Peticioni për hapjen e dosjeve/ Nismëtarët: Ligji, sipas modelit gjerman, jo devijimit. Qeveria ta diskutojë, pastaj ta votojë

0
218

Erneta Shevroja

 peticioni nismetaret per dosjetIntelektualët, skeptikë për projektligjin e qeverisë: Duhet më shumë transparencë

Nëpërmjet një peticioni që deri më tani ka marrë 101 firma nga autorë, gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut në botë, intelektualët shqiptarë kërkojnë që për hapjen e dosjeve të zbatohet modeli gjerman pa asnjë devijim. Çdo devijim nga ky model, sipas nismëtarëve, do të ishte një manipulim i procesit dhe një ligj sa për “sy e faqe”. Intelektualët që mbështesin këtë model, shprehen skeptikë për ecurinë e deritanishme të projektligjit të propozuar nga qeveria, që bazohet në përvojën gjermane të hapjes së dosjeve. Ata kërkojnë më shumë transparencë nga ana e qeverisë, diskutim publik përpara se të kalojë direkt në seancë plenare, ashtu siç Kryeministri u shpreh me rastin e hapjes së “Shtëpisë së Gjetheve”.

 

Hapja e dosjeve

Shkrimtarja Lindita Arapi është nismëtarja e një peticioni që në 4 muaj ka marrë 101 firma të shkrimtarëve, gazetarëve dhe aktivitet të të drejtave të njeriut në Evropë sa i përket hapjes së dosjeve në Shqipëri. Nëpërmjet këtij peticioni, të cilit i janë bashkuar edhe disa intelektualë shqiptarë, siç është shkrimtari Agron Tufa dhe ish-deputeti dhe publicisti Mark Marku, ndërkohë që ky proces që ka dështuar në këta 25 vjet më në fund të finalizohet. Kërkesa e nismëtarëve është që ligji për hapjen e dosjeve të mbështetet tërësisht në modelin gjerman dhe të mos ketë asnjë devijim prej tij. Një problematikë tjetër, të cilën e theksuan intelektualët, është mungesa e transparencës nga ana e qeverisë që ka propozuar një projektligj për hapjen e dosjeve. Intelektualët shprehen se ky projektligj duhet të fillohet të diskutohet me grupet e interesit dhe më gjerë, të bëhet e ditur se çfarë është modeli gjerman dhe çfarë procesi parashikon ai për hapjen e dosjeve. Të pyetur nëse ka elemente që projektligji i qeverisë nuk konvergon me ligjin gjerman, iniciatorët u përgjigjën se e vetmja kërkesë është që ai të zbatohet me përpikmëri, pasi është provuar që funksionon. Aktiviteti u organizua dje në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

 

Shkrimtari Agron Tufa: Unë nuk besoj në asnjë gjë përderisa në gjithë këta 25 vjet nuk është arritur asgjë. Por me të gjitha mundësitë nëse janë duke bërë diçka të saktë, konkrete, apeli im është ky: transparencë të plotë, përpara se të miratohet si ligj. Projektligji i iniciuar nga qeveria t’u kthehet diskutimeve në shoqërinë shqiptare, njerëzve që janë të prekur direkt, shtresës së të persekutuarve dhe të mos manipulohet.

 

Shkrimtarja Lindita Arapi: Ajo që dua të them unë, dhe për të cilën bëj apelin është se gjërat nuk duhet të bëhen gjysmake, por të bëhen një herë ashtu siç duhet. E rëndësishme është se më në fund, t’u jepet fund vuajtjeve, të ketë njerëz që merren seriozisht me këtë punë. Ata vuajnë sepse ndiejnë se askush nuk merret seriozisht me këtë çështje. Nuk besoj në se çështja e tyre zë vendin që i takon. Në fund të fundit nuk po e thotë dikush çfarë bëri atëherë një person i caktuar. E rëndësishme është që të pranohet se ka qenë padrejtësi ajo që u bë. E rëndësishme është që kjo çështje të mos bëhet gjysmake, por të bëhet një ligj i plotë, i cili do të mundësojë hapjen e dosjeve ashtu siç është bërë në Gjermani dhe të mos bëhet sa për t’u hedhur hi syve. Nga ana tjetër, do të shpëtojnë edhe vetë ata që kanë qenë spiunë. Edhe ata e kanë një barrë të madhe, edhe fëmijët e tyre ndoshta e kanë një barrë të madhe. Në këtë rast nuk do të shpëtojnë vetëm viktimat, por do të shpëtojnë edhe vetë autorët.

 

Studiuesi Mark Marku: Për projektligjin që është propozuar, ka një problem, një gjë që nuk shkon: pse një projektligj që shkon në Parlament futet direkt në seancë parlamentare dhe nuk ka një transparencë publike? Në këtë kuptim, vetëm në këtë formë ne do të kemi mundësi të vlerësojnë nëse ligji, se ne nuk kemi të drejtë ta paragjykojmë, është i mirë apo i keq për deri sa deri në këto moment ne nuk dimë asnjë për këtë projektligj i qeverisë. Dimë vetëm që do të bazohet në modelin, në ligjin gjerman. E vetmja gjë që ne mund të themi është se duhet të zbatohet modeli gjerman, sepse jemi të sigurt që modeli gjerman nuk është i keq sepse është provuar që mund të funksionojë. Çdo që gjë devijon nga modeli gjerman, do të jetë një manipulim, çdo variant i qeverisë është një përpjekje për një manipulim të ri, qoftë nëse bëhet fjalë për një modifikim të vogël.

 

Kreu i ISKK, Bilal Kola: E para, nuk jemi në kushtet të themi se çfarë përmban ai projektligj. Nuk ka filluar ende procesi i diskutimeve nëpër komisione. Pa diskutim që ka skeptikë. Që të gjithë shqiptarët, por pa pikë dyshimi apo më tepër të gjithë intelektualët shqiptarë, janë skeptikë ndaj çdo lloj qeverie. Kjo është afër mendjes. Nuk ka pse të ketë as më të voglën ide në të kundërt të kësaj. Pra, që duhet të jenë skeptikë ndaj çdo qeverie kjo është më se normale. Arsyeja është e thjeshtë. 25 vjet kemi dështim spektakolar të këtij procesi, ndërkohë që në të gjitha vendet e Evropës Qendrore ky proces është përmbyllur tashmë. Ligji gjerman është eksperienca më e mirë, por mbetet për t’u parë se sa do të çedojë ose se sa mund të ketë hapësira për ta përmirësuar dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ne jemi këtu. Qëllimi është që ne duhet të jemi syçelur, që kjo nismë siç ekzakt ka nisur në bazë të modelit gjerman, ashtu të përfundojë, të mos ketë devijime.

 

Nisma

Nisma për transparencë të plotë të procesit të hapjes së dosjeve është iniciuar nga shkrimtarja Lindita Arapi, para 4 muajsh. Kjo nismë është njohur ndërkombëtarisht dhe është mbështetur nga shkrimtarë shumë të njohur evropianë, mes të cilëve edhe shkrimtarja, fituesja e “Nobelit”, Harta Muller. Peticioni ka marrë 101 firma dhe dje u bë publik edhe për shoqërinë shqiptare. Ky peticion deri në këto moment ka marrë mbështetje nga studiuesi Mark Marku, shkrimtari Agron Tufa, kreu i Institutit të Studimeve të Krimit dhe Pasojat e Komunizmit, Bilal Kola dhe disa ish-të burgosur politikë. Peticioni në vijim pritet të marrë edhe firma të tjera nga të gjitha ata që kërkojnë transparencë për hapjen e dosjeve.

 

Çfarë përmban modeli gjerman

Modeli gjerman nuk përmban kontekstin e ndëshkimit kolektiv, por edhe as individual. Personat që kanë qenë të detyruar të bashkëpunojnë me Sigurimin e Shtetit, do t’i adresohen një autoriteti që do të krijohet posaçërisht për saktësimin e dosjeve. Ky autoritet do të saktësojë të dhënat, me qëllim pastrimin e figurës së tij. Në këtë projektligj ndaj bashkëpunëtorëve që kanë qenë nën moshën 18 vjeç, nuk do të ndërmerret asnjë procedurë për korrigjimin e të dhënave të tyre. Pra, ky projektligj do të bëjë një dallim mes bashkëpunëtorëve vullnetarë dhe atyre që vërtetohet se kanë qenë të detyruar të bashkëpunojnë me Sigurimin e Shtetit gjatë periudhës komuniste. Dosjet do t’i vihen në dispozicion secilit prej personave ose grup-personave që kërkon të marrë informacion, por me disa dallime. Ata persona që kanë qenë të prekur nga Sigurimi i Shtetit, pra të burgosurit, personat që janë internuar, që janë dënuar me vendime të kohës por të iniciuara nga Sigurimi i Shtetit, do të kenë mundësi të shohin gjithçka në dosjet e tyre. Dhe kur dosja e tyre ka emra, ose anëtarësh të Sigurimit të Shteti ose bashkëpunëtorësh me pseudonim, ata persona do të kenë të drejtë t’i kërkojnë autoritetit ti saktësojë të dhënat e këtyre individëve. Personat që janë palë të treta, në bazë të këtij ligji nuk do të kenë të drejtë të shohin të dhënat konfidenciale që kanë të bëjnë me të prekurit. Të prekurit janë të gjithë ata persona që kanë qenë subjekt i dhunës apo terrorit të ushtruar nga Sigurimi i Shtetit. Ligji është njëfarë klasifikimi që i lejon të prekurit të shohin gjithçka, por të tjerët nuk mund të shohin gjithçka, sidomos ato të dhëna që konsiderohen të dhëna personale për të prekurin. Këto të dhëna nuk do të vihen në dispozicion të publikut të gjerë ose medias. Gjithashtu, të gjithë ata persona që në gjithë këta 24 vjet nuk kanë pasur mundësi si pasojë e mospasjes disponibël të dokumentacionit përkatës për marrjen e eshtrave të të afërmve të tyre, të kenë mundësi me anë të këtij projektligji të trajtohen me përparësi, ku t’i tregohen vendndodhja e këtyre eshtrave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency