Guvernatori i ri/ PD-PS në konsensus, kalojnë Sejkon për votim në Kuvend. Kandidati: Rishikoj pagat në BSH

0
101

Erneta Shevroja

 sejko me bracen“Do të ishte një nga prioritetet e mia parësore, të mos them i pari fare, për të vlerësuar dhe për të gjykuar nëse ajo vlerë është e saktë”

Dekreti i Presidentit për Bankën e Shqipërisë duket se do të marrë miratimin e Kuvendit javën që vjen. Kandidatura e Gent Sejkos për postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë pritet të finalizohet të enjten që vjen në seancën plenare, pasi mori “pro”-në e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, dje pas seancës të fundit dëgjimore me të propozuarin e Presidentit. Gent Sejko është e vetmja kandidaturë dhe, me sa kuptohet, palët politike kanë konsensusin për të votuar atë për postin më të lartë financiar, që është ai i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Këtë e shprehu dje edhe deputeti socialist, Anastas Angjeli, gjatë pyetjeve drejtuar Sekjos. “Çfarë është një gjë thelbësore që ju do të bënit ndryshe nga paraardhësi juaj, meqë jeni kandidati i vetëm dhe konsensual me se di unë?” Ndërkohë, anëtarët e Komisionit të Financave, të mazhorancës dhe opozitës, i drejtuan pyetjet e tyre lidhur me disa problematika të vetë Bankës, por edhe për politikat monetare që do të ndjekë Banka për të stimuluar ekonominë.

 

Prioriteti

Një ndër shqetësimet që shprehën anëtarët e Komisionit lidhet me vjedhjen e Thesarit të Shtetit. “Kam dëgjuar një koment dhe sinqerisht jam shumë i shqetësuar për çfarë është thënë. Thuhet se me ndjekjen penale të atyre që vunë dorë tek paratë e publikut mbyllet gjithçka. A keni ju një plan për t’i rikuperuar paratë e vjedhura deri në qindarkën e fundit?”, – pyeti deputeti demokrat Florion Mima. Përgjigjja e Gent Sejkos ishte se kjo do të jetë prioriteti i tij në punës, nëse ai merr miratimin e Kuvendit për të qenë guvernatori i ardhëm i Bankës së Shqipërisë. “Kjo do të jetë një ndër pikat kryesore të punës sime, nëse unë do të zgjidhem të jem guvernator. Do të ishte një nga prioritetet e mia parësore, të mos them i pari fare, për të vlerësuar, për të parë dokumentet, pasqyrat financiare, për të bërë një inventarizim të dokumenteve të humbjes dhe për të gjykuar edhe një herë nëse ajo vlerë është e saktë, nëse ndarja e përgjegjësive është e saktë dhe, për më tepër, për të parë kryesisht nëse në sistemet e kontrollit të brendshëm dhe funksioni i kontrollit të brendshëm në departamentin e Thesarit të Shtetit është ndryshuar, implementuar, funksionojnë gjërat në rregull apo ka probleme serioze. Është normale që çdo drejtues i çdo banke, vetëm në BSH, në radhë të parë do të donte të ishte i sigurt që Thesari të ishte i monitoruar, ndryshe ai nuk do të flinte i qetë, nëse Thesari i Shtetit do të ishte i pamonitoruar dhe i kontrolluar mirë. Pra, kjo do të jetë një nga prioritetet e mia parësore, nëse do të zgjidhem guvernator”, – tha Gent Sejko.

 

Paga e guvernatorit

Posti i guvernatori është një ndër më të paguarit, flitet për një pagë edhe më e lartë se ajo e Presidentit të Republikës. Sa u përket pagave dhe privilegjeve që gëzojnë punonjësit e bankës qendrore, Sejko tha se do të jetë i gatshëm të rishikojë paketat. Nëse ka mbivlerësime, do të ndiqet një politikë, ndërsa shprehu vlerësime të larta për punonjësit aktualë të BSH-së. Sejko tha se do të kontraktohet një kompani e posaçme për të bërë vlerësim objektiv, duke e krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Ai tha se nëse ka diferencë të thellë dhe mbivlerësim në pagë, është i hapur për të bërë rishikime, por theksoi se nuk do të bënte veprime që mund të rrezikonin rrjedhjen e stafit, për të cilët shprehu vlerësim në lidhje me profesionalizmin. “Unë do ta synoja të trajtoja këtë çështje në mënyrë sa më të krahasuar sa u përket pagave dhe privilegjeve që kanë bankat qendrore, me vendet e rajonit dhe në raport me industrinë brenda të cilave banka vepron. Nëse do të ketë shpërpjesëtim, unë do të jem totalisht i hapur për të bërë rishikime, pa dyshim, si të pagave ashtu dhe të privilegjeve, pra nëse ka fryrje. Por në vija të përgjithshme, për aq informacion sa kam, në rast se do të ketë shmangie serioze, unë jam i hapur për të gjykuar dhe vlerësuar, por gjithmonë duke bërë një studim në këtë aspekt, pra jo vetëm të ulim pagat e paketat, por të shikojmë dhe kapacitetet e burimeve njerëzore, pasi për atë pjesë që unë di dhe njoh, BSH-ja ka një grup specialistësh, të cilët janë vërtet seriozë, me integritet dhe janë ata që e kanë ndërtuar BSH në këta 20 vjet. Kanë vite që ushtrojnë këtë detyre. Pra, plani im është për të bërë studim në rajon për të parë raportet e bankave qendrore në raport me industrinë brenda të cilave ata operojnë. Mund të merret edhe një kompani, e cila duhet të ketë vlerësime sa më objektive, që të ketë vlerësim objektiv, të mos kemi mbivlerësim. Po nga ana tjetër, të jemi në treg, që të mos nënvlerësojmë dhe të kemi humbje të burimeve njerëzore. Me ato raporte qe kam parë, BSH është konkurruese, ndoshta dhe diçka më poshtë se bankat e nivelit të dytë që kanë paketa më atraktive. Çdo rishikim i pavlerësuar i paketave të këtyre punonjësve, do të kishte rrjedhje të stafit dhe pozicione të tjera jashtë bankës” – tha kandidati për guvernator i BSH-së.

 

Sejko, një hap larg nga “guvernatori”

Pasardhësi i Adrian Fullanit me shumë gjasa do të jetë Gent Sejko. Dje në Komisionin e Ekonomisë ai mori edhe urimet e para nga deputetë të mazhorancës dhe të opozitës. Po ashtu, në mbyllje të dëgjesës jashtë mikrofonave, Sejko pati një bisedë kokë më kokë me kreun e Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, përreth 10 minuta. Kujtojmë se kur Presidenti dekretoi Sejkon për guvernator, Braçe ishte ndër të parët që shprehu rezerva për mënyrën e zgjedhjes së tij. Me sa duket, rezervat janë sheshuar dhe i propozuari i Presidentit po shkon drejt postit të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

 

Berisha me ambasadorin Lu: Gjyqtarët kërcënohen nga Rama

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, u takua dje me ish-kryeministrin Sali Berisha. Ata folën për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe për problemet që mundojnë sot vendin tonë. Një ndër pikat ku u fokusua Berisha ishte reforma në drejtësi, për të cilën ai u shpreh se mbështet çdo nismë që siguron gjithëpërfshirje. Kjo reformë është e domosdoshme, sipas Berishës, dhe kjo vjen nga fakti se gjyqtarët sot janë të kërcënuar nga Kryeministri Rama. Gjithashtu, Berisha e falënderoi ambasadorin Lu për drejtimet e rëndësishme që ai dhe qeveria amerikane kanë përcaktuar për të ndihmuar Shqipërinë, si: luftën kundër kriminalitetit, reformën në drejtësi, konsolidimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, që për Berishën janë çështje themelore për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit si dhe integrimin e tij në BE.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency