigurisë energjetike”, – u shpreh Gjiknuri. Duke u ndalur tek projekti i gazsjellësit Transadriatik, Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe diversifikimit të burimeve natyrore duke shfrytëzuar mundësinë që krijon ky projekt.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency