“Trangullat” e Jahi Jahiut

0
279

Josif Papagjoni

Jahi_jahiu.200x235Afërmendsh se letërsia dhe dramaturgjia e mirë është në thelbin dhe misionin e saj kritike. Ajo nuk ndërton mite, përkundrazi, i zhvesh mitet nga mbishtresat iluzioniste, religjioze, ezoterike që shoqëria njerëzore ngre, qoftë për identitet të shprehur apo të rrezikuar antropologjik, social, politik e qoftë për ato me thelb ngushtësisht human; mite që ushqehen nga mbijetesa, mite që mbajnë gjallë ekzistencën, që krijojnë iluzionet, përndritjet romantike, ëndrrat, utopitë, iluzionet shpesh të rrejshme etj. Nga kjo optikë, pra nga qenësia e një dramaturgjie kritike, e cila detabuizon shumëçka që vetëdija e rëndomtë ndërton apo vetëdija politike keqpërdor dhe e instrumentalizon për qëllime të caktuara. Komedia “Trangullat” e Jahi Jahiut, vënë në skenë nga regjisori Agim Selimi në teatrin “Dodona” të Prishtinës ndjek bash këtë kah. Ajo është një satirë politike totale për qëndrimet, sjelljet, palotësitë dhe gjymtimet tona shpirtërore, në një çast historik vendimtar sikurse qe lufta çlirimtare në Kosovë, gjenocidi i pashembullt serbomadh ndaj popullit shqiptar atje, i ushtruar nga policia dhe ushtria, me dëbimet dhe krimet e hatashme; sjelljet dhe qëndrimet e një pjese njerëzish në raport me këtë ngjarje madhore.

Janë katër personazhe: dy vëllezërit Durimi dhe Qëndrimi dhe dy të tjerë që punojnë për biznesin e tyre Mjerimi dhe Dashuria. Vetë emrat janë thuajse simbolikë, diçka nga karakteri i tyre ata shprehin, më saktë nga pretendimi se cilët janë përnjëmend, por pa qenë realisht të tillët. Strumbullari i komedisë është Durimi, i luajtur bukur dhe me hir komik nga Muhamet Arifi, i cili fitoi edhe çmimin e parë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan 23-28 janar 2015. Ky shqiptar 40 vjet emigrant në Zvicër vjen së fundmi në Kosovë të japë ndihmesën e vet për çlirimin e Kosovës. Është tejet i mbushur plot me folklor patetik, me mite patriotike, me çifteli e rapsodi. Por në fakt s’është veçse një mjeran më shumë, një kinse biznesmen, që harron moshën dhe tundohet nga një “sekretare” e re, e cila me lajkat dhe provokimet e saj e zhvat, sikurse e zhvat edhe i vëllai. Naiviteti i tij qesëndiset bukur nga aktori, sikurse edhe nënshtresa arkaike e të menduarit, sjellja me religjionin i kthyer në një konvencion dhe rrenë. Është një i gënjyer, një arkaik i pandreqshëm me sahatin e mbetur pas, si dhe një “patriotizëm” fjalësh brufulluese që shpotiten prej atij vetë, pasi armën ky mjeran di veçse ta shkreh në ajër për vetëmburrje, por jo kur ia behin paramilitarët serbë. Atëbotë fshihet si miu brenda një dollapi. Dhe “trimëria”, mburrja bien kryengulthi në frikë.

Në fakt shënjestra dhe pjesa më e bjerrë e komedisë është i vëllai i Durimit, Qëndrimi, i luajtur në mënyrë energjike nga Mirsad Fereti. Ai është vemja në trupin gjithë plagë të shoqërisë së traumatizuar kosovare, njeriu që bën tregti me gjakun dhe mjerimin, me vetë luftën dhe idealin e lirisë, që shkon gjer aty sa grabit paratë e mbledhura nga populli për UÇK, shtiret si i tillë, si luftëtar dhe bën tregti. Përpos që shfrytëzon vëllanë e vet, ai ka krijuar lidhje të forta interesi me biznesmenë e mafiozë serbë edhe në kushtet e luftës dhe të shfarosjes së popullit të tij. Satira është e hidhur, përjetimi ynë ka sa dhimbje, po aq urrejtje, përbuzje, ndërsa në fund një farë pranimi, sepse jeta e tillë është, mbijetesa të çon edhe nëpër gjirize, edhe në vrimën e miut. Gjykoj se ky personazh duhej të zgjerohej duke u bërë strumbullari i veprimit, pasi pikërisht ai e përfaqëson me mirë dukurinë e bjerrjes, degradimit dhe zvetënimit të njeriut në kushtet e luftës. Edhe pas luftës ai del i fituar, pra e keqja mbetet midis nesh, një tjetër trajtë ka për të marrë nesër, doemos më tinëzare duke u shtirur se ka ndihmuar luftën çlirimtare, se ka qenë atdhetar i flakët etj. Kësisoj jo vetëm kritika do të bëhej më e fortë e tronditëse, por edhe katarsa jonë si spektatorë do të fitonte më shumë sesa ofron teksti.

Ndonëse të katër personazhet janë pjesë e zullumit dhe bëjnë po vetë zullume ndaj shoqi-shoqit dhe të tjerëve, ndonëse autori i ka quajtur në titull “trangullat” (sepse edhe shumësin e emrit “trangull” nuk e dinë), gjithsesi teksa komedia mbyllet ka nëpër ajër një aromë mirësie, një si falje vjen prej nesh për gjithë këta gjynahqarë; ka një dashuri për njeriun sitë tillë, në dritëhijet e tij, pasi ai është i vendosur në një rrethanë mbijetese, të pafavorshme, rrjedhimisht mes rrezikut të zhdukjes. Ja që jeta dhe njeriu të tillët janë: as pozitivë, as negativë, edhe të mirë, edhe të këqij. Tek ata bashkëjeton pjesa e pistë dhe e korruptuar me pjesën naive, utopike dhe shpesh të mirë e të dëlirë. Qenia njerëzore është komplekse, andaj dhe e pranueshme në të tërën e saj.

Pjesa e parë e komedisë herë-herë krijonte zgjatje, kishte lëndë të përsëritur që nuk shtonte diçka me rëndësi qoftë në domethënie, qoftë në artikulimet e personazheve, andaj dhe mund të shkurtohej duke i dhënë pakëz më shumë hapësirë skenave të pas luftës. Një pranëvendosje e tillë edhe pozitat e personazheve do t’i qartësonte më mirë, por edhe kritika mund të fitonte më shumë peshë e dimension social.

Regjia e Agim Selimit veç një trajtimi të këndshëm të lojës së aktorëve për të ravijëzuar karaktere, u dha frymë edhe disa gjetjeve e metaforave domethënëse, sikurse qe, bie fjala, përsëritja e ritualit të pirjes së çajit këmbëkryq në dysheme a majë tavolinës prej Durimit, duke shpotitur kësisoj modelin arkaik, lindor e folklorik të kulturës së jetesë së tij (prej dembeli), muri i arkave me vaj (vaji i korrupsionit, ta “lyesh rrotën me vaj” për të fituar!), të cilat në fund rrëzohen nga bombardimet e avionëve të NATO-s; pra e keqja shpërthen, del e derdhet sheshit. Domethënës është edhe kontrapunkti midis partit muzikor me këngë folklorike patriotike dhe sjelljes antipatriotike të personazheve. Gjithsesi mizanskena e Selimit kishte pak gjetje, ishte në përgjithësi e sheshtë, “natyrore”. Disa gjëra mbeteshin rudimentare, pa funksione, si bie fjala, dollapi në mes të skenës apo qoftë edhe arkat me vaj si “mur” përballë, me të cilat mund të luhej më bukur, të krijoheshin mjedise e relieve skenografike të ndryshme për ta bërë mizanskenën edhe më joshëse, duke e tejkaluar statizmin dhe “ngurtëzimin”.

Aktrimi ishte elementi skenik interpretues, ndoshta, më atraktivi. Ndër aktorët, më i suksesshëm qe Muhamet Arifi në rolin e Durimit. Të vetëndierit e tij ishte vërtet i natyrshëm, gjegjësisht karakterit të personazhit: njeri disi naiv, i ushqyer me imazhe folklorike mbi atdhetarinë, një farë rudimenti antropologjik. Ai luajti bukur me fjalorin e rëndomtë të rrugës, sharjet, përfaljet dhe përbetimet fetare, veprimin plastik; ishte i vërtetë dhe organik. Mirsad Fereti në rolin e Qëndrimit solli ritëm, energji dhe variacion në shfrytëzimin e replikave, por herë-herë shpejtohej dhe i humbiste fjala. Florentina Ademi, krejt e lirshme e me ritëm, ravijëzoi cilësi të njohura të vajzës dinake e që dinte të përfitonte nga hiret e saj. Ani pse defekti është te vetë teksti, ajo mund t’i shmangej “shitjes” së rolit, pra demonstrimit të “flirteve” të saj, “tundimit seksual” ndaj tjetrit, pa spekuluar me natyrën e personazhit të saj. Edhe Burim Koprani në rolin e Mjerimit luajti mirë me dyzimin e personazhit, gjoja besnikërinë dhe naivitetin dhe në të vërtetë përfituesin dhe hileqarin, pamundësinë për të kundërshtuar, gjersa bën edhe burg në vend të padronit të tij, duke skicuar pikërisht cilësinë simbolike të tij: mjerimin shpirtëror.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency