Zbuloi territoret/ Shkencëtari francez, si krijoi hartën e Shqipërisë

0
161

Përgatiti: Violeta Murati

berat 1848, Eduar LirNjë autoritet real, shkrimtar që ka studiuar me durim e ndërgjegje Turqinë e vjetër evropiane, duke u ruajtur deri më sot vepra e tij si vlerë e madhe. Kjo është e dhëna për francezin Ami Boue që na jep Mit’hat Frashëri në librin për “Udhëtarët e huaj”, në Shqipëri deri në fund të shek. XIX. Mori gradën “Doktor”, por me prirje për shkencat gjeologjike, Ami Boue i ka kushtuar vite të shumta mbledhjes së vrojtimeve të tij në formë harte, libri dhe broshure.

I këtij rasti është edhe udhëtimi në Shqipëri në vitin 1836. Për herë të parë, kur njohja e vendit tonë ishte shumë e pakët, kur ata që e kishin studiuar e shëtitur ishin po ashtu të pakët, kur mungonte një përshkrim besnik i vendit, Ami Boue, sipas Frashërit, na jep një hartë të tillë, si një shërbim i madh përmes shënimeve topografike dhe gjeografike të tij.

Ami Boue një shkrimtar që ka studiues me durim e ndërgjegje Turqinë e vjetër evropiane dhe vepra e tij është ruajtur deri më sot si një vlerë e madhe. Për këtë arsye, Frashëri me entuziazmin për këtë shkencëtar francez, thotë se ky kontribut “e ka bërë këtë pjesë të Sinisë Ballkanike të njihet, të mos jetë më një mister”. Vëllimi i parë i veprës së tij i është kushtuar gjeografisë, gjeologjisë dhe historisë natyrore. Shqipëria, sipas Frashërit, fillon me përshkrimin e jugut të Janinës, duke kaluar më pas në veri, në lindje, në Shkodër, në Kosovë dhe në Manastir. Kujdesi i autorit në këto faqe është të na japë një vizatim të lumenjve dhe të maleve të Shqipërisë, me besnikëri, që disa vite më vonë shënon Frashëri do ta imitonte gjeografi Elise Reclus, sado ky i fundit nuk i kishte parë kurrë vendet “që u jepte me aq sinqeritet dhe dashuri fotografinë deskriptive”. Duhet shënuar, thotë Frashëri, se Ami Boue përshkrimin e disa viseve të Shqipërisë lindore si Mitrovicë, Gjilan… i hedh në kapitull të Moesisë Superiore, sikundër ishte Kërçova etj. I numëron vendet që i takojnë Maqedonisë. Më poshtë japim të plotë shënimin se çfarë vërejti gjatë udhëtimit Ami Boue nëpër Shqipëri, duke krijuar një hartë virtuale pas këtij udhëtimi…

 ***

Recueil d’itineraires fans la Turqie d’Europe, detail geographiques, topographiques et statistiques sur cet empire; prej Ami Boue, Vjenë 1854, dy volume

 Këtë autor e kemi takuar edhe më parë në librin “La Turquie d’Europe”, botuar më 1840. Në veprën e sotme na jep një përmbledhje të begaçme itineraresh, në mes të cilëve pjesa, që i përket Shqipërisë vetë nga faqja 164 gjer tek ajo 337 të vëllimit të parë dhe mbush faqet 1-173 në vëllimin e dytë. Përshkrimi i parë nis me Ipekun (Pejën), të cilit nuk ia cakton dot as popullsinë, as edhe racën e kësaj popullsie. Del shtëtit rrethinat, ngjitet në male: Rugovën e çmon 1.200 frymësh, shqiptarë myslimanë prej fisit Kelmend: pak komë më parë ishin katolikë. Pashallëku i Ipekut gjer ca kohë më parë ishte hereditar; tani bën pjesë prej Dukagjinit, që pushton krahinat e Ipekut, Jakovës, Hasit dhe Kerubit. Kur vete të shohë manastirin e Deçanit ka kujdes të na thotë se të tre katundet atje afër, Straç, Lubosha dhe Deçani, janë banuar me shqiptarë; vetë manastiri në atë kohë (1836) ka pesë ose gjashtë kallogerë.

Prishtinës i jep shtatë gjermë nëntë mijë banorë, midis të cilëve një pjesë serbe. Sa për vendin ndërmjet këtij qyteti dhe Shkupit, paksa qenë mbuluar me pyll, por, më 1806, i vunë zjarrin për të shpëtuar nga hajdutët, që kishin marrë një famë të madhe në Kaçanik; u doq edhe pylli nga ana e Vranjës dhe Prizrenit e Kalkandelenit. Shkupit i gjen të paktën 10.000 vetë, gjysma e të cilëve myslimane dhe gjysma tjetër bullgarë;në qytet, që kur se e dogji më 1689 Piçolomini, s’ka mbetur ndonjë send i vjetër interesant.

Itinerari tjetër vetë nga Egri Palanka në Durrës, Shkodër dhe Vlorë; Manastirin e përshkron si një qytet të fëlliqur, me rrugë të ngushta dhe pirgje plehu mbi zallin e Drahorit.

Ohri, Struga, Dibra, Elbasani, Kavaja, Durrësi dhe gjithë udhët e ndara prej vijave që bashkojnë këta qytete, udhë të drejtuara drejt pikave të tjera të Shqipërisë. Për fat të keq autor jep një nomenklaturë tepër të thatë, thjeshtë teknike, në të cilën vendin e parë e zënë shkalla e lartësisë së vendit, forma dhe drejtimi i luginës dhe maleve, pa ndonjë vërejtje për bukurinë e vendit; edhe popullsinë, shifrat që jep janë marrë nga libra e Joseph Muller; Albanien, Rumelien und die osterreichisch montenegrinische Granze.

Udha nga Stambolli e në Shkodër shkon prej Kumanove, Kallkandeleni, Prizreni, Kallkandelenin e gjen si një kopsht të madh, prej të cilit dalin majat e minareve, kaq janë të shumtë manat, sa për Prizrenin i gjen një lëvizje tregtare të jashtëzakonshme. Udha nga Prizreni në Shkodrë i jep rastin autorit, të flasë mbi karakterin e popullsisë, të cilën, mbas Mullerit, e çmon 75.00 frymë, për të tërë krahinën e Prizrenit, 49.000 myslimane, 29.000 të krishterë, këta të fundit gjysëm për gjysmë ortodoksë dhe katolikë; hanxhinjtë gjithmonë përpiqen ta rrëfejnë vendin plot me hajdutë dhe bëjnë sikur kanë frikë, sikur ndruhen syresh, aq sa u shtrënguan edhe udhëtarët tanë të ruajnë me radhë tërë natën; por, gjithë këto manovra janë politike: për të trembur qeverinë tyrke. Ami Boue shton se në Shqipëri të Sipërme s’dihet hajdutëri dhe vjedhje dhe njerëzit kanë vetija të mira; shumë shqiptarë që piqnin në udhë, i jipnin kaun, portokalle ose të tjera pemë. Shumë prej këtyre malësorëve, që udhëtari takon në rrugë, s’kanë të linja, as këmishë, as edhe çorape, vetëm petka të leshta, të trasha dhe të ashpra. Padyshim autori ynë s’harron të na përshkruajë me ngjyra piktoreskedhe të zeza hanet ku shtrëngohet të shkojë natën ose makar vetëm të çlodhet

Për të arritur në Shkodër-qëllimi i udhëtimit- shkon nga Vau i Spaçit Qytetin dhe, më tepër, mëhallën Tabak e gjen të rrënuar prej ngjarjeve të motit 1835 dhe hani afër pazarit, ku shiten peshq, ishte një ndërtesë e qelbur. Për fat të mirë udhëtarët i mori një italian dhe i shpuri në një hotel që e mbante një zonjë dalmate. Kur hyn në Shkodër dhe flet për Kirin, na kujton se populli beson që në Drivasto (Drisht) janë fshehur thesare.

Një itinerar tjetër na bën të shoqërojmë shkrimtarin tonë nga Stambolli në Prizren, duke shkuar prej Prishtine. Në këtë udhëtim, pika e parë në të cilën shkel në tokën shqiptare është Vranja, që e rrëfen si një qytet me tetë mijë vetë, banuar prej bullgarë dhe shqiptarë myslimanë. Pashallëku i Vranjës, që është një nga më të vegjlit pashallëkë të Tyrqisë, është banuar prej bullgarë, serbë dhe shqiptarë numuri i këtyre të fundit është në mes 18 mijë dhe 20.000 frymëve. Nga Vranja në Gjilan autori shënon katundet shqiptarë; për këtë qytet të fundit thotë se ka 1500 gjermë 2000 frymë, më të shumtët shqitparë: një shumicë prej këtyre shqiptarëve qenë dëbuar në Thrakë dhe në Anadoll nga shkaku se nuk i bindeshin Sulltan Mahmudit.

Nga Gjilani në Prishtinë shkon prej Janjevës, ku duken mbeturinat e mineve (minierave) të hekurit që do të kenë qenë punuar motit. Në katundin Çernalevë autori bie sëmurë prej etheve dhe shtrëngohet të qellet dy ditë në kasolle të një katundari i cili, sadoqë muhamedan, e pret në shtëpi ku ishin e shoqja dhe çupat e tij.

Udhëtimi që gjejmë në krye të këtij vëllimi të dytë është nga Shkodra në Janinë dhe Nartë. Pasi del nga qyteti i madh mbi liqen, autori këshillon të kthejë sytë njeriu prapa dhe të admirojë pamjen e bukur që formojnë malet e lartë, atje në fund, si edhe kështjella që duket fort ma e këndshme kur e sheh njeriu matanë lisave dhe pemëve.

Në Bushat gjen një zonjë myslimane që po vete në Shkodër: ka hipur në kalë, veshur me një manto (ferexhe) të madhe, ngjyrë manushaqeje me qendisje të kuqe; përpara ecte një shërbëtor që mbante në dorë brenda në një djep si tabut të vogël- foshnjën e mbuluar me një stofë të mëndafshtë në ngjyrë manushaqe; prapa zonjës vente shërbëtorja hipur mbi kalë dhe një shërbëtor i dytë në këmbë.

Zadrima i dëftehet si një fushë pjellore dhe Lezhi si një qytet mizerabël: mezi ka gjetur një vend për të fjetur në një dyqan, se hani ishte plot udhëtare, ushtarë ose oficerë: dyqani ku bujti ishte pranë një kasapi: era ishte qelbur nga copë mishrash të vjetër dhe tërë ditën dhentë që do të thereshin në të nesërmen blegërinin. Pas Lezhit vendi vazhdon prapë i varfër dhe i shkretë: “Dora shkretonjëse e osmanlinjve ka shkuar mbi këtë vend dhe popullsia është hequr në male, ku çdo send është plot jetë dhe vleftë, kurse këtu mbretëron vetëm vdekja në mes të varreve dhe të prishurinave”

Në Krujë autori ynë na kujton akoma shkretimet e motit 1832 dhe na thotë se qyteti s’ka tani më tepër se 80 shtëpi. Sa për Tiranën na e përshkron të fshehur brenda në gjethet e drurëve dhe si të ndarë në dy pjesë prej një livadhi përpara konakut të ajanit të vendit; [ra[a këtij livadhi është çarshija, pazari i bërë prej një ose dy rrugëve mjaft të gjera në të dy anët të cilave janë radhitur dyqanet. Një kullë sahati, me katër kinde dhe një xhami e rrethuar me plepa heqin vërejtjen në këtë qytet. Konaku ose banesa e ajanit është një shtëpi e madhe me një kat, e rrethuar me një oborr të gjerë; në jugë është një shesh i rrethuar me qiparisë (namazgjahu). Qyteti do të ketë 2000 shtëpi dhe është i destinuar, shpejt a vonë, të bëhet me rëndësi nga pozita e bukur e tij, toka e begatë, ullishtat dhe prej të qënit mbi udhën e drumtarëve dhe të plaçkave.

Nga Krraba udhëtari vete në Elbasan, që e çmon me 2000 shtëpi, qytet i rrehtuar me mure të larta, me kulla të mëdha, mbeturinat e të cilave, formojnë shtëpinë e ajanit. Kur arrin autori, në Elbasan po ushtroheshin rekrutë shqiptarë, për të cilët ishte bërë edhe një kazermë e madhe. Nuk na rrëfen gjë tjatër për këtë qytet dhe na merr me vete të na shpjerë në Berat, duke shkuar në va Shkumbin dhe Devollin.

Berati s’duket edhe kur qaset njeriu fare afër kështjellës: më pas sheh një varrezë të madhe, ku shihen disa varre me kube dhe kolona. Qyteti vetë, me shtëpitë e radhitura mbi shkëmbin e bardhë, me kështjellën, urën me shtatë këmbëza, mëhalla Goricë, ka një pamje krejt të veçantë. Kështjella është ndarë më dy pjesë: njëra formon një mëhallë myslimane dhe tjetra konakun e ajanit dhe kazermën. Konaku vetë është i gjerë dhe dëften kohën e shkëlqyer të Ibrahim Pashës, sadoqë tani atje sundon një satrap i vogël tyrk, i cili e ka lënë pallatin të prishet e të shkatërrohet. Edhe në Berat udhëtarët tanë gjetën rekrutë që po stërviteshin, muzikë, ushtrime militare.

Të krishterët e Beratit, si tregtarë të mirë që janë, vanë dhe vizituan të huajtë për të mësuar të ratë, ç’bëhet në botë. Mendimi i tyre ishte se qyteti që nga koha e Ali pashës kishte rënë fort shumë: në mëhallë të krishterëve kishte një tok shtëpi të rrëzuara dhe banesat matanë lumit, mbarë urës, ishin gërmadha. Autori pashallëkun e Beratit e kufizon me Myzeqenë, Vlorën, Kurveleshin, Mallakastrën, Përmetin, Tomoricën, Shpatin; popullsinë ia çmon 70 gjermë 86000 frymë dhe pandeh – nuk e dijmë pse- që në mes të këtij numuri ka edhe ca bullgarë. Nga ky qytet udhëtari vete në Këlcyrë, me anë të Bubësit. Këlcyrën e gjen si një fshat të madh, me shtëpi të largta njëra prej tjetrës, me penxhere të vogla e të pakta, të volitshme për luftë; në jugë, disa qindra metra mbi lumin dhe në një pozitë që dominon grykën, duket një kala. Shqiptarët e Këlcyrës e shikonin me dyshim dhe shihesh se kishin frikë mos spiunoj katundin e tyre. Në Përmet ka fatin të bujë në një shtëpi ku kishin ndenjur edhe shumë englezë të ardhur nga Shtatë Nisitë. I zoti i shtëpisë i rrëfen shumë anekdota nga koha e Ali Pashës, midis të tjerave edhe qysh tirani i Janinës kishte mbytur me ujë e në baltë një bej të këtyre viseve. Qytetin e vogël buzë Vjosës e shikonin me 3000 frymë, ortodoksë, myslimanë dhe katolikë: për koloninë e vogël katolike ishte edhe një prift katolik nga Venediku.

Si në çdo itinerar të tij, autori jep detaje me kujdes mbi gjeologjinë dhe florën e vendit, na rrëfen natyrën e tokës, të gurëve, shkëmbinjve, farën e bimëve, barishteve dhe drurëve.

Vëren edhe se, që nga koha e udhëtimit që ka bërë Pouqueville-i, shumë pika, katunde, të këtyre vendeve janë ndërruar, të rrëzuar dhe shkretuar prej qeverisë tyrke nga shkaku i hajdutërisë: autori tekdo kujdesohet të na kujtojë karakterin pak si vjedhës dhe vrasës të toskëve si dhe të metën e hanxhinjve për të rrjepur udhëtarët, për të kërkuar çmime të larta dhe bakshish të rëndë; thotë se këto të meta takohen duke iu afruar njeriut të Greqisë kurse vendet e banuara me sllavë janë më të ndershëm dhe më të drejtë.

Janina mund të ketë 22 gjermë 25.000 njerëz përbërë si edhe në kohë të Pouqueville-it, prej shqiptarësh grekë ose vlleh, shqiptarësh myslimanë, çifutë dhe një pakicë katolikë; shqiptarët grekë formojnë shumicën, por janë nën zgjedhën e myslimanëve, në mes të artizanëve gjenden do alemanë (gjermanë) dhe italianë. Shatoja, banesa e vjetër e Ali Pashës, është si një gërmadhë; rrethorja e parë, ka disa shtëpi mizerabël: në rrethore të dytë duket një xhami, shtëpia e vezirit të sotëm dhe varri shumë i thjeshtë i Ali Pashës, tekdo gjetkë njeriu nuk sheh veçse prishurin dhe prej harremit të Ali Pashës; prej pallatit të tij me pesë kate, tani kanë mbetur vetëm themelet.

Në konak të vezirit të sotëm gjendet, midis të tjerave, dhe salla e audiencës, e Ali Pashës, me tavan të arosur. Veziri i tanishëm, Emin Pasha, ka shtuar disa godina, sidomos një qoshk buzë liqenit. Afër këtij qoshku rrëfehet një shkëmb mbi të cilin një grek, sekretar në kohë të Reshid Pashës, çau kryet duke dashur të mbytet në liqen: shkaku i dëshprimit të tij ishte se, duke shkruar një akt me rëndësi, me urdhrin e qeverisë, kishte dashur të rrëfejë kufijtë e Greqisë gjermë lart Janinës “gjë, që, thotë autori, dëften patriotizmin dhe karakterin grek”.

Kur shkon autori nga Janina (1837. L.S) veziri Nuri pashaj kishte ardhur në vend të Emin pashës: ky i fundit kishte qenë njeri aktiv, vizitonte vendin, e qetësonte duke dënuar edhe munduar të liqtë; kurse Nuri Pashaj është një njeri që i pëlqen të kënduarit, nuk del nga konaku dhe kërkon të sundojë vendin duke u dhënë ofiqe dhe nderime tyreve që turbullonin situatën, kështu që, edhe ata që kishin vjedhur dhe plaçkitur Maqedoninë, si Tafil Buzi, tani rronin me luks pranë pashait.

Nga Janina libri na jep një itinerar për në Selanik, duke shkruar nga Mecova dhe Thesalia. Pastaj, në një udhëtim nga Larisa në Prizren e në Prishtinë, nëpërmjet Kosturit, Ohrit, Kërçovës, dhe Sharrit.

Një itinerar tjetër na shpie nga Shkodra ose më mirë nga Vau i Spaçit, në Sarajevë, duke shkuar prej Gjakovës dhe Ipekut.

Në fund të udhëtimeve, që i përkasin vendeve të Shqipërisë, gjejmë atë që vetë nga Jeni Pazari në Shkodër, duke shkruar prej Gusinës dhe Plavës, vise në të cilat popullsinë e shikon si thjesht ose të paktën si një shumicë të madhe shqiptarësh.

Nuk do ta ndjekim më larg Ami Bouen në këtë vepër; autori ka bërë udhëtimet e tij drejt motit 1836, po, meqenëse libra është botuar pothuaj njëzet vjet më vonë, kur e ka dhënë në shtyp, ka përdorur edhe informatat që ka gjetur në veprat e Mullerit dhe Hahnit, të cilët i zë në gojë dhe i citon në çdo rast.

Në një kohë që Shqipëria njihesh fort pak, kur ata që e kishin shëtitur dhe studiuar s’ishin të shumtë, kur mungonte një përshkrim besnik i vendit dhe një hartë e tillë, autori ynë ka bërë një shërbim fort të madh në shënimet topografike dhe gjeografike të tij, e ka bërë këtë pjesë të Sinisë Ballkanike të njihet, të mos jetë më një mister.

 

 Kush ishte Ami Boue?

Një autoritet real, shkrimtar që ka studiuar me durim e ndërgjegje Turqinë e vjetër evropiane, duke u ruajtur deri më sot vepra e tij si vlerë e madhe. Kjo është e dhëna për francezin Ami Boue që na jep Mit’hat Frashëri në librin për “Udhëtarët e huaj”, në Shqipëri deri në fund të shek. XIX. Mori gradën “Doktor”, por me prirje për shkencat gjeologjike, Ami Boue i ka kushtuar vite të shumta mbledhjes së vrojtimeve të tij në formë harte, libri dhe broshure. E këtij rasti është edhe udhëtimi në Shqipëri në vitin 1836. Për herë të parë kur njohja e vendit tonë ishte shumë e pakët, kur ata që e kishin studiuar e shëtitur ishin po ashtu të pakët, kur mungonte një përshkrim besnik i vendit, Ami Boue sipas Frashërit na jep një hartë të tillë, si një shërbim i madh përmes shënimeve topografike dhe gjeografike të tij

Ami Boue një shkrimtar që ka studiues me durim e ndërgjegje Tyrqinë e vjetër evropiane dhe vepra e tij është ruajtur deri më sot si një vlerë e madhe. Për këtë arsye, Frashëri me entuziasmin për këtë shkencëtar francez, thotë se ky kontribut “e ka bërë këtë pjesë të Sinisë Ballkanike të njihet, të mos jetë më një mister”.

Prej një familje franceze, Ami Boue, lindi në vitin 1794, në Hamburg, duke u shkolluar në Gjenevë, dhe Edinburg: në këtë qytet të fundit mori gradën e doktorit në mjekësi.

“Veprën për Tyrqinë Evropiane, në të cilën rrëfehet një observator i thellë nga gjithë pikëpamjet, e ka shkruar mbi një udhëtim që bëri në vitet 1836, 1837, 1838”, shënon M. Frashëri. Boue vdiq në Vjenë, ku ishte martuar dhe vendosur më 1826 dhe pjesën më të madhe të pasurisë e la për një themelimin e një instituti për t’u marrë me studime dhe botime të gjeologjisë.

“Në parathënie të editës që kemi përpara syve, autori na lajmëron se në udhëtimin e tij të motit 1836, e shoqëronte edhe zoti Viquesnel dhe ky dijetar do ta shoqëronte në të gjithë shëtitjet e motit të dytë, sikur ethet të mos e kishin mbajtur katër muaj në Janinë. Prap nga kjo parathënie kuptojmë se autori kishte mësuar gjuhët e popujve të ndryshëm dhe ishte i zoti për të “kuvenduar drejtpërdrejt me osmanllinë e rëndë dhe të mirë si edhe shqiptarin spiritual, me grekun e hollë, me vllahun dinak, me bullgarin punëtor, me serbin luftar, me boshnjakun katundar dhe me hercegovianin gazmor”

 

 “Harta” sipas Ami Boue

“Këto ndarje padyshim janë thjesht gjeografike, pa ndonjë marrëdhënie me historinë ose etnografinë” vëren Frashri. Më tej vazhdon në vëllimet e tjera duke kaluar në viset e Ballkanit të sunduar prej Turqisë, duke i trajtuar në mënyrë shkencore, pa ndarë në copa gjeografike, kështu që Shqipëria, – thotë studiuesi ynë, – në kufinjtë etnografikë dhe historisë të saj, “zihet shumë herë në gojë, për natyrën e tokës si dhe për bimët dhe kafshët e saj”. Vëllimi i dytë, bëhet me dije, se mban një lëndë të begatë për etnografinë, karakterin, cilësitë e të metat, veshjen, ushqimin, mënyrën e rrojtjes e banesat, monumentet, arkeologjinë, zakonet dhe vetitë që për Frashërin konsiderohet si “një dokumentim aq i pasur sa edhe i vërtetë”. “Shqiptarët shikohen prej statistikave si një popullsi 1.6 milion frymësh, çmuarje fort e arsyeshme dhe më tepër më poshtë realitetit sesa më tepër, kur mejtojnë se shtrihen që nga Epiri gjer në pjesën perëndimore e Moesisë Superiore, ku përzihen me serbët, në fushën midis Prizrenit dhe Pejës, ndërmjet Vranjës dhe Mitrovicës; shtrihen pothuajse vetëm ata, nën emrin Arnautë, viset në burimet e lumit Lepenac, rrethinat e Çenoleva-Rieka, buzën jugperëndimore të fushës së Prishtinës, viset midis Vranjë, Gjilan, Novo-Bërdo, Prishtinë, Kratovë, Kurshumli, Prekoplie dhe Medoka. Nga ana tjetër përzihen me bishnjakën në malet midis Shqipërisë dhe Bosnjës, si në Kolashin, mbi Tara, në Guci, në Plavë, mbi bregun e sipërm të Ibarit, afër Rrozhajit, në krahinën Suhodol dhe zgjaten gjer në bjeshkët në perëndim dhe jugperëndim të Jenipazarit. Në krahinën e Zetës, atje ku rrjedh Moraça, dhe në Klement mbi Zemin, përzihen me malazezët. Në fund, mbi kufinë maqedonas shqiptarët përzihen pak me bullgarët në lindje të luginës së Dibrave, po më tepër me zinzarët, në jugë të liqenit të Ohrit. Më poshtë, në Epir përzihen edhe më tepër akoma me këta pasanikët (pasuesit-red) e vllehve dhe sidomos me grekët. Këta të përzier është kaq më i madh duke u avitur nga mbretëria e Greqisë, në një mënyrë që, në fund, është fort e vështirë të shquajmë grekët prej shqiptarëve edhe, aq më tepër, kur janë që të dy të krishterë dhe të bashkuar me martesë…”

“Malësoret janë kryesisht katolikë, zënë vendin, malësinë ndërmjet Metohut ose fushës së Pejës dhe Gjakovës, Bosnjës, Drinit, dhe Malit të Zi. Këta formojnë popullsinë kryesore të Gjakovës dhe një pjesë të asaj të Pejës; ata janë banorët e Shoshit, Shalës, Bogës, Shkrelit, Drivastit, Hotit, Kelmendit, Grudës, Podgoricës, Shpuzës…”

“Kelmendët katolikë rrojnë rreth lumit Zen. Nishi është qendra më e madhe tyre. Më 1740 kanë ikur bashkë me serbët dhe janë vendosur në Syrmie, ku, në Savë, midis Shabac dhe Mitrovica, themeluan katundet Ninkinc dhe Herkevec. Akoma edhe sot i quajnë kelmentiner dhe kanë ruajtur gjuhën e tyre”.

 

 Disa përshkrime nga Ami Boue për shqiptarët

1. “Shqiptarka s’është veçse një skllave e të shoqit: të ronguarët që në mituri të tyre, punimet e rënda e bëjnë që të vyshket, rrudhet shumë shpejt dhe i digjet lëkura si edhe e burrave. Shumë herë burri edhe e rreh të shoqen…”

 2.“Shqiptarët janë ndoshta raca më e bukur e Tyrqisë evropiane. Banorët e Shqipërisë, dhe më tepër akoma të Shqipërisë së Sipërme, kanë profilin si atë të ushtarëve romakë, që duken mbi disa harqe triumfi të perandorëve të parë. Mbase shqiptarët gjendeshin dhe midis luftëtarëve të Aleksandrit të Madh, të Pirros, të Teutës, të Gencit dhe të perandorëve romakë, sidomos të Dioklecianit, bashkëkombësi i tyre; se këta zvicerianë të Orientit kanë qenë kurdoherë gati të shërbejnë për të marrë të holla. Bota i përfytyron kurdoherë si ushtarë të dhënë fort shumë pas plaçkës dhe të këqinj, gjë që s’duket të jetë fare e vërtetë, si e rrëfen shëmbulla e bukur e bukur e mirditëve, të cilët më 1810 i refuzuan Ali pashës të masakrojnë si kasapë kardhiqotët e mbyllur në një shtëpi me mur. Emri Chekers, në Paivar (Hindi) ndërmjet Attokut dhe Lahorit u jepet stërnipërve të kolonive greke nga koha e Aleksandrit të Madh. A mund të guxojë njeriu dhe të afrojë këtë fjalë me fjalën gegë, se sa me atë grek? Sidoqtë të jetë, ushtarët evropianë të Aleksandrit duket të kenë folur pjesërisht një guhë të ndryshme prej greqishtes, disa fjalë së cilës gjenden edhe sot në shqipen”.

3. “Sapo të okupohet Shqipëria e Mesme edhe bashkimi i gegëve dhe i toskëve bëhet i pamundshëm. Megjithëkëtë do të vëmë re se suksesi i kësaj manovre për tyrqit ka ardhur nga antipatia që kanë të dy fiset dhe jo nga taktika e ushtrive tyrke…”

4. “Ky vend s’është akoma liruar nga Tyrqia prej shkakut të rivalitetit që mbretëron midis gegëve dhe toskëve dhe prej të tri feve”

5. “Shqiptari e përbuz tyrkun se veten e tij e shikon më të lartë, më të mençëm, më të zgjuar…”

6. “Në fund edhe s’do harruar, se shqiptari është kurdoherë gati të marrë fenë e atij që e sundon dhe, sidomos në Epir, shumë veta mund të bëhen të krishterë; por, sipas idesë fikse të malësorëve dhe të mirditëve, është pothuaj sigur që këta s’do t’i shtrohen kishës ortodokse”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency