Hetimi/ Përfshirja e majorit në trafikun e drogës, nisin hetimet, ekspertë drejt Spanjës

0
108

Alma Çuka

sokol fekaMerren në pyetje familjarët. Verifikohen hyrje-daljet jashtë vendit në sistemin TIMS. Hetimet janë përqendruar tek gjetja e urdhëruesit të majorit për të transportuar drogën

Policia e Shtetit njofton se ka nisur hetimet lidhur me veprimtarinë e majorit të Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes, Sokol Feka, i cili humbi jetën tre ditë më parë në Spanjë, në përpjekje për të trafikuar rreth 1 ton kanabis sativa. Burime të Policisë bëjnë me dije se pas marrjes së njoftimit për ngjarjen ku i përfshirë ishte një shtetas shqiptar, kanë filluar nga puna për të hetuar më tej. Në lojë janë future edhe hetues të krimeve të rënda, të cilët do përpiqen të gjejnë ndonjë lidhje me s majorit dhe kokave të trafikut ndërkombëtar të drogës për të cilët ata janë duke hetuar deri në këto moment. Ndonëse hetimet nga autoritetet e vendit tonë kanë filluar, ato nuk japin detaje. Për momentin Policia ka nisur kontrollin e hyrje daljeve të majorit jashtë vendit. Bëhet me dije s epër këtë vit ai ka dalë vetëm një herë dha ajo ka qenë datë 20 janar, ku është nisur drejt Italisë. Por ka të dhëna të tjera që tregojnë se gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar major Sokol Feka ka lëvizur katër herë jashtë vendit, kryesisht në Angli. Mësohet se në këtë shtet ai do të kryente një specializim. Gjithsesi hetimet do të kryhen për llogari edhe të shtetit spanjoll, i cili ka nisur kërkimet për të gjetur bashkëpunëtorët e këtij trafiku dhe rrjetin se si funksiononte.

 

Deklarimet

Gjatë ditës së djeshme oficer të Policisë Gjyqësore kanë marrë në pyetje familjarët e major Sokol Fekës. Është pyetur edhe bashkëshortja e tij, që sipas të dhënave nga policia ka deklaruar se deri para pak muajsh kanë jetuar me qira në afërsi të zonës së quajtur fresku. Në pyetje janë marrë edhe të afërm të tij në Kuçovë. Është kontrolluar edhe llogaria e tij bankare, ku sipas të dhënave ka rezultuar pa asnjë lekë. Një tjetër pistë që po hetohet lidhet edhe me kunatin e majorit. Burime të policisë bëjnë me dije se kunati i majorit është dënuar dy herë për trafik droge. Aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën vepër penale. Hetimet do të fokusohen tek gjetja e personit që mund të ketë urdhëruar majorin për transportimin e lëndës narkotike nga Maroku drejt Spanjës. Helikopteri që drejtonte majori Sokol Feka u rrëzua në afërsi të një qyteze të quajtur Malaga. Dyshohet se major Sokol Feka, i cili humbi jetën në Spanjë, mund ta ketë pasur udhëtimin e tij të parë për të kryer këtë trafik. Ndërkohë që helikopteri ka qenë ushtarak. Për të zbuluar të vërtetën e kësaj ngjarje do të duhet të kryhen hetime të gjithanshme.

 

Reagimi/ Shtabi i Përgjithshëm, rasti i Fekës, i rëndë, reformim Forcave të Armatosura

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, përmes kolonel Flamur Hadushit, ka sqaruar ngjarjen ku gjeti vdekjen major Sokol Feka në Spanjë, gjatë transportimit të një sasie të madhe lënde narkotike me avion. Hadushi tha se ngjarja ku gjeti vdekjen major Feka është një ngjarje e rëndë, e cila flet për domosdoshmërinë e reformimit të thellë që kemi ndërmarrë në të gjitha nivelet e drejtimit të Forcave të Armatosura. Ai shton se është një ngjarje që flet po ashtu për rëndësinë e zbatimit të rregullave dhe procedurave për daljet jashtë vendit të personelit ushtarak si dhe nevojën që të rrisim më tej integritetin e të gjithë efektivëve tanë. Megjithatë Hadushi tha se ky rast nuk mund të hedhë poshtë punën e personelit të Forcës Ajrore për realizimin e misionit të saj kushtetues, për sigurimin në bashkëpunim me NATO të sovranitetit ajror, të krijimit të kapaciteteve të vëzhgimit ajror, mbështetjen e strukturave të tjera të Forcave të Armatosura dhe veçanërisht në mbështetje të drejtpërdrejtë të popullit, në përballimin e emergjencave civile. “Gjatë kryerjes së këtij misioni, personeli i Forcës Ajrore, veçanërisht personeli pilot dhe teknik ka treguar shpirtin e vetëmohimit dhe sakrificës, duke sfiduar me profesionalizmin e tyre, kushtet ekstreme të motit, ditën, natën si dhe mbështetjen e trajtimin që ato kanë. Për kryerjen e këtij misioni ata angazhohen dhe zhvillojnë çdo ditë një program të ngjeshur fluturimi në përputhje me programet dhe standardet që aplikojnë vendet e NATO. Por po ashtu askush, nuk ka të drejtën morale të ngrejë gishtin e akuzës ndaj gjithë Forcave të Armatosura dhe efektivave të saj, për shkak se një pilot i efektivëve tanë u gjet i përfshirë në veprimtari të paligjshme jashtë kufijve të vendit”, – u shpreh ai.

 

Deklarata/ Strazimiri për drogën: Aksidenti në Spanjë nxori në pah fytyrën e qeverisë

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me avionin e rrëzuar tre ditë më parë në Spanjë dhe që drejtohej nga një pilot shqiptar, oficer në FA. Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, tha për mediat se “dje, në Spanjë, aksidentalisht, ka dalë në pah se në çfarë derexheje është katandisur siguria kombëtare, Forcat e Armatosura, Policia Ushtarake, strukturat inteligjente dhe te informacionit të ushtrisë dhe të Policisë së Shtetit, kontrolli i territorit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut te narkotikëve”. Sipas partisë më të madhe opozitare në vend, “Rilindja” e strukturave inteligjente të ushtrisë dhe policisë, në këto 498 ditë i ka lidhur sytë, veshët, duart dhe këmbët çdo qelize të shtetit, duke u lënë dorë të lirë organizatave kriminale nga e gjithë bota të hapin praktikisht “zyrë pune” në Shqipëri. “Në 498 ditë, Edi Rama ia doli të “rilindte” trafikun e kokainës në baza më të shëndetshme se kurrë ndonjëherë në këtë vend, madje më të shëndetshme edhe se në ’97 kur nuk kishte fare qeveri; me linja të mbrojtura nga qeveria, e cila “nuk i sheh” e “nuk i dëgjon”, madje as kur kanë investuar aq shumë sa për të ndërtuar laboratorë përpunimi të kokainës e kur lënda e parë e furnizimi u vjen nga ana tjetër e globit”, – tha deputeti Gent Strazimiri. Ai u shpreh se në 498 ditë Shqipëria është kthyer në një vend me “ofertë” të pakufizuar për krimin dhe trafikun ndërkombëtar, i cili rekruton këdo, madje edhe ushtarakë të lartë të certifikuar si të besueshëm nga qeveria shqiptare. Sipas Strazimirit, nëse helikopteri i drogës nuk do të kishte përfunduar në telat e tensionit të lartë në Spanjë, i kthyer “nga pushimet” piloti në fjalë do të rikthehej “në krye të detyrës” i pashqetësuar, për të transportuar “Sajmirin” e kryeministrit nëpër gërxhet e jugut.“Sot krimi nuk po lufton me shtetin! Sot krimi është në shtet! E vetmja gjë që ia prish qetësinë dhe harmoninë idilike me Kryeministrin dhe qeverinë, janë aksidentet, si ai i Divjakës apo ky i Spanjës, dhe herë pas here Interpoli… me operacione që fillojnë në anën tjetër të globit e përfundojnë në oborrin e qeverisë”, – përfundoi në emër të PD-së, Gent Strazimiri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency