Trafiku/ Spanjë, rrëzohet helikopteri me drogë, pilotohej nga një major shqiptar

0
126

Alma Çuka

 Ushtaraku Sokol FekaUshtaraku Sokol Feka ishte pjesë e forcave të armatosura prej 18 vitesh. Gradën major e kishte marrë në vitin 2009. Njihej si profesionist. Ishte larguar jashtë vendit më datë 20 janar

Përfshirja e shqiptarëve në trafikun e drogës ka kaluar kufijtë. Kur ende nuk është shuar jehona e trafikut ndërkombëtar të kokainës me vendet e Evropës Perëndimore, një tjetër shqiptar, këtë radhë ushtarak, përfshihet në skandal, duke humbur edhe jetën. Dje paradite, u njoftua në mënyrë të beftë nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit se një oficer i ushtrisë kishte humbur jetën teksa avioni që ai pilotonte kishte humbur kontrollin dhe ishte përplasur me një shtyllë. Sipas informacionit të dhënë nga vetë kreu i qeverisë, oficeri i ushtrisë me gradën major, i quajtur Sokol Feka, për fat të keq, ndodhej në këtë skandal nën drejtimin e avionit të mbushur me 1 ton lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Bashkë me pilotin shqiptar ka humbur jetën edhe ndihmësi i tij. Autoritetet spanjolle kishin njoftuar në rrugë zyrtare Ministrinë e Punëve të Jashtme për përfshirjen e oficerit të ushtrisë në trafikun e drogës nga Maroku drejt Spanjës. Identifikimi i majorit u bë i mundur nga dokumentacioni që iu gjet pas aksidentit fatal. Ndërkohë, mësohet se avioni u rrëzua në përpjekje për t’iu shmangur strukturave të Gardës Civile të Spanjës, të cilat kishin pikasur avionin që fluturonte pa leje të autoriteteve. Lajmi më parë ka kaluar ka kaluar në kanalet zyrtare, kur autoritetet spanjolle kanë njoftuar Ambasadën Shqiptare për gjetjen e dy trupave, njëri prej të cilave me dokumente zyrtare shqiptare. Pas njoftimit të autoriteteve spanjolle, ka nisur verifikimi, prej nga rezultoi se njëri ishte major aktiv në detyrë i Forcave Ajrore, Sokol Feka, me një karrierë të pasur në Flotën Ajrore Ushtarake Shqiptare.

 

Ngjarja
Për ngjarjen në fjalë kanë shkruar mediat spanjolle. Sipas tyre, helikopteri që drejtohej nga një pilot shqiptar, i shoqëruar nga një person tjetër, u rrëzua natën. Ai ishte lyer me ngjyrë të zezë për të mos u zbuluar nga autoritetet spanjolle. Përplasja e helikopterit ndodhi në një zonë pranë qytezës Gaucin të Malagës në Spanjë. Sipas të dhënave që vijnë nga Spanja, helikopteri u ndoq nga policia spanjolle, pasi dyshohej se transportonte drogë. Ai u zbulua nga Garda Civile Spanjolle dhe duke qenë se nuk kishte autorizim për të fluturuar, ndaj tij filloi menjëherë ndjekja. Forcat e Gardës Civile, sapo helikopteri ka rënë, kanë rrethuar zonën. Sipas mediave, janë gjetur dy trupat, rreth 30 pako me drogë me rreth 1000 kg hashash. Helikopteri, sipas mediave spanjolle, ishte nisur nga një aeroport civil në Marok dhe kishte udhëtuar drejt Malagës, ku edhe u pikas pasi u fut në një zonë ku nuk duhet të fluturonte dhe u vu në ndjekje.

Deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes

“Shtabi i Përgjithshëm i FA e sheh me vend të sqarojë opinionin publik për atë çfarë përfaqëson major Feka dhe në çfarë rrethana ka ndodhur ngjarja. Major Feka i është bashkuar FA në vitin 1993 si student ushtarak në Akademinë e Aviacionit, për t’u diplomuar më pas më 1996. Pas titullimit si oficer aktiv ka shërbyer në struktura të ndryshme të forcave ajrore, duke kryer detyrat e pilotit, komandantit të ekuipazhit dhe së fundi instruktor fluturimi. Në këto detyra ka performuar përgjithësisht mirë dhe është vlerësuar me këtë performancë. Është vlerësuar me medalje të shërbimit dhe të karrierës, ka kryer trajnime dhe është certifikuar për të drejtuar helikopterët “Kuger”. Me kërkesë të tij Komanda e Bazës Ajrore Farkë ka miratuar dhënien e një pjese të lejes së paguar vjetore për periudhat 12-31 janar 2015, por në asnjë rast nuk rezulton që major Feka të ketë kërkuar që një pjesë apo të gjithë lejen e akorduar ta kryejë jashtë vendit ashtu siç parashikon ligji për statusin e ushtarakut. Bazuar në informacionet e marra nga agjencitë, rezulton që Feka është larguar jashtë shtetit pa lejen e autoriteteve përkatëse dhe për më tepër të përfshihet në një veprimtari të paligjshme që i ka kushtuar edhe jetën. Përmes Ministrisë së Jashtme dhe agjencive të specializuara, Ministria e Mbrojtjes dhe shtabi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Shtabi i FA është i angazhuar në mbledhjen e informacionit shterues dhe analizimin e plotë dhe të gjithanshëm të tij”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency