Të punësuarit në shtet dhe privat/ Pagat që do të merren si referencë për llogaritjen e kontributeve

0
382

zyre pune2Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e të kujdesit shëndetësor, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera, me karakter të përhershëm, që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është deklaratë për pagesë dhe dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale. Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor, nuk përfshihen:

-përfitimet që punëmarrësi merr nga fondet e sigurimeve shoqërore dhe kompensimet nga rritja e çmimeve si dhe dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm, të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate;

-vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë, për personat e punësuar, sipas legjislacionit në fuqi;

-shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundjet e gjata, për dëme, në raste fatkeqësish të mëdha natyrore, dhe për veprimtari të shquara;

-vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit, të cilat jepen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe që nuk janë pjesë e pagës;

-honorarët apo shpërblimet e tjera të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës.

 

Paga për efekt të kontributeve

Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 22 000) lekë dhe deri në 97 030 lekë, për personat e punësuar. Jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri 97 030 lekë, për personat e vetëpunësuar si dhe e barabartë me pagën minimale mujore prej 22 000 lekësh, për punonjësit e papaguar të familjes.

Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar. Sa dyfishi i pagës minimale, e barabartë me 44 000 (dyzet e katër mijë) lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht. Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për personat e vetëpunësuar në bujqësi, është 4 620 lekë. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve suplementare të detyrueshme, të jetë nga 22 000 lekë e deri në shumën e pagës bruto, sipas listëpagesës.

Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit, për kohën e trajtimit me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm të personave që kryenin funksione kushtetuese apo si punonjës të lartë të shtetit dhe për ish-ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ, të Gardës së Republikës, të Policisë së Burgjeve e Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është e barabartë me pagën referuese, sipas gradës dhe funksionit, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit për personat që përfitojnë pagesë papunësie, për ish-punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake, që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe gratë që dalin në pension për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, është e barabartë me pagën minimale.

 

PAGESA E PËRFITIMEVE

Përfitimet afatshkurtra për sëmundje, barrëlindje dhe aksidente në punë e sëmundje profesionale, në favor të të punësuarit, llogariten nga punëdhënësi, ndërsa, për personat fizikë, nga strukturat lokale të sigurimeve shoqërore. Fondet për mbulimin e këtyre pagesave transferohen nga llogaritë e sigurimeve shoqërore në llogarinë e personit, juridik apo fizik, ose në llogarinë individuale të përfituesit, pranë bankave të nivelit të dytë, një herë në muaj, pas miratimit nga organet e sigurimeve shoqërore të listëpagesës. Procedura e kontrollit të listëpagesave dhe e miratimit të llogaritjeve përcaktohet me rregullore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Përfitimet mujore afatgjata u paguhen përfituesve nëpërmjet “Postës Shqiptare”, subjekteve financiare profesionale, të pajisura me dokumentet përkatëse nga Banka e Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë. Subjektet, që do të kryejnë shërbimin e pagesave, caktohen nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Rregullat dhe procedurat e pagesës përcaktohen me marrëveshje ndërmjet palëve.

 

Shuma minimale mujore e kontributeve i referohet pagës minimale dhe normës së kontributitKontributi minimal mujor, sipas degëve dhe skemave të sigurimit, është 6 138 lekë dhe ndahet, si më poshtë:

 

N/r E m ë r t i m i norma në % shuma në lekë
I Totali i kontributit të sigurimit shoqëror 24.50 5 390
1 Dega e sigurimit të sëmundjeve 0.30 66
2 Dega e sigurimit të barrëlindjeve 1.40 308
3 Dega e sigurimit të pensioneve 21.60 4 752
4 Dega e sigurimit të aksidenteve 0.30 66
5 Dega e sigurimit të papunësisë 0.90 198
II Kontributi i sigurimit të kujdesit shëndetësor 3.40 748
Gjithsej 27.90 6 138

 

Konfliktet Bashki-qeveri/ Skandali me rikonstruktimin te Ministria e Veliajt, vendimi u mor pasi ishin filluar punimet

Vendimi për rikonstruktimi e një godine ngjitur me Ministrinë e Mirëqenies Sociale është marrë para dy ditësh nga qeveria. Por, në realitet rikonstruksioni i godinës ka nisur prej më shumë se 1 jave. Një skandal i cili ngarkon me përgjegjësi për ndërim pa leje Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Kanë qenë inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, të cilët kanë pikasur ndërtimin pa leje dhe më pas janë arrestuar nga policia për ndërhyrje të paligjshme, ndërkohë që MMS nuk kishte asnjë dokument për kryerjen e punimeve. “Pasi doli lakuriq abuzimi me pushtetin dhe ndërtimin pa leje prej rreth një muaji në mes të Tiranës, kryeabuzuesi Edi Rama ka firmosur vetëm dje (të martën) një pusullë për të ligjëruar paligjshmërinë e Erionit të tij. Kjo nuk e ka penguar ministrin e Mirëqenies Personale, Erion Veliaj, të mashtrojë publikun dhe të sulmojë Bashkinë e Tiranës me një gjuhë të denjë vetëm për kodoshët dhe trafikantët, si ata që i ulen në krah në grupin e tij parlamentar. Ndërtimi pa leje i Erion Veliajt, angazhimi i Policisë së Shtetit për ta mbrojtur atë, angazhimi i Ramës për ta ligjëruar me nxitim sot përmes një pusulle abuzive dhe nguti për të sulmuar me një gjuhë kodoshi Bashkinë e Tiranës, janë provat më bindëse të modelit që ka instaluar në pushtet Edi Rama. Ky është modeli i bashkëjetesës së qeverisë me paligjshmërinë, i kërbaçit për njerëzit e thjeshtë dhe kulaçit për pushtetarët e korruptuar dhe miqtë e tyre. Është ky model që i ka kthyer spitalet publike në strip-klube dhe drejtoritë arsimore në motele për pushtetarët. Ky model, i mishëruar nga paligjshmëritë flagrante të ministrit Veliaj dhe dikasterit të tij janë problemi i vërtetë që duhet e do të zgjidhim me qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”, – thuhet në një reagim të Bashkisë së Tiranës menjëherë pas akuzave që kanë ardhur nga MMS se kishin dokumente për kryerjen e punimeve. Ndërkohë Polica e Shtetit ka shoqëruar dje në komisariat inspektorët e INU pavarësisht se ndërhyrja ishte e ligjshme. Kam këtu ankesat e bëra nga banorët, kam shkresën që i drejtohej edhe komisarit të Policisë për mbështetje, kam madje edhe shkresën e INUK që i kërkon INUV të ndërhyjë ekzaktësisht në vendin e djeshëm. Inspektorët kanë bërë detyrën e tyre dhe janë “arrestuar” për shpërdorimin e detyrës. Kam komunikuar me drejtuesit e komisariatit nr. 4 dhe i kam kërkuar shpjegime se përse janë arrestuar inspektorët e INUV por është e kotë të kërkosh tashmë këtë gjë nga Policia. Policia po keqpërdoret dhe është bërë një instrument i keqpërdorur në luftën politike të qeverisë Rama”, – tha në një dalje për mediat nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency