Ligji i ri/ Si shkurtohen procedurat për të marrë një licencë për biznes, çfarë ndryshon me autorizimet

0
146

Gëzim Saliu

 biznes fasonRuli: INUK u kërkon prodhuesve të tullave, gëlqeres që certifikatën e cilësisë ta ketë firmosur klienti që blen, absurde. Bushati: Ahmetaj e ka kthyer Ministrinë në one stop shop për koncesionet

Shkurtohen procedurat për marrjen e një licence apo autorizimi. Me ndryshimet në ligjin “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, tashmë vonesat e ministrive përkatëse nuk do të lejohen më të jenë pa limit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, u diskutuan ndryshimet e ligjit, ku përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë bënë të ditur ndryshimet e ligjit. Kështu, në rast se me ligjin bazë parashikohej miratimi i shpejtë të tyre, por në shumë raste kthimi i një përgjigjeje nga ministri të ndryshme bllokonte procesin, çka krijonte kostot të shtuara për biznesin. Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë thanë se ligji i ri tashmë bën që edhe nëse nuk kthehet përgjigjja, leja do të miratohet në heshtje. “Ndryshimet e ligjit synojnë që të kufizojnë mundësinë që të tëra institucionet kanë për të krijuar barriera të panevojshme për biznesin për një operator ekonomik në një sektor të caktuar, duke përfshirë leje apo licenca të reja në legjislacionin e tyre sektorial. Me krijimin e QKL-së dhe hartimin e ligjit për leje e licenca mundësia që kanë për të futur një licencë të re është shumë e kufizuar. Ne kërkuam që autorizimet të trajtohen në mënyrë të unifikua nga Qendra Kombëtare e Licencimit. Autorizimet për të cilat përfshirja e QKL-së do të jetë e pamundur pas konsultimi t6ë legjislacionit sektorial do mbetet në trajtimin e institucioneve të tjera rregullatore, por me detyrimin që për çdo ndryshim të kritereve të rregullave duhet të konsultojnë paraprakisht institucionin përgjegjës për autorizimet në këtë rast, QKL-në”, – tha përfaqësuesja e Ministrisë, Pranvera Strakosha. Në të njëjtën linjë përfaqësuesi tjetër i Ministrisë bëri të ditur në Komision ndryshimet që i takojnë pjesë së autorizimeve, duke theksuar: “Ato që do kalojnë nga QKL nuk do miratohen nga QKL, por janë institucionet përgjegjës siç kanë qenë deri më tani, por thjesht QKL do shërbejë si portë hyrës për transparencën dhe për mbajtjen e afateve kohore deri në afatin e miratimit apo të refuzimit të tyre. Për ato institucione që në të ardhmen autorizimet nuk do kalojnë përmes QKL-së, ky projektligj e sjell një risi, se ato nuk do të hyjnë në fuqi pa u publikuar në regjistrin kombëtar të lejeve dhe të licencave përveç kur ligji parashikon ndryshe”, – tha ai.

 

Diskutimet

Ndërkohë, edhe pse opozita dha miratimin e saj për këtë ligj, duke vlerësuar shkurtimin e afateve për licencimin theksoi nga ana tjetër se ministritë janë ato që po e zvarrisin procesin. “Janë VKM në raport me ligjin e licencave draftligje kontrabandë që bien ndesh me ligjin e licencave dhe autorizimeve. Ligji ka afate, ato nuk po respektohen sidomos sa u përket lejeve të bizneseve, kalon deri në 6 muaj për të marrë licencën. Nuk është gjë e vështirë të kontrollosh nëse çdo ministri respekton ligjin e licencave”, – tha nënkryetari demokrat i Komisionit Genc Ruli. Në të njëjtën linjë, ai solli një shembull se si institucione minore sa i përket legjislacionit që nuk kanë të drejtë legjislative marrin kompetenca. “Si për shembull, INUK u kërkon prodhuesve të tullave, tjegullave e gëlqeres që certifikatën e cilësisë ta ketë firmosur klienti që blen. Absurdi më i madh, nuk është dokument tregtar certifikata e cilësisë, është dokument i prodhuesit. U vënë gjoba marramendëse deri në 20 milionë lekë mbi këtë kriter”, – u shpreh Ruli. Ndërkohë, deputeti tjetër demokrat Liridon Bushati akuzoi ministrin e Ekonomisë, duke pohuar: “Sot ministri Ahmetaj e ka shndërruar Ministrinë e Ekonomisë në një one stop shop për koncesione. Vetë dalja e tij në mënyrë antiligjore, duke thënë se hajdeni ke ne, se ne kryejmë punë, duke marrë kompetencat e ministrive të tjera e ka shndërruar Ministrinë e Ekonomisë në një one stop shop të koncesioneve”.

 

 Hidrocentrali i Devollit/ Mosshlyerja e kontratës për kompaninë, PS kërkon dosje për shpërdorim detyre

Moszbatimi i kontratës me kompaninë “Statkraft” për hidrocentralin e Devollit përbën shpërdorim detyre sipas deputetëve socialistë dhe për këtë duhet të përgatitur një dosje nga ana e ministrisë përgjegjëse. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohej koncesioni për hidrocentralin e Devollit, deputeti Bashkim Fino deklaroi se qeveria nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me infrastrukturën plotësuese, duke mos parashikuar fonde në buxhet nga viti 2013 deri në vitin 2015. Ai kërkoi përpilimin e një dosje nga ana e ministrisë për shpërdorimin e detyrës, duke iu referuar përkatësisht vitit 2013, kohë në të cilin ministria drejtohej nga LSI, e cila ishte në koalicion me PD. “A mban njeri përgjegjësi që pse këto fonde nuk janë parashikuar në buxhetin e 2013 sipas relacionit dhe 2014 dhe më pas 2015-ës. Ministria të mos rendë me shpejtësi të madhe të na kërkojë votën ne për të ndryshuar koncesionin, por të ecë paralelisht duke paraqitur një dosje për shpërdorim detyre të atyre që duhej ta kishin bërë para dy vjetësh”, – tha Fino. Në përgjigje të kësaj kërkese zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë Ilir Bejtja tha se ky dikaster nuk ka marrë masa për një dosje të tillë. “A ka shpërdorim detyre? Ne nuk jemi marrë me ndonjë kërkim të tillë pasi nuk jemi ministria përgjegjëse për ndërtimin e infrastrukturës zëvendësuese. Ne kemi marrë këtë si pasojë e bllokimit të projektit të energjisë”, – tha ai. Nga ana tjetër qeveria ka ndryshuar marrëveshjen me kompaninë, ku do të jetë ajo që do të marrë përsipër ta ndërtojë infrastrukturën plotësuese, në këmbim të uljes së riskut. “Duke parë vështirësinë për ta financuar nga ana e qeverisë shqiptare për shkak të borxhit shumë të madh të lënë ndaj sipërmarrjes nga ana e qeverisë së kaluar dhe rregullave strikte të FMN-së për të mos krijuar borxhe të reja në periudhën e qeverisjes si kusht për lëvrimin e borxhit të vjetër u pa e udhës që qeveria ti propozojë Statkraft të marrë përsipër ndërtimin duke mos lënduar borxhin publik me një borxh të ri”, – u shpreh Bejtja. Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet duke ia kaluar Parlamentit, ndërkohë që deputeti Fino, abstenoi.

 

 Gati ligji i ri/ Qeveria rikthen kooperativat bujqësore

Qeveria ka gati projektligji për krijimin e shoqërive të bashkëpunimit bujqësor. Me këtë ndryshim ekzekutivi rikthen kooperativat bujqësore të viteve para ‘90-ës, por sipas qeverisë, nisma nuk ka asnjë ngjashmëri me atë kohë. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, bëri thirrje dje që fermerët të bashkohen, pasi kjo është mënyra e vetme për të pasur fitime dhe për të arritur standarde në prodhim. “E kaluara tregon për një përvojë të keqe në këtë drejtim pasi nevoja e bashkimit tashmë vendoset në një terren krejt të ndryshëm. Bëhet fjalë për një bashkim të lirë me qëllim maksimalizuar fitimet dhe ulur kostot”, – u shpreh ai. Më tej, ministri tha se ky model bujqësor është konkurrues, prodhues dhe mbizotërues në treg dhe eksport. “Ne mbështesim bashkimin, mbështesim suksesin pasi ky bashkim provon që është i tillë, provon që është konkurrues, që është prodhues, provon që është mbizotërues në treg dhe eksport. Fermerët edhe në bashkëpunim, dhe kjo duhet theksuar me qendrat e grumbullimit, të cilët janë ato që u ofrojnë perspektivë prodhimit bujqësor për t’u grumbulluar, për t’u magazinuar”. Ndërkohë, vetë fermerët kërkuan më shumë mbështetje për këtë iniciativë. “Për të mbajtur gjallë prodhimin na duhet mbështetje financiare me subvencione dhe të jemi të parët në projektet mbështetëse dhe lehtësira fiskale”, – u shpreh Zef Pashuku, përfaqësues i fermerëve të Shkodrës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency