Donati: Hetim për dopingun në peshëngritje

0
130

Alesandro Donati,Këshilltari i Agjencisë Botërore të Antidopingut është shprehur se është e nevojshme që për ngjarjet e ndodhura me tre peshëngritësit të ketë një hetim për shkaqet se pse ndodhi

Dopingu ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në peshëngritjen shqiptare dhe kjo dukuri ishte në fokusin edhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke përbërë një nga temat e diskutimit gjatë një seminari për një platformë të rë të Edukimit fizik dhe Sportiv. Në të merrte pjesë edhe profesori italian, Alesandro Donati, këshilltar i Agjencisë Botërore të Antidopingut, i cili evidentoi nevojën e domosdoshme për nisjen e një hetimi të detajuar në lidhje me rezultimin pozitiv ndaj substancës së ndaluar stanozolol të peshëngritësve shqiptarë të elitës gjatë botërorit të vitit të kaluar në Kazakistan. “Skandali në peshëngritje ka prekur shumë vende të botës, jo vetëm Shqipërinë. Fakti që disa sportistë rezultuan pozitivë me doping është diçka e rëndë. Në raste të tilla është e rëndësishme që të kuptohet se sportisti nuk vepron asnjë herë i vetëm. Rreth tij ka persona të tjerë të përgjegjshëm. Është e qartë që një çështje e tillë duhet të hetohet në thellësi për të kuptuar se cilat janë përgjegjësitë e sportistit”. Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ende nuk kanë dhënë asnjë sinjal për një nisje të hetimit apo së paku të një analize me nxjerrjen e përgjegjësive pas skandalit që përfshiu sportin më elitar në vend pas rezultimit pozitiv të sportistëve Daniel Godelli, Romela Begaj e Hysen Pulaku. Për Begajn dhe Pulakun është konfirmuar prania e substancës së ndaluar edhe në testet B, ndërkohë që janë kthyer në një enigmë të vërtetë kundëranalizat e Daniel Godellit, për të cilat ende nuk ka një rezultat edhe pse ky duhet të kishte dalë prej disa javësh. Ndërkohë që në lidhje me gjetjen e fajtorëve Komiteti Ekzekutiv i KOKSH i kërkoi me urgjencë informacion sa më të detajuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në lidhje me çështjen, për përdorim substancash të ndaluara nga sportistët e dyshuar. “Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në peshëngritjen shqiptare për shkak të dopingut, pasi ky fenomen prej vitesh po shfaqet në këtë sport, mendojmë se duhet të mblidhet urgjentisht si Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme ashtu dhe Ministria e Shëndetësisë për ta futur përdorimin e dopingut nga sportistët në sport në kodin penal, si një vepër të dënueshme ligjërisht nga shteti. Dhe sqarojmë se këtë propozim e bëjmë nisur dhe nga praktikat dhe eksperiencat e shteteve te tjera për çështjet e dopingut. Mendojmë se Komisioni Antidoping të funksionojë pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, pasi ky organizëm është i pavarur dhe si i tille funksionon në shumë vende të botës i atashuar pranë Komitetit Olimpik. U bëjmë thirrje të gjithë sportistëve që të bëjnë një sport të pastër dhe të shëndetshëm. Nxisim federatat sportive të zhvillojnë programe edukative dhe fushata sensibilizimi në luftën kundër dopingut dhe promovimit të sportit të shëndetshëm dhe të pastër. Institucionet sportive duhet të bashkëpunojnë më shumë në krijimin e një sistemi kontrolli dhe të pavarur në mënyrë që fenomeni i dopingut në sportin shqiptar të mos jetë kulturë e përfaqësimit të sportit dhe për vendin tonë imazhi i keq dhe i njollosës i dopingut. Sot të gjithë duhet të dinë që dopingu është në luftë të hapur me etikën, vlerat dhe moralin e sportit”, – thuhej në deklaratën e KOKSH.

 

Çelsi rrëmben Kuadradon

Skuadra e Hoze Murinjos ka arritur marrëveshje prej 33 milionë eurosh me Fiorentinën për ta transferuar superyllin kolumbian, Huan Kuadrado. Blutë e Londrës kanë qenë duke e kërkuar për një kohë të gjatë kolumbianin që shkëlqeu në Kampionatin Botëror dhe më në fund kanë arritur ta bindin Fiorentinën për ta lëshuar lojtarin, duke i dhënë kështu edhe në formë huazimi Mohamed Salah. Fiorentina më herët kishte refuzuar një ofertë të Çelsit, mirëpo tani oferta e dytë prej 33 milionë eurosh së bashku me Mohamed Salah, si duket i ka bindur drejtuesit e klubit italian. Kuadrado te Çelsi është transferimi më i madh i këtij afati kalimtar, dhe duke pasur parasysh se çfarë skuadre ka bërë Çelsi, teksa Murinjo synon të fitojë gjithçka këtë vit.

 

 Sterling larg Liverpulit, gati Reali dhe Çelsi

Rahim Sterling nuk ka për qëllim të qëndroj gjatë në Liverpul. Kriza aktuale e skuadrës nga “Anfield” ka bërë që sulmuesi anësor Rahim Sterling të mendojë largimin nga të kuqtë. Sipas medieve angleze dhe atyre spanjolle, dy gjigantët Real Madrid dhe Çelsi janë duke ndjekur situatën e lojtarit te Liverpuli dhe mendojnë për të bërë oferta gjatë afatit kalimtar veror. Vlera aktuale e lojtarit është rreth 30 milionë paund dhe kur dihet që ai admirohet shumë nga Karlo Ançeloti dhe Hoze Murinjo, atëherë bëhet shumë i besueshëm fakti që këto dy skuadra do të kenë një “luftë” për të siguruar shërbimet e talentit të madh anglez.

 

 Nojer: Duhet të fitojmë ndaj Volsburgut

Portieri Manuel Nojer ka kërkuar fitore në ndeshjen e parë të sezonit të dytë në Bundesligë kundër Volfsburgut. “Do të ishte mirë të startonim me një fitore. Ne duam të hedhim hapin e radhës, por kurrsesi s’ka për të qenë vulosja e titullit. Volfsburgu ka një ekip të fortë dhe nuk ka për të qenë e thjeshtë. Ata do të luajnë edhe për Junior Malandan”, – tha Nojer. Bajerni i Mynihut është pa konkurrencë në këtë edicion, pasi ka 11 pikë më shumë se skuadra e dytë, që është Volfsburgu.

 

 Eto: Seria A nuk është tërheqëse

Samuel Eto është shprehur se Seria A nuk është tërheqëse siç ishte dikur, edhe pse ai sapo ka nënshkruar për t’u kthyer në këtë kampionat, kësaj here te Sampdoria. “Seria A nuk është shumë tërheqëse”, – ka thënë Eto në konferencën e shtypit ku ai u prezantua si lojtar i Sampdorias. “Jo për shkak se standardi është i ulët, por sepse ekipet italiane nuk kanë fituar në nivel evropian. Ka shumë klube si Juventusi, të cilët i shoh në nivel me klubet e tjera evropiane, por problemi është se nuk fitojnë”, – ka shtuar kamerunasi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency